PËRBALLË PËRKRENARES DHE SHPATËS SË SKËNDERBEUT


Nga Visar ZHITI
- përsiatje dhe poezi -

Visar ZHITI

Përkrenarja dhe shpatat e Skënderbeut vijnë për herë të parë në vendin e të zotit të tyre legjendar dhe çdo shqiptar ka mundësi t’i kundrojë dhe të meditojë, p.sh., për epokën kur u deshën ato, për shekujt që i harruan, për kohërat që nuk i risollën dot, për ruajtësit e tyre, për ditën e sotme që t’i vë përballë, etj, etj. Natyrisht ato kanë aftësinë të ndikojnë që ti të besosh më shumë në sakrificat e popullit tënd, në vërtetësinë e tyre tronditëse, në përpjekjet shekullore për të bërë shtetin tënd, në realitetet, që tashmë i kanë mbuluar mjegullat.                    Ato pajimi të çmuara dhe unike të Heroit tonë Kombëtar erdhën për t’i parë gjithkush, pasardhësit e mijëra e mijëra luftëtarëve dhe komandantëve dhe të rënëve nën urdhërin suprem të zërit të Atdheut. Gjithsesi ato kanë forcën e emblemave tona superbe: shpata që mbrojti kufijtë e vendit, identitetin, lirinë dhe përkrenarja sovrane, jo ajo e betejave, tjetra, po aq hijerëndë, që të jep idenë e qeverisjes.

Që të mos humbnin si shumçka në pushtime dhe kryengritje, fati i çoi matanë detit me eksodet e para të mëdha të shqiptarëve. Patën një udhëtim të çuditshëm me mistere, me heshtje dhe përkujdesës, deri sa përfunduan në një nga muzeumet më të bukura të Vjenës. Aventurë europiane, do të thoshim.

Ndërsa lavdia e të zotit të tyre merrte përmasa edhe më të mëdha, sikur ribënim vetvetet e dëshiruara. Shtoheshin statujat e Skënderbeut nëpër kryeqytetet e Evropës, sheshet merrnin Emrin e tij, kaluan dhe kontinentin, shkuan në Amerikë e Azi e Australi. Dhe bronzi skënderbejan ka domethënie metaforike, më të vërtetë ndonjëherë se vetë bëmat historike, duke u bërë më i fortë si realitet i gjithmontë duke mposhtur realitetet e përkohshme.

“Impavido difensore della civiltá Occidentale” – është shkruar në piedestalin e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Romë në sheshin e gjërë me emrin ‘Albania’, “Mbrojtës i paepur i qytetërimit Perëndimor” – do të cilësohej Skënderbeu ynë. Vepra e bashkëkohësit të tij, shkodranit Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”, e shkruar latinisht, do të lexoj gjithandej si roman, duke u bërë libri më i lexuar në Europë dhe më pas do të vërshonin botime pa fund për të, histori, legjenda, poema, drama, një letërsi e tërë, piktura, skulptura, filma, këngë prapë, muzikë… Ja, në kryeqytet po shfaqet si premierë botërore opera e Vivaldit  “Skënderbeu” dhe dirigjenti i saj, Zhani Ciko, duket sikur nuk ka në dorë baketën, por shpatën.

Skënderbeu u fut në përfytyrimin e kohëve dhe të popujve, mbase diku në fillim si rebel e kryengritës e vetmitar i madh, por dhe si atlet i Krishtit, pastaj si udhëheqës e burrë shteti, duke qënë dhe kryediplomat, orator i shkëlqyer, vizionar i së ardhmes, ndër strategët më të mëdhenj në botë, sa sot është konsideruar edhe si komandanti i parë i supozuar i NATO-s, sepse do të udhëhiqte një koalicion Perëndimor, një kryqëzatë të atëhershme kundër pushtimit osman, superfuqisë së vetme të kohës, së cilës iu bë pengesë, mur mbrojtës për Europën, kështjellë e pamposhtur deri sa qe gjallë.

Prandaj armët e Skënderbeut, përkrenarja e tij, janë dhe pajime të Euopës së Bashkuar. Ne jemi ndër luftëtarët e saj të parë, që, për fat të keq, e humbëm Evropën dhe rigjetja e saj, bashkimi i natyrshëm me të, nuk janë vetëm aspiratë dhe përpjekje e jona, por duhet të jetë dhe detyrë e Europës, mirënjohje e saj për sakrificat, si të thuash duhet të jetë dëmshpërblimi që i bëhet Shqipërisë së persekutuar në 5 shekujt e fundit.

ANKTHI I TË PARIT

Të shihje përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut ishte ëndërr e hershme e çdo shqiptari, ankth, kompleks, “…në Belvedere në Vienë/ sikur pashë vetë Skënderbenë”, – do të ngazëllehej Naim Frashëri, kur u qëndroi pranë dy shekuj më parë, teksa shkoi i sëmurë në kryeqytetin e Austrisë. “…kam qejf t’i marr në dorë/ por muzeu ka rregulla dhe drejtorë.” – përsëriti Dritëro Agolli, edhe ai në Vjenë. Por Shqipëria ishte e mbyllur, diktaturë, jetonte si në rrethim, qytetarët e saj nuk dilninte dot dhe ishin më të varfërit në Europë.

Në muzeumet tona ishin kopjet e pajimeve të Skënderbeut, imitacionet, që, teksa i shihnim, na ngallnin trishtimin e të pavërtës dhe na dërrmonte asosacioni që jetonim në kohën e mashtrimeve të mëdha dhe të dhunshme…

Kur ra perandoria komuniste dhe Shqipëria po hapej, shqiptarët u dyndën në eksodin e tyre të dytë të madh, nuk po i iknin ndonjë pushtimi të huaj, por atij të izolimit, të dhunës dhe varfërisë së skajshme, donin të preknin lirinë, Europën e kulturës dhe të mirëqënies.                              M’u dha rasti dhe mua të shkoja për ca ditë në Vjenë dhe kujtoj endjet e mia delirante si ai që kërkon të vërtetën, kërkoja përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. I  gjeta në një muze me ndihmën e një studenti austriak, Günter Gügenberger, që më udhëhiqte me hartë në dorë. Ja, shikoi, më tha. U ula mbi dysheme pranë përkrenares dhe po shkruaja i përlotur. Kujdestarët e muzeut, kur më panë ashtu, më lanë pa më thënë gjë. Mbaj mënd një vogëlushe japoneze, që sapo u fut në pavionin e përkrenareve, klithi e magjepsur dhe vrapoi duke më kapërcyer mua për tek ajo e Skënderbeut. Mbase e joshi dhia mitike, prarimet e florinjta. Dhe vërtet përkrenarja e Skënderbeut ishte më e bukura aty.

Para dy-tre vitesh vajta prapë në Vjenë me një grup shkrimtarësh dhe pashë që ato ishin vënë në hyrje të Muzeut të Armëve, edhe përkrenarja, edhe shpata, dukshëm, sugjestionuese për ne si përherë. Siç duket ka patur shumë shqiptarë këto kohë, që kanë kërkuar t’i shohin. Ky interesim i ka bërë drejtuesit e muzeut që t’i shvendosnin dhe t’i nxjerrin më në pah, mendova, ndërsa bënim fotografi pranë tyre, me zonjën Helena Kadare, me mikun tim Lazër Stani, me time shoqe, me tim bir, me shkrimtaren austriake Andrea Grill, pastaj prapë foto, të gjithë bashkë, ndërsa shpata dhe përkrenarja jepnin vezullime të vetëtimta prej bliceve.

Gjithsesi ato do të shkëlqejnë madhërishëm, me një gëzim të gjallë, të vërteta këtë herë në vendin e tyre, në kryeqytetin e atdheut të Skënderbeut, jo shumë larg shtatores së tij, ku ai mbi kalë ka në dorë një shpatë parade, simotrën e asaj që e sollëm nga larg, nga Europa Qëndrore, ku ka mërguar që të dëshmojë luftën tonë për liri.         Dy përkrenaret, e bronzta mbi kryet e Heroit në sheshin “Skënderbej” dhe e vërteta pak më tutje, në Muzeun Kombëtar. Mbase dy dhitë mitike do t’i bëjnë shenja njëra-tjetrës, në mirëkuptim të plotë, pa xhelozi, të bindura tani që i shërbejnë kujtesës historike dhe kodit të jetës.

Shteti shqiptar mbush 100 vjet pavarësi, po ai i hodhi themelet me Skënderbeun, 5 shekuj më parë, me zanafillë shumë më të hershme, me shtetet ilire.

Tani që në Tiranë janë pranë e pranë dhe Libri ynë i parë, “Meshari” dhe bashkëkohëset e tij, përkrenarja me shpatën e Heroit Kombëtar, ndjejmë më mirë peshën sublime të kohëve, thellësinë e tyre prej rrënjësh. Më tej është Maozoleu Mbretëror, i porsa ringritur…

Na presin vepra të tjera madhore, nga ato që krijojnë kujtesë kolektive, ndërgjegje kombëtare dhe përgjegjési té lartë. Aleluja!


E SHKRUAR NË VJENË

më 30.12.1991


PËRKRENARJA E GJERGJ KASTRIOTIT
Ka më shumë se pesëqind vjet

që udhëtoj

për të mbërritur

 te kjo përkrenare –

me një dhi të florinjtë përsipër,

fluturuese,

që u hidhet qiejve.

Mbi brirë ka ende copëra yjesh,

shirita ylberësh.

Poshtë ka diçka nga toka e saj e errët. Ja,

reliefet e fatit, gunga të metalta – nyje ngjarjesh

dhe prapë terr.

Ka më shumë se pesëqind vjet që udhëtoj,

kalova mes betejave si mbi kufoma. Lashë pas

kështjellat. Ç’male që na vodhën

si sëndyqe karvanësh në Ballkan.

Ujëvarat rrëzohen –

valle vajzash

që hidheshin humnerave.

Gjithmonë në atdheun tim ulet nata,

ja si kjo përkrenare,

që unë e shoh i magjepsur.

Bie më gjunjë.

Xhamat si koha s’më lënë të prek.

Polen fluturash aty – gjurmët

e gishtave të poetëve.

Dëgjoj këngën e tyre si kori i burrave

në tragjeditë e lashta.

Dhia e praruar më njohu,

më ndjell me sy.

Afrohem drejt saj dhe blegërij

si livadhet e atdheut.

Gjithmonë kjo dhi kullot brenda meje.

Dhe shpesh herë

brirët e saj kanë dalë

mbi kokën time.

Hutohem. Flas përçart.

Ç’ëndërron përkrenare

e ikur kaq larg?

Cilin vallë? Përveçse kryet e popullit!

Po shpata e tët zoti

ku është?

Mbase mjaft goditëm midis nesh. Ti

na duhesh më shumë sot,

o Përkrenare,

hijerëndë

dhe sublime,

e bukur si ideja e kombit.

Vezullimi yt vazhdimisht

na avitet

… si mëngjesi.