Tre princa të rremë për shqiptarët - Faik Konica



Faik Konica
Ca kohë më parë, kënduam te fletorja e Parisit “L’Européen”, një artikull të zotit Guillaume Apollinaire, nën titullin: Deux faux princes d’Albanie, do me thënë Dy princa të rremë të Shqipërisë.
Zoti Guillaume Apollinaire flet më parë për Aladron, dhe për kërkimet qesharake të tija, dhe dëfton se si Aladrua nuk mund të zbresë prej Skenderbeut, duke qenë se i fundit zbritës (pasardhës) i derës së Kastiotëve u vra në luftë të Pavies, më 1525.
Pastaj Zoti Guillaume Apollinaire na rrëfen, sipas një libri të shtypur më 1786 n’Amsterdam historinë e çuditshme të një të vetë thëni “Princ Kastioti” në fund të shekullit XVIII.
Një puntor vendikas i quajtur Anton Zamuvich kish fituar nje “faraon” , duke lozur me hile, një shumë të madhe, dhe për të shpëtuar nga thonjtë e autoritëve, iku nga Venediku dhe u hodh në Pastroviq të Shqipërisë veneciane. Djalin e tij, Stepanin e vuri në një manastir. Kallogjeri i ri nuk qëndoj shumë kohë i mbyllur , shpejt dolli andej dhe nisi një jetë gënjeshtrash të sjellura me aq mjeshtëri sa janë për çudi edhe sot.
I motuar vetëm 17 vjeç, Stepan Annibali i bëri malazezët ta njohin për kryetar dhe për patrik të tyre , duke thënë se ishte Pjetri i III, cari i Rusisë.
Gojë-mulli, i gatshëm dhe i flaktë në fjalë, deshi të provojë me ca “mrekulli ” se ish i dërguar i Perendisë. “Të fshehta e kimisë”, thotë baroni Kloots, historian i Stepan Annibalit- janë çudira në Mal të Zi. Prinic i ri u ngrit të predikojë duke mbajtur në dorë një trëndafil të zbadhur me tym squfuri. Zë të flasë me fjalë të flakta.
“Perendia më dërgoi t’ju shpie në luftë e t’i shuajmë anëtarët e se pabesës Katerinë. Hapni dritaret.Shpirti i shënjtë do të zbrezë mbi mua” .
Dhe më të vërtetë, era e freskët i jep ngjyrën e parë trendafilit dhe kombi i tërë bie në këmbë të bajlozit qiellor. Princi mbodhi edhe besnikët në flamuj të tij dhe u derdhet rusëve , duke vrarë malazezët që nuk i zinin besë. ”
Pas kësaj pune, nuk kish më pengesë që ish i zoti ta mbante Stepan Aniballin. Baroni Kloots jep titujt që kish marrë “princi”:
“Kastriot, Princ i Shqipërisë, Kapedan i Përgjithëhsmë i Malazezëve, Partik i Kishës Greke, Bari i vjetër, Manjat i Polonisë, Princ i Perandorisë së Shënjtë Romane, Dukë i Shën Sabës, Dukë i Hercegovinës, Fisnik Venedikas, I Madh i Spanjës i Rëngut të Parë, Kryelutës i Maltës, Kryemadh i Urdhërit të Shën Kostandinit etj dhe Pasardhës i njëmbëëdhjetë i Skenderbeut”
Vini re se disa nga këto tituj kundërshonin njëi tjetrin. Si mund kryelutësi i Maltës (katolik) të ishte edhe patrik ikishës greke ? Por janë njerëz për të gënjyer të tjerët dhe sado kundërshti të kenë në të thënat e tyre, aq më tepër verbohet bota.
“Princ Kastrioti” nis të udhëtojë nëpër Evropë, dhe kudo pritet me nder të madh. Mëson gjuhët e perendimit, shkruan libra, Historinë e Skenderbeut,Kuranin e Princësve etj.
Piqet me Volterin, me Rusonë e më të tjerë shkrimtarë të njohur. Piqet me Frederikun e Madh, me të birin e tij, princin e Prusisë, lidh një miqësi të ngushtë. Merr anën e Polonisë, çudit polakët, u shtie datën rusëve. Bën një dy trimëri, shton njëqint.
Guxon të rrefejë punë të pangjara fare.Tregon se “mundi 15.000 venedikas që kishin topa të mirë dhe ishin nën urdherine kontit të Ëirzburgurt”
Kur Hollanda u rrëmbyue me perandorin,”princ Kastrioti” si “Patrik i Kishës Greke” u dha urdhër subjekteve shpirtrore të tij të mos marrin armët në shërbim të perandorit.
Nga na tjetër Hollanda i fali 20.000 shqiptarë për ndihmë, në qoftë se ky vend kishte nevojë. Dhe si u bë paqia, princi shkoi në Hollandë ti kërkojë qeverisë një milion për atë ndihmë.
Një nga titujt që kish marrë Kastrioti i rremë ishte Baba i Amerikës,se,thosh, Kongresi i kish dhënë fjalën ta bënte mbret. Përveç kësaj, kish shpresë të merrte edhe kurorën e Polonisë.
“Princi Kastriot” fliste kështu për shqiptarët:
“Bashëkatdhetaret e mij janë diamante të pagdhendur të cilët nuk presin veçse dorën e skalitësit për të zënë vend pranë të shkrinjtorëve të medha të Athinës, të Romës, të Parisit” Thoshtë se mbretëria e Shqipërisë, me klimën e mirë të dhe ne tokën e mirë që ka ” do të ndrinjë një ditë në mes të shteteve të qytetëruara”
“Princi Kastriot” shpërndante poste e pozita me të dy duart në Mbretërinë Shqiptare. Baronit Kloots i kishte kërkuar të bënin bashkë një udhëtim në këmbë : Qëllimi i Stepan Annibalit ish ta vriste që ta vidhte baronin, i cili ishtë shumë i pasur. Fatmirësisht për Klootsin , udhëtimi mbeti pa u bërë dhe miqësia për princin u shtua më shumë. Stepani i kish premtuar Klootsit një pozitë të lartë në Mbretërinë Shqiptare…
Por çdo gënjeshtër e ka një fund.
Një anije nga Ragusa, ndodhi të shkojë në Amsterdam dhe kapedani tregoi se “Princi i Shqipërisë, Duka i Hercegovinës,Patriku i Kishës Greke, Kryelutësi i Maltës etj, nuk ishte tjetër përveç se një gënjeshtar i çuditshëm i shekullit të XVIII.Them i çuditshëm se, tregimi për batakçillëqet e vogla të Giuseppe Balsamos, të vetquajtur: kont “Caliostro” janë foshnjarake perpara punëve të Stepan Annibalit.
“Princi Kastriot” kish rënë për herë të parë në burg në qytetin e Hamburgut : Kish marrë pranë vetës dy djem të atij qyteti si “kalorës nderi” dhe i kish ligështuar në një mënyrë që s’thuhet: kur e gjykuan, pati paturpësinë t’i thotë kryegjykatësit se kish për t’ia bërë atij ashtu si ua kish bërë djemve !
Kur e zunë në Amsterdam dhe e plasën në burg Sterpan Annibalit i gjetën një brez plot me gjithfarë helmesh si dhe një thikë të helmuar: Këto armë i mbante gati për të vrarë veten në kohë të një rreziku të pashpresë. Mbasi e kapën, Stepani vrau veten duke prerë damarët me thonj.
Zoti Guillaume Apollinaire mbaron më një të vëne re fort të kripur:
“Duke kënduar këto ngjarje, shumë shqiptarë kanë për të menduar se nëqoftëse fronkërkuesi Aladro rrjedh nga Skënderbeu, do të kish rrjedhur duke kaluar nëpër të njëmbëdhjetin pasardhës të tij, i cili vdiq më 1786 në burgun e Amsterdamit”.
Kjo e vënë re e Zotit Guillaume Apollinaire e shënojmë më të dy duart-por diç duhet shtuar : Aladrua vërtet rrjedh nga Skënderbeu me anë të Stepani Annibalit, vetëm se i shkreti Aladro s’është perveç se një gënjeshtar i vogël, me të cilin qesh gjithë shoqëria e lartë e Parisit dhe e Madridit; por stërgjyshi i tij, Stepan Annibali, mund me një mënyrë që quhet Njeri i Madh. Merreni pak me mend : Një fshatar sllavo-shqiptar i Venedikut, i lindur më 1751 dhe i rritur pa dije, arrin që më 1768, (kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç), e deri më 1786 kur vdiq, të lozë një lodër të çuditshme,arrin të mësojë vetiu mjaft sa për të shkruar libra që bien në sy dhe që i siguruan miqësinë e Frederikut të Madh; arrin, i rritur në një katund, të marrë mënyrat e oborrëve aq mirë sa të shkojë për princ në sy të princëve të vërtetë; më një fjalë arrin të tallet më Evropën tetëmbëdhjetë vjet pa pushim.
Përpara një njeriu të tillë, ç’janë gënjeshtrat qesharake të Aladros ?
Shkrimtari francez, Aleksander Dyma-”markez” i Shqipërisë !
Ka qenë një Kastriot i tretë i rremë, për të cilin Zoti Guillaume Apollinaire nuk ka dëgjuar.
Ky “princ” u çfaq më 1879-1880, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha dërgonin anije lufte për të goditur me topa Ulqinin.
“Kastrioti” i asaj kohë, jo vetëm thonte se shqiptarët “e kishin zgjedhur për mbret”, po kishte nisur edhe të sillet “mbretërisht” duke shpërndarë pozita dhe tituj. Një shkrimtari të madh francez, Aleksandër Duma, i fali titullin “markez” .
Paturpësia e këtij “princi” pak nga pak arriti të mos ketë kufi. Guxoi të bëj, në Angli, bankota të “Bankës Mbretërore të SHQIPËRISË”. Zëvëndësin e tij e zunë në Londër dhe e plasën në burg si vjedhës, ndësa për “princin” s’dihet se çfarë u bë. Kemi shpresë të mund një ditë ta shkoqisim punë e këtij “Kastrioti”
Mësimin e këtyre ngjarjeve mund ta heqë sejcili. Sa njerëz deshën me gënjeshtra, të dalin “princa” dhe “fron kërkues” mbaruan në burg, dhe ata që dini sot të nisur në atë udhë, ta dini me siguri se do të kenë po atë fund.

(“Albania” ,viti VIII,1904, nr. 8, f. 160-163)

Porta e ngushtë e dashurisë - Andre Gide



Koha gjer në pushimet e Vitit të Ri ishte aq e shkurtër, saqë i gjallëruar nga biseda e fundit me Alisën, unë nuk doja të humbisja qoftë edhe një minutë. Kështu, siç kisha premtuar, i shkruaja gjatë çdo të diel; ditët e tjera ngaqë u qëndroja larg shokëve dhe shoqërohesha vetëm me Abelin, mendoja për Alisën dhe librat që më pëlqenin më tepër i mbushja me shënime për të, duke hamendësuar se ato do t’i ngjallnin po atë interes, që më ngjallnin edhe mua. Letrat e saj nuk linin ndonjë shenjë për t’u shqetësuar; meqë ajo u përgjigjej rregullisht letrave të mia, unë shihja në atë zell një dëshirë për të më dhënë zemër në mësime, më shumë sesa një stërvitje të mendjes; madje, ndërkohë që gjykimet, debatet, kritikat ishin për mua një mjet për të shprehur mendimin tim, më dukej se ajo, përkundrazi, e bënte tërë këtë për të fshehur të sajin. Herë-herë dyshoja se mos ishte thjesht një lojë… Por ç’rëndësi ka! I vendosur që të mos ankohesha, unë nuk lija në letrat e mia të nënkuptohej asgjë nga shqetësimi im.


Në fund të dhjetorit, bashkë me Abelin u nisëm për në Havrë.
Unë zbrita te teze Plantie. Ajo s’ishte në shtëpi kur vajta. Por sapo isha rregulluar në dhomën time, një shërbëtor erdhi e më lajmëroi se më priste në sallon. Pa më pyetur
ende mirë për shëndetin, për konviktin, për studimet, ajo iu dorëzua kureshtjes së saj të dhembshur:
- Biri im, ti ende s’më ke treguar nëse u kënaqe gjatë qëndrimit në Fongesmar. A ke mundur t’i çosh përpara punët e tua?
Duhej ta duroja shpirtmirësinë naive të tezes sime, por sado të lodhshme e kisha të dëgjoja si trajtoheshin kështu përciptas ato ndjesi që edhe fjalët më të zgjedhura e më të ëmbla mund t’i dëmtonin, do të ishte marrëzi të zemërohesha, sepse thuheshin me një ton të thjeshtë e të përzemërt. Sidoqoftë unë u hodha pak përpjetë në fillim:
- A s’më thatë ju në pranverë se e quani fejesën si të parakohshme?
- Po, e di; themi kështu në fillim, – e mori fjalen prapë ajo duke më’ kapur dorën që e shtrëngoi në mënyrë patetike në duart e saj. – Dhe pastaj, ti ke studimet dhe shërbimin ushtarak. E di, ju s’do të mund të martoheni shpejt. Veç kësaj, mua s’më pëlqejnë shumë fejesat e zgjatura; kjo i lodh vajzat e reja. Por ndonjëherë është tepër prekëse… Për më tepër, s’është e nevojshme të bësh fejesë zyrtare… Vetëm kjo të bën të kuptosh – oh! – pa rënë në sy – s’ke përse të shqetësohesh; dhe pastaj letërkëmbimi, lidhjet fitojnë liri; në’ fund të fundit, nëse të paraqitet ndonjë rast tjetër, e kjo mund të ndodhë, – e hodhi fjalën duke buzëqeshur natyrshëm, – kjo të mundëson një përgjigje me mirësjellje… jo; nuk është nevoja.
- Ti e ke marrë vesh që erdhën të kërkojnë dorën e Zhuljetës. Ajo ka rënë shumë në sy këtë dimër. Është tepër e re dhe kështu ka thënë, por djali thotë se do ta presë, s’është tamam djalë i ri… shkurt, është një rast i shkëlqyer; njeri i vendosur; ti do ta shohësh nesër kur të vijë të më sjellë pemën e Krishtlindjes. Do të më tregosh përshtypjet e tua.
- Teze, dyshoj se ai e ka nga vetja e vet, sepse Zhuljeta mendon për tjetërkënd, – i thashë, duke u përmbajtur që të mos përmendja Abelin.
- Hëm! – ia bëri Tezja në mënyrë pyetëse, duke rrudhur buzët me mosbesim dhe duke hedhur kokën mënjanë. – Ti po më habit! Përse s’më ka thënë gjë ajo?
Unë kafshova buzën për të mos folur më tepër.
- Bah! Duhet ta shohim mirë këtë punë. Zhuljeta ka qenë pak sëmurë këto kohët e fundit, – tha. Pastaj s’behet fjalë për të tani… Ah! Edhe Alisa është’ shumë’ e dashur. Pra, po ose jo, a i ke propozuar?
Megjithëse e kundërshtoja me gjithë zemër fjalën propozim, që më dukej e ashpër, i fyer nga pyetja dhe i pazoti për të gënjyer, iu përgjigja në mënyrë të turbullt:
- Po. – Ndjeva të më bëhej fytyra flakë.
- Dhe çfarë të tha ajo?
Unë ula kokën: do të kisha dashur të mos i përgjigjesha. Akoma më i turbulluar, fola pa dashur:
- Ajo kundërshton të fejohet.
- Pra, mirë! Vogëlushja ka të drejtë, – thirri tezja. – Ta pret mendja…
- Oh, teze, e lëmë këtë bisedë, – thashë, duke u përpjekur më kot që ta ndalja.
- Përveç kësaj, nuk çuditem prej saj; ajo më është dukur përherë më e arsyeshme se ti…
Se di ç’më ndodhi; i nervozuar pa dyshim nga kjo mënyrë të arsyetuari, m’u duk se më pushoi zemra; e mbështeta kokën mbi gjunjët e tezes dhe fillova të dë’nes:
- Teze, jo, ti nuk e kupton, – thirra. – Ajo nuk kërkon që ta pres…
- Çfarë pra! Të ka kthyer mbrapsht? – pyeti me një ton përdëllues e shumë të butë, duke më ngritur ballin me duar.
- Jo… jo, jo krejt ashtu.
Unë tunda kokën trishtueshëm.
- A ke frikë se nuk të do më?
- S’kam frikë për këtë.
- Biri im, në dëshiron që të kuptoj, duhet të shpjegohesh paksa më qartë.
Isha i dëshpëruar dhe më vinte turp që e kisha lëshuar veten; tezja s’ishte në gjendje t’i vlerësonte arsyet e pasigurisë sime; por nëse fshihej ndonjë shkak konkret prapa kundërshtimit të Alisës, duke e pyetur me kujdes, ndoshta tezja do të më ndihmonte ta mësoja. Ajo e solli vetë bisedën aty pas pak:
- Dëgjo, Alisa duhet të vijë nesër në mëngjes për të zbukuruar me mua pemën e Krishtlindjes; unë do ta marr vesh shpejt cila është arsyeja; do të ta tregoj në drekë, dhe ti do ta kuptosh, jam e bindur për këtë, nuk ka vend për t’u alarmuar.
Për darkë shkova te Bukolenët. Në fakt Zhuljeta, që ishte pak sëmurë prej disa ditësh, m’u duk ndryshe; vështrimi i kishte marrë një shprehje disi të zemëruar, pothuajse të egër, që e bënte të dallohej nga e motra më shumë se më parë. Atë mbrëmje nuk munda të flisja me asnjërën prej tyre veçmas; ç’është e vërteta nuk dëshiroja dhe meqë im ungj dukej i lodhur, unë shkova të fle pak kohë pas ngrënies.
Pema e Krishtlindjes që përgatiste teze Plantie, mblidhte çdo vit rreth saj një numër të madh fëmijësh, të afërmish dhe miqsh. Pema ishte vendosur në një hajat që formon kafazi i shkallares dhe rreth së cilës ndodheshin paradhoma e parë, një sallon dhe dyert prej xhami të një kopshti dimëror ku kishin vendosur një bufe. Zbukurimi i pemës nuk ishte mbaruar dhe mëngjesin e festës, të pasnesërmen e mbërritjes sime, siç më kishte thënë tezja, Alisa erdhi mjaft herët për ta ndihmuar që të fiksonte zbukurimet nëpër degë: drita, fruta, sheqerka dhe lodra. Do të kisha marrë pjesë me kënaqësi në këtë punë pranë saj, por duhet ta lija tezen të bisedonte me të. U nisa, pra, pa e takuar dhe u përpoqa tërë mëngjesin të përjetoja shqetësimin tim.
Shkova fillimisht te Bukolenët, i dëshiruar të takoja Zhuljetën; atje e mora vesh se Abeli kishte vajtur përpara meje dhe nga druajtja se mos prishja një bashkëbisedim vendimtar, u largova në çast dhe u enda pranë molit e nëpër rrugë, gjer në orën e drekës.
- Qerratuc! – thirri tezja kur u ktheva, – nuk të falet të llastohesh kështu. S’ka asgjë të vërtetë në tërë atë që më rrëfeve sot në mëngjes… Oh! Isha kaq e çorientuar; e nisa miss Ashbërtonin të shëtiste se lodhej duke na ndihmuar dhe sa u gjenda vetëm për vetëm me Alisën, e pyeta ashtu thjesht, përse nuk u fejua këtë verë. Ti pandeh se u zu ngushtë? Ajo nuk u turbullua asnjë grimë dhe m’u përgjigj qetë-qetë se nuk donte të martohej përpara së motrës. Po ta kishe pyetur si unë në mënyrë të sinqertë, ajo do të ishte përgjigjur siç m’u përgjigj mua. E shikon, biri im, s’ka si çiltëria… E gjora Alisë, më foli edhe për të atin që nuk mund ta linte… Ne biseduam gjatë. Është tepër e gjykueshme kjo vogëlushe; ajo më tha gjithashtu që nuk ishte ende e bindur në ishte ajo që të duhej, ngaqë druhej mos ishte tepër e madhe dhe se, gjithsesi, do të dëshironte ndonjë të moshës së Zhuljetës për ty…
Tezja vazhdonte të fliste, por unë nuk e dëgjoja, më interesonte vetëm një gjë. Alisa nuk donte të martohej para së motrës. Por Abeli ishte këtu! Pra ai kishte të drejtë, rrota: me një të shtënë, siç thoshte, ai do të arrinte t’i mbërthente dy martesat tona!..
Ia fshihja sa më shumë tezes tronditjen në të cilën më zhyste ky zbulim i thjeshtë, duke shfaqur së jashtmi një lloj gëzimi, që ajo e mori si të natyrshëm e që e kënaqte se i dukej që ma kishte kallur ajo; sidoqoftë menjëherë pas drekës e lashë, duke gjetur një shkak, që tani s’më kujtohet dhe vrapova të gjej Abelin.
-Hë! nuk të thosha, – thirri ai duke m’u hedhur në qafë, sapo i rrëfeva për gëzimin tim. -I dashur, po të njoftoj se biseda që pata këtë mëngjes me Zhuljetën qe gati vendimtare, megjithëse ne folëm vetëm për ty. Por ajo m’u duk e lodhur dhe nervoze…nuk kam guxim të ndërmarr ndonjë veprim, se mos shkoj shumë larg e rrëmbehem. Pas asaj që më the ti, është e bërë! Miku im, po nxitoj të marr bastunin dhe kapelen. Ti do të më shoqërosh gjer te dera e Bukolenëve, për të më mbajtur që të mos fluturoj në rrugë; ndihem më i lehtë se Euphorion-i… Kur ta mësojë Zhuljeta se për shkak të saj e motra nuk e jep pëlqimin e vet, e kur unë t’ia bëj kërkesën time tani shpejt… Ah, miku im, unë e shoh që tani tim atë, sonte përpara pemës së Krishtlindjes, që lut Zotin duke qarë nga lumturia dhe duke shtrirë dorën plot bekime mbi kryet e katër të fejuarve të përunjur. Miss Ashbërtoni do të tretet në ajër si një psherëtimë, teze Plantie do të shkrihet e tëra dhe pema e përflakur do të këndojë lavdinë e Zotit e do të përplasë duart, siç përplasen malet në Shkrimet e Shenjta.
Pema e Krishtlindjes do të ndizej pasi të perëndonte dielli dhe fëmijët, të afërmit e miqtë, do të mblidheshin rreth saj. I mërzitur, gjithë ankth dhe padurim, pasi lashë Abelin, për të vrarë paksa pritjen, unë ndërmora një shëtitje të gjatë në Kodrën Shën Adres, duke u endur dhe bëra mirë, sepse kur u ktheva te teze Plantie, festa kishte kohë që kishte nisur.
E vura re Alisën që nga hajati; m’u duk se më priste dhe erdhi sakaq drejt meje. Kishte vënë në qafë, në pjesën e hapur të jelekut me ngjyrë të çelur, kryqin e moçëm prej ametisti që ia kisha dhënë si kujtim të mëmës sime, por që s’ia kisha parë ende varur. Tiparet i kishte të hequra dhe shprehja e dhimbshme e fytyrës së saj më vrau.
- Përse erdhe kaq vonë? – më tha me zë të shuar dhe nxitueshëm. – Do të doja të bisedonim.
- U harrova në kodër… Por ti je sëmurë… Oh! Alisa, çfarë ke?
Ajo qëndroi një çast para meje si e trallisur dhe me buzët që i dridheshin; një ankth i këtillë më ndrydhte zemrën sa nuk guxoja ta pyesja; ajo më vuri dorën në qafë që të më afronte fytyrën. E shihja se donte të më fliste, por atë çast të ftuarit hynë; dora e saj ra e shkurajuar…
-S’ka më kohë – pëshpëriti. Pastaj, duke parë sytë e mi që u mbushën me lot, për të më qetësuar, duke iu përgjigjur në një farë mënyre vështrimit tim pyetës, ajo bëri këtë shpjegim qesharak: – Jo… ji i qetë: thjesht kam dhimbje koke; këta fëmijë bëjnë kaq zhurmë… m’u desh që të gjeja strehë këtu… Është koha që të kthehem pranë tyre.
Ajo më la papritmas. Hynë njerëzit, që më ndanë prej saj. Mendoja ta takoja në sallon; e pashë në skajin tjetër të dhomës rrethuar nga një tufë fëmijësh që u organizonte lojërat. Midis meje dhe asaj kishte njerëz të njohur, pranë të cilëve nuk kaloja dot pa u ndalur: shkëmbim komplimentesh, biseda, dhe unë s’isha i aftë për këto; ndoshta mund të kaloja pa u vënë re përgjatë murit… U përpoqa.
Kur po kaloja përpara derës prej xhami të kopshtit, dikush më kapi për krahu. Ishte Zhuljeta, gjysmë e fshehur pas kanatit të mbuluar nga perdja.
- Shkojmë në kopshtin dimëror, – tha me një frymë. -Duhet të bisedojmë. Ec përpara, unë do të vij pas teje. Pastaj duke hapur një çast derën, ajo fluturoi në kopsht.
Ç’kishte ndodhur? Do të kisha dashur të takoja Abelin. Çfarë kishte thënë ai? Ç’kishte bërë?… Duke përshkuar hajatin, unë shkova te serra ku më priste Zhuljeta.
Ajo ishte skuqur në fytyrë; vetullat e mbledhura i jepnin vështrimit të saj një shprehje të ashpër e të dhimbshme; sytë i shkëlqenin sikur të kishte patur ethe; edhe zëri i dukej i ngjirur e i tkurrur. Një lloj zemërimi e gjallëronte; megjithëse qeshë i shqetësuar; bukuria e saj më magjepsi, gati më turbulloi. Ne ishim vetëm.
- Të tregoi Alisa? – më pyeti pa humbur kohë.
- Mezi më tha dy fjalë, u ktheva vonë.
- E di ti se ajo dëshiron që unë të martohem para saj? -Po.
Ajo më vështronte ngultas…
- Dhe a e di se me cilin do që të martohem? Unë nuk iu përgjigja.
- Me ty, – e mori fjalën, gati duke klithur.
- Po kjo është marrëzi!
- Apo jo!
Në zërin e saj kishte njëherësh zhgënjim dhe triumf. Ajo drejtoi trupin, ose më saktë u tërhoq prapa…
- Tashmë unë e di ç’më mbetet të bëj, – shtoi e bërë tym, duke hapur derën e kopshtit që e mbylli me forcë pas vetes.
Gjithçka më vinte rrotull në kokë dhe në zemër. Ndieja gjakun që më rrihte në tëmtha. Mes këtij pështjellimi një mendim i vetëm gjallonte: të gjeja Abelin; ai do të mundej ndoshta të më shpjegonte fjalët e çuditshme të dy motrave… Por nuk guxoja të hyja në sallon, sepse mendoja që secila do ta vinte re sëkëlldinë time. Dola. Ajri i ftohtë më qetësoi; ndenja pak aty. Nata po binte dhe mjegulla e detit e fshihte qytetin; pemët qenë zhveshur, toka dhe qielli dukeshin tmerrësisht të pikëlluar… U dëgjuan ca këngë; sigurisht ndonjë kor fëmijësh të mbledhur rreth pemës së Krishtlindjes. Unë u ktheva duke kaluar mes hajatit. Dyert ishin të hapura; në sallonin e zbrazët pashë tezen që bisedonte me Zhuljetën. Në paradhomë të ftuarit ishin afruar rreth pemës së zbukuruar. Fëmijët e kishin mbaruar kantikën e tyre. U vendos qetësia dhe pastori Votie filloi predikimin përpara pemës. Ai nuk linte t’i humbiste asnjë rast “për të mbjellë farën e mirë”, siç e quante ai. Dritat dhe nxehtësia më bezdisnin; desha të dal; mbështetur në derë pashë Abelin; me siguri ai kishte qenë aty që më parë. Më vështronte me armiqësi dhe ngriti supet, kur vështrimet tona u takuan. I shkova pranë. .
- Budallë, – tha ai me gjysmë zëri; pastaj shtoi papritur: – Ah, shiko! Dalim, kam gëlltitur fjalë të mira! – Dhe sapo dolëm jashtë, nisi prapë: – Budallë! – Meqë unë e prisja me ankth pa folur, ai vazhdoi: – Por ajo të dashuron ty, hajvan! Nuk mund të ma thoshe këtë gjë?
Isha i dërrmuar. S’doja të kuptoja.
- Jo, ë? Ti nuk mund ta vije re vetë?
Ai më kishte mbërthyer krahun dhe më shkundte me tërbim. Zëri i dridhej e i fishkëllente midis dhëmbëve të shtrënguar.
- Abel, të lutem, – i thashë pas një copëz heshtjeje dhe me zërin që më ikte, ndërkohë që ai më tërhiqte kuturu me hapa të mëdhenj, – në vend që të shpërthesh kështu, përpiqu të më tregosh çfarë ka ndodhur. Unë nuk di gjë.
Nën dritën e një feneri, befas ai u ndal, më vëzhgoi mirë, pastaj duke më afruar me forcë pranë vetes, mbështeti kokën mbi supin tim dhe foli duke dënesur:
- Më fal! Edhe unë jam i marrë, s’kam ditur të shoh më qartë se ti, vëlla i dashur.
U duk se dënesja e tij u qetësua disi; ai ngriti kokën, filloi të ecte dhe e mori sërish fjalën:
- Çfarë ka ndodhur? Ç’vlerë ka tani t’i kthehemi të kaluarës. Të thashë se pata biseduar me Zhuljetën në mëngjes. Ajo ishte jashtëzakonisht e bukur dhe e gjallëruar; unë pandehja se e kishte për shkakun tim, por thjesht ishte se të përmendnim ty.
- Nuk arrite ta kuptosh atëherë?
- Jo, jo me saktësi, por tani edhe shenjat më të vogla hedhin dritë…
- Je i sigurt se nuk gabohesh?
- Të’ gabohem! Por, i dashur, duhet të jesh i verbër që mos ta vësh re se ajo të dashuron.
- Po Alisa…
- Alisa sakrifikohet. Ajo e ka zbuluar të fshehtën e së motrës dhe dëshiron t’i lerë vendin. Shiko, babush! s’është vështirë për ta kuptuar, megjithatë… Desha të flas përsëri me Zhuljetën; sa shqiptova fjalët e para, ose sa filloi të më kuptonte, ajo u çua nga kanapeja ku qemë ulur dhe e përsëriti disa herë: “Isha e sigurt për këtë”, me tonin e një njeriu që nuk kishte qenë aspak i sigurt…

***
Nuk gjeja tjetër arsye në jetën time veç dashurisë, kapesha fort pas saj, nuk prisja asgjë dhe nuk doja të pranoja gjë’ që nuk vinte nga mikja ime.
Të nesërmen, meqë po bëhesha gati të shkoja për ta parë, tezja më ndali e më zgjati këtë letër që sapo e kishte marrë:
…Zhuljeta u qetësua vetëm aty nga mëngjesi me ilaçet që i dha doktori. I lutem Zheromit që të mos vijë disa ditë këtu. Zhuljeta mund ta njihte nga hapi dhe nga zëri. Ajo ka nevojë për qetësi të plotë.
Kam frikë se gjendja e Zhuljetës do të më mbajë këtu. Nëse nuk arrij të takohem me Zheromin, para se të niset, teze e dashur, thuaji se do t’i shkruaj.
Këshilla kishte të bënte vetëm me mua. Qoftë tezja, qoftë të tjerët janë të lirë të trokasin te Bukolenët; dhe tezja mendonte të shkonte aty në mëngjes. Ç’zhurmë mund të bëja unë? Çfarë shkaku mediokër… S’ka rëndësi!
“Mirë. Nuk do të shkoj”.
Të mos e takoja Alisën, më prishte shumë punë; por sidoqoftë i druhesha atij takimi; kisha frikë se ajo më quante përgjegjës për gjendjen e së motrës, dhe e kisha më lehtë të mos ta takoja sesa ta shihja të acaruar.
Së paku të takoja Abelin.
Te dera e tij një shërbyese më dha një copë letër:
Po të lë këto dy fjalë që të mos shqetësohesh. Të rrija në Havrë, aq pranë Zhuljetës, e kisha të pamundur. U nisa për Southampton dje në mbrëmje, pak pasi u ndava me ty. Po i përfundoj pushimet në Londër tek S… Do të shihemi në Shkollë.
… Çdo mundësi njerëzore po më shembej përpara syve. Unë nuk e zgjata më një qëndrim që’ më shkaktonte veç vuajtje dhe shkova në Paris para se të fillonte viti shkollor. I ktheva sytë drejt Zotit, drejt Atij “nga i cili buron çdo ngushëllim i vërtetë, çdo favor dhe dhunti e përkryer”. Atij ia fala dhimbjen time. Besoja se edhe Alisa gjente strehë tek Ai dhe duke menduar se lutej edhe ajo, lutja ime gjallërohej.
Kaloi një kohë e gjatë meditimi dhe studimesh, pa ngjarje të tjera veç letrave të Alisës dhe përgjigjeve të mia. Kam ruajtur të gjitha letrat e saj; që sot e tutje kujtimet e mia të ngatërruara aty orientohen…
Fillimisht pata disa lajme nga Havra vetëm prej tezes; nga ajo mora vesh se çfarë shqetësimesh kishte krijuar ditët e para gjendja e vështirë e Zhuljetës. Dymbëdhjetë ditë pas nisjes sime, më së fundi mora këtë copë letër nga Alisa:
Më fal, Zherom i shtrenjtë, që s’të kam shkruar më herët. Gjendja e Zhuljetës sonë të gjorë s’më ka lënë fare kohë të lirë. Qëkur ke ikur ti kam ndenjur me të. I jam lutur tezes t’i dërgonte të rejat tona dhe kam besim se ajo do ta ketë bërë. Mësoje se që prej tri ditësh Zhuljeta është më mirë. Unë tani falënderoj Zotin, por nuk guxoj të gëzohem.
Edhe Roberti, për të cilin pak ju kam folur gjer tani, me t’u kthyer në Paris disa ditë pas meje, kishte mundur të më jepte të rejat për motrat e tij. Për shkak të tyre unë kujdesesha për të më shumë se ç’mund të ma lejonte karakteri im; çdo herë që shkolla bujqësore që vazhdonte ai, e linte të lirë, unë merresha me të dhe vrisja mendjen se si ta argëtoja.
Prej tij mësova atë gjë, për të cilën nuk mund të pyesja Alisën dhe as tezen; Eduard Teissier kishte shkuar shpesh të pyeste për shëndetin e Zhuljetës; por kur Roberti kishte ikur nga Havra, ajo ende nuk e kishte takuar. Mora vesh gjithashtu se Zhuljeta, që prej nisjes sime kishte ruajtur një heshtje të plotë përpara së motrës, sa asgjë s’mund ta thyente.
Pastaj nga tezja, më pas, mësova se Zhuljeta vetë kishte kërkuar ta bënte zyrtare sa më shpejt të ishte e mundur atë fejesë, që Alisa shpresonte të prishej ende pa mbaruar. Ky vendim që kthente mbrapsht këshilla, urdhra, lutje, ia turbullonte mendimet, ia vishte sytë dhe e muroste në heshtjen e saj…
Kaloi ca kohë. Unë s’merrja letra nga Alisa, dhe kuptohet s’kisha çfarë t’i shkruaja veç ca copa letrash zhgënjyese. Më kishte mbështjellë një cingërimë dimri: llamba e studimit dhe tërë afshi i dashurisë dhe i besimit tim nuk ma largonin, medet, natën dhe të ftohtin e zemrës. Kaloi ca kohë.
Pastaj një mëngjes pranvere erdhi një letër e Alisës drejtuar tezes, që në atë kohë nuk ishte në Havrë – letër që tezja ma dërgoi e nga e cila unë kopjova atë, çka mund të hedhë dritë mbi këtë histori:
… E admiroj urtësinë time; ashtu si më mësove ti, unë prita z. Teissier, bisedova gjatë me të. Më ka bërë përshtypje qëndrimi i tij i shkëlqyer dhe po bindem; e pohoj se kjo martesë nuk do të jetë kaq fatkeqe siç dyshoja në fillim. Vërtet, Zhuljeta nuk e do; por ai nga java në javë më duket i denjë për t’u dashur. Ai flet me mendjekthjelltësi për situatën dhe nuk e merr për keq karakterin e motrës sime; por ai ka shumë besim tek dashuria e vet dhe mburret se asgjë nuk mund ta mposhtë durimin e tij. Dua të them se ai është fort i dashuruar.
Në fakt, unë jam mjaft e mallëngjyer që Zheromi merret aq shume’ me tim vëlla. Mendoj se ai e bën këtë si një lloj detyre, sepse karakteri i Robertit dhe i tij janë tepër larg – ndoshta edhe për të më pëlqyer – por s’ka dyshim se ai e ka kuptuar që sa më e vështirë të jetë detyra që marrim përsipër, aq më mirë edukohet dhe fisnikërohet shpirti. Ja pra disa mendime sublime! Mos qesh shumë me mbesën tënde të madhe, sepse janë këto mendime që më mbajnë e që më ndihmojnë ta mendoj martesën e Zhuljetës si një të mirë.
Sa e dashur më duket përkujdesja jote, e shtrenjta teto!.. Por nuk besoj se jam pa fat; mund të them të kundërtën, edhe pse ajo që tronditi Zhuljetën pati pasojën e vet tek unë. Fjalët e Shkrimit të Shenjtë që përsërisja pa i kuptuar shumë, u ndriçuan papritur tek unë. “Fatkeq është njeriu që beson te njeriu”. Para se ti gjeja në Bibël këto fjalë i kisha lexuar në një figurinë Krishtlindjesh që me pati dërguar Zheromi kur ishte dymbëdhjetë vjeç e unë sapo kisha mbushur katërmbëdhjetë. Mbi atë imazh, pranë një tufe lulesh që na dukej atëherë shumë e bukur, ishin këto vargje nga një parafrazë e Corneille-t:
Ç’magji ngadhënjimtare e botës
 Kah Zoti më ngre sot?
Mjerë ai që mbështetjen e tij
Mbi njerëzit e tjerë e kërkon!
nga të cilët e pohoj se unë pëlqej pa masë versetin e thjeshtë të Jeremisë. Sigurisht, Zheromi e kishte zgjedhur atëherë këtë kartolinë pa i vënë rëndësi versetit. Por nëse e gjykoj sipas letrave, aftësitë e tij të sotme janë të ngjashme me të miat dhe falënderoj çdo ditë Zotin që na ka afruar të dyve në të njëjtën kohë me të.
Duke kujtuar bisedën tonë, unë i shkruaj gjatë veç për të kaluarën, që të mos e trazoj në punën e tij. Ti do ta kuptosh, e kam të qartë, se duke folur për të unë lehtësohem; nga druajtja se mund të vazhdoj, po e ndërpres tani letrën time; këtë herë mos më qorto shumë.
Çfarë mendimesh më zgjoi kjo letër! Mallkova ndërhyrjen pa vend të tezes (ç’ishte ajo bisedë’ për të cilën Alisa bënte aluzion dhe që ma shpërbleu me heshtje?), kujdesin e saj të ngathët që e shtynte të komunikonim kështu. Nëse tani mezi e duroja heshtjen e Alisës, a s’do t’ia vlente njëmijë herë më mirë të’ mos e dija se çka s’ma shkruante mua, ajo ia shkruante dikujt tjetër?! Gjithçka më pezmatonte: edhe ta dëgjoja se si ia tregonte me lehtësi menynë tonë të fshehtë tezes sime, dhe toni aq i natyrshëm, qetësia, serioziteti, gëzimi…
- Por jo miku im! asgjë nuk të ngacmon më shumë se fakti që këtë letër ajo nuk ta dërgon ty, – më tha Abeli, shoku im i përditshëm, i vetmi me të cilin mund të bisedoja dhe drejt të cilit, në’ vetmi, prireshin pa pushim dobësia ime dhe nevoja e hidhur për simpati, mosbesimi ndaj vetvetes dhe mes këtij pështjellimi, besimi që kisha te mendimet e tij, me gjithë ndryshimin e natyrave tona, mbase – mbase edhe për shkak të këtij ndryshimi…
- Ta shohim këtë letër, – tha ai duke e hapur atë mbi tryezë.
Kishin kaluar tri net e katër ditë që e kisha mbajtur për vete pezmin tim. Unë arrita pothuaj në mënyrë të natyrshme tek ajo që miku im më tha:
-Pjesën Zhuljetë -Teisier e kemi hedhur në zjarrin e dashurisë. Ne e dimë se sa vlen flaka e saj. Sigurisht! Teisier më duket se është pikërisht flutura, që duhet për t’u djegur në të…
- T’i lëmë këto, – i thashë i fyer nga shpotitë e tij. – Të merremi me gjërat e tjera.
- Aty ku mbetëm? – ia bëri ai… – Gjithë pjesa tjetër është për ty. Qahu pra! S’ka një rresht apo një fjalë që s’është mbushur me mendimin tënd. Aq sa mund të thuhet se tërë letra është për ty; teze Felisia duke ta dërguar, s’ka bërë gjë tjetër veç ia ka kthyer pronarit të vërtetë; është faji yt që Alisa i drejtohet kësaj gruaje të mirë, si një zgjidhje nga halli; si mund të ndikojnë te tezja jote vargjet e Corneille-t! – që në parantezë janë të Jean Racine; – unë them se ajo bisedon me ty, tërë këto ajo t’i thotë ty. Ti je fare pa vlerë nëse kushërira jote, pa u mbushur pesëmbëdhjetë ditë, nuk të shkruan gjithçka dhe gjatë, lirisht, këndshëm.
- As ka për t’ia nisur!
- Ajo mbështetet te ti. Kam një ide. Mos i fol për njëfarë kohe as për dashuri, as për martesë midis jush; nuk e kupton se që nga ngjarja e së motrës, ajo kështu do? Ndalu te ndjenjat miqësore e foli për Robertin pa pushim, meqë ti ke durim të merresh me atë gdhe. Vazhdo thjesht të kënaqësh inteligjencën e saj; të tjerat do të vijnë më pas. Ah, sikur të isha unë ai që do t’i shkruaja!…
- Ti nuk do të ishe i denjë ta doje.
Megjithatë unë ndoqa këshillën e Abelit; dhe s’kaloi shumë kohë e letrat e Alisës filluan të gjallërohen; por nuk mund të shpresoja nga ana e saj as gëzim të vërtetë, as afrim, para se të sigurohej gjendja e së motrës, të paktën lumturia e saj.
Të rejat që më jepte Alisa për të motrën, sidoqoftë po bëheshin më të mira. Martesa e saj do të kurorëzohej në korrik. Alisa më shkroi se mendonte që atë ditë Abeli dhe unë do të ishim ende në shkollë… Unë e kuptova se asaj i pëlqente që mos të merrnim pjesë në ceremoni dhe, teksa nxorëm si shkak provimet, ne thjesht u kënaqëm duke i dërguar urimet.
Rreth pesëmbëdhjetë ditë pas kësaj martese, ja ç’më shkruante Alisa:
Zheromi im i shtrenjtë!
Duke gjykuar budallallëkun tim, dje hapa rastësisht botimin e bukur të Racine-it që më ke dhuruar, për të gjetur katër vargjet e imazhit të vogël të’ Krishtlindjes, të cilin e ruaj që prej dhjetë vjetësh në Biblën time.
Ç’magji ngadhënjimtare e botës
Kah Zoti më ngre sot?
Mjerë ai që mbështetjen e tij
Mbi njerëzit e tjerë e kërkon!
Kujtoja se ishte pjesë nga Corneille dhe e pohoj se më kanë mahnitur. Por duke vazhduar leximin e Kantikës IV shpirtërore, rashë mbi strofa aq të bukura, sa nuk mund të ndahem pa i kopjuar. Besoj se për ty janë të njohur apo të nisem nga inicialet që ke vendosur në marzh të vëllimit (në të vërtetë unë e kisha zakon t’i mbushja librat e mi dhe ato të Alisës me shkronjën e parë të mbiemrit të saj pranë çdo pasazhi që pëlqeja e qe doja t’ia bëja të njohur). S’ka rëndësi! Unë i kopjoj për kënaqësinë time. Fillimisht isha paksa e lënduar kur ti më jepje atë që besoja se e kisha zbuluar, pastaj ajo ndjesi e keqe u mposht përpara gëzimit tim, kur mendoja se ti i doje si unë. Duke e kopjuar këtë pjesë më duket se e rilexoj me ty.
Një urtësi të pavdekshme
Zëri na buçet dhe na mëson:
Ai na thotë: O bij të njerëzve
Rravgimet tuaja çfarë fruti ofrojnë?
O shpirtra të kotë, cili është gabimi
Që aq shpesh ju blini…

Përktheu: Feride Papleka

Standard

Oj Zanë, t’këndojmë…


Në përpjekje për t’i kënduar flamurit e atdheut, si ndjesi dhe totem i fjalës së muzikuar himni shqiptar njeh jo pak peripeci, por dhe angazhim të frymëzimeve më të larta nga personalitete të letrave. Më poshtë janë disa shembuj. Për këtë tufë nga poezi dedikuar flamurit në rrekjen për t’ju afruar ndjesisë së atdheut në një himn, një përpjekje e vështruar nga libri “Simbolet kombëtare” nga Dr. Hysni Hoxha, i sapo dalë në treg në Kosovë




Oj Zanë, t’këndojmë…


Mi flamurin t’onë
Ioan Barsan

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.
Në luftën e rëndë trembet ay,
Që vetë është mëndje – arratisur,
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.
E armatosmë dorën t’onë
Që të mpruajmë një vënd të shtrenjtë,
E drejta jonë është zotëronjëse,
Dhe qëllimi ynë i shenjtë.
Dhe në librën e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin,
Po Rumanija jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë.


Betimi mi Flamur
Asdreni

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë-e një qëllim,
Të gjith’ atij duk’ ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mprojmë-atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat t’ona ne s’i ndajmë;
Ketu armiqtë s’kanë vënt.
Se Zoti vet tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipërija do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shënjë- e shenjtë
Tek ty betohemi këtu
Për Shqipërinë atdhen’ e shtrenjtë,
Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.
Trim burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet’ ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor.


Flamurit
Hilë Mosi

Në luftë, flamuri i Shqipërisë,
Se vdekjen s’e druam aspak!
Si etrit tonë t’Ilirisë,
Sot duam t’skuqnim Ty me gjak.
Flutro në luftë shpesh, i lirë,
Se mjaft ti hoqe robëri!
Sot kombi ka veç· një dëshirë;
Të t’shoh’t’valoç i lir’ n’ajri!
Përpara, ti në çdo përpjekje
Na shpje, se pas ti ne na ke!
Na shpje në më të nderçmen vdekje,
Ta bëjmë Shqipërin’e Re!
Në gjak ti, shqipe, je mësuar,
Të kuqen ngjyr’ andaj e do;
Kështu na duam për të ngjyrtuar
E mbi gjak ton’ lirisht valo!
E kur, moj shqip’e zezë ngjyer,
Atdheu me gjak të ketë larë
E turpin tënd ta ket’shpërblyer,
Hiq zin’e vishu ti në ar’!
Ahere mos harro dëshmorët!
Gëzoji për të fundmen her’!
Ahere do të vin’ arbrorët ,
Do të lartsojn’ plot lavd e nder,
(“Zani i atdheut”, 1913, “Rilindja”, Prishtinë, 1972)


Flamuri Kombtar
Aleksandër S. Drenova

(Fragment)
Ngjyr’ e kuqe si e zjarit
Dhe shqiponja me dy krerë,
I qendisur me fill t’arit,
Gjer’ e gjatë bukur prerë.
Qindra vjete kanë shkuar,
Dit’ të zeza e plot me zi,
Po ty fama s’t’është shuar,
M’gjith q’u-trete,·u bëre hi.
Ti je yll’ i mirësisë
Edhe engjëll’ i shpëtimit,
Se ti i dhe djelmurisë
Lulen bukur të Kujtimit.
Ndënë ty pra djelmuria,
Me dëshirë e me shpresë,
Do të luftonjë, që Shqipëria
Të rojë e të mos vdesë.

(“Vepra të zgjedhura”, Enti i botimeve
shkollore i RSS, Reparti – Prishtinë 1969)


Vlora, Vlora!
Ali Asllani

Rroka armët,·sheshit dola,
milion dyzetve u fola:
a do hiqeni si miq,
a na prisni si armiq!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Rroka armët e u turra …
këtu burri vlen shtat’ burra!
Andej ishin mizë e lisit,
këtej ishte lulja e fisit!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Jasht’! – i thashë, i thashë, i thashë,
nuk dëgjoi dhe unë i rashë.
Ai iku mori denë,
nami im po mori dhenë!
Ai kish dhe ish pajisur
që në fill e në gjëlpërë,
kurse unë – i plagosur -
gjakun s’kesh me se ta zërë!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
Jam vlonjat dhe kryelartë,
di të bëj luftë me të shtatë,
a me hir a me pahir
doemos do rroj i lirë!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
bjeri, moj, të lumtë dora!
1920
(“Naim Frashëri”, Tiranë 1973)


Hymni i flamurit
Fan S. Noli

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani;
Flamur i math për Vegjëli
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderben’ u-Iavdërove
Dhe në furtunë i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze, u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.
(“Albumi”, Prishtinë 1968)


Flamuri
Mihal Grameno

ç’të jetë vallë ç’të jetë vallë
Q’e ndezë kaqë Baba Tomorë
M’Adriatikun që i bën ballë
Dhe buçimë lëshoj në Vlorë?
As nga gjëmimet as shkreptimet
Nuku ish shkundur kaq shumë dheu
As nga lumenjtë me oshëtimat
Që kur se rronte vet Skënderbeu!…
Është flamuri, flamur·i vyer
Me shkab të zezë e dykrenar
se i ardh dita për t’u mbërthyer
Mbi tek të tij fodull trimnor!
…………………………………………………
Pesë qint vjet durove zgjedhjen
Me pranga lidhur hekur zinxhir .
Armiqtë gjithë kërkonin vdekjen
Për ty o flamur shpirt xhevahir!
Po Zoti kurrë nuk kish thënë
T’humbasë yll’i trimërisë
Po të kish rojtur e të kish lënë
T’i valosh prapë sot Shqipërisë!…
Se mbajmë emrin, emrin Shqiptar
Jemi me falur dyke betuar
Që do të mprojmë nga çdo barbar!
Rrofsh edhe rrofsh flamur i vyer
Më bijt’e tu gjith në gëzim
Rroft! Edhe PIaku që t’pat mbërthyer
Për-jetë mbete pasqyr’ kujtim!
(“Vepra”, “Rilindja”, Prishtinë 1979)


Poezi e shkruar nga Murat Toptani (1866-1917) dhe muzikuar nga Thanas Floqi, të dy firmëtarë të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Në jetëshkrimin e vet ky i fundit shprehet se asokohe “…e këndonin përditë në Vlorë” dhe më poshtë ka shprehur keqardhjen që “…s’e përdorën për himnin e flamurit tone”


O flamuri i Shqipërisë
Murat Toptani

O flamur i Shqipërisë
Ti je ndera e gjaku jonë,
Sot u ngrite në Vlorë
Udhërrëfyes i trimërisë.
Mbi ty Shqipja hapi fletët
U bashkue Shqipëria,
Qoft’ e lirë si ti përjetë,
E madhnoftë Perëndia.
Sytë e dielli të lëshojnë rreze,
Shqipnin’ anembanë shiqoje,
Prej Tivari e te Preveza,
Shpjet hap krahët edhe mbroje.
Shqipe ngreje djelmenine,
T’ipet zani e kushtrimi,
Se armiqtë e Shqipnis’
E shkelne, burra ku ini!
Merr, Flamurin ndër thoj, shqipe,
Gjith’ trimnija të vrullojë,
Përmbi male, brigje, hype
Kufinit jasht’ anmiqt’ dëbo!


Himni i Ernest Koliqit u shpall fitues me pseudonimin Le jeune Clarion, në konkursin e zhvilluar për një Himn të ri Kombëtar, më 1922

Hmni
Ernest Koliqi

Shkrepi në qiell rrezja e liris
Himë sot n’nji jetë të ré;
gzoni, ju dëshmorë nën dhé:
gjaku i juej nuk u derdh kot.
Çou, ti Ora e Shqipënis,
çou e prîj kombit përpara
n’a fal ti fate mâ të’ mara
ênd për né mâ të lumin mot.
S’na e tutë’ synin kurr né Deka;
shuehna të’ gjith për jet të Shqipnis:
vorri asht djepi i lumenis
për at qi des për dhé të vet.
Bini, djelm, me at shpejtin túej:
derdhet të tanë gjaku i Shqiptarvet;
por s’e shklet jo kamba e huej
dhén qi mblon eshnat e të Parvet.
Besën sot Shqiptarët përsrisin
qi s’i dán krahina as feja;
n’Lushnje e rrebtë u pertrî beja
djersë·e gjak me i fal Atdheut.
Ngrihnju të gjith t’a lartësojmë fisin
T’lulëzojë puna, të·shkëlxejë dija
plot me shpresa âsht ardhmenija
për nipnin e Skandërbeut.
T’mkamna, djelm, kah dita e gzimit
qi u premton Zoti Shqiptarvet:
për t’gjatë udhës s’përparimit
ne na prîn hijet e të Parvet.


Himni i Kristo Floqit u shpall fitues me pseudonimin Gjik Palla, në konkursin e zhvilluar për një Himn të ri Kombëtar më 1922

Himni i ri
Kristo Floqi

Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.
S i valë prej detit që· vjen me tallas,
Buçet an’ e mb ‘anë një z ê e një gas,
Gjëmojnë po malet e fushat e gjâna.
Prej zânit Lirisë q’ushton por si zâna,
E thret me vigame ç’do burrë Shqyptar,
Në fushën e nderit kush ësht’ atdhetar.
Qe, qe shkrepi Dielli etj., etj.
Valon krye-naltë flamûr’ i Arbnis.
Flamûr i shêjtë; flamûr i burrnis,
Dhe kodrat e zallet madhnin i dëshmojnë
Fatosat e parë’ as sot s ‘i harrojnë;
O burra nderoni flamûr e Atdheut,
Si bij t’atij trimi të math Skënderbeut.
Qe, qe shkrepi Dielli etj., etj.
Mjafton xgjedh’ e dobët, e poshtra robni
Mjaftojnë mjerimet, mjafton tyrani,
Në’ dhen’ e gjigandve fryn era gazmore,
Se sot ësht’ e lirë” kjo toka arbnore,
Do vdesim si burrat e jo me dhuni
Për votrat e shejta, për nanën Shqypni.
Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.
Dhe lithni një besë për dek’ a liri
Për dhen’ e të parve, për Komp e Shqypni.
Qe, qe shkrepi Dielli
I flakt’ i Liris
Dhe Hylli te Qielli
Agoj i Shqypnis.

Shënim: Himnet e Murat Toptanit, Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit janë nxjerrë nga libri i Valbona Karakaçit “Himni kombëtar i Shqiptarëve”, “Naimi”, Tiranë 2009.


Himni i flamurit kombëtar
At Gjergj Fishta

Porsi fleta e Ejllit t’Zotit
Po rreh Flamuri i Shqipnisë,
E thërret t’bijtë e Kastriotit
Me u mbledhë’ tok ndër çetë t’ushtrisë.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrufe, qe shkojnë tue djegë!
A ngadhnjyes a t’gjithë dëshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Përmbas Flamurit t’vet shqiptari,
Kur rrok armët për t’drejta t’veta,
Atje lufta ndizet zhari,
Atje anmiku vihet n’t'lehta

Bini, Toskë! etj.

Mbi atë Flamur Perëndia
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“Për shqiptarë do t’jetë Shqipnia:
Kush ua prek, ai qoftë mallkue!”

Bini, Toskë! etj.

Çka? A thue ‘imend se atë tokë t’bekueme,
Që vetë Zoti na ka dhanë,
Sot me e shkelë kamba e poshtnueme
E një t’hueji na kem m’ia lanë?

Bini, Toskë! etj.

Ah; jo, kurrë. Njëqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fëmi!
Kem’ me mbetë kortarë ndër ara,
Se me shkelë lamë t’huejin n’Shqipni.

Bini, Toskë! etj.

N’kambë, sokola të Shqipnisë!
Flamuri ynë, qe, n’ajër po shtillet
Si pol veshje e Perëndisë,
Kah na ban hije prej qielle.

Bini, Toskë! etj.

Ma mirë vdekë me u shue nën hije
T’Flamurit tonë, në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue një jetë robnie
Përnën sukuj t’huej t’Ballkanit,

Bini, Toskë! etj.

Armët e besën na i njeh bota;
Trima n’za kemi pasë t’Parët,
Luftën ne na mësoi Kastriota:
Kë, thue, frikë do t’kenë shqiptarët?!

Bini, Toskë! etj.

Urra! Djelm, eh ju u dhashtë e mbara!
Sot a kurrë, me vdekë për Atdhe!
Flamuri ynë, qe, u nis përpara:
Ndihmo, Zot, për Atme e Fe!

Bini, Toskë! etj.
1913


28 nanduer 1913

Oj Zanë, t’këndojmë… t’vajtojmë, desha me thanë;
Pse sot ditë kange s’asht për mue e ty.
Po ç’gëzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe, mbas një motmoti që iu pëlqye
Evropës shqiptarin zot n’shtëpi t’vet me lanë
E kujt, posë Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndamë prap me vetvete gjendet
E çka asht ma zi, prej vetit edhe s’bindet1?…

E ku kjo punë kisht’ ndodhë, posë se n’Shqipni,
Që ‘i popull, s’pari dalë prej robnimit,
Për një motmot të rrijë ai n’anarki
E t’bahet përralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’asht ai sot m’u vu n’hulli,
Edhe me u thanë anmiqve e t’tanë njerëzimit:
“Unë këtu sundoj! N’këtë shkamb mue m’vuni Zoti,
E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

Ah! T’mjerët na t’mjerët! E sot, me ‘i pecë të kuqe
E me ‘i orrl duem që Shqiptaria e mjera
T’dalë vetit n’dritë, si vetit çel n’burbuqe
Një drandofille e njomë, kur kthen pranvera…
Jo, jo, shqiptarë! Por banie flamurin duqe
E zhyeni n’Drin, t’mos e zhvillojë kurrë era.
Flamuri kombëtar nuk ka çka ban ndër ne,
Po qe se dashuni nuk kemi për Atdhe!

E, drue, dashuni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan kryet shqiptari për komb t’vet,
As për atë gjuhë të ambël që i la i Pari,
As pse Shqipnia n’veti u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje, ku xixëllon ari,
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget:
Si Krishtin shiti Juda Iskariotë,
Drue, Atdheu ndër ne po shitet për një zallotë…

A thue mos fola keq?… Po lyp t’falun;
Përse këtu vetë me fye nuk due kurrkëndin.
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’frytë m’e ndalë,
Por ai, që të liruem me e pasë s’do vendin,
A prej se s’mundet vetë n’shkamb t’naltë me dalë,
A prej se tjerëve s’do m’ua lëshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!
E pra, kësi nipash ka dhe shumë Kastriota…
E po për ata, që, zyrë e nder harrue,
Që, marre e turp kaherë flakrue mbas shpine,
N’visar t’Atdheut me t’huej shkojnë tue tregtue
(Kush ndytë mbas frangut rrejtë, kush mbas sterline
Kush pse dinari tepër i asht lakmue),
E Atdheun prej s’hujsh me e qitë duen bashtinet,
Thue edhe për ta ndokujt do t’i hijë çuda,
Kur them, se nuk janë tjetër, veçse Juda?…

Po, Juda janë, e gjinde janë tradhtare,
Porsi ata, që n’mend prej s’huejsh mahitë,
Vajzat e djemt’, – e para uzdajë shqiptare –
Me ndjesi t’hueja n’shkollë i çojnë me i rritë,
Tue lanë mbas dore t’amblën gjuhë amtare,
Pa t’cilën kombi s’mundet n’dritë me u qitë;
E me çakrria t’mbetuna shkret mbas tregut,
E lanë me u rritë nipninë e Skënderbeut.

***
Ah! Këtu, shqiptarë, po, këtu; e m’vorr t’Kastriotit
Përreth Flamurit tonë t’gjithë t’bahemi ‘i vëlla,
Edhe t’apim shoshojt besën e Zotit
Se për Atdhe na kemi m’u orvatë pa nda,
Tue shkri për të të gjitha ditët e motit:
Se para t’gjithë në vorr na kem’ me u qa,
Se e lamë Shqipninë me e shkelë prap thembra e huej.
Posë Zotit n’qiell, s’do t’i shërbejmë ma kujt.
1913


Himni i flamurit
Lasgush Poradeci

I
Ç’ësht’ ajo shënjë Perëndije,
Që skuq si yll vetëtimtar:
Flamur’i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi qjell të kombit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’ e Perëndisë,
Me shkabën trime drejt në gji:
Való mi qjell të Shqipërisë,
Mburroje çerdhen e lirisë
Me bes’e nder e burrëri!
II
Ç’ësht’ ajo shënjë lavdurije,
Që fërfëllon gjith derdhur n’ar:
Flamur i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi Fron të Mbretit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’e lavdurisë,
Me shkabën trime drejt në gji:
Való mi Fron të Shqipërisë,
Mburroje zemrën e lirisë
Me bes’e nder e burrrëri!
III
Ç’ësht’ ajo shënjë therrorije,
Që djeg me afsh si yll me zjarr:
Flamur i shentë po mban hije,
Po fryn me frymë Shqipërije
Mi Fat të kombit Shqipëtar!
Flamur, o! shënj’ e therrorisë,
Me shkabën trime drejt në gji;
Való mi Fat të Shqipërisë,
Mburroje shpirtin e lirisë
Me bes’ e nder e burrëri!
1937
(“Vepra” 1, Onufri, Tiranë 1999)


Hymni i Flamurit
Dhimitër Shuteriqi

Ndër fusha e male i shporri dielli
Robnln e randë e t’ zezën zI,
e gjëmoi toka e gjëmoi qielli :
Tomorri i dha lajmin e ri
Gjithë ‘Toskënis e Gegënls:
“N’ Vlonë valon Flamuri i Liris!”
- Valo, Flamur!
Ti je vetë Besa,
Trimnija, Jeta,
Nderi, Lirija!
- Valo Flamur!
Ti je Shqipnija!
Ismail Qemali n’ Vlonë e ngriti
Prisin e math të Skënderbeut:
Ja sbukuroi·nderin, ia rriti,
Flamurit trim, qi i çonte dheut,
Në dorë t’ fatosavet t’ Shqipnis,
Ditën e bardhë, dit’n e Liris.
- Valo,·Flamur!
Kush tha «Vdiq fisi i Kastriotit!»?
- Harroi Evropa at mburojë,
Qi i caktoi ‘Turkut kufit motit?
-Greku dhe Serbi e gaboi,
Se po vetë burrat e Shqipnis
Ngritën Flamurin e Liris.
- Valo Flamur!…
Atë Flamur, qi u-ngrit në Vlonë,
E kuqëluem na vetë me gjak;
Ajo Shqipojë âsht fisi i jonë,
Asht fisi i jonë kreshnik e plak
Qi nëpër male t’Iliris
E ndërtoi çerdhen e Liris.
-Valo Flamur!…
E sot, Shqiptarë, kush ka gjak burri
Të ndegjoj’ Shqipen me dy krenë
Për dituni na fton Flamuri;
Për qytetnim ta bajmë pra bén!
T’i vemë me hymne na Shqipnis
Kunor’n e ndriçme t’ ditunis.
- Valo Flamur!…
(“Përpjekja shqiptare”, 1937, nr. 14-15)
Shënim: Hymni i Flamurit hartuar prej poetit të ri Dhimitër Shutëriqit dhe kënduar me goditje të plotë në darkën madhështore që dha në Gjenevë z. Thoma Luarasi, konsull i ynë atje me rastin e XXV-vjetorit. Në këtë darkë, veç studentëve t të tjerë shqipëtarë, qe ftuar edhe auktori i këtij hymni, i cili ndjek Filosofi dhe Drejtësi, krah më krah, n’Universitetin e Grenoble-s. (redak.)

Simbol…
Hekuran Zhiti

Të ngrenë, të ngritën,
Në ëndrra, te bregu.
Të zbresin, të shitën,
Porsi plaçkë tregu.
Të mbrojnë, të mbrojtën,
Me shpirt e me dhëmbë.
Të ndjekin, të ndoqën,
Të shkelën me këmbë.
Të heqin, të hoqën,
Në male, harrime.
Të djegin, të dogjën
Me plumba, mallkime.
Në flakë si flakë
E shenjtë flak’rove.
U derdhe si gjak,
Përgjakur gjakove.
Vërvitu, valvitu,
Krahët mos i mbyll.
Ç’të dhëmbi, ç’të piku,
Një plagë a një yll?
(“Kryengritja shqiptare në parajsë”, OMSCA-1, Tiranë 2004)

Burri
(pyrrhus)
Filip Shiroka

Pius est patriae jacta rejerre labor*- Ovidius


-Unë Shqypja jam, por nalt me flaturue
Pa ju nuk. mundem, ju jeni flatrat t’mi!
Kështu i thotë’ Burri ushtris S’vet t’lumnue
Kur e mblidhte e bahej gati n’luftë me u pri
Kur ndieu se Roma, botën me mjerue,
Kand-e-kand shum lufta ishin tue përtri:
-Me Romanët – tha – t’shkojmë, o djelm, me luftue,
E t’merret vesht ç’burra lejnë te na n’Shqypni! -
Atje u nis edhe urysh ushtris s’Romës i ra,
Trimnisht n’at luftën qi kurr nuk harrohet,
‘Dhe u bind n’anmikun aq trimni tue pa.
Prap, n’tjera lufta, mbas ksaj luftës lëshohet,
Shqyptari i ndezun me nji guxim, qi sa
N’luftarët t’nderuemun Mbret Luftar emnohet.
1897

*I drejtë asht mundi i bamë në lidhje me atdheun
(“Vjersha të zgjedhura”, Enti për botimin e teksteve i Republikës Socialist të Serbisë”, Beograd 1963)


Standard

Kur Konica përgjigjej për “gjuhën” e flamurit tonë


Dr. Hysni Hoxha

Speciale/ Shkrimtari që bëri të njihej flamuri ynë; “Albania”, 15 shtator 1901, 15 shkurt 1909. Askush nuk është kujtuar t’i bëjë në këtë 100-vjetor homazh njeriut që na bëri me flamur autentik në kushtet kur në Shqipëri xhonturqit po përhapnin fjalë se nuk ekzistonte. Në botimin “Simbolet kombëtare”, botimet “Faik Konica”, Prishtinë, dr. Hysni Hoxha rimerr në trajtesë çështjen e flamurit, të simboleve kombëtare, ngjyrën dhe gjuhën që sjellin ato në vështrimet e studiuesve të sotëm


Faik Konica, si askush tjetër në kohën e tij, me shkrime dhe me veprimtarinë atdhetare, në përgjithësi, e mbrojti dhe e bëri të njohur Flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrerëshe, simbolin më të shenjtëruar të kombit shqiptar. Si shumë poetë të tjerë shqiptarë, ashtu edhe Faik Konica, simbolit tonë kombëtar ia kushtoi vjershën të titulluar “Flamuri”. Siç thotë Jaho Brahaj në veprën “Flamuri i kombit shqiptar”, Faik Konica për herë të parë flamurin tonë kombëtar e përmend në vjershën “Flamuri”.
Prof. dr. Jup Kastrati në monografinë “Faik Konica” shkruan: “Faik Konica është i pari dijetar shqiptar që ka zbuluar Flamurin kombëtar. Fan S. Noli e cilëson Faik Konicën “rizbulonjësin e Flamurit të Skënderbeut” (Gjonlekaj Publishing Company, New York 1995).
Ideali i lartë i Faik Konicës për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar bie në sy që në shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, të cilën ai e themeloi dhe e drejtoi. Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901) në pyetjen e një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”, botuar frëngjisht në Paris më 1621. Në faqen 44 të këtij libri lexojmë: “Flamurët e Skenderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerëshe të zezë. Ngjyra kombëtare jona është e kuqia edhe e zeza; këto ngjyra të vëna bashkë janë shënji kombëtar i Shqipëtarëvet”.
“Shqipëria a ka një flamur authéntik?”, punimi i dytë i këtij atdhetari për flamurin është përgjigje xhonturqve, të cilët, siç thotë Faik Konica, “përhapnë dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur authéntik”. Përgjigjja fillon me një ton të ashpër polemik, por e argumentuar në bazë të burimeve shkencore të pakontestueshme. Xhonturqve dhe atyre që nuk dinë dhe atyre që nuk duan të dinë për historinë e flamurit tonë kombëtar, i cili është në të vërtetë, histori dramatike e kombit shqiptar, – ai në mënyrë sarkastike ua kujton të kaluarën historike të shqiptarëve, kur ndër të tjera, thotë: “Në keni dyshim, pyetni kockat e stërgjyshërve tuaj dhe do t’mësoni laftin dhe madhërin’ e atij flamuri. Jo kockat e krahërorit, po kockat e kurrizit, – se Turqët, stërgjyshërit t’uaj, të mundur prej atij flamuri në jo më pak se njëzet e dy lufta, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë”.
Faik Konica historinë e lashtë dhe burimore të flamurit tonë e dëshmon në bazë të burimeve shkencore. Si burim të parë ai përmend veprën e një autori të panjohur shqiptar nga Tivari: “Historia e Skënderbeut”, botuar latinisht në Venedik më 1480, trembëdhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Siç na informon Konica, për fat të keq nga kjo vepër nuk ka mbetur asnjë ekzemplar; po me gjith’këtë – thotë autori – e njohim me anë të priftit Biemmi, i cili e përdori, pothuaj e përktheu në jetë të Kastriotit që e botoi italisht më 1742 në Breshia. Këtë burim të parë, Konica e konsideron shumë të vlefshëm për jetën e Skënderbeut.
Si burim të dytë për jetën dhe Flamurin e Skënderbeut, autori përmend veprën e Marin Barletit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që është botuar latinisht në Venedik më 1508, e cila, sipas autorit, pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës.
Përveç këtyre dy burimeve të rëndësishme, autori përmend edhe librin e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit”, botimin e parë që ka dalë në Paris më 1567. Sipas mendimit të Faik Konicës vepra e Lavardinit, nxjerrë nga libri i Marin Barletit, nuk mund të quhet burim, po ka një vlerë. “Kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të dobishëm të burimeve”, shton autori.
Siç vërehet qartë në vështrimin polemizues të Faik Konicës: “Shqipëria a ka një flamur authentik?”, në tri veprat e përmendura më lart, bie në sy e vërteta e pashmangshme: çdonjëra prej veprave të cituara përmend faktin historik të pamohueshëm se Flamuri i Skënderbeut ka qenë i kuq me shqiponjë të zezë dykrerëshe.
Vështrimin polemizues Faik Konica e përfundon me këto fjalë: “Si e shihni pra, o vëllézër, flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”.
Faik Konica në një paragraf ka bërë përkufizimin, deri më sot, më të mirë për vlerën dhe rëndësinë e flamurit tonë kombëtar:
“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që çfaq duke valuar Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: Janë kujtime vetë-mbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lënë gjurma në letërsitë e gjith popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga ata më të vjetërit e botës, është dhe një nga më të drejtët”.
Formulimi i parë i këtij paragrafi flet për kuptimin e termit flamur, në përgjithësi, si dëshmi e historisë së një kombi shprehur “me një gjuhë të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”. “Gjuha e pashkruar” e flamurit tonë është gjuha e mesazhit, që evokon historinë dramatike, traditën, natyrën e kombit shqiptar.
Pas pyetjes së shtruar lart: “Cilat janë kujtimet që çfaq duke valuar Flamuri ynë?”, Konica paraqet qëndrimin dinjitoz të kombit tonë në kohë të vështira dhe vendimtare për fatin e tij. Ato kujtime nuk flasin për lakmitë, për pushtimet me dhunë dhe krime të vendeve të huaja, që kombi ynë i përjetoi nga armiqtë, që Faiku me qëllim nuk i përmend po i ka lënë të nënkuptohen. Përkundër këtyre të këqijave, flamuri ynë kombëtar evokon “luftëra për vetë-mbrojtje” nga pushtuesit barbarë, të cilët me dhunë, krime, masakra, gjenocid, synonin shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike.

"Kalvari" i mbramë për patriotin Kaçorri

Nga Pjeter Logoreci

Portreti i DOM NIKOLLË KAÇORRIT nga Arben Morina


Në Austri e sidomos në Vjenë e në Graz, kanë studiue e punue shumë shqiptarë nga të gjitha trevat e vendit. Nga studimet, librat, artikujt e ndryshëm asht e njohtun vepra e aktiviteti i tyne, në të gjitha lamët e shkencës, letërsisë, artit, gjuhësisë në periudha të ndryshme. Për shqiptarët që jetojnë sot në Austri, asht temë e shpeshtë bisedash, njohja e aktivitetit të ktyne figurave apo zbulimi i ndonji dokumenti apo episodi nga jeta e tyne. Disa vjet ma parë më rastisi të kapë fillin e nji bisede mbi Imzot Nikolle Kaçorrin, për të cilin dija shumë pak (çka kishim mësue në shkollën e programet e regjimit komunist), por në bisedë me klerikun e misionit katolik në Vjenë, Don Izak Doda mu zgjue dëshira për me marre vesht ma shumë rreth kësaj figure që vuni themelet e shtetit të parë shqiptar. Don Izaku kishte fillue me ndjekë gjurmët e jetës së Kaçorrit në Vjenë, e po kërkonte me ndihmën e administratës së varrezave qëndrore të Vjenës, të dhëna për gjetjen e varrit të tij. Tue mos pasë kontakte të shpeshta, nuk pata dijeni se deri ku vazhduen kërkimet e tija për Kaçorrin. Ma vonë ndigjova që një nga pjestarët e familjes Kaçorri, kishte kërkue ndihmën e ambasadës shqiptare në Vjenë, të cilët e kishin vënë në kontakt me varrezën qëndrore të Vjenës, prej ku ishte marrë e saktë adresa e varrezës së patriotit. Kërkesës së familjarit për nxjerrjen e eshtnave, administrata e varrezave i ishte përgjegjë negativisht, tuj gjetë si shkak ndodhjen e nji peme pranë varrit, e cila me hapjen e gropës në thellësinë 3 metra do të damtohej ose rrëzohej.
Ma pas gjithshka u la në heshtje. Kurioziteti për të vizitue varrin e Imzot Kaçorrit më bani që të vihem në kontakt me një punonjëse të zyrës së varrimeve me origjinë shqiptare e cila edhe pse shumë skeptike, më tregoj rrugën që unë duhet të ndjekë për exhumimin dhe transferimin e eshtnave të patriotit në Durrës. Në ktë kohë isha bashkëpunëtor i një instituti në Vjenë që ishte i angazhuem me projektet e Austrisë në Europën Lindore, ku futej edhe Shqipnia. Drejtuesi i saj Dr. Bernhardt Stillfried, një burrë shumë i njohtun në qarqet e larta politike e diplomatike, ishte njohës i mirë i vendit tonë dhe mbështetës i shumë projekteve austriake në të gjithë Shqipninë. Mund të përmend këtu bibliotekën e Institutit të Shkodrës, Shkollën teknike Austriake "Peter Mahringer" etj. Duke pasë mbështetjen e tij, unë konceptova dhe drejtova dy projekte të randësishëm siç ishte ai: Kërkime Arkivore mbi Ndre Mjedën (në ndihmë të studiuesit Mentor Quku) e Projektin NIKOLLE KAÇORRI (exhumimin dhe kthimin e eshtrave në atdhe) të herojt tonë kombëtar. Kujtoj që sapo ja propozova Shefit tim kte projekt, ai u tregue i gatshëm të ndihmojë, por më parë (ishte procedura e çdo projekti) duhej që të informohej për koston e projektit në fjalë. Ai më dha Ok-in e vazhdimit të projektit i cili i kushtoj institutit rreth 4500 Euro. Për dijeninë e lexuesit, vendosa që për ta ba sa me masive e të randësishme exhumimin e eshtrave të Nikolle Kaçorri, ti afroj bashkëpunim dhe informacion, bashkësisë katolike shqiptare në Vjenë ku edhe unë baj pjesë. Mora pëlqimin e institutit për kte bashkëveprim dhe bashkë me përfaqësuesin e misionit Pren Kolen formuluem kërkesat për mbështetje. Dëshiroj të theksoj që kleriku Pren Kola, atë kohë zyrtar në misioni (misioni ka ndrrue deri tashti 4 klerikë), vepronte sipas vendimeve të këshillit të misionit për çdo aktivitet e jo si person privat.
Azienda ime e takimeve filloj me nënpunësin e lartë të shtetit austriak RgR (Regierungsrat) Zotni Leopold Tichacek, i cili ishte drejtori i përgjithshëm i administratës së Varrezave të Vjenës. Mbasi e informova mbi projektin, ai ngarkoj nënpunësen e administratës qëndrore Z. Gabriele Grüll që të ndjekë procedurat e exhumimit mbasi të qartësohej vendosja e pemës afër varrit si dhe vendodhja e dy personave të tjerë të bashkëvarrosun në kte varr. U aktivizue ekspertiza e pemës nga inxhinieri Franz Tolloschek (nëse ajo damtohej me hapjen e varrit), nga i cili u konfirmue lejimi i hapjes së varrit, por pa prerjen e rrënjëve të pemës present. Mbas përgjigjes pozitive të ekpertizës, më 20 tetor 2010, i drejtova administratës së varrezave në Ëien, kërkesen zyrtare për nxerrjen e eshtnave të Nikollë Kaçorrit .
Në një takimi me nënpunësin kryesor të varrimeve, Zotni Kotzik, mbasi i bëra atij të njohun firmën garant që i priste eshtrat në Rinas, u firmos kontrata për exhumimin dhe riatdhesimin e eshtrave të NIKOLLE KAÇORRIT në atdhe (Durres), ku shteti austriak merrte përsipër përkundrejt pagesës, nxjerrjen e eshtrave, plotësimin e dokumentacionit (pasaportës e çertifikatave të ndryshme), lejen në ambasadën shqiptare në Vjenë, magazinimin e sargut deri në ditën e fluturimit e bileten e avionit për sargun. Pagesa ishte e lartë mbasi duhej të pagueja edhe sargun për eshtra të dy personave të tjerë të cilët ishin po në të njëjtin varr me Kaçorrin, por në thellësinë 2m (burrë e grue).
Dita e hapjes së varrit u caktue 1 shkurti. Ishte një ditë shumë e ftohtë ku temparatura arrinte në minus 10°. U gjenda në varreza rreth ores 07 së mbashku me dy pjestarë të misionit katolik (Pren Kolen e Kastriot Deden). Gjatë gërmimit në thellësinë 1,5 e 2m, dolën eshtrat e bashkëshortve austriakë, Ferdinandit e Antonias, të cilët ishin të varrosur (i dyti) në distancë një metër me Kaçorrin, eshtnat e te cilit u gjetën rreth 3m thellë (siç parashikohej nga teknikët e varrezave). Nuk mund të përshkruaj përjetimin e momentit kur u gjeten ato, por emocionet me pushtuen krejt qenien time, kur pashe qe ishin te mbeshtjella në flamurin kombëtar shqipëtar, i cili si edhe eshtnat ishte i ruejtun mire.
Skepticizmi qe tregonin punonjësit e varrezave që mbas 94 vjetesh të kishim nje rezultat te mire, ishte i madh, prandaj gjetja e eshtnave ishte nji ngjarje pozitive për të gjithe grupin. Eshtnat u moren po atë dite nga punonjesit e varrimeve per tu depozitue në frigoriferi deri ne diten e fluturimit per ne Rinas.
Me daten 6 shkurt në bashkësinë katolike ne Vjene, u organizue nji meshe solemne per nder te Imzot Kacorrit, ku morën pjesë bashkatdhetar si dhe shumë të ftuar nga miqte austriake e perfaqesues diplomatike. Diten e 9 shkurtit 2011, sargu me eshtrat e Imzot Kacorrit mbas 94 vjetesh u ulen ne token shqiptare i shoqeruem nga Pjeter Logoreci (si perfaqesues i Institutit Österreichkooperation dhe Kulturvereinigungs) e kleriku Pren Kola (si perfaqesues i bashkise katolike shqiptare në Vjenë).
Dëshiroj të falenderoj për mbeshtetjen e interesimin personal, ambasadorin shqiptar ne Vjenë, Zotni Villi Minarolli me të cilin pata kontakte intensive informative per mbarevajtjen e projektit si dhe punonjësin e ambasadës Egin Ceka, i cili u angazhue me formulimin e perkthimin (sipas porosisë së Zotit Minarolli) të dokumentit për pranimin e eshtnave ne territorin shqiptar. U deshën shumë përpjekje per te marr miratimin dhe nje fond shtese nga Instituti, per blerjen e biletes per klerikun Pren Kola i cili si perfaqesuesi i misionit deshironte te udhetonte se bashku me mue per te shoqnue sargun ne drejtim te Rinasit. Sipas biletes ne duhej qe te arrinim ne Tirane para sargut, mbasi une kisha me vehte autorizimin per marrjen ne dorezim te sargut ne Rinas, por arritem ma vone, e sargu me eshtnat e Kacorrit ishte tashma ne duert e familjareve e te qytetarve durrsake, te cilit kishin ardhe per ta nderue firmetarin e pamvarsise. Vargu i gjate i makinave dhe autobuzave fillonte me ne krye makinen e Imzot Damian Kurtit (ku isha edhe une) i cili me shume pasion e dashtuni ka qene prezent me ndihmen e tij kudo ku bahej fjale per Nikolle Kacorrin. Flamuret shqiptare valviteshin e pankarta me fotografite e Nikolle Kacorrit ishin ngjitur kudo ne dritaret e makinave. Ne kte atmosfere festive e patriotike nuk ndihej pothuajse aspak mungesa e nji ceromonie per patriotin nga ana e shtetit si dhe mungesa e daljes te ndonji personaliteti te Arqipeshkvise te Tiranes. Kur arritem ne Durres, kisha e Shen Lucise ishte e mbushur plot me qytetare durrsake, te cilet edhe pergjate rruges kryesore na pershendetshin me respekt. Imzot Damian Kurti i kishte marre masat qe me ane te posterave te medhej te lajmeronte ngjarjen e vecante e te shume pritur per te gjithe. Nuk mund te pershkruhet gezimi i bashkeqytetarve, te cilet prenin me dashuri sargun e Nikolle Kacorrit. Une isha pamase i gezuar mbasi arrita te kurorzoj me sukses nje veprim qi kishte 94 vjet qe priste doren e dikujte. Fundin e projektit e kunorzova me procesverbalin e marrjes ne dorezim te sargut me eshtnat e Imzot Kacorrit nga Imzot Damian Kurti, dokument i cili se bashku me nje informaicon perfundimtare, duhej per mbylljen e dosjes.
Se fundit deshiroj te shkruaj dy rreshta ne shenje respekti e falenderimit per ate qe bani te mundun realizimin e ketij projekti, Dr. Bernhardt Stillfried i cili nuk jeton me. Burri qe perkrahu ndriçimin e figurave me te medha te kombit shqiptar si Nikolle Kacorri e Ndre Mjeda, ai qe nuk tha kurr jo, kur kerkohej vendimi i tij per programet ne ndihme te Shqipnise.
Pushofsh në paqe miku jonë! Shpresoj se emri i tij do të mbesë në memorjen e shqiptarëve e do të ketë mirënjohjen e qytetit të Durrësit e të gjithë Shqipnisë.