Në Ballkan secili pandeh se ia ka hedhur tjetrit


INTERVISTË ME AGIM VINCËN

Agim Vinca


“Epoka e re”: Përshëndetje Profesor dhe urime 65-vjetori i lindjes! Keni botuar dhjetëra libra, secili më në zë se tjetri dhe më i veçantë se tjetri. Keni publikuar qindra opinione për fenomene të ndryshme letrare, kulturore, arsimore, gjuhësore, politike e shoqërore. S’keni heshtur kurrë për kurrfarë padrejtësie, që i është bërë shtetit e as kombit. S’besoj se do të heshtni as tash e tutje. Por, kaherë krijuesve u është bërë kjo pyetje, “Pse shkruani?”, por edhe janë dhënë shpjegime të ndryshme nga ta. Pse shkruan profesor Agim Vinca?

Agim Vinca: Kjo është pyetja më e zakonshme, por edhe më e vështira që mund t’i bëhet një krijuesi. Përse shkruaj? Shkruaj, sepse nuk di mënyrë tjetër më të mirë për ta realizuar veten; shkruaj, sepse nëpërmjet shkrimit dëshiroj të komunikoj me njerëzit, të njohur e të panjohur, të afërt e të largët, këtu e gjetiu, sot dhe nesër. Shkruaj, sepse dëshiroj të lë gjurmë në kohë, duke shpalosur veten, duke gjykuar për kohën dhe njerëzit dhe duke afirmuar të mirën e goditur të keqen; shkruaj, sepse të shkruarit është, pse jo, një lloj terapie, e cila, nëse nuk i shëron plotësisht, së paku i zbut, dhembjet që i shkaktojnë njeriut vetmia dhe melankolia. Shkruaj, sepse e dashuroj gjuhën në të cilën shkruaj, gjuhën shqipe dhe dua ta provoj veten duke u bërë, si thotë një poet i brezit tim (më duket Xh. Spahiu), “rob dhe zot i saj”; shkruaj, më në fund, sepse dëshiroj ta sfidoj vdekjen, aq sa është e mundur kjo gjë nga ne njerëzit, që fizikisht jemi të përkohshëm në këtë botë.

“Epoka e re”: Në 65-vjetorin e lindjes suaj, Redaksia e revistës “Fjalë e valë” Ju kushtoi një numër tematik, i cili ka dalë si libër nën titullin “Krijuesi i pandalur”. Më 15 janar, ditën e fundit të semestrit dimëror të vitit akademik 2012/2013, në Fakultetin e Filologjisë u përurua ky botim, kurse Ju, me atë rast, u nderuat me mirënjohje “për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë zhvillimit dhe përparimit të Universitetit të Prishtinës”. Çfarë do të veçonit në këtë 65-vjetor? Është vështirë të plakesh duke shkruar letërsi e duke e studiuar atë?

A. Vinca: Revista “Fjalë e valë” është pothuajse e vetmja revistë letrare, që del rregullisht në Kosovë. Kohë më parë, kjo revistë shënoi 10-vjetorin e daljes së saj, gjë që do të thotë se ajo tashmë ka krijuar një traditë. Redaksia e revistës e ka parë të udhës që një numër të saj t’ia kushtojë veprimtarisë sime, siç thuhet në “Fjalën e Redaksisë”, me të cilën hapet ky numër i revistës, me rastin e 65-vjetorit të lindjes, 40-vjetorit të fillimit të punës në Universitet (1972-2012) dhe 40-vjetorit të botimit të librit tim të parë (Feniksi, 1972), për çka unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj publikisht. Ky botim tashmë ka dalë nga shtypi dhe gjendet në duart e lexuesve. Në të janë përfshirë shkrime të përzgjedhura për krijimtarinë time letrare e shkencore, disa poezi të miat në fillim (dy prej të cilave kushtuar Mitrovicës), një tufë poezish-kushtime për mua të disa poetëve të shquar shqiptarë e të tjerë dhe një kronologji e jetës dhe e veprimtarisë sime.
Kjo është, pak a shumë, përmbajtja e numrit tematik të revistës “Fjalë e valë”, të 23-tit me radhë, kushtuar “Prof. A. Vincës, në 65-vjetorin e lindjes”.
Ndërkaq, Universiteti i Prishtinës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka nderuar me mirënjohje një numër të konsiderueshëm profesorësh të këtij Universiteti, në mesin e të cilëve edhe mua. Meqenëse në manifestimin e organizuar me atë rast u tha se profesorëve të gjallë mirënjohjet do t’u dorëzohen nëpër njësitë akademike, u shfrytëzua rasti që mua të më dorëzohej në takimin e para do ditëve në Fakultetin e Filologjisë, gjë që e bënë bashkërisht dekani i Fakultetit dhe zëvendësrektori për mësim i Universitetit.

“Epoka e re”: Në fjalën tuaj të mbajtur në promovimin e revistës “Fjalë e valë”, në të vërtetë të librit “Krijuesi i pandalur”, Ju evokuat kujtime nga jeta juaj studentore dhe iu drejtuat me një porosi të pranishmëve në sallë, në mesin e të cilëve kishte edhe mjaft studentë...

A. Vinca: Fjala që mbajta unë në mbyllje të këtij takimi, siç më pëlqen ta quaj, titullohet: “Mos u dëshpëroni nëse rrëzoheni; dëshpërohuni nëse nuk ringriheni!”. Duke evokuar episodin e provimit të parë në jetë, në Fakultet, unë desha t’u transmetoj studentëve të mi, atyre në radhë të parë, por edhe të pranishmëve të tjerë në sallë, të rinj e pleq, një mesazh të qartë dhe dashamirës. Jeta ka rënie e ngritje, suksese e dështime. Puna është të mos thyhemi, të mos dëshpërohemi, të mos dorëzohemi. Konsideroj se ky mesazh ka konotacione më të gjera sesa jeta studentore dhe suksesi a mossuksesi në provime; ai na përket të gjithëve si individë dhe si pjesëtarë të një kombi e shoqërie.

“Epoka e re”: Kohë më parë u mbajtën zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Emri Juaj, për çudi, përsëri nuk figuron në listën e të pranuarve! Përse nuk po ju pranojnë në Akademi, Profesor: për shkak të xhelozisë, frikës së qëndrimit tuaj të drejtpërdrejtë: “e bardha e bardhë”, “e zeza e zezë”, apo ka ndonjë arsye tjetër, politike?

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE E KOSOVËS NUK E MERITON EMRIN QË KA

A. Vinca: Secila veç e veç dhe që të tria bashkë: xhelozia; frika nga qëndrimi i drejtpërdrejtë e jokonformist, në të vërtetë nga integriteti moral e intelektual, por edhe “mëkatet” e natyrës politike, intelektuale dhe shkencore në përgjithësi.
Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk kanë vepër të përfillshme shkencore ose edhe letrare e artistike; shumica syresh janë intelektualisht të tredhur, të shurdhër e memecë (jo rastësisht organet serbe në ndërtesën e vjetër të ASHAK-ut vendosën Shoqatën e Shurdhmemecëve!), pa dije e guxim intelektual dhe pa kredibilitet moral dhe, e treta, në ASHAK mbizotërojnë njerëzit që në periudhën e autonomisë kanë qenë jo vetëm anëtarë të devotshëm të Lidhjes së Komunistëve, por edhe plotësisht luajalë ndaj sistemit jugosllav; njerëz që shënonin me konferenca shkencore e botime të posaçme përvjetorët e “shokut Tito”, kurse pas vitit 1990 u shndërruan në anëtarë jo vetëm të devotshëm, por edhe fanatikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke mbështetur pa rezervë, individualisht dhe kolektivisht, “politikën e urtë e paqësore presidenciale”, akademët tanë kundërshtonin çdo formë të rezistencës aktive ndaj okupatorit, përfshirë edhe rezistencën e armatosur të UÇK-së, të cilën ata dhe “idhulli“ i tyre e quanin “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe”, kurse kryengritjen e armatosur “aventurë që kishte për qëllim ta digjte Kosovën” dhe t’ia lehtësonte kështu punën pushtuesit për ta shndërruar atë, sipas tyre, në “tokë të shkretë”.
Si njeri, krijues e intelektual kam qenë pothuajse prej fillimi kundërshtar i politikës së ashtuquajtur “paqësore”, të cilën disa e quanin, madje, edhe “gandiste”, që në fakt ishte politikë e frikës dhe e nënshtrimit dhe përkrahës i rezistencës aktive, padëgjueshmërisë qytetare ndaj organeve të pushtuesit në fillim dhe kryengritjes së armatosur për çlirim, më vonë, si e vetmja rrugë që duhet të ndjekë një popull që e ka seriozisht luftën e vet për liri e pavarësi.
Kjo është një përgjigje, e pjesshme, pyetjes suaj. Konsideroj se në mënyrë pak më të plotë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje në intervistat dhe paraqitjet e mia në media lidhur me “çështjen ASHAK”, kurse në mënyrë shumë më të plotë shpresoj t’i përgjigjem në një të ardhme jo shumë të largët.

“Epoka e re”: Kush mund bëhet sot anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës?

A. Vinca: Kushdo që e ka mirë me kryetarin e saj aktual, një gjeograf, që merret me tabela e statistikë demo(no)grafike; me dy ish-kryetarët e saj gjuhëtarë, relativisht të zotë si studiues, por tejet meskinë, cinikë e mizantropë si njerëz; me kryesinë e kësaj, ta quaj shoqate të shndërruar në shtëpi private; kushdo që u bën lajka dhe u vardiset atyre; që nuk ka “mëkate” politike dhe, mundësisht, as formim të mirëfilltë shkencor e intelektual; që është i urtë, simpatik, titist, rugovist, lëdëkë-lëdëdëist, mundësisht anëtar i ndonjërës prej partive-bisht (preferohet të qenit funksionar, fjala vjen, nënkryetar i ish-partisë fshatare të asfaltit!), preshevar a gjakovar, lokalist e provincialist (edhe në qëndrimin ndaj gjuhës standarde shqipe!); që di të tregojë anekdota e di të sillet me gjentilencë e të qeshë vesh më vesh para eprorëve të vet, pavarësisht që nuk është në gjendje të shkruajë as një faqe tekst pa gabime drejtshkrimore e të tjera; që nuk është në gjendje të mbajë një ligjëratë a fjalë për të qenë në Prishtinë se jo më gjetkë, se për vepra e projekte shkencore serioze as që mund të flitet.
Zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë tonë “të shkencave” prej viteve ’90 e këndej janë manipuluar secilën herë, por pas zgjedhjeve të fundit, të vitit 2012, në të cilën udhëheqja agile e ASHAK-ut, e realizoi, si asnjëherë më parë, qind për qind “planin” e vet katërvjeçar, duke pranuar 19 anëtarë të rinj përnjëherë, me ndonjë përjashtim, secili më beter se tjetri, ka ardhur koha që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të quhet e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, sepse nuk është më e tillë!

“Epoka e re”: Pasi jeni anëtar i Këshillit të Librit në MKRS deshëm të dimë se a jeni i kënaqur me veprat konkurruese të autorëve dhe shtëpive botuese që jua sjellin aty për ta marrë miratimin tuaj?

A. Vinca: Jo, aspak. Ose fare pak. Prurjet janë tejet modeste. Herë-herë edhe joserioze. Kjo gjendje flet për krizën nëpër të cilën kalon kultura jonë, e mjedisit tonë, kosovar, ku edhe njerëzve me tituj më të lartë shkencorë u mungon shumë herë kultura elementare e shkrimit, dija dhe përkushtimi krijues.

“Epoka e re”: Profesor, për punën, dijen, librat dhe kriteret në fakultet ju nderojnë kolegët dhe studentët, me shkrime promovuese rreth jush, kush tjetër jo. Edhe sa kohë do të jeni ligjërues në Fakultetin e Filologjisë dhe ku do të shkoni më pas?

UNIVERSITETI DHE POLITIKA E KUADROVE

A. Vinca: Me 65 dilet në pension. Sipas ligjit. Por ka një qëndrim që profesorët, për mungesë të pensionit (pensionet ekzistuese s’janë veçse ndihma sociale!), të angazhohen deri në moshën 70 vjeç. Pastaj, kush si; kah sytë këmbët!... Nëse do të jem gjallë e shëndoshë do t’i përkushtohem finalizimit të veprës sime shkencore dhe letrare, përfshirë edhe ditarët dhe kujtimet.

“Epoka e re”: Çfarë masash duhet të marrin Rektorati dhe Ministria e Arsimit për profesorët që mbajnë nga dy e tri punë, për ata që ligjërojnë në UP dhe në kolegje private?

A. Vinca: Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e mirë, konform ligjit, pa bërë asnjë lëshim. Por problemi i mbajtjes së dy a tre vendeve të punës dhe i angazhimeve të shumta në Kosovë është dukuri shumë e përhapur, që i kalon caqet e  Universitetit të Prishtinës dhe të sistemit arsimor në përgjithësi. Uzurpimi i posteve, i vendeve të punës, marrja përsipër e angazhimeve nga më të ndryshmet, të qenit anëtar bordesh e këshillash, gjithnjë kundruall një page të caktuar, është dukuri e përgjithshme në Kosovë. Në Kosovë ka shumë njerëz të papunë (edhe me kualifikime të larta shkollore e me grada shkencore), ka shumë të varfër, madje edhe të rrezikuar nga uria, ka pensionistë që, edhe pas dyzet vjet pune e kontributi, nuk mund ta sigurojnë ekzistencën e vet minimale dhe ka njerëz që s’ia dinë skajin pasurisë. Në këtë grup hyjnë në radhë të parë njerëzit e politikës (ata që i kanë në dorë penjtë e shtetit dhe tenderët e famshëm), por edhe në mesin e intelektualëve ka jo pak profiterë. Ka edhe njerëz që qëndrojnë me dekada në krye të institucioneve, madje edhe pa konkurs, duke iu përshtatur si kameleonë secilës parti që vjen në pushtet dhe duke i mitosur me lajka e dhurata ata që vendosin për postet e tyre, ministrat përkatës dhe shefat e tyre.

“Epoka e re”: Kaluam kështu, spontanisht, te problemet shoqërore dhe politike. Çfarë është politika e kuadrove në Kosovë? A bazohet ajo mbi meritokracinë apo mbi luajalitetin partiak, nepotizmin dhe servilizmin?

A. Vinca: Më vjen keq ta them, por Kosova nuk do të prosperojë derisa nuk do të ketë një politikë më të drejtë të kuadrove, që bazohet mbi kriterin e aftësisë profesionale dhe të ndershmërisë morale e jo mbi përkatësinë partiake dhe lidhjet familjare e “kritere” të tjera të ngjashme. Ende mbahet mend deklarata qesharake e një ministri të njërës nga qeveritë e kohës së LDK-së, i cili vërejtjes se kishte punësuar në dikasterin e tij dhjetëra të afërm të vet, iu përgjigj me fjalët: “Në Kosovë të gjithë janë: nip e dajë!”. Fjala “dajë” u përmend edhe në bisedat telefonike të njerëzve përgjegjës të partisë e cila e udhëheq sot Kosovën, të cilat iu bënë të njohura kohë më parë opinionit, aq sa mund të thuhet lirisht se tashmë është bërë metaforë e nepotizmit tonë proverbial.
Kundër nepotizmit duhet luftuar, njësoj sikurse kundër korrupsionit, shkeljes së ligjit, uzurpimit të pronës publike, keqpërdorimit të pushtetit dhe keqpërdorimeve të tjera, të të gjitha llojeve, që kanë vërshuar Kosovën tonë të dashur e martire, si e quanim dikur.
Politika e kuadrove e qeverisë aktuale dhe e partisë kryesore të koalicionit qeveritar, PDK-së, lë shumë për të dëshiruar edhe në një plan tjetër. Edhe pse duket si paradoks, PDK-ja, çuditërisht, më shumë se mbështetësit e saj, të dikurshëm apo edhe të tanishëm, i mbështet, shumë herë, kundërshtarët e saj, realë a potencialë, duke i shpërblyer me poste, privilegje e shpërblime! Më tha një ditë një mik, mbështetës i UÇK-së që në orët e para dhe i “krahut të luftës” pas ’99-s, si me shaka: “Ata më shumë kujdesen për armiqtë sesa për miqtë!”.
Do të përpiqem ta konkretizoj, pak a shumë, këtë që thashë më lart.

KUSH “VDES” E KUSH “NGORDH” NË KOSOVË!

Lexova kohë më parë në një nga të përditshmet tona fjalinë e mëposhtme: “Në Kosovë vdesin vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së. Të gjithë të tjerët ngordhin”. U skandalizova dhe s’u besoja syve duke e lexuar këtë fjali idioteske, që përsëritej dy herë brenda një teksti të shkurtër, të shkruar nga një kolumnist, i cili bënte sikur i kundërvihej asaj, por, ja që gjente rastin ta plasonte në shtyp. Askush nuk ka reaguar deri më sot, as me gojë e as me shkrim, ndaj kësaj thënieje morbide, që, po të ishte shqiptuar diku tjetër, do të ishin ngritur në këmbë i madh e i vogël. “...vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së vdesin; të gjithë të tjerët ngordhin”! O Zot, deri ku arrin fanatizmi politik! Po gratë lehona, po nënat plaka, po pleqtë mjekërbardhë, po fëmijët e foshnjat e pafajshme; po njerëzit zemërbardhë të kësaj toke, që nuk i takojnë e as nuk i kanë takuar ndonjëherë ndonjë partie politike... Kot. Të gjithë “ngordhin”, si qentë, nëse nuk janë anëtarë të LDK-së! E tmerrshme ta mendosh! Jo ta botosh! Dhe, papritmas, po ato ditë, autori i kolumnes në të cilën haset fjalia e mësipërme, zgjidhet anëtar i një bordi të rëndësishëm si përfaqësues i njërës nga ministritë tona më të rëndësishme, MASHT-it! Kurse vitin e kaluar, po nga kjo ministri, u zgjodh “shkencëtar i vitit” një profesor, i cili, në vitin 1991, kur u aplikuan masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës, i pranoi ato dhe vazhdoi të ligjëronte në Fakultet, serbisht, deri në vitin 1993, kur u largua nga Kosova, për të mos u kthyer kurrë më.

“Epoka e re”: Në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar me mirënjohje e motivacione të ndryshme u nderuan shumë figura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ju, edhe pse përgatitët “Muzën e Mëmëdheut”, u harruat. Pse?

A. Vinca: Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në një ceremoni të organizuar në selinë e Presidencës, të cilën unë e ndoqa përmes ekranit, nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” të gjithë autorët që kontribuan me botime letrare dhe artistike në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm. Nuk e di si dhe kush ka vendosur për këtë çështje (kush e ka bërë përzgjedhjen e laureatëve), por me të gjitha kriteret në këtë listë është dashur të ishte edhe “Muza e Mëmëdheut” dhe unë si autor i saj.
 Unë jam mësuar të anashkalohem nga çmimet dhe dekoratat, por kësaj radhe vërtet e ndjeva veten të fyer, ashtu sikundër edhe kur lexova emrat e atyre që ishin shpallur “Qytetarë Nderi” të Vlorës nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti historik, po me rastin e 100-vjetorit, në mesin e të cilëve ishin edhe një poet kosovar, i cili me vargjet e tij të botuara në vitin 1997 kishte fyer Vlorën dhe vlonjatët, si dhe dy kryetarë komunash periferike të Kosovës.

“Epoka e re”: Çfarë keni ndërmend të shkruani pas gjithë asaj bibliografisë suaj dhe për çfarë mendoni se opinioni do t’ju mbajë mend dhe do t’ju përmendë?

A. Vinca: Nuk e di. Nuk jam i sigurt. Askush nuk mund ta dijë plotësisht një gjë të tillë, madje as krijuesit e mëdhenj. Besoj se disa poezi të miat do të lexohen, mbahen mend e citohen edhe pas njëqind vjetësh. A janë pesë, dhjetë a pesëmbëdhtjetë nuk e di, por e di se këtu hyjnë ato poezi që kanë kuptim e muzikalitet, që tingëllojnë shqip dhe që mësohen lehtë përmendsh. Studimi im monografik “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)” besoj se do të jetë pikë referimi sa herë që do të flitet për poezinë bashkëkohore shqipe si pjesë shumë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Edhe disa shkrime të tjera kritike, ese, vështrime e studime për letërsinë shqipe shpresoj ta mbijetojnë autorin e tyre. Ndoshta polemikat, ndoshta shkrimet publicistike a diçka tjetër që pritet të lindë, sepse krijuesit gjithmonë mendojnë se veprën e tyre më të mirë do ta shkruajnë më vonë.

“Epoka e re”: Jeni shpirt polemik. Pakëz Nol, pakëz Konicë. Keni polemizuar me shumë shkrimtarë, gazetarë, publicistë e intelektualë maqedonas, serbë e të tjerë (herë-herë edhe shqiptarë) në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të parimeve tuaja morale e krijuese. Keni botuar shumë shkrime polemike të kësaj natyre në shtyp, si dhe tre libra publicistikë... A ju ka marrë shumë kohë e energji kjo punë dhe a ju ka ndarë nga puna krijuese?

KAM POLEMIZUAR EDHE ME DAÇIQIN

A. Vinca: Sigurisht që po. Madje jo pak. E kam filluar këtë punë, i shtyrë nga rrethanat, por edhe nga natyra dhe karakteri im njerëzor, që nuk pajtohet me të bërit sehir, në vitin 1986, për ta vazhduar përgjatë viteve ’80 e ’90, por edhe më vonë, madje edhe në ditët e sotme. Kam polemizuar me gazetarë, shkrimtarë, publicistë, intelektualë e politikanë serbë e maqedonas, madje dhe me kryeministra, kandidatë për presidentë, ministra, deputetë e të tjerë. Kam polemizuar edhe me Daçiqin, në vitin 1993, kur ishte zëdhënës i Millosheviqit. Jemi “hëngër” për çështjen e Vetëvendosjes (jo si organizatë politike, sepse nuk ekzistonte në atë kohë, por si koncept politik). Në një shkrim të botuar në gazetën “Borba” të Beogradit, më 27-28 shkurt 1993, kryeministri i sotëm serb, atëherë zëdhënës i Partisë në pushtet, “SPS”, pohonte se populli serb qenkësh i vetmi popull në Ballkan, që “i mohohet e drejta e vetëvendosjes”. Në reagimin tim me titull “Shqiptarët dhe e drejta e vetëvendosjes ose vullneti i ndrydhur me dhunë”, ia kujtoja Daçiqit se nëse në Ballkan ka ndonjë popull, të cilit i është mohuar dhe vazhdon t’i mohohet kjo e drejtë, pra e drejta e vetëvendosjes - këta janë shqiptarët. Dhe është pikërisht regjimi serb, shtoja në vazhdim, që shtyp me dhunë vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës, të drejtën e tyre për t’u deklaruar lirisht, me referendum, nëse dëshirojnë të jetojnë nën Serbinë, të kenë shtetin e tyre të pavarur apo të bashkohen me shtetin amë, Shqipërinë, duke nënvizuar se po t’u bëhej i mundur deklarimi i lirë do të fitonte pa dyshim opsioni i tretë, ithtar i të cilit jam edhe vetë. Në replikën e tij ndaj reagimit tim, Daçiqi pat thënë, sa më kujtohet, se Serbia është “shtet demokratik”, sepse “një shtetas i saj” ka guximin të deklarohet për “bashkim me Shqipërinë” dhe nuk pëson asgjë, pra nuk burgoset për shkak të mendimit të tij.

“Epoka e re”: Dhe është po ky Daçiq që tani, në njërën anë, zhvillon negociata me kryeministrin tonë Thaçi në Bruksel, kurse, në anë tjetër, heq demonstrativisht lapidarin e dëshmorëve në Preshevë. Komenti Juaj?

A. Vinca:  Po, po. Ai është. Dhe jo vetëm ai. Daçiqët bëjnë punën e vet, ashtu siç mendojnë se u përgjigjet më së miri atyre, kurse ne do të duhej ta bëjmë punën tonë ashtu siç na konvenon ne. Dhe kur them “ne” kam parasysh kastën politike shqiptare dhe institucionet tona shtetërore, Tiranën zyrtare, pastaj Prishtinën dhe, gjithsesi, edhe liderët politikë të luginës së Preshevës. Lojën e “matjes së pulsit” dhe të hidhepritjeve disaditëshe ndërmjet palëve “në konflikt”, e kapitalizoi pala serbe, kurse ne na rrofshin fjalët e mëdha! Është e vërtetë se faktori politik i Preshevës dhe qytetarët e saj nuk bënë as më të voglën përpjekje për ta mbrojtur lapidarin (ideatorët e ngritjes së tij është dashur ta mendonin edhe këtë situatë!), por heqja e këtij lapidari, në pikë të ditës, me forca të mëdha policore, është fyerje për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Akti vandal i heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qeveria serbe e kryesuar nga Ivica Daçiqi, tregon se ujku qimen e ndërron, por hujin jo!

DIALOGU ME SERBINË DHE DILEMAT RRETH TIJ

“Epoka e re”: Po ç’mendim keni për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë? Cili është shikimi Juaj i këtyre negociatave?

A. Vinca: Pala shqiptare ka lëshuar pe edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, duke e bërë kompromisin e madh, kapital, sidomos kur e ka pranuar pakon e Ahtisarit, me komunat e pastra serbe, me decentralizimin etnik, me eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve, me serbishten si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës (dhe në Prekazin e Adem Jasharit!), me vendet e rezervuara në parlament për pakicat, veçanërisht serbët, me marrjen e vendimeve me dy të tretat e përfaqësuesve të minoriteteve, me multietnicitetin e shpifur etj. Kurse pala serbe nuk ka lëvizur fare nga pozicionet e veta. Nuk e ka pranuar Marrëveshjen e Rambujesë, nuk e ka pranuar pakon e Ahtisarit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e konsideron pjesë të vetën me Kushtetutë; nuk e përfill, madje, as emrin e saj legal, Kosovë, por e quan “Kosovë e Metohi”; harton platforma me të cilat kërkon autonominë e serbëve në “Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë”, që është një absurdsui generis; e konsideron të pazgjidhur statusin e Kosovës; nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në Veri, pengon njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe bën, për çdo ditë, obstruksione nga më të ndryshmet në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve. E, megjithatë, Kosova ka hyrë në bisedime me Serbinë. Sepse këtë e kërkojnë “miqtë tanë”, BE-ja dhe SHBA- të; e kërkon Brukseli dhe Uashingtoni. Ky është arsyetimi, për të mos thënë refreni. Në fillim, në të  ashtuquajturat “bisedime teknike”, kurse tani në bisedimet me karakter politik të nivelit më të lartë. 

“Epoka e re”: Si e shihni epilogun e këtyre bisedimeve?

A. Vinca: Uroj që ta kem gabim, por me skepsë dhe frikë. Shikoni: s’ka bisedime politike pa kompromis. E ka thënë Migjeni gjenial, ndonëse vetëm njëzet e sa vjeçar, shtatëdhjetë e sa vjet më parë, te proza “Novelë mbi krizë (1935): “O kompromis, fëmijë bastard i të gjitha mbledhjeve!”. Ndërkaq, shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Eshton, që është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, pat deklaruar që në fillim se palët duhet të përgatiten për “vendime të vështira”. Vini re: “palët” (jo vetëm njëra, por që të dyja)! Kështu thotë gruaja, e cila përfaqëson organizmin në të cilin synon të anëtarësohet Serbia falë këtyre bisedimeve, Bashkimin Evropian, ndërkohë që statusin e kandidatit tashmë e ka fituar (pas “bisedimeve teknike” të Editës dhe Borkos). Serbia, edhe pse shkaktare e luftërave në ish-Jugosllavi, e krimeve dhe gjenocidit, po përkëdhelet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk pati asnjë reagim nga Brukseli ndaj platformës së saj provokative, e cila s’u lë gjë mangut dokumenteve të kohës së Millosheviqit për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”, në mos edhe i tejkalon ato. (Po sikur shqiptarët të kishin dalë me një platformë të ngjashme, një Zot e di si do të ishte pritur?!). E shihni çfarë janë reagimet për varrezat serbe, dëmtimi i të cilave, megjithëse i bërë në afekt dhe nga njerëz të papërgjegjshëm, është një akt vërtet i turpshëm e i papranueshëm, kurse për heqjen e lapidarit, mjerisht, edhe në deklaratën e Stejt-Departamentit thuhej se ka ndodhur diku “në Serbi” e jo në një qytet ku gati qind për qind e popullatës është shqiptare!
Në lidhje me bisedimet, edhe diçka. Ne jetojmë në Ballkan dhe në Ballkan palët që “tregtojnë” (lexo: negociojnë) kurrë s’e tregojnë që në fillim çmimin real, në mënyrë që, gjatë “pazarit”, të arrijnë dikunë mes me idenë se secili ia ka hedhur tjetrit!

“Epoka e re”: Kemi lënë pa ju pyetur për shumë gjëra, të cilat do të mbushnin qindra faqe të librit, por, për fund, çfarë mesazhi keni për dashamirët e librit, për fansat tuaj në Facebook, letrarët e studiuesit e rinj dhe të vjetër?

A. Vinca: Para së gjithash për fansat në Facebook, si thoni Ju, kam jo porosi, por një sqarim dhe falënderim. Sqarimi është ky: unë kam një faqe në Facebook, të cilën nuk e kam hapur vetë e as nuk e administroj unë, por dikush tjetër. Ky është ish-studenti im nga Tetova, botuesi, gazetari dhe veprimtari i palodhshëm, Enver Neziri. Enveri i plason rregullisht shkrimet dhe intervistat e mia në Facebook, për çka e falënderoj përzemërsisht. Por unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj me këtë rast të gjithë “fansat” e mi, të gjithë ata që i pëlqejnë shkrimet dhe paraqitjet e mia publike, që i komentojnë ato, që bëjnë vlerësime e shprehin adhurim e simpati për punën dhe krijimtarinë time, madje edhe ata që nuk pajtohen me mendimin tim e mund të më bëjnë vërejtje, por duke e ruajtur nivelin dhe sensin e komunikimit publik. Falënderoj gjithashtu autorin e portretit që shfaqet në ekran posa ta hapësh faqen, të punuar me aq përkushtim. Është dashur ta bëj këtë më herët, por, siç ju thashë, nuk merrem me facebook-un, një për mungesë të kohës dhe, e dyta, për shkak se unë i takoj brezit që është rritur me makinë shkrimi dhe mjafton që kam arritur ta përvetësoj të shkruarit në kompjuter dhe komunikimin me postë
elektronike, alias email.

Intervistoi: Mal Qorraj

“LEGJENDA” E NJË JETE, ME EMRIN SKËNDER HASKO


Nga: SEJDO   HARKA


Shkrimtari  S.Hasko


Të shkruash   për  shkrimtarin, mikun dhe kolegun tonë të dashur,   Skënder   Hasko, do të thotë  të tregosh një jete reale, si në legjenda. Kjo ndodh, sepse jeta  dhe veprimtaria  e tij  ka  qënë  sa  e qetë,   aq   dhe  e  vrullshme , sa  e zakonshme, aq  dhe  e jashtëzakonshme , sa   e bukur  aq dhe  e ashpër , sa e gëzuar  aq  dhe e  trishtuar, sa  e lumtur aq dhe e hidhur . Por  Skënderi , si “hero”  legjendash , ka ditur  ta drejtojë mirë  “anijen” e jetes,  duke  çarë  përmes dallgëve  e  vështirësive , tufaneve  dhe egërsive të jetës. Naracionin e kësaj “legjende”, sa të lumtur, aq  edhe të trishtuar, e gjen të  pasqyruar  bukur në  librin  e tij  me kujtime, “Udhëtim  nëpër  vitet  e jetës sime”, publikuar  kohët e  fundit, nga Shtëpia Botuese ”Toena”. I  frymëzuar    nga mesazhet  e ngrohta  të  sentencës  së  Gëtes: “Në  çdo  dërrasë varri , mbulohet një histori e tërë”, dëshiron që t’u lërë  brezave  kujtimet e tij për jetën  dhe letërsinë ,  për familjen   dhe  shoqërinë ,  për luftën dhe varfërinë, për ëndrrat  dhe njerinë ,  për vendlindjen  dhe dashurinë,  për vdekjen dhe lirinë , për lindjen  dhe  trimërinë …
Rrugët  e  jetës   së  tij , kanë  qënë tepër të vështira , me të  përpjeta  dhe të tatëpjeta . Siç shprehet  dhe vetë  metaforikisht, herë ka fluturuar me avion  e herë  me makinë,  herë me gomar e herë më këmbë. Por shumë herë, edhe fare zbathur.”Në jetë,  - tregon   ai, – kam  ngrënë  edhe mish të pjekur  edhe bukë  tërshëre. I penduar, se o ka hyrë në hak të ziut kalë,  vazhdon  - Po ç’të  bënim ?! Të vdisnim  ?! . Po të vdisnim ne, as kali i gjorë,  s’do të rronte  dot… “(34) Është  shpresa  ajo , që si nëna e mirë  e  mori përdore ,për ta nxjerrë  nga honet e rrëpirat e dhimbjeve dhe  të  trishtimit , edhe kur për një çast e ka ndjerë   veten  keq. Në jetë ka shijuar  edhe ëmbëlsinë  e mjaltit e të sheqerit, edhe hidherimin  e vuajtjes  e të zeherit, edhe freskinë  e puhizave të  detit edhe zagushinë e të nxehtit, edhe  ftohtësinë   e ngricave të acarit,  edhe  tymosjen   e përzhitjen  e zjarrit , edhe bukurië e ëndrrave, edhe akullin e zemrave.
Erdhi në jetë, në një natë  të gjatë marsi, të  vitit 1936. Nëna  i pat  treguar  se Skënderi  kishte  lindur  mes të  qarash të fuqishme , të cilat paralajmëronin, se jeta e tij  do të shoqërohej nga andëralla  të mëdha. Ajo do të lidhej ngusht   me  Rovenën dhe Llogaranë  e ashpër  dhe të bukur , aq sa  edhe njerëzit  e gurët  edhe pemët  e drurët , edhe  buka  e ujët , edhe lodrat e punët , bile edhe italiani, robi i luftës , që vdiq në Rovenë , u bënë  pjesë  e mendjes dhe shpirtit  të tij të madh.  Që  kur ende ishte fëmijë,  mësoi zanatin e teneqexhiut,  të cilën e  ushtroi  për të mbajtur frymën gjallë. Mbasi mbaroi  shkëlqyshëm   shkollën  7 – vjeçare, Skënderin   e emëruan  mësues  në  Dukat.  Por ëndrra  e tij  ishte zgjerimi i dijeve, dëshirë  që  ia ushqyen  edhe prindërit  e tij  arsimdashës. Kur një  mik  i sugjeron  babait mendimin   se, për të  vrarë  varfërinë  e familjes,  duhet   t’i  blinte të  birit një kope  me dele, ai i përgjigjet: ”Atë  kope  mund ta hajë ujku  brenda një nate, kurse  shkollën  nuk mund  ta përtypë dot,  as bisha më e egër”(52).
Viti 1959, Skënderin do ta gjente  puntor në Uzinën mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngusht me grupet kulturore amatore të Beratit. Duartrokitjet dhe ovacionet e shikuesve, zgjuan te djaloshi Skënder Hasko,  energji të rralla interpertuese dhe krijuese. Aty u njoh dhe u dashurua  shumë me gjimnazisten Shane Balili, e cila në atë kohë ishte amatore dhe interpretonte këngë të bukura popullore.Të dy, si zogj të lirë e të lumtur,edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, aty në Beratin e lashtë, e ndërtuan çerdhen e tyre familjare. Skënderi u bë dhëndërr me kostum të kthyer, ndërsa Shanja u bë nuse me një fustan të bardhë, të qepur  vetë me dorë. Me njeriun e zemrës  në krah , ai i ra kryq e tërthor, jo vetëm Beratit dhe Vlorës, por dhe gjithë Shqipërisë. E, ku s’preku  dora dhe këmba, mendja dhe zemra, ku s’u ndje fryma dhe kënga, shpirti dhe ëndrra e këtij çifti të lumtur. Bashkë lindën dhe rritën tre fëmijë të mrekullueshëm, që  tani punojnë me devotshmëri, brenda  dhe jashtë vendit. Por ëndrrat e bukura  të këtij çifti, sa të lumtur aq dhe të stërmunduar, vjet ”i kafshoi” vdekja e parakohshme e Shanes ,bashkëshortes dhe nënës shëmbullore, mësueses dhe këngëtares së talentuar. Dëshpërimin e tij të thellë për ndarjen përjetë, me gjysmën e tij më të mirë, Skënderi e shprehu në mënyrë tepër rrënqethëse, nëpërmjet vargjeve: ”Ah, ky fati,cfarë fati,/ Fshehtas për fyti më kapi,/ Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”(14).


Gjithnjë bashkë, me kolegët…Nga e majta: S.Harka, S.Hasko, B.Xhama, M.Gecaj e V.Kona

Kudo që punon dhe jeton  Skënderi, lë pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe këngën, fjalën e zjarrtë dhe mendjen…E, ku nuk u shfaq vrulli dhe talenti  tij: mësues e gazetar, aktor dhe shkrimtar, drejtues e veprimtar...Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gazetari, ai ka drejtuar edhe institucione të rëndësishme të shtypit dhe të cultures, si Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe  Teatrin  Kombëtar  të Kukullave. Skënderi njihet jo vetëm  humorist dhe aktor estrade, por edhe aktor filmash. Kush e ka parë filmin artistic, ”Malet me blerim mbuluar” dhe nuk i ka rënë në sy  djaloshi me qeleshe të bardhë, që ia merr këngës,”Atë ditën e xhuma/Boria në Brataj ra”.
Profesionin e mirfilltë të gazetarit e filloi me revistën “Hosteni”, ku me “hostenin” e tij magjik thumboi veset dhe çorri maskat e shumë dukurive negative të kohës. Kudo që shërbeu publicist, shkroi me duar të pastra e me kokë të ftohtë. Shokët, miqtë dhe bashkudhëtarët e tij  të shumtë kanë qënë dhe janë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe  të shquar të letërsisë dhe artit si: L.Poradeci, Sh.Musaraj, K.Jakova,P.Marko,O.Grillo,A.Mamaqi,S.Godo,A.Banushi,V.Kona,M.Gecaj,P.Koçietj. Por shoku i tij më i afërt është Bardhyl Xhama,ose siç e thërresin, ndryshe, “shkrimtari i detit”.”Me Bardhylin,- shkruan Skënderi,-jam njohur herët.Ai është i qetë, ndërsa unë  jam impulsiv.Edhe kur grindemi fort për ndonjë problem,sikur të rriheshim, pas dy minutash futemi përsëri në rrjedhën e zakonshme të shoqërisë”(294).
Skënderi , në jetë ka ngjitur shumë maja e ka  zbritur shumë rrëpira. Por s’ka për të harruar kurrë atë, që i ndodhi në një kafene, duke pirë kafe mes shokësh e miqësh... “Për një çast,-tregon ai,-m’u mbyllën sytë dhe m’u ndal frymëmarrja!” Kishte pësuar vdekje klinike. Ali Cenaj,një burrë i panjohur,si i dërguari i zotit në legjendat e ringjalljes, duke e shtypur fort në gjoks, si me magji, i pat rivënë përsëri në punë zemrën  e tij të madhe. Është kjo arsyeja që shokët e tij të “Kompanisë lëvizëse”, sa herë mblidhen për të pirë ndonjë kafe apo ndonjë kupë raki, i thonë me dashamairësi: ”Për ty, Skënder, s’ka vdekje kurrë!”. Ndërsa ai, plot humor e optimizëm, përgjigjet: ”Po,është e vërtetë. Unë, jo vetëm që  e kam mallkuar  rëndë, por dhe e kam mundur  atë një herë.Ndaj ajo s’guxon dot të kacafytet me mua përsëri, sepse e di që e ka të humbur davanë…”!
Ajo, që e bën  të përjetshëm dhe të papërsëritshëm  Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme  letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përcon mesazhe të fuqishme  e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë  ësttë  “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971.”Qysh atëhere ,–shkruan Skënderi në kujtimet e tij,-“më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari ,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka  botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer  në  gjuhë të ndyshme të  botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime  kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj” .
Njëzet  vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me  librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë . Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin  për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit  2005”. Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet  jo vetëm talent, por edhe punë e përkushtim, pasion e durim. Duhet t’i hysh në hak, kohës së lirë dhe familjes, gjumit dhe shëndetit.Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një krijues I pasionuar, si Skënder Hasko, i cili edhe pse ka bërë shumë, shprehet me modesti: ”Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë  dhe një guriçkë, në themelet  e edukimit të brezit të ri”.
Me krijimtarinë e tij te pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë  e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet  magjisë së fjalës ka “shpuar “ tejpërtej edhe malet, edhe  detet, për të depërtuar në thellësitë e shpirtit e të mendjes së  njerëzve.
Shkrimtari Skënder Hasko ka qënë dhe mbetet  i lidhur  shumë ngusht me vendlindjen e tij, gjë që e shprehë edhe nëpërmjet magjisë së vargjeve: ”Nëvdeksha larg , këtu ku jam,/ ku jeta më degdisi/ aty do të mbij unë përsëri/ siç mbin  një lënde lisi”. Për vlerat e tij të papërsëritshme si krijues dhe veprimtar shoqëror, Shoqata  e krahinës së tij e ka nderuar me titullin e “Pishtar i shquar i  Labërisë”, ndërsa Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi  me Çertifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara  në krijimtarinë për fëmijë”.
Librin e tij me kujtime ai e mbyll me  epilogun metaforik,  drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës  dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.

Tiranë, 27 janar 2013

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

MËRGIMI I LETËRSISË (Retrospektivë}


Shkruan: Ahmet Selmani



Ka të ngjarë që, në ato largina gjysmë të shkreta matanë detit, të jetë shpërngulur edhe një pjesë e mirë e letërsisë sonë, kuptohet për t’i shpëtuar katastrofës kulturore. Qëllimi i këtij mërgimi masiv ishte tepër konkret: që të shpëtohej çdo gjë që ishte e mundur, në mënyrë që më pastaj, kur të ndryshonin rrethanat, të ktheheshin sërish në atdhe. Por ai pushtim qe tepër i gjëmshëm dhe zgjati aq shumë, sa nuk mundi ta parashikonte askush. Kështu i theu të gjitha shpresat e atyre që u shpërngulën atje, ndaj nga pamundësia vendosën që jetën ta vazhdonin edhe në dhé të huaj, madje edhe duke krijuar një letërsi të pasur, domethënë atë që e njohim deri më sot

            Ashtu siç e kemi të njohur deri më tani, në përgjithësi është konstatuar fakti se historia e popullit shqiptar është jashtëzakonisht e vjetër, madje ndoshta edhe shumë më tepër sesa që mund të paramendohet nganjëherë. Në qoftë se paraprakisht jemi të prirur të gjykojmë në bazë të asaj që është theksuar deri më sot nga studiuesit e ndryshëm, siç janë Johan Georg Von Hahn, Spiro Konda, Nermin Vlora Fallaski, Eleni Kocaqi, Robert d’Anzhely, Dhimitri Pilika, Aleksandër Stipçeviq, Neritan Ceka, Selim Islami, Muzafer Korkuti, Pëllumb Xhufi, Zhan Klod Foveirial, Mustafa Kruja etj., do të shohim qartë se rrënjët e lashtësisë së tij janë kërkuar dhe zbuluar prej kohësh qysh në periudhat më të hershme parahistorike, pikë së pari duke u mbështetur në teoritë për etnogjenezën dhe paraardhësit e tyre, siç janë pellazgët, ilirët dhe arbërit. Kështu mund të thuhet se është krejt i afërmendshëm edhe fakti se thesari i tyre kulturor i përgjithshëm, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i varfër dhe i parëndësishëm. Pa dyshim, në këtë pikëpamje s’mund ta përjashtojmë as letërsinë, meqë dihet fare mirë se e lëvruan jo më pak se fushat e tjera shpirtërore, duke arritur të krijojnë një traditë të pasur, e cila më vonë u bë model kryesor i gjithë letërsisë së re shqiptare.
            Megjithëse ky popull disa herë u shkel me egërsi nga pushtuesit e huaj, prapëseprapë nuk mund të thuhet se e humbi edhe kulturën e tij. Të dhënat e shumta që janë zbuluar e publikuar nga historianët dhe studiuesit e ndryshëm, tanimë flasin qartë se, edhe në ato rrethana të pavolitshme, me aq sa pati mundësi objektive, ia doli ta ruajë, madje edhe ta vazhdojë me përkushtim të madh, duke nxjerrë emra të mëdhenj të penës, veprat e të cilëve më vonë u bënë si një gjedhe krijuese. Sipas kësaj rrjedhimisht nënkuptohet qartë se ky popull arriti të mbijetojë edhe në këtë aspekt, duke e bartur dhe trashëguar atë traditë të moçme letrare edhe gjatë periudhës së pushtimit romak, bizantin, osman dhe atij sllav.
S’do mend se me secilin pushtues e pati shumë vështirë, por me atë osman e pati më së keqi. E themi këtë për shkak se, këta të fundit, pasi ia mësynë Arbërisë, me gjasë kishin vendosur të zhduknin çdo gjurmë që i përkiste këtij populli lashtor, duke filluar që nga kultura materiale, e deri tek ajo shpirtërore, të cilat patën arritur një nivel të lakmueshëm zhvillimor. Por në këtë aspekt duket se krijimtaria shpirtërore ishte më e dhimbshmja dhe më tragjikja, ngaqë si e tillë do ta pësonte keqas pas një periudhe të gjatë teksa e pat ushqyer e mbajtur gjallë qenien e këtij populli nëpër qindvjeçarë.
            Mbase është shumë e njohur se gjatë kësaj periudhe historike ky popull sapo qe zgjuar nga gërmadhat e mesjetës, nga ajo kllapi aq e gjatë përmbytëse dhe vdekjeprurëse, e cila realisht e kishte plogështuar tej mase. Në të vërtetë, kjo ishte koha kur sapo kish lindur rendi feudal dhe populli ynë ishte bërë gati të hynte në garë kulturore me popujt e tjerë europianë. Mirëpo, fatkeqësia e krejt kësaj ishte fakti se, edhe në këtë moment kaq vendimtar e të volitshëm, me sa duket, fataliteti historik kish qenë i pashmangshëm. Pra, atëherë sërish i shkau nga duart fati i bardhë që i trokiti aq pranë, për arsye se befas u vërsulën hordhitë osmane dhe, me një furi rrënuese të paparë, arritën ta ndërprejnë rrjedhën e zhvillimit të përgjithshëm në Arbëri, kuptohet edhe në rrafshin kulturor e letrar i cili deri në atë moment nuk kish mbetur pa i dhënë frytet e veta.
            Dokumentet që kanë mbetur nga ajo periudhë, qofshin ato të drejtpërdrejta apo edhe të tërthorta, flasin qartë se qysh atëherë kish ekzistuar një letërsi e pasur. Është fjala për dëshmitë e tërthorta që i hasim te Guiljem Adae, Marin Barleti, Gjergj Kastrioti, Gjon Buzuku etj., të cilët pohojnë se në atë kohë kanë ekzistuar libra dhe kronika në gjuhën arbërore ose në gjuhën e vendit, siç shprehen ata. Mjafton këtu të përmendim vetëm librin e njohur me titull konvencional Meshari të klerikut Gjon Buzuku, i cili u botua në vitin 1555, ose për zbulimin e mëvonshëm të një libri të Teodor Shkodranit, për të cilin na njofton studiuesi Musa Ahmeti, me çka shtyhet kufiri deri në vitin 1210. Në shumë raste përmenden libra, kronika, anale, relacione, përkthime etj., kuptohet të shkruara në gjuhën amtare të vendësve. Mirëpo, ndërhyrja e beftë e ushtrisë osmane e çrregulloi rrënjësisht çdo gjë të arritur, ngase shkaktoi tragjedi nga më të llahtarshmet, duke ua vënë zjarrin qendrave më të njohura kulturore të Arbërisë. Nga pjesëmarrësit e asaj fushate të tërbuar u dogjën qytetet më të lulëzuara ku gjendeshin bibliotekat, shkollat, akademitë, institucionet e ndryshme etj. Kjo plojë e frikshme u shkaktua sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, përkatësisht atëherë kur, sipas të gjitha gjasave, pushtuesit osmanë i përdorën të gjitha forcat që i patën në dispozicion, vetëm e vetëm që ta nënshtronin përfundimisht popullin qëndrestar të Arbërisë i cili deri atëherë i pat bërë ballë si askush tjetër në kontinentin e Europës.
Në këtë ndërmarrje fatalisht të egërsuar, gjithsesi qe rrezik i madh të lëfarej edhe thesari kulturor e letrar, i cili nga autorët tanë ishte krijuar me mund e djersë të madhe përgjatë epokave të ndryshme historike, për shkak se të gjithë pushtuesit e kanë qëllimin e njëjtë, thjesht së pari ta zhdukin trurin e atij populli të cilin dëshirojnë ta gjunjëzojnë, e pastaj edhe pjesën tjetër të tij, që ashtu ta mposhtin përfundimisht.
Kështu, edhe pushtuesit osmanë, në këtë rast e goditën pjesën më vitale të popullit arbëror, kuptohet njerëzit më të ditur e më të arsimuar, me qëllim që ta plogështonin e leqendisnin atë deri në pikën e fundit, e mandej fare lehtë të vepronin edhe pjesën tjetër që do të mbetej, e që ishte dëshmuar shumë e aftë për luftë, duke djegur e rroposur çdo send që gjetën përpara vetes. Nga një trysni e këtillë marramendëse, duket sheshit se një pjesë e mirë e gjindjes, sigurisht ajo më e ngritura në pikëpamje arsimore e kulturore, u detyrua të shpërngulet nga trojet e veta dhe të vendoset në disa krahina të Italisë së Jugut.
            Siç dëshmojnë të dhënat e shumta historike, disa shpërngulje nga këto troje janë regjistruar edhe para këtij pushtimi, pra qysh në vitin 1272, 1388 dhe 1393, kur disa individë dhe grupe arbëreshësh ia mësynë drejt Italisë. Megjithatë, vetëm në qindvjetëshin XV u shfaqën ngulime më të theksuara, atëherë kur mbreti i Napolit, Alfonsi I i thirri trupat arbëreshe nën komandën e Demetrius Rëresit, për të mposhtur një kryengritje që kishte shpërthyer në Kalabri. Për këtë ndihmë konkrete që ia ofroi në momentet e vështira, më 1448 Rëresit iu nda tokë në viset e Kalabrisë, ku edhe u vendosën ushtarët e tij me gjithë familjet e tyre. Por e vërteta është se ngulimet më të mëdha e më dramatike u bënë pas vërshimit të Perandorisë Osmane në Gadishull, me ç’rast u shkaktua një dyndje e madhe e arbëreshëve drejt Italisë, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në këtë mënyrë, ndërmjet viteve 1468 dhe 1478 një valë e madhe ikanakësh e braktisën Arbërinë për t’u vendosur në viset e Bazilikatës, Molizesë, Puljes dhe, veçanërisht, të Kalabrisë. Ndërkaq, pjesa tjetër e këtyre fatkëqinjve ishin nga viset e Moresë, të cilët u vendosën kryesisht në viset e pabanuara të Sicilisë. Pikërisht nga këto valë të mëdha ikanakësh u krijua bërthama e kësaj mërgate që e njohim sot. Por, sado që ndodhi kështu, assesi nuk mund të thuhet se qe një shpërngulje klasike, siç dinë zakonisht të bëjnë ikanakët që shohin ta shpëtojnë vetëm kokën e tyre. Përkundrazi, të gjitha të dhënat flasin qartë se kjo qe një shpërngulje shumë më e ndërlikuar, domethënë ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm njerëzit me një vetëdije të lartë atdhetare e kulturore. Këtë e themi ngase ata u dyndën matanë detit pikërisht atëherë kur e panë rrezikun më të madh, ose kur e kuptuan se kultura e tyre mund të zhdukej vërtet nga faqja e dheut. Pa dyshim këtë e dëshmon edhe fakti se turma përbëhej nga elita e vendit, nga senjorët, peshkopët, oficerët që ikën bashkë me bagazhet, arkivat, madje me kambanat e kishave që s’donin t’ua linin pushtuesve, siç thekson Ismail Kadare. Pra, me vete morën një barrë tepër të madhe, kryesisht gjëra me vlerë të rrallë, shkresa e dokumente nga më të ndryshmet, libra e dorëshkrime të shumta, kronika e relacione, përkthime e përshtatje etj. Është shumë e kuptueshme se në radhë të parë e morën me vete gjuhën amtare që flitej në Arbëri, dhe bashkë me këtë i morën edhe këngët që këndoheshin atëherë, siç ka thënë studiuesi i njohur Eqrem Çabej. Duke e analizuar këtë rrethanë, kjo assesi nuk mund të kuptohet vetëm si një shpërngulje fizike, por aq më tepër edhe si një shpërngulje shpirtërore. Dhe, si rrjedhojë e kësaj, ka të ngjarë që, atëkohë, në ato largina gjysmë të shkreta matanë detit, të jetë shpërngulur edhe një pjesë e mirë e letërsisë sonë, kuptohet për t’i shpëtuar katastrofës kulturore. Siç mund të shihet, qëllimi i këtij mërgimi masiv ishte tepër konkret: që të shpëtohej çdo gjë që ishte e mundur, në mënyrë që më pastaj, kur të ndryshonin rrethanat, të ktheheshin sërish në atdhe. Por ai pushtim qe tepër i gjëmshëm dhe zgjati aq shumë, sa nuk mundi ta parashikonte askush. Kështu i theu të gjitha shpresat e atyre që u shpërngulën atje, ndaj nga pamundësia vendosën që jetën ta vazhdonin edhe në dhé të huaj, madje edhe duke krijuar një letërsi të pasur, domethënë atë që e njohim deri më sot. Në fakt, këtu duhet kërkuar shpëtimin e letërsisë shqiptare e cila më vonë do të vazhdojë të krijohet në mënyrë të pandërprerë deri në kohën tonë.