Me një lëmsh në grykë po shkon dhe kjo verë - Preç Zogaj

Preç Zogaj

Me një lëmsh në grykë po shkon dhe kjo verë

Flatra pas flatrash era e Shëngjinit
gjethe me gjethe ngrihet,
valë me valë.

Ç u bënë gjithë ato diej? Kaluan, kaluan…
Çu bë gjithë ajo kredhje, ai kthim verbues
i prehjes dhe endjes në zanafillë?

Si nga një predhë a kapsulë kam dalë
gjallë dhe esëll në këto brigje.
Bota trembet të dëgjojë kumte
sa e vjetër është, sa të lashtë jemi.

Me sy nga deti një vajzë e re
shkrehet në vaj.
Kush vallë e di,
hallin e saj!

Me një lëmsh në grykë
po shkon dhe kjo verë.

Gusht 2010



Fytyra që kam pasur kur më dashuroje

Fytyra që kam pasur kur më dashuroje
pak nga pak humbi në trajta të tjera
gjithnjë e më të serta, gjithnjë e më të mjera…

Tani kam frikë
të shihem në pasqyrë.
Do të doja të isha
ai poeti,
ai i dikurshmi ,
i dridhërueshmi.
Por, por…e ndjej ndryshimin,
e ndjej lakimin e pejzave, furtunën,
e ndjej ndëshkimin.

Fytyra që kam pasur kur më dashuroje
S ka qenë imja. Një zot ma huajti,
Ai ma mori
pa ma thënë emrin.
Oh, moj e mjerë, të kam tradhtuar
duke jetuar si gjithë të tjerët
me frikë në zemër.

Fytyra që kam pasur kur me dashuroje
Pak nga pak humbi në trajta të tjera
gjithnjë me të serta, gjithnjë më të mjera.


Bie nata 

Bie nata dhe zë në çark Shqipërinë.
Frymëmarrja ime shuhet fshehurazi-
gjëmë e mbytur.

Në një cep të errët rruge
trishtimi më ka lënë të vrarë dhe po ikën
si hije bashkë me shikimin tim, medet.
Ç vrasje është kjo, trishtim
çvrasje është kjo,
Kur ndjej, dëgjoj, mendoj
më mirë se kur kisha këmbë dhe duar!

Ka rënë nata, ka zenë në çark Shqipërinë
gjuhën e saj te vjetër, të zemëruar.
Cepa palltosh, shndritje kopsash
ndjellin urrejtjen në skenën e radhës.
Një shkrepje-lbyrje vetëtime
ndriçon epopenë, mjerimin
e lugetërve të fundit.

Dhjetor 2010

Zgjim 

Zgjohem në tetë të mëngjesit dhe po qaj
në mënyrën time të vjetër, pa lot, pa zë,
me shikimin e ngulur në xhamat e akullt.

Atje kanë ardhur vizitorë natën.
Më kanë parë në gjumë dhe kanë ikur
pa zbardhur drita duke më shënuar
me shenjën e tyre.
Ku?Ku?

Nuk duhet të lëviz disa minuta.
E di prej kohësh sa më kushton kjo shaka, kjo aventurë.
Përmbytja e madhe fillon
me zgjidhjen e kobeve që u lidhen pa leje
në ekzistencën e pavarur,
kur nuk e dija, nuk më sundonte
shpresa,
kjo vegël e vjetër e shtypjes.

Nuk duhet të lëviz.
Nuk duhet të shkrehem,
gjersa të mbyllet me mua kjo humnerë.
Dita harxhohet pa lindur e gjitha.
Sështë e nevojshme të më shfaqet e plotë.
E kam lenë pa përgjigje rastin tim,
E kam lenë të ikë,
Duke pritur të rriten të vegjlit e mi,
Duke pritur të vdesin të mëdhenjtë e mi…

Jam zgjuar në tetë të mëngjesit dhe po qaj
Ndërkohë që mund të këndoja gjithashtu
Që jam këtu,
Që është e dielë,
Që skam një plan,
Që dera u mbyll prapa meje.
Kopshti i ëndrrave dhe harrimit
rrotullohet në gjysmën e errët të hemisferës,
Perde të hirta avujsh plasariten në xhama
Kanë ardhur vizitorë këtu natën
më kanë shënuar me shenjën e tyre.
Ku?Ku?

Etyd 

Nuk kam luftuar kundër kujt dhe jam i humbur.
Së shpejti do të kthehem në shpatin e vjetër
ku lexoja dikur Du Fu-në dhe Takubokun.
E di se do të jetë fundi dhe s do gjendëm
kurrë më në qytete…

18 dhjetor 2010

Vdekja e babajt 

Babaj im ishte keq, por bënte vetë sikur ishte mirë,
Nuk e di pse dhe s mund ta di më.

Sa herë kthehesha në shtëpinë e prindërve,
Sa herë i thërrisja nga oborri
në zakonin e vjetër: o, Gjon Zogaj!
Pothuajse e dija si merrte vrull për tu ngritur si gjethe
nga minderi, nga pleqëria e tij, nga vetmia.
Ishte i lodhur, shumë i lodhur, por bënte vetë
për tu dukur i lehtë.

Babaj im i brengosur, babai im i helmuar,
bënte vetë sikur ish i gëzuar,
nuk e di pse dhe smund ta di më.
Një natë vonë të muajit shkurt
kur gjumi na kish marrë të gjithëve,
Dhe heshtja kishte rënë në botë,
Pa nxjerrë zë u ngrit nga shtrati
të ndalte duart e hekurta , të padukshme
që kishin ardhur t i merrnin frymën.
(Më kishte thënë : Këtu, këtu, këtu jam i pambrojtur!)

Pa nxjerrë zë hoqi dorë,
U vesh, pa, u nis dhe iku
me këmbët e veta përgjithmonë .
10 shkurt 2011


Fle si gem dhe zgjohet si lule rinia 

Fle si gem dhe zgjohet si lule rinia,
Në mes ngushtica e verbër ku ngjyra e zezë
fsheh çfarë është tmerr apo hyjnore.

Askush nuk mund ta dëshmojë misterin
që paraprin këtë çelje.

Po nënat ngrihen jerm nga gjumi
të prekin, të shtyjnë me thika errësirën,
Kullojnë gjak nganjëherë duart e tyre
duke u mbledhur grusht përballë hijeve.

Ah, sa e vështirë
me jetue në gjithë këtë dashuri.
Nuk e ka të gjatë përgjimi i rrahjes se zemrave
Kohë të reja, të dhimbshme na presin.
Janar 2011


Gjë prej gjëje s duroj në zemër 

Hap sytë , kthej kokën anash, prapa, ngadalë.
Shoh vetëm njerëz, vetëm dritë, drurë dhe lule,
Rrugë dhe sende nderuar
me emra të përveçëm.
Flas me zërin tim,
Dëgjoj zëra tokësorësh,
Prek supe, shtrëngoj duar,
Pres e pres me fytyrë nga ura-asgjë.
Po unë kam parë Perëndeshën atje. Ajo ka qenë
çfarë nuk është më,
çfarë nuk dhëmb më,
çfarë nuk sundon më në këtë botë
larë me prarim dhe dritë.

Është vonë për tu shkrehur në lot.
për herë të dytë brenda një jete.
Nuk kthehet as Krishti, as Dashuria.
Këtë po thotë Shën Pali
në letrën sekrete për mua .


Gjë prej gjëje sduroj në zemër.
Vështrimi im tani e tutje ka shortin të mbushet
me njerëz, me dritë, me drurë, me sende-
Fare nuk dhëmbin.
Përse smë the dashuri, përse mu shfaqe
vetëm kur humbe.
Prill 2011

Mendohem… 

Mendohem, mendohem, mendohem.
Nuk pushoj kurrë së menduari
Dhe pse jam lodhur e velur
nga kjo barrë grimcash, valësh-
Më shtypin e me shtypin,
Më shtyjnë e me shtyjnë,
poshtë e më poshtë , sikur
duan të më mbyllin për fare
nën tokë, atje
ku veç unë vdes
në rrënjën time.


Mendohem, mendohem, mendohem…
Pyetjet e fshira mbrëmjen e shkuar
ngrihen në mëngjes nga e para, të freskëta
si pulla të kuqe në lëkurë.
Më kot kam vërshuar.
Ka qenë iluzion fitorja,
E shkuara ime është një iluzion
E tashmja, e ardhmja skanë fat tjetër.

Por… mendohem, mendohem, mendohem.
Jam at, kam tre fëmijë.
Zoti mua mi la ,
mua më zgjodhi
mëkëmbësin e vet
në këtë çerdhe.
Qershor 2011



Më rrëzon Shqipëria 

Çdo mengjes
më rrëzon Shqipëria
me lajmin e keq.
Gjithçka kam
përdhe shembet
rëndë-rëndë.
Vetëm trupi mbetet në këmbë.

Sa të kem zgjim,
Sa të kem veshë,
S do kem shpëtim.
Në fund të botës vjen e më gjen,
Me siguri edhe në hënë.
Këtu, atje
një yll
është vendi im.

Shoh si dridhen, luten e qajnë në trotuare
si gonxhe drite do figurime.
Veç unë e di se janë të rrahurat
e zemrës sime.

Më tërheqin
të shkojmë larg
Në det, në zot.
Por nuk i ndjek
veçse me mall
pendim dhe lot.

Çdo mengjes
Më rrëzon Shqipëria-
Lajmi i keq.
Por ngrihem, ngrihem
sa herë bie
me ëndërrimin se një ditë
do mund të shoh
sëpaku një
nga perënditë.

Nuk kam të drejtë
të çoj dëm
ditët e shkruara
të fatit tem.
Ngrihem, ngrihem
sa herë bie
të shoh si zgjatet e si çel,
një vajzë të cilën e kam gen,
po është dhe bijë perëndije.

Dhjetor 2011


Me dashtë duke qarë 

Me dashtë duke qarë
pa lot dhe pa fjalë.
Duke bërë ik e eja në studio,
Duke parë orën e dorës kot së koti,
Duke bërë kryqin para bukës,
Duke dëgjuar zhurmën e lugëve, pjatave,
Duke mbytur një komb në grykë, duke u lëshuar
para e prapa me dorën në faqe,
Duke u përballur trimërisht, njerëzisht
me vështrimin e butë të vajzës tende-
Asgjë, asgjë, asgjë s ka ndodhur!
Katastrofa, një zgjim trëndafilash,
si vullkan po shembet nga brenda.

Me dashtë duke qarë
Pa lot e pa fjalë.

Korrik 2012



Të pabotuara

Imazh tjetër 
E pamundura lajmëron ekzistencën
me plagët që hap orë e çast nga brenda
trupit tim-
Lëkura shpërthen pulla-pulla.

Duke u parë është mbledhur toka.
Ka hyrë në shikim si coha në ujë.
Përpara njeriut do të soset.
Gusht 2009
***

Ishulli Lesbos 


“Gjëja më e bukur është ajo që dashurohet”

Safo

Zemra të padukshme rrahin në fillet e erës,
Hije zambakësh i vinë rrotull bregut,
Greqia e vjetër ka dalë në shëtitje
me shkallare, kopshte, ballkone, udhë,
fytyra, flokë, llërë, trupa të zhveshur, vështrime…
Ah, këto vajza të reja rrjedhin nga hyjneshat,
Nuk ka dyshim, nuk mund të jetë ndryshe.
Fillon të hapet si një yll historia
Por sfutet në kohë, asnjëherë, kurrë.

Duke parë vajzat,
dielli reklamon
rininë e përjetshme.
Prej gemit të vet
çel përsëri
Safo, poetesha.
Sjell përdore Helenën me gjithë të vdekurit nga pas,
ata që u vranë në Trojë dhe në Egje.
Një lajm kanë për ne këto hije, danaj:
S ka faj gruaja, dashuria ska faj.

Sa çel e mbyll sytë
hapen porta, mure
Shajnia vijon në jetën e këtejshme.
Unë e kam me të lehtë
të vë gishtin, thikën
në zemrën time .

Kurrë më sdo të kthehem në Lesbos.

Të bisedosh me Lefter Çipën


Lefter Çipa, poeti i njohur popullor, është nderuar nga Bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi” i këtij qyteti. Titulli do t’i dorëzohet sot në mbrëmje, në një ceremoni që do të zhvillohet në qytetin e gurtë.

Të takohesh me Lefter Çipën në Himarë, është një privilegj i veçantë. “Ja, jetoj këtu në Himarë, pranë flamurit tim”, thotë teksa përshëndetemi si dy miq të vjetër. Në fakt, metafora do të na ndjekë gjatë gjithë bisedës që zhvillojmë në një nga lokalet e qytetit bregdetar. Për të, “polifonia shqiptare, por në veçanti polifonia bregase himarjote, është kënga e perëndive”. Ai jeton për të. Nuk mund të flasësh për polifoninë himarjote pa folur për Lefter Çipën. Ai i ka dhënë asaj jetë, bukuri, i ka dhënë shpirtin që lundron në valët e detit. Të takosh Lefter Çipën, do të thotë të takosh këngën himarjote, të prekësh magjinë e bregdetit himarjot. “Nocioni bregas është shumë më i madh se nocioni himarjot”, thekson poeti i njohur popullor, teksa shton se, “bregasit himarjotë këndojnë më bukur se bilbili”. Kjo këngë, thotë ai, i takon të 13 fshatrave të Bregut, madje deri në Nivicë. Sipas Çipës, të kënduarit greqisht në tri fshatra të Bregut, i është nënshtruar të kënduarit shqip të polifonisë. “Kënga nuk ka nevojë të quhet shqiptare, italiane, greke. Kënga e bukur këndohet në 1000 gjuhë”, thotë Çipa teksa të sheh drejt në sy, si për të kuptuar e perceptuar thellësinë e filozofisë së këtyre fjalëve, që di t’i thotë vetëm Lefter Çipa. Askush më bukur se ai, nuk i shpreh me aq ndjenjë, me aq natyrshmëri, mesazhet që përcjell kënga himarjote. Ai hyn në thelbin e saj, e shtjellon atë, e bën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme për bashkëbiseduesin, hyn në origjinën e saj, në shpirtin artistik të popullit, që vjen në vargje brez pas brezi. Për Lefter Çipën, të flasësh për këngën bregase himarjote do të thotë që ta trajtosh atë qysh në origjinë, “ta përkthesh” në fabulën e saj. “Atje, në djep, qesh dhe qan fëmija/ në natën e bukaniqes, ose natën e tretë të lindjes fëmija fillon e qesh/por, ndërsa dëgjojmë fjalën e dëgjuar, por, jo shtatin e shikuar/kur u çua dhe kur do të flerë gjumë”. Çipa të bën për vete, të tërheq në magjinë e fjalëve të tij, që ai i thotë bukur. Teksa mban cigaren në dorë dhe flet e flet, ai ngjason me burrat himarjotë që rrinë në breg të detit, që nuk tremben nga furtunat, që, si bukuri të shpirtit të tyre, kanë këngën, kanë polifoninë. Polifonia shqiptare e perëndive bregase himarjote, është kënga e perëndive. Kur nis kjo këngë, perënditë zbresin në tokë, si në Greqinë e lashtë kur perënditë jetonin në tokë. Polifonia ka zjarr dhe shpirt në gjuhë, në muzikalitetin harmonik. Valët e detit janë të trazuara e përplasen me njëra-tjetrën. Kur mali lëshon borën poshtë, kënga lëshon vellon e shpirtit. Përse quhen malet e Vettimës, të Akrokeraunit? “Sepse kur Zeusi, fjalosej me Perënditë/nga inati shkrepte vetëtimë! Tempullin e Zotit, e ke Himarën, vargmalet e Vetëtimës, që qëndrojnë si kurorë mbi breg të detit”. Bota e pasur e Lefter Çipës “lexohet” në këto fjalë të tij, aty në breg të detit në Himarë. Ato të fusin në një botë tjetër, të kthejnë prapa në kohë, të zhysin në mitologjinë e shekujve më parë. Sepse e tillë, është historia dhe kënga himarjote, të tilla janë ngjyrat e saj, që kanë ardhur nga njeri brez në tjetrin. Por, Lefter Çipa thotë se, Himara është edhe një figurë mitologjike. Çipa të flet me sigurinë e një historiani të mirëfilltë, sepse i tillë është gatuar ai. Në vitin 1989, bashkë me ansamblin “Labëria” të Vlorës, si poet i këtij ansambli, ai mori pjesë në Festivalin e 17-të Folklorik Botëror, që u zhvillua në Francë, në kuadrin e përvjetorit të ndërtimit të Kullës Eifel dhe Revolucionit Borgjez Francez. Përmes miqve të tij në Ambasadën Shqiptare në Paris, ai mësoi se, në Enciklopedinë Franceze, përfshihej edhe figura mitologjike e Himarës. Kjo figurë, sipas Çipës, paraqitet me një kokë luani, me gjoksin e dragoit, me barkun e dhisë dhe me bishtin e ujkut(!). Poeti popullor e shtjellon qartësisht domethënien e kësaj figure mitologjike, që përfaqëson trimërinë e pahumbur të luanit, pathyeshmërinë e dragoit, pangopësinë e dhisë dhe dinakërinë dhe egërsinë e ujkut. Sipas Çipës, polifonia bregase himarjote, është më e lashtë se Greqia e lashtë, se Roma, se Bizanti. Ajo është krijuar që kur u krijua Zoti. “Polifonia është shpirti i ditës dhe zëri i natës”, thotë ai, duke shtuar se, ditën vuan njeriu, ndërsa natën sheh ëndrra të bukura. Pikërisht vuajtja dhe bukuria e ëndrrave, përbëjnë edhe thelbin e polifonisë. “Polifonia është me kurorë qiellore, sepse ajo ka sakallëk”, shprehet Çipa. Ai shpjegon ndryshimin thelbësor të polifonisë bregase himarjote, krahasuar me atë të trevave të tjera. “Në Himarë ka një fenomen real; nuk i këndohet atij që merr hak, nuk i këndohet hakmarrjes, i këndohet faljes së gjakut”, sqaron poeti popullor. Çipa e kujton me nostalgji fillimin e krijimtarisë së vet. Ishte 16 vjeç, në vitin 1958, kur, Themistokli Mone, artisti i njohur vlonjat i këngës qytetare, e angazhoi në këtë grup. “Ishte një rastësi, por, siç ndodh shpesh, rastësia mund të vulosë të ardhmen e një njeriu”, thotë Çipa. Ai tregon se, kënga e parë e tij, “Një flutur e vogël je/16 pranvera ke/moj trëndafile sa e bukur je”, zuri vend menjëherë në repertorin e Trios së famshme të këngës popullore qytetare vlonjate. Prej asaj kohe, ai punoi mjaft për vite me radhë për këtë grup të njohur në të gjithë vendin. Madje, tregon edhe një sekret; 80 për qind e teksteve të Trios Vlonjate, kanë autorësinë e tij. Këngë të tilla, si “Vlora jonë qytet i bukur”, janë shndërruar në “hit”-e, për këtë grup. “Trioja është brumi i Neço Mukës”, sqaron Çipa, duke u shprehur se, në themel të saj, është kënga e Neço Mukës së famshëm të Himarës. Lefter Çipa është autor i 16 librave. Në vitet e krijimtarisë së tij, për polifoninë, përfshihen “Bejke e Bardhë” (1973); “Shqipëri moj ballëhapur” (1976); “Bilbilat e vendit tim” (1981), “Dheun tim përsipër marr” (1989); “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë” (1994); “Bilbili që këndon vetëm” (1999); “Për Kosovën prapë do ngrihem”(1999); Tre vëllime në vitet 1993-94-95 “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akrokeraunit” dhe “Këngët e Ruzharës” etj.

Harilla Koçi

Libri i princeshës ruse, në Tiranë

Historia brenda një libri/ Më 1979, profesori i njohur i sllavishtes, suedezi Gunnar Jacobsson, i dhuroi kolegut të tij shqiptar, profesor Ferdinand Lekës, librin e poetit rus Aleksei Tolstoi, i cili mban vulën e bibliotekës personale të Princeshës Marina Petrovna të Rusisë

Princesha Marina Petrovna e Rusisë (11 mars 1892-15 maj 1981) i adhuronte librat. Vajza me një buzëqeshje të ëmbël në portret kalonte orë të tëra në bibliotekë, ndërsa mbrëmjeve lexonte poezi me miqtë e saj. Ajo ishte vajza e dukës së madh Piter Nikolaeviç të Rusisë dhe gruas së tij dukeshës së madhe, Militza Nikolaevna, princeshë e lindur në Malin e Zi. Mbesë e Carit Nikolas I të Rusisë, ajo lindi në Nicë, në Francë, dhe u rrit në periudhën e fundit të Perandorisë ruse, kryesisht në Znamenka, pallati veror i babait të saj, afër Pitërhof. Ajo ishte një artiste e lindur. Përveç pasionit për të lexuar ajo tregoi talent për pikturë. Fillimisht studioi pikturë me një mësues nga shkolla e lartë e Jalta dhe më pas në Shën Peterburg me profesor Kordovsky. Dukesha e madhe, Maria Pavlovna, e rekomandoi princeshë Marinën si një nuse të mundshme për dukën e Montpensier, djali i kontit të Parisit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Marina shërbeu si infermiere me trupat kaukaze afër Trabzonit. Ajo i shpëtoi Revolucionit Rus me pjesën tjetër të familjes së saj në bordin e anijes britanike HMS Marlborou, në vitin 1919. U martua me princ Aleksandër Galitzin në vitin 1927. Ajo vdiq më 15 maj 1981 në Francë në moshën 89-vjeçare. Gjatë largimit nga Rusia, Marina u mundua të shpëtonte disa nga gjërat e saj më të vyera siç ishin librat. Librat e familjes së Carit kishin dhe stemën mbretërore të familjes. Një libër i poetit rus Aleksei Tolstoi, një vepër e botuar më 1905-n, pjesë e bibliotekës private të princeshës prej më shumë se 30 vitesh ndodhet në bibliotekën personale të përkthyesit dhe studiuesit të albanologjisë Ferdinand Leka. Një libër me kapak të trashë të kohës, botuar me kujdes, në faqen e parë të së cilës shohim vulën e bibliotekës së Carit. Profesor Leka e ruan si një gjë të vyer prej vitesh librin, në morinë e librave të një jete të tërë akademike. Por si erdhi libri i princeshës Petrovna të Rusisë, deri në Tiranë? Profesor Leka tregon se librin e ka marrë dhuratë nga profesori i njohur suedez i sllavishtes Gunnar Jacobsson. Nuk dihet sesi sllavisti i njohur e ka marrë këtë libër të rrallë të princeshës, por duke lexuar jetën e tij, plot udhëtime, kryesisht të interesuar për gjuhën ruse, mund të jetë takuar dhe me princeshën… Duke parë me kujdes jetën e profesor Jacobsson-it, shohim se ai ka kaluar një periudhë në Francë, ku ka qenë i lidhur me komunitetin rus të emigruar aty. Ndoshta në një vizitë në vilën ku jetonte princesha, ajo i ka dhuruar librin e poetit Tolstoi… “Profesor Jacobsson ka ardhur në Shqipëri dy herë, i ftuar nga Akademia e Shkencave për të sjellë përvojën e tij si sllavist, një herë në vitin 1979 dhe në vitin 1983”, thotë Leka. Duke kujtuar takimet tepër profesionale me të, ku bisedat ishin të vlefshme jo vetëm për të përftuar mbi kulturën e gjuhëve sllave, por dhe mbi atë çfarë ndodhte jashtë hapësirës së Shqipërisë, Leka kujton dhe momentin kur ai i dhuroi librin, pa e ditur se ai libër kishte dalë nga një bibliotekë mbretërore. Libri është një vëllim me poezi, i një poeti të ri rus të kohës, ku shihet dhe interesi i princeshës për artin e poezisë. Profesor Gunnar Jacobsson i Universitetit të Gothenburgut u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, më 1 prill 2001. Ai lindi më 22 dhjetor 1918 në Lysekil, Suedi, në familjen e një specialisti birrash. Dhe pse familja ishte e madhe, ai dhe katër vëllezërit e tij u shkolluan. Interesi i tij për gjuhët sllave lindi që në moshë të re. Babai i tij, në vitet e rinisë, ishte një udhëtar në Europë ku mësoi dhe profesionin e birrarisë dhe kishte punuar një herë dhe në Shën Peterburg. Në bibliotekën e tij në shtëpi, gjendeshin disa libra në rusisht. Një influencë tjetër ishte dhe fakti që një nga të afërmit nga ana e mamasë së tij kishte publikuar një libër në rusisht për Finlandën. Gunnar studioi gjuhët sllave në Lund dhe në Uppsala.
Kjo e çoi të krijonte lidhje me gjeneratën e vjetër të sllavistëve suedezë si Sigurd Agrell, Richard Ekblom, CarlGöran Regnell, Gunnar Gunnarsson dhe Knut-Olof Falk. Edhe para Luftës së Dytë Botërore, ai arriti të vizitonte një nga komunitetet sllave, Poloninë, por lufta i prishi planet për udhëtimet e tjera. Ushtria suedeze i përdori njohuritë e tij të gjuhës sllave për detyra të ndryshme, ndër të cilat dhe ajo si person kontakti në një kamp të arratisurish nga Rusia. Në të njëjtën kohë ai vazhdoi dhe karrierën e tij akademike. Pas doktoraturës për sllavisht më 1947 ai kaloi një kohë në Paris, ku krijoi shoqëri me sllavistët francezë dhe qarqet e emigrantëve rusë. Pas luftës ai filloi udhëtimet e tij në Europën Lindore, Poloni dhe Çekosllovaki, Bashkimin Sovjetik, Bullgari dhe Jugosllavi. Këto udhëtime ishin pasioni i jetës së tij, një pasion të cilën e ndante me gruan e tij Hillevi. Ai u mundua të vizitonte të gjitha vendet sllave. Ai ishte një nga sllavistët e vërtetë gjë e cila vërtetohet dhe nga bibliografia e tij, e cila përfshin një fushë të madhe nga letërsia polake në letërsinë ruse si dhe përkthime nga rusishtja, polonishtja dhe kroatishtja. Në vitet 1944-1948 ai punoi si profesor i rusishtes në Universitetin e Gothenburgut. Për 40 vjet ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet e gjuhëve sllave. Profesor Jacobsson konsiderohet si një shkollë më vete e sllavistesh, një njeri i rrallë i mbushur plot pasion për gjuhët.




Mit’hat Frashëri Letrat intime dhe me personalitete të zhdukura nga Arkivi


Speciale/ Disa ditë në Arkivin e Shtetit duke vëzhguar fondin 35, që i përgjigjet letërkëmbimit të Mit’hat Frashërit; gjendja fizike e dokumentacionit gati e shkatërruar. Një pjesë e mirë e lëndës që figuron e regjistruar në skedarë nuk ekziston si dokumentacion. Nga vëzhgimi del se janë të zhdukura sidomos korrespodenca me personalitete të huaja ose kur janë letra të një rëndësie historike, mund të përmendim këtu se mungojnë letrat me Margaret Husllakun.

 Violeta Murati

“Kërkojmë fondin 35, letërkëmbimin e Mit’hat Frashërit”, – i drejtohemi punonjëses në banakun e parë që ndesh në anën ku studiuesit presin radhën me muaj në Arkivin e Shtetit. Përgjigjja vjen menjëherë, e shpejtë dhe e prerë: “Po çfarë do t’i shikosh këtij fondi, është shumë i dëmtuar!” Nuk është vetëm keqpërdorimi, marrim vesh, por kur kjo pjesë e politikanit, mendimtarit dhe ideologut më të ndritur shqiptar të viteve ‘30 është gjendur e transportuar në Arkiv aty rreth viteve ‘80 gjendja fizike e dokumenteve ka qenë jashtëzakonisht e rëndë.
Fondi 35 shënon gjithë pasurinë e letërkëmbimit të Mit’hat Frashërit që ruhet në Arkivin e Shtetit. Janë rreth 3.500 letra, ku përfshihet korrespondenca e Frashërit, brenda dhe jashtë vendit. Ky fond na rezulton të mos jetë i plotë dhe punonjësit e Arkivit na përforcojnë se është në gjendjen më të rëndë fizike, ndër më të shkatërruarat.
Nga vëzhgimi në Arkivin e Shtetit, duke kaluar pothuaj gjithë letërkëmbimin e Mit’hat Frashërit, afro 40% e fondit nuk arrin të jetë jo vetëm e disponuar, por edhe e shfrytëzueshme. Kjo do të thotë se gjendja fizike e letrave është jashtëzakonisht e rëndë. Nga ana tjetër, një përqindje e mirë prej tyre ka dalë jashtë përdorimit, për shkak të dëmtimit, grisje apo prishje të tekstit nga lagështira. Sikur të mos mjaftojë kjo, një problematikë më vete paraqet lexueshmëria e kopjeve të dokumentit.
Një pjesë e mirë e materialit është në gjuhë të huaj, kryesisht turqisht, frëngjisht shumica dhe shumë pak anglisht.
Letrat në gjuhë të huaj është shumë vështirë të përkthehen, pasi teksti nuk kuptohet, sidomos letrat e shkruara me dorë. Po të kishim dokumentin origjinal ndoshta do të ishte më e lehtë, por fotokopjet dalin me cilësi shumë të dobët.
I fundit shqetësim për këtë fond lidhet edhe me disponimin e dokumentit sipas skedarit. Një pjesë e mirë e lëndës, që figuron e regjistruar në skedarë, nuk ekziston si dokumentacion. Nga vëzhgimi del se janë të zhdukura sidomos korrespodenca me personalitete të huaja ose kur janë letra të një rëndësie historike, mund të përmendim këtu se mungon letrat me Margaret Husllakun.
Letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit mund të ndahet në tri grupe të mëdha: në të parin mund të grupojmë letrat me personalitete historike, të kulturës dhe politikës; në të dytin letrat me njerëz të zakonshëm, të thjeshtë që i shkruajnë për t’u bërë ndere apo për ta përshëndetur; dhe në grupin e tretë janë letrat intime, familjare të Mit’hat si ato me motrën dhe mikeshat e tij. Për këto të fundit, mikeshat, janë kryesisht në gjuhën frënge të pakuptueshme për përkthim të tyre, por që nga një vështrim i shpejtë, aty-këtu, kupton se janë letra për çështje pune, shumë miqësore dhe impresione udhëtimi apo takimi ku shpesh nuk mungojnë dhe ftesat për vizitë apo teatër!
Më poshtë kemi veçuar disa letra që mendojmë se kanë rëndësi, si historike po aq edhe interesante për të njohur personalitetin e Mit’hat Frashërit, ku veçanërisht bie në sy eleganca e finesa se si shkruan letrat, hyrja e letrës dhe mbyllja, gati e pazakontë, mirësjellja e humbur në tekstet e memove zyrtare dhe miqësore sot!

***

-Dosja 133, f. 139

Një letër në frëngjisht, nga Parisi për Mit’hat Frashërin në gjuhën frënge, me nënshkrimin: “plot dashuri Lolottë”. Teksti është vështirë të përkthehet pasi është shkrim me dorë dhe nga fotokopja nuk del qartë gërma. Nuk kemi arritur ta përkthejmë.

-Dosja 135, f. 53 një letër nga Federata e Vatrës, e japim të plotë:

The Pan Albanian Federation of Amerika

Vatra the
456 Tremont St
Boston 18 mars
Gusht 28, 1922

I dashur Zot,

Ju lutemi shumë të kini mirësinë të na dërgoni shumën prej # 80 (tetëdhjetë dollarësh) që i kini federatës. Kemi shpresë se këtë hesap të vogël do t’a qeroni me Vatrën, me që pas një muaj duam të bëjmë hesape te katër muajshme dhe nuk dëshërojmë të raportojmë në degët borxhet që kemi paratë e mbledhur
Kemi shpresë se do të kini mirësinë të na përgjigi sa më shpejt
Mbeten i juaj me nder,
Sekretari i vatrës
K.ISAAK

Zotirisë Tij
Zotit Midat Frashëri
Paris, Francë


Dosja 135, f. 81

Fort i ndershëm z. Lumo Skendo

Do të më bëni një hsërbim shumë të madh sikur të më dërgoni një listë të dramavet shqipe së bashku më çcmimet e tyre nga ato që ndodhen në librarinë tuaj.
Një jgjë e tillë më vlen shumë dhe kështu do të kënaqesha tepër e do të isha thellësist mirënjftës.
Ifigjeni miqesha e juaj e vogël e Kambëzës tashti është nxënëse e klasës së tretë në institutin “Nëna Mbretëreshë”, ajo ju mban mend shumë bukur sepse një fisnikëri aqë të madhe si ajjo e z-së s’uaj është shumë zor të harrohet. Unë simvjet jap seminaturën këtu e mot, do të kem fatin e mirë të jem mik i z-së s’uaj aty në Tiranë

Nderim e respekte
Kristaq Tutulani
Berat, 5 qershor 1936

***

-Dosja 135, f. 228

Letër në frëngjisht që mban datën: Vjenë, 3 dhjetor 1915, është e ndërprerë e paplotë dhe nuk identifikohet se kush e ka dërguar.
Faqe 230 në një gjendje katastrofale, letër në frëngjisht e pakuptueshme dërguesi, po mendojnë të jetë e ndonjë rangu të lartë, pasi është e shtypur e daktilografuar dhe nis me fjalën: “Excellence”

-Dosja 137 nga f. 37 deri në 80
Një student Sefedin Koleci i kërkon të holla sa për të përballuar shkollën, duke i premtuar se kur të dalë me rrogë do t’ia kthejë. Është e vitit 1931.


Dosja 137, f. 102

Sarandë 28/IV/1926
I ndershmi Mik. Z. Mitat

Duke dashur të përfitoj nga rasti i ardhjes s’uaj në Tiranë, po vij t’ju lutem përkrahjen t’uaj për kthimin tek fakiri të pasunisë së teqes q’auoritetet grek m’a muartin nga dora në Prevezë.

Nji nga shkaqet që më shtyjnë të kërkoj përfitim nga ndodhja e juaj atje nuk ësht vetëm fakti që realcionet shqiptaro-greke janë, më së fundi, në një rrugë miqësie të ngushtë, si ç’na e ka dësheruar zemra gjijthnë për të e të dy kombeve kushërinj, po ësht, më shumë, besimi që m’inspiron fytra e z.Konduli dhe përkrahja që shpresoj të kem nga zotëria e tij me anë të zortis s’uaj, Zontin Konduli nuk e nof personalisht por cili ësht ai shqiptar i marrur me çështe kombëtare që të mos e dijë kush ësht zotërija e tij?
Prandaj, ju lutem beni demarshet e duhura që zotërija e jua do t’i shihni të nevojshme dhe siguromëni kthimin e pasunis së teqes s’ime ku leca dhe u rrita e që vjen shumë zor a shum ligsht te roje jashtë stresës së saj. Besoj se nuk do m’a shihni e tepërt ketë dëshirë të pleqeris
Ju informoj se dhe vet i jam drejtuarministris së jashtme
Duke shpresuar se për s’afërmi do të kem pergjegjen t’uaj, ju lutem, i ndershëm mik, të pranoni nderimet dhe duart e mija të shquara
Miku i vjetër tuaj
Sheh Sabri


Mungon dosja 36/4 letër e E. Durhamit dërguar nga Londra mbi gjendjen e Shqipërisë, në skedarët e arkivit ekziston, figuron, me shënimin: e arkivuar në vitin 1984.

Dosja 104 nuk ekziston ku flitet për një letër drejtuar një femre anonim në frëngjisht

Dosja 134 letër princeshës mungon, ky material figuron në skedarë por jo në arkiv.



Dosja 36/3, f. 672

Tri letra të Kosta Cekrezit nga Uashingtoni, ku e njeh Mit’hat Frashëri për veprimtarinë e tij për imazhin e Shqipërisë, përpjekje që si duket e mundimshme dhe në raskapitje mes gjendjes së tij dhe zhgënjimit, ku në fund të letrës përshendetja për Mit’hat Frashërin është: “takimi me ty është defrim dhe clirim, me besë e dashuri, po në luftë me botën”!
Në këtë fond dallohet marrëdhënia me komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe kontakti i pandërprerë me Shqipërinë dhe Mit’hat Frashërit
Më poshtë po rendisim disa mënyra se si nisin letrar e mbyllen kur i drejtohen Mit’hat Frashërit: Mbetem në besë; shërbëtor i çështjes; Me shumë nderime plot miqësi; Në shtërngim dore vëllazërisht; I juaji në besë, Asdreni; Ju falem me shendet, e jesh me nderim të posaçëm At Pashk Bardhi; Dy syt e mi Midat Bej – fillon letrën nga Basri Dibra; Një letër nga parisi, 31 tetor 1919 dosja 36/1 fletë 192 përshendet:
Dy syt e mi Midat –bej
Mora vesht nga Palahadini se ndodheshim edhe në Luazane, mësova prej tij dhe adresën e bej. Sa më ka marrë malli për jue, sikur t’a dini! Do të këthe në Bernë mbas disa ditësh. Vetëm për të ju pa jue do të qëndroj nji natë, në Luasannë. Ju lutemi të piqeni me mua kësaj të marte s’ora, 7 në Luasanne-Palace
T’a xamë sbashku, vallznisht, tryezën e darkës dhe të bisedomë mjaft, mjaft
Vëllau i jues qi ju pëqafon me mallë
Basri
“Ju puthim duert”- mbyll letrën Ibrahim Tema

Dosja 36, fleta 738, një letër nga Liri Gega

I ndereshmi z. Lumo Skendo,

Babaj më dërgoi letrën qi kishit shkruar ju; ju falemi nderit për kujdesin që dëftuat.
Ju keni të drejtë, unë duhet t’ju shkruaja vetë, ishtë me e arsyeshme, por nuk besoja që të më mbanit mënt me gijthë se kam ardhur mjaft herë në libriarinë t’uaj, kur njeriu kujton të jetë i panjohur, nuk guxon të kërkojë as një të mirë, e cila sot është e vështirë të miret edhe prej miqvet.
Për gjthiçka se ç’më shkruani e se ç’duhet të bëj, nëri aty një stundet shqiptar, Stafa, e bisedoni me të.
Dëshiroj të më falni për këtë çqetësim të vogël që po ju shkaktojj, mbasi burimet e sigurta të zhvillimit to’onë historik janë të pakta e vetëm pak veta e zotnojnë

Të fala e nderime
Liri Gega

***

Gjirokastër 28 II 1940
I nderuar z. Mithat

Letrën z-aj e mora dhe sot ju dërgoj çupën teme Lirisë i shkrojta të korrespondonjë direkt me z-aj,
Ju lutem me të tepër mes ju vijë rëndë, i shkruem si duhet të veprojë, dhe i libra e dokumenta që duhen a dërgoni direkt, dhsa shpenzime që do të bëni, më shkruani mua t’u a dërgo lira këndon mirë gjuhën anglisht dhe italisht,
Tue qenë i sigurtë se nuk do të kurseni për çupën time mbetem më shumë nderim dhe respekt
Juaji
B. Gega

Dosja 36/1, fletët 251, 252, 253

Këto kanë dy tre letra të këmbyera me Branko Merxhanin në turqisht që mbajnë datën 16.1.1937, e para për t’i shkruar përsëri Xhuvanit që “ti ketë mirisinë më u përgjigj simbas dëshirës”.
E dyta lidhet me çështje personale që mban datën 22.12.1936
Letra e tretë Branko i kërkon pesë franga që i ka ngelë, më 13 I.1938
Letra mbyllet: “Ti puthi syet e pres xhevap”


Brindizi, më 16.1.26
I dashur Midhat,
Letrën t’ande e këndova asht shumë e hskurt, shumë pak shpiegime, por mjajft dritë ka në të për mue. Më duket se akoma nuk kea shpëtua nga njjë tendencë “ndesisë” që po e karakterizon jetën t’ande politike ka mjaft kohë.
Duhet t’i hyjsh punës pa mendua shumë larg, pa as nji punë nukmund të krijohet, po u mendova pasë, pse gjithnjë, shkaqet personale dhe gjenerale nuk mungoin!…
Por, ç’ka, dhe kjo kaloi kështu…
Nga letra jote kuptova se dishka të tyen për me të largue nganjë “karrierë”, i në kjoft se do të largohesh për t’ua ba mësues më ndonjji katund asht fare kot; jo, në kioft se e kee kuptue mirë se sa poshtë ka ra Shqipëria dhe do t’i hyjsh luftës për t’a revandikue m’emrin e saja, aherë “avanti”…Lufta sa të jesh shumë e vështirë, por jo, e pa fotrishme
Jam tue shkrue për nat nga nji copë mbi “Plagët t’ona”….e letra e parë besoj se kam me t’ia nisë mbrena në kët javë, jam plakë e jam lodhs humë, por kadalë ….nuk ka për të nevoitë

Dishëroj të keemi prej…
Të gjata e të shpeshta
I shkreti Rexhë, më erdhi shumë keq nga deka e Shevjetit. Nji humbje shumë e randë e pa shpërblijshme
Të fala nga zemra, pres gjithnji letra prej teje
B.Peja


Dosja 36/1, fleta 63
Paris më 12 janar 1922

I dashur Rexhep
Na në letrë zyrtare. Po dua edhe një personale. Për bibliotekën them se një dyqan i madh i Katundarisë, ose prej atyre të Esad Toptanit, është mjaft. Në gjejsh dy afre e afrë edhe më mirë; çelni një derë në mes: njana naë bëhet sallë për këndim; tjetra zyrë për sekretarin dhe depozitë për librat.
Biblioteka që tash do celun, poa edhe të mos kini shum libra, mundi me u ba abona në revista dhe kështu tërheqni këndonjës, që të shpëtoja bota nga qelbësi e kafenevet, nga politika e kafenevet dhe nga alkoolisma:
Këtu po gjen edhe në kopie të një statuti për Lidhjenë Shqipëtare për shoqërinë e kombëvet. Këtë statutja çova Eshrefit. Pra kur të doni u të dy, bashkë me \Sejfull, Aleks Xhuvani etj e filloni këtë Lidhje.
Po gjen këtu edhe një notë që kam bamun për miqtë mi kufin’ e Shkodrës dhe Dibrës. U shkrova miqvet në London, që të shohin delegatin angliz.
Duhet që të përpiqi që makar nji prej misevet të Komisionit të hetimit që ka arth aty, të mbetetë në Shqipëri për do kohë, se nga trathëti e Serbevet duhet të kemi kurdoherë frikë.
Ep të lutëm urdhër që të më çojnë Kumtarin Arsimuer, Shkolla e re, Bagëti e Bujqësi, dhe çdo libër të re që të dalë, se sot për sot vetëm Këndimi I, II dhe libër Lximi kam. Dua një gramatikë (10 copë) dhe 5 copë regullore të Komisisë Letrare për orotografinë shqipe
Ep dhe urdhër të më çohetë Bisedimet e Parlamentit
Të puth sytë.

***

Dosja 170, është shumë rëndë gjendja, e grisur, e bërë pis nga boja dhe nuk kuptohet asnjë fjalë. Titulli i dosjes: Letra të Mitat Frashëri ardhur nga persona të ndryshëm, dorëshkrime shtypi shqip dhe frëngjisht e italisht
Dosja 170, fletë 19- 24, frëngjisht të paidentifikuara se nga kush vijnë, mungon faqja e fundit ku mund të jetë dërguesi.
Mendojmë se, në dosjen 170 një pjesë e mirë në frëngjisht janë letra dërguar nga Angele, megjithëse ky nënshkrim del vetëm në pak fletë, po nga lloji i shkrimit, me dorë, mendojmë se ndoshta është e njëjta dorë që shkruan, pra ajo e Angeles dhe Mimisë. Faqet 34-39 nga Angele dhe 39-44 nga Mimi, vazhdon 44-49.
Janë letra të prera në mes, dhe fragmentare të shkëputura si nga lloji i shkrimit, ashtu dhe boja, për të cilat mendojmë se nuk ka koherencë kur janë shkruar, ose janë arkivuar keq nga punonjësit.
Këtyre letrave u mungon koka, hyrja, data vendi, kur janë dërguar.
Dosja 137 mban letra që tregojnë situatën e brendshme të Shqipërisë, si dhe porosi librash – janë në kushte fizike mjaft të rëndë, letra pa adresuar se nga vijnë, dhe të grisura nga lagështira, e dukshme.
Dosja 138 ka një letër në frëngjisht nga Parisi, prill i vitit 1905 mendojnë se kjo është nga letrat më të para, ashtu siç dhe ne kopertinën e dosjes bëhet me dije se kemi të bëjmë me arkivim nga viti 1901 deri 1944, është në frëngjisht.
Dosja 138
Paris, më 23 tetuar 1925
Zotit Midhat Bej Frashëri
N’Athinë

I dashur zoti Midhat Bej,

Letrën e zotri sate më datë 15 k. E mora dje dhe ju falem nderit.
Disa dit më parë mësuam prej një telegrame që kishte ardhur në legata se Parlamenti dhe Senati, mbledhur tok në formë asambleje, e ratifikuan marëveshtjen serbo-shqiptare mbi Shën Naumin dhe Vermoshin. Mehdi Frashëri kishte mundur, pra, t’bindnje Kuvendin mbi dobin’ e keti kembimi…..
Esht kot te shtoj se midis atyre qe ndodhen ketu kjo gje beri nje pershtypje te keqe. Munt te themi se esht nje ure e kupetimit dhe vellazerimit qe pritet.
Pardje mesuam dhe faljen e pergjitheshme. Askush nuk e priste te jete e pergjithshme, pa përjashtime. Nuk ka dyshim se ata të cilët do të përjashtohesh as pas kësaj faljes nuk do te vene ne Shqipëri. Por të shohim qysh do t’a prese shumica e t’ikurve. Sido qe te jete, kujtoj se mendimi i kryengritjes duhet leftuar. S’munt te rjedhin prej kesaj veç se mjerime per Shqiperin’ e shkrete. Shpesh here kam folur me te ketushmit mbi kete sent.
Profesoret e Korçes akoma nuk jane nisur. Dje, paskan ardhur paret per udhetimin e tyre; tani Legata po perpiqet t’i therese me ane te Ministrise qe t’u doresoje paret…. Ne mos qofshin merzitur dhe ne mos pacin hequr dore. Fundi, sado shpejt qe te soset kjo pune, shkollat do te mos munt te hapen vec se na mbarim te Nendorit.
Na edhe nje tjater histori te bukur: Më 30 të këtij muaji Legata mori nje telegram te nenshkruar prej Tutulanit si sevendes i Ministrit Punve, te Jashtme ku thuhesh se Keshilli ministruer e emerovi Dhimiter Beratin si sekretar te pergjithshem te Min. Pun, Jashtme. Pra luteshin te lajmohet dhe te niset me njehere.
I thashe Ilias Beut te telegrafoje që të më dërgohen 1000 franga nga paret qe kam per te marre. Si te vete ne Tiranë, do te shoh ne munt t’a mbaroj barren qe duan te me ngarkojne. Neime, kjo s’hyn ne pune. Ilias beu telegrafovi: “Z. Berati esht gati te niset Tirane, Lutemi dergonj 1000 fr, per spenzime udhetimi”.
Pas dy dit, nje telegraf i nenshkruar prej faro Gjates thosh: Priere …..

Deri këtu është fleta dhe më pas ndërpritet, fleta 14, e cila nuk ka nënshkrim...



Dosja 138, fletë 32/1/2/3

Nëndor 1912

Si u bë kongresi i Vlorës
(Leter nga Vlora)

I dashur Kristo
Nga Shkupi të shrkova, them ta kesh marrë. Dolla nga ay qytet ditën që filloj Luftën Bërbija dmth më 3 (16) të muajit që dolli dhe shkova nga Mitrovica, Ipek (Pejë), gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan, nga Elbasani arthçë këtu. Në Kosovë ( d.m.th. prej Ipek, Gjakovë, Gusinjë, dhe Plava) me tre shokë të tjerë mora letrën me nënëshkrime të parësive për të treguar që jemi mëkëmbësit (veqilët) e tyre për; çdo gjë që të bëjmë për Shqipërinë. Kur arthmë në Tiranë qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë t’Abdi be Toptanit, se kishim bërë fjalë dhe me Kapidanin e Abatin e Mirditës. Po kur arritmë ne gjetëm letrën e Sureja Be Vlorës, i cili kish ftuarë paraësinë më një mbledhje. U gëzuamë, se kështu e gjenin gati punën. Në elbasan donja që të behesh ky qytet ai vënt i mbledhjeve, po atje na erdhi tejshkrim i Ismail Qemalit që na lajmëronte se do të dalë në Vlorë dhe ftonte botën më një mbledhjje. Edhe pas pakë ditësh arriti në Durrës bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi gjithë delegatët e ardhurë dhe të atyre viseve, vanë në Vlorë, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit.
Kongresi u çel më 15/28 të këtij muaji dhe ishin 47 delegatë nga çdo anë e Shqipërisë, vise të shkelurë dhe të pashkelurë. Sot jemi 67, se kan ardhurë dhe nga vënde të tjerë.
Atë ditë, pra ora 11.I/2 allaturka (2.1/2 allafranga) me zë të përgjithshëm u proklamua indipedencë e Shqipërisë dhe flamuri u çel në portë të shtëpisë ku ishin mbledhurë (shtëpi e Khmil Beut).
Ngjarjet që kanë rjedhur që ahere do t’i kesh kënduarë në gazetat. Sot kemi pushim lufte me tre shtetet. Vetëm Greqija po lufton në Janinë, ku nxjerrë dhe ushtarë në Sarandë, po tanët ka zënë Delvinën dhe është shpresë që të mos përparojnë; edhe në Himarë janë nja 400 grekër, po shqipëtarët kanë zënë Dukatin, Vranishtën e Kuçin dhe grekët s’bëjnë dot asnjë çap.
-2-
Qeverija shqipëtare është në të tërë Gjirokastrën dhe gjer në Durrës. Kongresi zgjodhi me zë të fsheht kabinetin më 21 të muajit dhe fituanë: Ismail Qemali, kryeministër dhe i punëve të jashtëme, Mehmet Pashë Kalldandeli: ministër i Luftës, P.Poga Gjirokastra ministër i Drejtësisë, Myfid be Libohova (P. E Brendëshme), gurakuqi (Mësim), Andi Bej Toptani (Financë), Pandeli Çale (Bujqësi), Mid-hat Frashëri (P. e Përgjithshme), Lef Nosi (Posta).
Atë ditë u zgjodh dhe një këshill’ e Kombit prej 18 vetash, të cilët do t’i ndihin qeverisë dhe të kontrollojnë.
Për dy a tre ditë do të nisenë delegatët për n’Evropë që të mprojnë të drejtat e qeverisë së re.
Të falat L.S.
Vlorë 10 dhator 1912
L.sh.v.II. nr.64

Janë një kopje e shkruar me dorë nga Mit’hat Frashëri që ka të njëjtën strukturë si letra e referuar, në këtë botim (zgjodhëm këtë për arsye lehtësimi në lexim)
Kopja e dytë ka strukturë pak të ndryshme në kokë ku shënohet në krye: Letër mbi zhvillimin e kongresit të Kombit e të Vlorës,
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohja e Flamurit Kombëtar
Ka dy data në krye të shënuar, shtuar me dorë 10 dhjetor 1328 (kjo duhet të jetë gabim pasi rishënohet data) 23 dhjetor -1912.
Është e njëjta përmbajtje në këtë kopje të shënuar: dok. Nr. III/4043. Kjo kopje nga boja e zezë kuptohet me vështirësi.
Ndërsa kopja e tretë e daktilografuar është e njëjtë, identik me letrën e dytë, së cilës i jemi referuar për botim për shkak të qartësisë më të madhe, qoftë dhe për lexuesin. Kjo është e botuar, dhe mund të jetë një nga letrat më të plota, të sakta që gjendet në Arkiv.


Dosja 98
Tiranë 2 korrik 1926
Hotel Cecil
Strand
London

Zotit Kryetar
Me lutjen të paraqitur më 17 prill pata nderin të shtronj vërejtjen time, ne person, në vetvete zë për ligjet…(pesë rreshta janë të prishura me vijëzim).
Po ne kur se ligji akoma. Po që vetim i tij dhe të kërkoja një kohë më gjatë …( nuk kuptohet teksti..)
Kam nderim, lutem të urdhëroni letrën time për shembullavet që ekzistojnë gjer më sot, do prek funksionimit civil, do për funksionet militar…( e pakuptuar teksti)
Është kjo padyshim, si për të gjithë gjer sa të thashë…ligji definitif
Pranoni ju lutem Zoti kryetar të falat e mia me nderime
Të nalta
Ish ministre fuqiplotë
Në Athinë
Mit’hat Frashëri

Shkëlqesisë së tij
Zotit Ahmet Zogut
Kryetar

Kjo është një letër shumë e dobët fizikisht, pothuaj e pakuptueshme.

***

Letrat që nuk arrijnë të dalin nga arkiva: Nuk ekzistojnë
Nga vëzhgimi nëpër skedarë të këtij fondi, figuron dosja por nuk ekziston si dokument. Por dhe ato letra që arrijnë të dalin janë gjendje shumë të rëndë gati e paarritshme për deshifrim dosja 138, janë letrat për Kosta Cekrezin. Ka dorëshkrime familjare të mbajtura jo mirë. Ja disa dosje që mbeten të papërdorur prej studiuesve për shkak të gjendjes së tyre fizike: -Dosja 36/3 fletë nr. 752-753 është letër me rëndësi e Margaret Hasllak dërguar Mit’hat Frashërit ku shpreh përshtypjet e saj mbi vizitën në Shqipëri, dhe se ka mësuar gjëra interesante mbi bektashinjtë (është dorëshkrim në frëngjisht) arkivuar 8.2.1983, si letër nuk ekziston. E gjejmë të skeduar letrën por nuk gjendet në arkiv.
-Dosja 55, f. 32 që flitet për kritere të Lef Nosit drejtuar Mit’hat Frashërit për emblemën e flamurit.
-Dosja 36/4 fletë 992, që mban datën 23.5.1920 bën fjalë për një letër të Edit Durham dërguar nga Londra mbi gjendjen e Shqipërisë, arkivuar në vitin 1984 kjo letër nuk ekziston më, ndërsa figuron në skedarë.
- Dosja 134/ fletë 87-88, bën fjalë për një letër të një paleologe (princesha Eugjen) dërguar Mit’hat Frashërit ku i bën përshkrimin e një pikture murale dhe tregon interes për të njohur gjendjen e Shqipërisë dhe veprat e historisë shqiptare. Mban datën 26.6.1923, dorëshkrim arkivuar më 1984. Kjo letër figuron në skedarin e fondit të Mit’hat Frashërit por nuk ekziston si dokument në arkiv.
-Dosja 134 fletë 49, në frëngjisht, është letër e Emil Pinjot dërguar Mit’hat Frashëri ku shpreh aprovimin për ndërmarrjen e përbashkët të një studimi për nxjerrjen e një broshure (ka mundësi për mbrojtjen e çështjes shqiptare). Mban datën 13.4.1920, arkivuar në tetor të vitit 1984.

***
Fondi 35 që përfshin gjithë pasurinë e trashëguar nga Mit’hat Frashëri është në një gjendje pothuaj të shkatërruar. Nëse nuk bëhet ndërhyrje e menjëhershme për dixhitalizimin e tij as ato dokumente që janë të lexueshme me vështirësi nuk do mund t’ju shërbejnë studiuesve dhe kërkuesve të arkivit. Kjo për shkak se edhe fotokopjet e dokumentit dalin, vizualisht krejt të pakuptueshme për qëllime studimi. Nga ana tjetër, në arsyen historike ky letërkëmbim është një panoramë e plotë e veprimtarisë atdhetare, politike, letrare, publicistike e këtij personaliteti ku edhe nëpërmjet letrave si jashtë dhe brenda Shqipërisë dëshmojnë për kontributin e tij të gjithanshëm. Po ashtu, zbulojmë përmes këtij letërkëmbimi si duhet parë bota e brendshme shqiptare në aspektin kulturor e historik, si dëshmi reale e prekshme e kushteve dhe gjendjes nëpër të cilën kalonte vendi. Këto letra na japin dimensionin e këtij personaliteti në të gjitha rrafshet, si ato intime ashtu dhe në raporte me problematikën politike, e personalitete të tjerë.

Dy kolona anash

Agnesa sheh “Kaosin e bukur”


Josif Papagjoni
Agnesa Muharremi është pedagoge e arteve pamore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Një vajzë e brishtë, që di të respektojë tjetrin. Një piktore që luan me ngjyrën. Ajo ndodhet në procesin e doktorimit për Histori të Artit në Shkollën Doktorale gjegjëse këtu në Tiranë dhe unë e udhëheq tezën e saj. Ajo vjen nga një familje artistësh. I ati i saj, miku im, prof. dr. Hivzi Muharremi është studiues dhe kritik i njohur i artit në Kosovë, piktor dhe pedagog. Doemos nuk më shtyu ky afinitet që të shkruaja dy fjalë për Agnesën, përkundrazi arti që ajo bën.
Teksa shihja ekspozitën e saj të fundit çelur në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve Tiranë, vorbullimin ngjyror që shfaqet si prirja zotëruese e fantazisë së saj desha ta konotoja përtej kapriços së një artisteje, pushtuar nga “:demonët” e krijimit. Desha të pikasja aty edhe diçka nga ontologjia e qenies si kundërshti, veprim, frymë, transformim, transfigurim, shpërndërrim. Diçka nga krijimi si mesazh. Madje desha të dalloja siluetën e një mendimi që ngjizej ndërmjet atyre shpëndërrimeve ngjyrore si dhe të trajtave të shumëfarta prej një bote virtuale që rrekej të strehohej në pikturat e saj. Dhe e para gjë që më erdhi në mendje ishte: NGJIZJA. Pse e them këtë? Sepse gjithkah sheh do pluskime flluskash, që mund t’i marrësh edhe si sy njerëzish (a shpirtrash) që të shohin e të ndjekin ngado, por edhe si embrione vezësh në çastin e ngjizjes. Mund t’i marrësh edhe si sythe, pistile lulesh a spore. E kuqja e gjakut, e bardha e farës, bluja (uji, qielli) ku lind e frymon jeta, janë për mua disa metafora e shenja piktorike që mendja shkon vetiu, sepse, herë-herë, bash mes tyre ne shikojmë edhe një fytyrë femre, herë në paqen e saj e herë në trazimin e saj. Pllenimi dhe shtatzënia e botës dhe e qenies në çastin e krijimit – a është kjo një nga idetë e piktores?
Them se po. Porse nuk është vetëm ky dekodimi im. Është së dyti, kozmosi si situatë shpirtërore. Vërtet që në përplasjen dhe luftën e ngjyrave, Agnesa sheh “Kaosin e Bukur”. Sytë që thash pak më sipër, shndërrohen tashmë në planetë. Planetë që shkojnë e vijnë mes luzmës së krijimit kozmik, që fqinjërojnë dhe konfliktuojnë njëkohësisht. Planetë të bukur, që veçse fantazia piktorike mund t’i krijojë. Dhe një nebulozë a mjegullnajë pa fund që i rrethon, ashtu si galaktikat nga pluhuri kozmik. Dhe shira që bien, flukse thërrmijash magnetike që mbështillen e shpështillen rreth tyre, oqeane, stuhi e tramundana, imazhe fantazmagorike që e shoqërojnë gjithë këtë spektakël kozmik, dete e ujëra ku ngjizet jeta me qenie të reja, qiej që hapen a copëtohen në mijëra ngjyra e mijëra përmasa. Gjallimi i kozmosit, furia dhe shpështjellimi i tij, lëvizja e tij, krijimi dhe rikrijimi i tij nga vetvetja dhe për vetveten: filozofia e krijimit dhe e gjallimit – kjo mund të jetë një ide e dytë, qoftë dhe e paartikuluar në mënyrë racionale, por që ngjan se është bërë pjesë e shqetësimit të piktores. Se ngjet rëndom në art që ato çka trajtësohen përmes imagjinatës, nisen në kryeherë me një mendim dhe riformësohen më pas në disa shtresa e nënshtresa duke e dimensionuar domethënien. Çka po them tashmë është diçka që e vlerëson ekspozitën e Agnesës dhe jo e kundërta.
E treta gjë që më la mbresë është loja e ngjyrave. E kuqja, e bardha, bluja dhe e verdha janë në një përplasje e harmoni me njëra-tjetrën, por hyn aty edhe e kafta, e murrmja, e zeza, e gjelbra. Ndjeshmëria e piktores ndaj ngjyrës është e gjitha estetike, ndjehet harmonia. Por assesi s’është diçka e qetë, si liqenet në muzg me të artën e perëndimit të diellit. Jo. Ka trazim, shqetësim. Ndjehet kudo lëvizja, shpërthimi. Format janë të çrregullta, veçse në çrregullsinë e tyre ndërhyn harmonia e ngjyrave dhe e përmasave, e cila na bën që kaosin ta pëlqejmë dhe perceptojmë si pjesë të rregullsisë së ardhur nga kohezioni piktorik brenda shijes së Agnesës. Dhe prandaj imagjinata, fantazia dhe irracionalja nuk shpërfaqen siç jua ka “qejfi”, por përputhur ligjësive të rrepta të artit, ku idetë, mendimi estetik, madje edhe filozofia infiltrojnë brenda tyre duke na krijuar atë që veçse arti ka fuqinë ta shpjegojë: BOTËN TONË.
Atë të mendjes, atë të trupit, kozmosin krejt…

Kazanxaqis, ose përballja e vështirë mes njeriut dhe Zotit


Romeo Çollaku


Për një shkrimtar si Kazanxaqis, të cilin, sidomos gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, lexuesi shqiptar, në një masë krahasimisht të madhe, madje pa ndërmjetësinë e shqyrtimeve të natyrës kritike, por përmes rrugës më të frytshme, asaj të drejtpërdrejtës, e ka njohur dhe çmuar se tepërmi, nuk është, ma ha mendja, nevoja të themi shumë gjëra. Mbetet një prej prozatorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, romancieri, pa dyshim, më i lexuar grek përtej kufijve të gjuhës së vet dhe, me sa është vëne re, ndër me të dashurit për lexuesit tanë.
Qysh nga fillimet e veta e deri vonë, i pat lëvruar të gjitha llojet e mundshëm të shkrimit letrar; me poezi, me prozë, me dramë, me ese, me shënime udhëtimi, me përkthim; por është fat – jo edhe aq për atë, sesa për zejen, të cilës i shërbeu – që, andej nga të perënduarit e jetës, vendosi t’i përkushtohej, pothuajse tërësisht, prozës së gjatë. Me aq sa mund të dëshmoje ky fakt, le të kemi parasysh se, kur ishte, për herë të parë, ndër kandidatet kryesore të çmimit “Nobel”, ai, ende, nuk i kishte shkruar ata pesë a gjashtë romanet, për të cilët, në të ardhmen, do t’i nderohej, më së shumti, emri. Dhe, kur, mbas të shtatëdhjetave, i kishte përfunduar edhe pesë a gjashtë monumentet në fjalë e po lëngonte, ndërkohë, prej një sëmundjeje të pashërueshme, i lutej, në ato grahma të fundit, Perëndisë t’i jepte edhe dhjetë vjet jetë, që të mund të përmbushte veprën e tij! Dhuntia, shqetësimi i thellë dhe i sinqertë për fatin e njeriut, përvoja e jashtme dhe ajo e brendshme, llava shpirtërore, delli rrëfimtar i Kazanxaqisit, nuk përbënin tjetër, me sa duket, veçse degë të një lumi që nuk kishte të shteruar.
Edhe faqet, që i jepen, nëpërmjet këtij botimi, lexuesit shqiptar, ky stërnip i denjë i El Grekos i shkroi pak muaj para se vdekja t’i ngrinte frymës së tij vërshimtare më të pakapërcyeshmen e digave. I shkroi duke u mbështetur në ditarin që kishte mbajtur, aty e dyzet e ca vjet më parë, gjatë një udhëtimi në Malin e Shenjtë, së bashku me mikun e tij më të ngushtë, poetin e jashtëzakonshëm, Angjelos Siqelianos.
Pelegrinazhin në Malin e Shenjte e kryen në fund të vitit 1914. Ishin te dy tridhjetevjeçare, të munduar prej të njëjtave pikëpyetje të mëdha. Përgjigjja: kjo ishte arsyeja, që i shtyu te ndërmerrnin atë udhëtim. Gjatë dyzet ditëve të qëndrimit atje, edhe Siqelianosi mbajti ditar. Kazanxaqis e rishkroi, sikundër thamë, ditarin e vet, që u botua ne vitin 1961, katër pas vdekjes së autorit dhe dhjetë vjet pas vdekjes së Siqelianosit. Kurse ditari i këtij të fundit, ishte mbajtur nëpër qelat e manastireve, i paripunuar, e pa dritën e botimit në vitin 1984, plot shtatë vjet pas pelegrinazhit.
Siqelianosi pat shkruar e do te shkruante plot të tjera, shumë më të rëndësishme se ai ditar. Ndërsa në rastin e Kazanxaqisit, kemi të bëjmë, për mendimin tim, me disa nga faqet më të shkëlqyera, që la pena e tij. Gjë që shpresoj ta verejë vetë lexuesi ynë, i cili ka për te gjetur, edhe këtu, Kazanxaqisin që ka njohur dhe temën më të rrahur prej tij: përballjen e vështirë dhe marrëdhënien e ndërlikuar mes njeriut dhe Zotit.

“Je dhi”, i thosha, shpesh, shpirtit…!


Dje, në aktivitetin e organizuar nga ambasada greke në Tiranë, në kujtim jetës së poetit grek, shfaqja e një dokumentari të shkurtër dhe fjalët që e shoqëruan takimin dhanë imazhin e njohur tashmë për Niko Kazanxaqisin. Ndërsa në një stendë jashtë sallës, shiteshin pak botime që kanë mbërritur në shqip prej tij dhe atë më të fundit, “Udhëtim në Malin e Shenjtë”, edicion i 2013-ës nga “Zenit”, librin që e shkroi pak muaj para se poeti grek të ndahej nga jeta, përkthyer nga Romeo Çollaku; libri që shkroi poeti grek para se të vdiste, “Udhëtimi…” duke marrë me vete caqet mes lirisë së njeriut dhe pranisë së Zotit në të

Niko Kazanxaqis

Vështirë, shumë vështirë të shqitet shpirti prej trupit të vet, prej botës; male, dete, qytete, njerëz – një oktapod është shpirti dhe të gjitha këto janë zgjatimet e tij.
E pushtoi shpirtin tim Italia, shpirti im pushtoi Italinë, tanimë nuk ndahemi, u bëmë një; nuk ka forcë me imperialiste në botë se shpirti i njeriut; pushton, pushtohet, perandoria e tij i duket përherë e ngushte, shtrihet më tej dhe dëshiron të sundoje botën, që të mundë të mbushet me frymë.
I këtillë ishte udhëtimi im i parë në botën latine. Asokohe, nuk e kuptova në çast, por, thellë meje, zunë të shkeleshin kufijtë e provincës, pashë se bota është me e pasur dhe më e gjerë se Greqia; se bukuria dhe dhimbja dhe forca mund të shfaqen edhe me fytyra të tjera, veç fytyrave që u patën dhënë Kreta dhe Greqia. Sa e sa herë, duke kundruar trupat e bukur që rrëzëllejnë si të pavdekshëm nëpër pikturat e Rilindjes, më zaptonte një pikëllim i rënde e një pezm, pse gjithë trupat hyjnore, nga morën shkas pikturat në fjalë, u kalben, u shndërruan në baltë; sa një vetëtimë jetojnë nën dritën e diellit bukuria dhe lavdia e njeriut. Kishin zënë të hapeshin, rishtazi, thellë meje dy plagët e mëdha… Qysh prej këtij udhëtimi të parë, bukuria, gjithmonë, me le mbi buze shijen e vdekjes. Kësisoj, m’u begatua shpirti, duke gjetur një tjetër burim rebelimi; sepse shpirti i thjeshtë i një të riu nuk e pranon lehtë përdhosjen e bukurisë dhe qëndrimin e mefshtë të Zotit, që nuk nder dorën sipër saj, për ta bërë të pavdekshme. Po të isha vetë Zot, përsiatet i riu, do ta shpërndaja pavdekësinë pa kursim; nuk do ta lejoja kurrë vdekjen e një trupi të bukur a të një shpirti trimosh; po ç’Zot qenka ky qe, ne te njëjtën gropë plehu, hedh edhe të bukurit edhe të shëmtuarit, edhe trimat edhe frikacakët, dhe i shkel me këmbë, pa dallim, duke i bërë baltë? O nuk është i drejtë o nuk është i gjithëfuqishëm o nuk merr vesh! Dhe i riu, shpesh pa e ditur, mbrun thellë vetës, fshehtazi, një Zot, të tillë që të mos ia turpërojë zemrën.
«Besoni tek pavdekësia e shpirtit?» e pyeten një ditë Renanin; dhe prestigjatori finok u përgjigj: «Nuk e kuptoj arsyen, përse bakalli përballë shtëpisë sime duhet të jetë i pavdekshëm». As unë; por e kuptoj, ama, arsyen, përse shpirtrat e mëdhenj duhet të mos vdesin, duke u shkëputur prej trupit.
Kësisoj, i plagosur, u ktheva në Greqi. Thelle meje zienin rebelime të paqetë e të dalldisur, si dhe trazime shpirtërore, nuk dija ç’të bëja, doja të gjeja njëherë përgjigjen, përgjigjen time, ndaj pyetjeve të stërlashta dhe, pastaj, të vendosja ç’do të bëja me veten. Po nuk gjeta, në radhë të parë, thosha me vete, se cili është qëllimi i jetës në toke, si mund të gjej se cili është qëllimi i kësaj jetës sime të vogël e të përkohshme? Dhe, po nuk i dhashë jetës një qëllim, si mund të kaloj në vepra? Dhe nuk doja të dija – kjo më dukej e pamundur dhe e kotë – se cili është qëllimi i vërtetë i jetës, por se cili është qëllimi që unë, nga ana ime, i jap asaj, në përputhje me nevojat e mia shpirtërore dhe mendore. Nëse ky ishte qëllimi i vërtetë ose jo, nuk kishte, asokohe, ndonjë rëndësi të madhe për mua; rëndësi kishte të gjeja, të krijoja një qëllim, të tillë që të ishte në përputhje me mua dhe, kështu, duke e ndjekur, të shpështillja gjer në skaj dëshirat dhe aftësitë e mia. Pasi, që nga ai gast, do të bashkëpunoja shkëlqyeshëm me tërësinë.
Nëse kësi vramendjesh metafizike të një të riu janë sëmundje, duhet të kem qenë, asokohe, i sëmurë rëndë.
Në Athinë, shkretëtirë. Shokëve të mi ua kishte tharë mendje e zemër andralla e përditshme e jetës.
-Nuk kemi kohë të mendohemi… më tha njëri.
-Nuk kemi kohe të dashurojmë… më tha tjetri.
-Interesohesh për qëllimin e jetës? më tha një tjetër duke qeshur; ç’të duhet që ngatërrohesh në këto gjera, mor i shkretë!
Dhe solla ndër mend përgjigjen, që më dha një fshatar, kur, gjithë ngazëllim, e pyeta se si quhej zogu i kaltër, i cili na kaloi përmbi krye; me vështroi me qesëndi: «Ku vete e ngatërrohesh, mor i shkretë! Nuk hahet».
Dhe një sarhosh, që ishte tok me të, u hodh edhe tha, ndërsa syrin e kishte gjithë sarkazëm:

- Një bejte kam për të të thënë dhe kjo është e vërteta;
dhit e ha e pirdh e pi, ja se ç’është jeta.

Dhe intelektualet: xhelozi, grindje, thashetheme e mburrje. Kisha filluar të shkruaja, për të shfryrë, për t’i hapur shteg klithmës së brendshme; ngjitesha në Deksamenë, ku mblidhej luzma e grerëzave, shoqëria e rrezikshme letrare, ulesha në një kënd, dëgjoja; nuk merresha me thashetheme, nuk shkoja nëpër taverna, nuk luaja letra, nuk durohesha dot. Tri tragjeditë e para, që ngjizeshin thellë meje, më shkaktonin dhimbje; vargjet e ardhshëm ishin ende muzikë dhe merrnin e jepnin për të kapërcyer jehonën e për t’u shndërruar në fjalë.
Tri trajta të mëdha luftonin brenda meje për të marrë fytyrë: Odiseu, Niqifor Fokasi, Krishti: t’u iknin rropullive të mia, të çliroheshin, të çlirohesha edhe unë. Gjatë gjithë jetës, më patën zaptuar shpirtrat e mëdhenj heroike. Mbase, ngaqë, kur isha fëmijë, lexoja me aq zell jetëshkrimet e shenjtorëve dhe dëshiroja me zjarr të bëhesha edhe vetë shenjtor; dhe më vonë, me ç’zell të pashoq, zhytesha në lexime mbi heronjtë – pushtuesit, zbuluesit, don Kishotët! Dhe, kur, tek ndokush, rastiste të ndërthureshin heroizmi me shenjtërinë, atëherë ky bëhej, për mua, shembulli i njeriut. Dhe, duke mos mundur të kisha vetë as njërën as tjetrën, përpiqesha, nëpërmjet të shkruarit, të ngushëllohesha për padenjësinë time.
«Je dhi», i thosha, shpesh, shpirtit dhe mundohesha të qeshja, për të mos ia plasur vajit, «je dhi, o shpirt i ngratë; ke uri dhe, në vend që të hash mish e bukë e të pish verë, merr një letër të bardhë dhe shkruan: mish, bukë, verë. Dhe ha letrën».
Derisa, një ditë, shndriti drita. Kisha vajtur në Kifisia, midis pishave, ne një shtëpizë, fillikat. Nuk kam qenë, asnjëherë, mizantrop; i kam dashur, gjithmonë, njerëzit, por për së largu; dhe, kur vinte njeri për të më takuar, zgjohej tek unë kretasi, beja festë për të mirëpritur një njeri në shtëpi. Isha, me orë të tera, i gëzuar, rrija dhe e dëgjoja, hyja brenda tij dhe, nëse kisha mundësi ta ndihmoja, e ndihmoja me kënaqësi të madhe; mirëpo, nëse takimi dhe biseda zgjasnin tepër, mbyllesha në vetvete dhe mezi prisja të mbetesha vetëm. Dhe njerëzit e ndjenin që nuk ua kisha nevojën, që mund të jetoja edhe pa kuvenduar me ta dhe këtë gjë, asnjëherë, nuk ma falën. Ishin mjaft të pakte njerëzit, me të cilët mund të jetoja gjatë, pa u bezdisur.
Mirëpo, një ditë, shndriti drita. Atë ditë, në Kifisia, u takova më një djalosh të moshës sime, të cilin do ta doja dhe çmoja pa ndërprerje dhe ishte nga ata pak njerëz, prania e të cilëve më gëzonte më shumë se mungesa e tyre. Ishte shumë i hijshëm dhe e dinte; ishte poet i madh lirik dhe e dinte; kishte shkruar një poemë të mrekullueshme; atmosferë poetike, varg, gjuhe, harmoni magjike, nuk ngopesha së lexuari e së shijuari atë poemë. Ky poet ishte nga raca e shqipeve; me të shkundur pak flatrat, mbërrinte në kreshtë. Më vonë, kur deshi të shkruante edhe prozë, e pashë që ishte, me të vërtetë, shqipe; kur nuk fluturonte, por përpiqej të çapitej në tokë, i ngjante shqipes së rëndë, që mezi çapitet; forca e tij ishte ajri. Flatra kishte, mendje të qëndrueshme nuk kishte; vështronte larg dhe vagullt. Mendonte me pamje dhe krahasimet poetike ishin, për të, argumente të pakundërshtueshme logjike; kur ngatërrohej nëpër përsiatje pa gjetur dot zgjidhje, vetonte brenda tij një pamje shkëlqimtare ose shpërthente në një gaz shkundullues dhe shpëtonte.
Por kishte fisnikëri të madhe, dhunti të rrallë dhe mirësjellje; ta shihje tek fliste me syrin e kaltër që i ndrinte çartur apo ta dëgjoje tek recitonte vjershat e veta duke i bërë të trandeshin xhamat e shtëpisë, kuptojë se ishin rapsodët e lashtë, që, të kurorëzuar me gjethe hardhish a me lule vjollcash, silleshin nga pallati në pallat dhe zbusnin, me këngën e tyre, njerëzit, që ishin ende bisha. Vërtet, qysh nga çasti i parë që e pashë, ndjeva se ai djalosh i rriste nderin racës njerëzore.
U bëmë, menjëherë, papritmas, miq; ishim aq të ndryshëm nga shoshoqi, saqë e morëm, aty për aty me mend se njeri kishte nevojë për tjetrin dhe se të dy së bashku do të përbënim njeriun e përkryer. Unë, i ashpër, fjalëpakë, kockë e fortë popullore; gjithë pikëpyetje, gjithë ankth metafizik, nuk me gënjente sipërfaqja e shndritshme; vështroja, përtej fytyrës së bukur, kafkën; aspak i padjallëzuar, aspak i sigurt, nuk isha lindur princ, përpiqesha të bëhesha. Ai, i qeshur, fjalëshumë, i sigurt; me mishin fisnik, me besimin e thjeshtë dhe të fuqishëm se ishte i pavdekshëm; ishte i sigurt se që lindur princ dhe nuk kishte nevojë të vuante, të përpiqej për t’u bere; nuk e synonte kreshtën, pasi ndodhej, ishte i sigurt, ne kreshtë. Nuk kishte pikë dyshimi në vetvete se ishte i rrallë dhe i pazëvendësueshëm; nga njerëzit e mëdhenj, të gjallë e të vdekur, nuk pranonte ta krahasoje me asnjërin; dhe kjo padjallëzi i jepte siguri dhe forcë të madhe.
Një herë, po i thosha se matka, ditën që martohet, ngjitet në ajër dhe e ndjek pas ushtria e bletëve meshkuj në përpjekje për ta arritur; vetëm një e arrin, dhëndri, bëjnë dashuri, kurse gjithë mëtonjësit e tjerë shemben dhe ngordhin.
-Vdesin të gjithë të kënaqur, po i thosha, ngaqë e ndjenë të gjithë, si të ishin një trup, ngazëllimin martesor të dhëndrit.
Por miku im ia plasi një gazi shkundullues.
-Këtë që thua, nuk e marr vesh fare; unë, dua, vetëm unë, të jem dhëndri.
Qesha:
-Unë, iu gjegja duke i kujtuar fjalën e një mistiku të dashur, unë prij duke kurorëzuar ngadhënjimtarët e tjerë. Fryma nuk quhet Unë; ajo quhet: Të gjithë ne.
Më vonë, pasi e kisha njohur më mirë, i thashë një ditë:
-Dallimi ynë i madh, Angjelos, është ky: ti beson se e gjete shpëtimin dhe shpëtove; unë besoj se shpëtim nuk ka dhe, duke e besuar këtë, shpëtova.
Mirëpo, përthellë tij, kishte zënë pusi një dobësi tejet e dhembshur, tejet e brishtë: kishte shumë nevojë ta donin e ta adhuronin. Po të mund t’ia përshkoje fytyrën ngadhënjimtare dhe sigurinë e zëshme, do të shihje një fisnik të shqetësuar, që u shtrin dorën kalimtarëve. Një shok i vjetër i tij, tepër cinik, më tha një ditë: “Hiqet si Sulltan, por është sulltaneshë”.
Shumëkush, nga xhelozia, nga smira për jetën e tij në dukje prej palloi, e quante aktor; sikur asgjë nuk besonte dhe sikur çdo gjë që thoshte apo bënte, ishte rrenë dhe krekosje. Një pallua, që i mbante pendët, vazhdimisht, të hapura; por, po ta rripje, do të gjeje një shpend të rëndomtë e të parëndësishëm.

Fragment nga “Udhëtim në Malin e Shenjtë”, botimet “Zenit”



Kazanxaqis nderohet nga grekët në Tiranë!
Niko Kazanxaqis lindi në Kretën e pushtuar nga turqit, prej së cilës i ati shpesh i thoshte: Mendja nuk është jotja, po e Kretës. I lindur në një familje, ku të atin e përshkruan të rëndë, pa buzëqeshje dhe nënën një shenjtore që mban ëmbëlsinë e tokës, – një arsye pse Kazanxaqis shprehej se zhytej në errësirën e thellë për të gjetur dritën!
Midis vullnetit dhe disiplinës së tij kur studionte në Francës, dhe duke u tërhequr pas vëmendjes së pedagogëve kur e turbullonin të shijonte të ritë e moshës, Kazanxaqis thotë: Kur e gjeta cila ishte rruga e drejtë, flokët më ishin thinjur. Dje, në aktivitetin e organizuar nga ambasada greke në Tiranë, në kujtim jetës së poetit grek, shfaqja e një dokumentari të shkurtër, dhe fjalët që e shoqëruan takimin dhanë imazhin e njohur tashmë prej Kazanxaqis. Ndërsa në një stendë jashtë sallës, shiteshin pak botime që kanë mbërritur në shqip prej tij, dhe atë më të fundit, “Udhëtim në Malin e Shenjtë”, edicion i 2013 nga “Zenit”, librin që e shkroi pak muaj para se poeti grek të ndahej nga jeta, përkthyer nga Romeo Çollaku, i cili ka shkruar dhe fjalën hyrëse. Salla, dje, në Muzeun Historik Kombëtar ishte mbushur plot në nderim të poetit, por rrallë shihje autorë apo shkrimtarë shqiptarë, ku më shumë spikateshin e flisnin greqisht që ndoshta ishin të asaj kombësie. I perceptuar si intelektual që u ndikua nga marksizmi, për Kazanxaqis mbeti deri në fund të jetës idili i lirisë, dhe dëshirës për tu bërë shenjtor. Për këtë shkruante: “Dhe kur, tek ndokush, rastiste të ndërthureshin heroizmi me shenjtërinë, atëherë ky bëhej, për mua, shembulli i njeriut”. Ky poet ka dëshmuar, se qysh fëmijë u ndërgjegjësua se kjo botë zotëron një të mirë materiale, dhe shpirtërore më e çmuar se vetë jeta, më e ëmbël se lumturia – kjo është liria! Në këtë forcë të ndjesisë së lirisë, është parë modeli i njeriut tek Kazanxaqis, si duket nisur dhe nga përvojat që pati duke parë njerëz të ekzekutuar, kur vendi i tij Kreta ishte ende në zgjedhën turke. Edhe mbi varrin e tij qëndron simbol fjala e tij, epitaf: Nuk kam shpresë e frikë nga asgjë; jam i lirë!

Violeta Murati

Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me Faik Mustafën, shkrimtar dhe publicist



Faik Mustafa u  lind më 19 maj 1945. shkollën fillore dhe të mesme, Gjimnazin, i kreu në Tetovë më 1964.Studioi në Beograd në Fakultetin Filologjik- grupii Albanologjisë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, detyrohet që një vit të studiojë, një vit të punojë. Kështu, punoi si mësues (1964/65) në fshatin Grupçin të Tetovës, më 1966/67 në fshatin Shipkovicë të Tetovës dhe 1968/69 në fshatin Sellcë të Tetovës, ku pas tre muajsh, si organizator i Demonstratave do të burgoset dhe do të dënohet me pesë vjet e gjysmë heqje lirie.Pas lirimit nga burgu (3 vite të mbajtura), do të vazhdojë studimet në Prishtinë, ku dhe do të diplomojë më 1975. Gjatë kësaj kohe, punoi një vit si mësimdhënës në Gjimnazin e Vitisë, prej nga pa e përfunduar vitin, do ta largojnë në emër të Letrës së Famshme të shokut Tito.Si student në Prishtinë, iu mundësua të punojë si gazetar në “Botën e Re”, prej nga do të largohet me tërë stafin e redaksisë pas tri vitesh. Pas, kësaj, do të punësohet në të përditshmen “Rilindja” (sipas konkursit) prej nga, si ish i dënuar, pra, në mungesë të cilësive morale-politike, s’do ta lejojnë të vazhdojë punën. Me ndihmën e shokëve, punësohet në gazetën KXEMK “Kosova” të Obiliqit të atëhershëm (1975-1979), për të kaluar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, redaktor i gazetës “Gazeta e Delegatëve”. Më 1990, ndër të parët do të largohet nga puna si nacionalist,shovinist, irredentist... Gjatë viteve 1994-1998 punoi si korrespondent i Zërit të Amerikës nga Maqedonia, viteve 1998-2002 ishte kryeredaktori gazetës së përditshme “Flaka e Vëllazërimit”, të cilës shumë shpejt do t’ia heq bishtin ideologjik komunist (Vëllazërimit) për të mbetur vetëm“Flaka”. Në fund kreu detyrën drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë (2006-2008), kur edhe u pensionua.Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i Gjimnazit, për të vazhduar tërë jetën me shumicën e gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar vjersha për fëmijë, për të rritur, pjesë teatrale, komedi, TV dhe radio komedi, drama, skeçe, ku disa herë ka fituar edhe shpërblime.Deri më tash ka botuar librat “Bacaloku”(humoreska), “Vargje të serta” (epigrame dhe vjersha satirike), “Britma të buta” (epigrame),“Pëshpërima të ëmbla”.“Burrat e dheut”-tregime dhe skica satirike,”100 –epigrame” është libri më ri që i kushtohet 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Zhurnal Plus”: Kur keni filluar të merreni me shkrime?

Faik Mustafa: Kam filluar të merrem me shkrime që në bangat e gjimnazit.Në fillim kam shkruar poezi për fëmijë e pastaj edhe për të rritur.Kam pasur fatin ta kem profesor të gjuhës dhe letërsisë shkrimtarin e njohur Murat Isaku, ligjëratat e të cilit edhe tani jam në gjendje t`i risjellë të plota. Jetën e kam kaluar gjithmonë në gazetari dhe nuk e kam ndërprerë deri në pensionim.

“Zhurnal Plus”: Thoni se gjatë gjithë jetës jeni marrë me shkrime,por më herët keni botuar vetëm një libër,kurse tani kohët e fundit përnjëherësh keni botuar disa libra?

Faik Mustafa: Sa i përket botimit të librave ka qenë shumë e vështirë, sepse  që në moshë të re më është dashur të vuaj një dënim me burg për organizimin e demostratave të vitit 1968. Pas daljes nga burgu kam vazhduar studimet, martesa, fëmijët, nëpër shtëpi të huaja.Pra, kam qenë i preokupuar dhe i detyruar të mendoj për sigurimin e ekzistencës sime dhe të familjes  dhe jo të mendoj për publikimin e librave.


“Zhurnal Plus”: Megjithatë, ju keni pasur shumë shkrime në shtypin e kohës.

Faik Mustafa: Edhe pse çështja e dënimit tim më ka përcjellë gjatë gjithë jetës, deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, megjithatë kam hasur në përkrahjen e  vëllezërve kosovarë, të cilët ma kanë mundësuar, me gjithë kërkesat e politikës që të mos punoj si gazetar(në gazeta punonin njerëzit e besuar të shtetit), pra, ma kanë mundësuar të botoj nëpër gazeta e revista, kam marrë shumë shpërblime për tregime për të rritur, për poezi humoristike, parodi etj.Por, e vërteta është se për të botuar një vepër ka qenë pak më vështirë se i janë nënshtruar një site të fuqishme, duke filluar nga Komiteti Komunal e deri te ai Krahinor, po ka mbërri edhe në vendlindjen time në Tetovë.Ka qenë e vështirë që t`i fus ata në telashe dhe fundja nuk ka qenë synimi im kryesor i asaj kohe që të botoj, por mos ta ndal veprimtarinë.Përndryshe asnjëherë nuk kam rreshtur së shkruari, kam qenë aktiv gjithnjë dhe kjo në një farë mënyre më ka mbajtur gjallë, sepse të jetosh gjithnjë si i ndjekur prej ish-sistemit nuk ka qenë gjë e lehtë.

“Zhurnal Plus”: Si rrodhi jeta Juaj pas mbarimit të gjimnazit?

Faik Mustafa: Me mbarimin e gjimnazit në Tetovë, me qëllim që të mbledh mjete për të vazhduar studimet, e kam nisur karrierën si mësues në F. Grupçin.Pastaj, bashkë me vëllain shkuam në Beograd, ku unë u regjistrova në grupin e Albanologjisë në Fakultetin Filologjik.Kur e mbarova vitin e parë më është dashur që të vij përsëri në vendlindje dhe të punoj si mësues në Shipkovicë.Ishte mënyra e vetme për të vazhduar studimet, pra një vit punë e një vit studime.

“Zhurnal Plus”: Si ishte të jesh student i albanologjisë në Beograd?

Faik Mustafa: Unë për herë të parë kam mësuar për veten se kush jam dhe kujt i përkas.Këtë e them se në Fakultetin Filologjik, në Bibliotekën e Albanologjisë kishte shumë libra në gjuhën shqipe, nga botimet më të hershme e deri tek më të rejat.Aty, duke lexuar, jo vetëm që jam frymëzuar për vete, por kam njohur veten më mirë se kush jam, nga vij dhe ç`duhet të bëj.Kishte literaturë që nuk e gjeje tjetërkund, që ishte e ndaluar në Prishtinë dhe Tiranë, si p.sh. librat e Fishtës.Për ne ka qenë vendimtar në jetë të marshojmë pak më të formuar.

“Zhurnal Plus”: Çka ndodhi më tej?

Faik Mustafa: Në vitin 1968 ne shënonim 500 vjetorin e Skënderbeut dhe kemi organizuar manifestim të jashtëzakonshëm.Beogradi ka qenë qyteti ku u formuam ne shqiptarët e Maqedonisë që studionim atje.Pas rënies së Rankoviqit atje mbretëronte një klimë shumë e mirë dhe një liri më e madhe veprimi. Në kontakt dhe bashkëveprim me vëllezërit nga Kosova, të cilët në aspektin e ngritjes kombëtare ishin shumë përpara nesh, filluan xixat e para për të bërë diçka.Ishte viti i demostratave në gjithë Evropën dhe botën.Pasi u morëm vesh që të organizojmë demostrata në të gjitha qytetet e populluara me shqiptarë, mua mu caktua detyra që të kthehem në Tetovë. Ndërsa në demostratat e Beogradit kërkoheshin kushte më të mira për studime, demokraci etj, në viset tona kërkesat ishin edhe me ngjyrime kombëtare.
Në Tetovë u kërkua përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, punësimi dhe universitet në gjuhën shqipe, atëherë mendonim për universitet në Prishtinë, e cila kërkesë edhe u realizua më vonë. Kërkesat tona ishin të shëndosha, por u keqkuptuan dhe i shpallën armiqësore.

“Zhurnal Plus”: Si ishte demostrata e vitit 1968 në Tetovë?Na jepni më shumë detaje!

Faik Mustafa: Nuk mund të organizohen demostrata kur të të teket.Paraprakisht duhet të piqen kushtet, të matet pulsi dhe kur e sheh se pakënaqësia ka arritur në masë. Demostrata në Tetovë ishte masovike.Shqiptarët u liruan nga ajo frikë që regjimi kishte mbjellë që nga 45-ta e këndej përmes burgosjeve, torturave, shpërnguljes për në Turqi, mbledhjes së armëve etj. Ata bënë të vetën e ne bëmë tonën.Mund të them se fryt i demostratave të vitit `68 ishte vazhdimësi e gjeneratave para nesh, sepse gjithnjë ishte punuar për çështjen kombëtare, për përparimin e arsimit, gjuhës, artit, kulturës dhe ne do të jemi vazhdimsia e atyre. Kur filloi gjykimi e shtronin pyetjen:Kush jeni ju të mendoni për arsimin shqip.Na akuzuan për armiq. Kemi pasur mungesë përvoje.Kërkesat që i kishim shkruar nëpër pankarta nuk arritëm t`i paraqesim si duhet se nga çdo anë vinin grupe të ndryshme krye më vete dhe secili grup e shprehte pakënaqësinë dhe revoltën në mënyrën e vet. Edhe niveli arsimor i grupeve ishte laraman nga aspekti arsimor.Megjithatë për mua do mbetet moment i paharrueshëm kur në sheshin e Tetovës, ku siç shprehet populli, as gjylpana nuk kishte ku të binte nga pjesëmarrësit e shumtë, në shtizën mes qytetit, një djalosh hypi dhe e vuri flamurin kombëtar.. I shikoja pleqtë të cilët me lot në sy përqafoheshin mes veti.Ishin momente të paharrueshme që nuk zgjatën shumë, sepse pas 2-3 orësh filloi ora policore, dhuna e ashpër, jo vetëm ndaj organizatorëve, por edhe kundër masës popullore që kishte marrë pjesë në këtë demostratë.

“Zhurnal Plus”: Çfarë jehone pati kjo demostratë?

Faik Mustafa: Jehona e demostratës ishte shumë e madhe, sepse nuk kërkonim asgjë të jashtëzakonshme.Të kërkosh të arsimohesh në gjuhën tënde, barabarësi të gjuhës tënde etj..Kjo në perëndim hasi më shumë në përkrahje sesa në keqkuptim.Kjo do të bëj që edhe dënimet mos të jenë ashtu siç i  kishin paraparë autoritetet si dënime të përjetshme, ose me 10, 15 vjet.Dënimi më i lartë do të jetë 7 vjet për Memetriza Gegën, mua më dënuan 5 vjet e gjysmë, nga të cilat i vuajta 3 vjet burg etj.Familjarët tanë me shkuarje të njëpasnjëshme në Beograd arritën të zbardhin të vërtëtën e demostratës dhje pasoi lirimi ynë i parakohshëm.

“Zhurnal Plus”: Çfarë kahje mori jeta juaj pas daljes nga burgu?

Faik Mustafa: Me daljen nga burgu unë më nuk shkova në Beograd që t`i vazhdoj studimet, por u ndala në Prishtinë.Atje hasa në përkrahje të madhe të vëllezërve nga Kosova.Jo vetëm që ma mundësuan konviktin,ma mundësuan që ta udhëheq një klub vetëm e vetëm të më ndihmojnë materialisht t`i mbuloj shpenzimet e mia, sepse tani për shkak të biografisë nuk më lejohej as bursë e as kredi.Falë përkrahjes së miqve që udhëhiqnin Botën e Re, si Daut Demaku e Sylejman Aliu, kam filluar të bashkëpunoj me këtë gazetë, ku fillova të publikoj shkrime të ndryshme, herë me emër e mbiemër e herë me pseudonime. Vitet `70 në Kosovë ishte një periudhë shumë e mirë.Njerëzit filluan të marrin frymë lirshëm.Kishte një liberalizim të madh dhe një lloj rilindjeje e vërtetë.

“Zhurnal Plus”: Si erdhi deri te botimi i librit tuaj të parë “Bacaloku”?

Faik Mustafa: Për botimin e librit të parë i falënderohem shumë mikut tim Daut Demaku, i cili nga shtypi i kohës i mblodhi shumë shkrime të mia dhe i çoi për botim.Si recenzent e kam pasur shkrimtarin e mirënjohur Rifat Kukaj.Botimi i librit më dha krah dhe më nxiti të punoj edhe më shumë.

“Zhurnal Plus”: Kohët e fundit keni publikuar disa libra.Cila është e veçanta e tyre?

Faik Mustafa: Karakteristikë e librave të fundit është se unë i kam hyrë kultivimit të një lloj poezie që te ne mungon fare.Nuk kemi asnjë vepër të botuar me epigrame.Disa i quajnë rubai, disa të tjerë aforizma, por janë të përafërta.Çdo epigram e ka kuptimin e vetë edukativ, përbuzës, fshikullues.Ka shumë elemente në një epigram.Kanë dalë katër libra me epigrame, të pestin e kam të gatshëm për botim dhe i kam bërë kërkesë për mbështetje Komunës së Prishtinës.Është e pamundur t`i publikoj me vetëfinancim.Edhe katër librat e tjerë e panë dritën e botimit në saje të mbështetjes.

“Zhurnal Plus”: Autori i parathënies së librit tuaj të fundit, për epigramet tuaja thotë:”Ato bartin në vete mesazhet e një të ardhmeje më të bukur, e cila do të vijë pashmangshëm, nëse arrijmë ta tejkalojmë sindromin vetasgjësues dhe nuk kthehemi idiotshëm kundër saj, si heronjtë e epigrameve në fjalë: miopët, interesaxhinjtë, kurthaxhinjtë,maçorrët, mushkat, bastardët, lakmitarët,dinakët, xhuxhimaxhuxhët politikë, butakët,tenderokratët, kapsomunat, maskarenjtë,pakurrizorët, matrapazët, zgjebarakët, të tjetërsuarit, vazalët, spektakularët, spekulantët,horrat e horrave, mediokrët, megafonët dhe galeria e pafund e sfrutuesve që thëthinjë pamëshirshëm ardhmërinë e kombit”.Të merresh me satirë, të stigmatizosh fenomene të ndryshme negative, përveç satisfaksionit që ju sjellë, a nuk është edhe punë me zarar?

Faik Mustafa: Pa dyshim se ka.Sikur të mos kishte zarar, atëherë nuk do të më krijonte kënaqësi.Kur i vë në bisht të lahutës dukuritë e ndryshme që na rrethojnë, kur i skalit në mënyrë satirike figurat pas të cilëve lidhet populli, dhe ata keqpërdorin besimin e tij, kur kurkushët bëhen dikushi, çkado që të thuash mund të keqkuptohesh, të të ngjesin një varg bishtash që shpeshherë edhe paguhen shtrenjtë.Kam shumë poezi satirike, parodi, por edhe epigrame të cilat më kanë sjellë kokëçarje të shpeshta, kërcënime, kanosje, por ato nuk më kanë frikësuar, përkundrazi më kanë frymëzuar të vazhdoj edhe më tej të nguc plagën aty ku duhet ngucur.
  
Intervistoi: E. Neziri