Shteti dhe bursistët


Branko Merxhani


Branko Merxhani
Sa shkruam në numrin e shkuar, tendencat reformonjëse, ishte vetëm pikëpamja subjektive e kësaj çështjeje të madhe. Shfaqëm një princip të përgjithshëm apriori. Theksuam një nevojë kombëtare. Sot do ta shikojmë çështjen nga një tjetër pikëpamje, nga një anë më esenciale. Do të paraqitim pikëpamjen objektive të temës sonë. Çdo lëvizje reformonjëse, me një përmbajtje kombëtare dhe sociologjike, që të jetë serioze, pozitive, efikase dhe pemëdhënëse, duhet të ketë një bazë intelektuale të përgjithshme. Reformë do të thotë studim sociologjik i jetës së një turme njerëzore dhe zbatim jo vetëm i ligjeve, jo vetëm i urdhrave, po para çdo gjëje zbatimi i një sistemi sociologjik, i një sistemi të nevojave kombëtare. Vetëm një e tillë lëvizje reformonjëse mundet të ketë një farë vlere historike, e cila bazohet kurdoherë në kuptimin shoqëror (conception socialea) të një populli. Ky është ligji i aktivitetit të vërtetë të gjithë popujve të botës. Dhe çdo gjë që bëhet jashtë këtij ligji, është vetëm një imitim shumë i rrezikshëm për evolucionin normal të jetës së shoqërive. Duke u nisur nga kjo bazë shkencore, të cilën na e ka mësuar një Gustave Le Bon, njeriu nuk mundet veçse të qëndrojë një çast dhe t\‘i bëjë vetes këtë pyetje:

- Si është e mundur, makar edhe thjeshtësisht, të bëhet fjalë për reforma në një vend, i cili nuk paraqit asnjë gjurmë jete intelektuale? Ja problemi! Ja mrekullia! Jeta shqiptare, shpirti shqiptar janë nga një pikëpamje e thjeshtë psikologjike dhe sociologjike, një terra incognita (tokë e panjohur) e madhe akoma dhe për ne vetë, për bijtë e këtij vendi. Ky vend vuan, që prej shekujsh, jo vetëm nga mungimi i një bashkimi dhe jetë shoqërore të ndërgjegjshme, si pandehin disa, po vuan, bile thellësisht, edhe nga një normalitet psikologjik. Shqipëria, brenda në qarkun e qytetërimit evropian, është vendi, i cili është si një spital popullor i sëmundjeve psikologjike. Dhe as ndonjë shqiptar, bir i këtij vendi, nuk u gjet, të paktën gjer sot, që të sakrifikojë një pjesë të vogël të punës së tij mendore dhe të hedhë një sy mbi realitetin tonë të hidhur. Jemi bijtë e një race, e cila mbetet apatike, e painteresuar dhe e painfluencuar brenda një bote të tërë luftërash idealistike, brenda në një pellg korrentesh mendore. Mbi kryet tona shkuan gjithë rrebeshet e një rilindjeje, e një kryengritjeje frënge, sikur nuk ngjau gjë fare. Jemi bijtë e një race tragjike, e cila ndër njëzet shekuj me radhë mbeti mbi malet e saj, pa shkrim, pa shkolla, pa ideal shoqëror. Përse? Kur do vijë vallë ajo ditë në të cilën të paktën djemtë e mësuar të këtij atdheu tragjik do të mund të japin një përgjigje në këtë pyetje kryesore? Kur do të vijë dita, në të cilën errësira e thellë, që përmban historia e shpirtit shqiptar, do të shpërndahet dhe do të shfaqen edhe në qiellin e kthjellët të atdheut tonë ato yje të bukur të mendimit e të shkencës?

"Jemi dishepuj të një brezi që mundohet të dalë nga errësira në dritë", thoshte poeti gjerman dhe duket sikur na kishte ne parasysh. Këto radhë i shkruajmë me dhimbje e me guxim, zemra na drithërohet, meqenëse na pason gjithnjë fantazma e tmerrshme e Nietzche-s me atë fjalë të njohur: "Të vërtetat që fshihen, transformohen në katastrofa". Pra, është nevoja që të krijojmë një jetë mendore. Dhe jetë mendore do të thotë për Shqipërinë, jo krijim shfaqesh tipografike, as ngrehje qendra dëfrimesh, po princip, çap, kurajo për një gjurmim shkencor, serioz, të vazhduar, për analizimin dhe shpjegimin e vonesave historike dhe sociologjike të jetës kombëtare. Vetëm mbi një punë të tillë mund të mbështetet mendimi dhe sistemi i reformave. Dhe vetëm pas një zbatimi besnik të kësaj pune, do të mundemi dhe ne të hyjmë një ditë në qarkun e popujve të qytetëruar. Po është i kotë mundimi ynë që të duam të futim këto ide brenda në trutë e atyre, që bëjnë edhe sot akoma depon qendrore të mykut (muhles) të shekujve të shkuar. Jeta e re ka nevojë për burra të rinj. Vepra e reformave, puna përgatitëse që ka për qëllim të zbulojë ligjet psikologjike dhe sociologjike të jetës sonë kombëtare, si bazë për çdo përpjekje tonë reformonjëse, kjo vepër kolosale duhet t\‘i besohet vetëm një djalërie monarkiste. Dhe jemi të mendjes se është koha që të shfaqet, me fuqi të plotë dhe vendim të prerë, kjo forcë krijonjëse e Rilindjes sonë kombëtare, duke pasur mbi krye atë grusht gjenial, që është dhe i vetmi burim inspiracioni për çdo lëvizje të vërtetë dhe moderniste në Shqipërinë e sotme: Zogun I.