SHEKSPIRI IM... (Botuar ne Revisten letrare "METAFORA", Nr.2, PRISHTINE, Korrik 2011)

Suzana Zisi 



SHEKSPIRI IM...



Gjendet dikush, këtu...në kraharor, që shkruan, për mua, për ty:

“Nata është e errët. E nxirë është dhe dita. Univers i zi…

Hamletët mes territ enden barkzbrazur…

Laertët “pikturojnë”  një mbretëri në mbrëmje dhe e gëlltisin në mëngjes…
                                                          me “kështjella” ne bregdet e varre si bizhu…

Brinjë e eshtra hashashi, shqyhen së qeshuri
                                 me Lolon që për një copë buke
                                                             vdes në krye të detyrës…oiiii…oiiiiii…

Kafka Ofelish, përtypin fallosët* e semaforeve,
                                     nderur mbi reklamat e shoqatave për ardhmëri…

Makbethët, i gjen ngado, varur në stërkëmbësha nderi. Dunkanët  ha dheu i zi…


Në të dymbëdhejtën natë, Violat,
                                        fekondohen në fund-det me vezë “peshkaqenësh”,

Foshnjat, ngujohen në thellëdhomat e nje trageti,
                                                                   varur ne ëndërra te lagështa identiteti.

Sebastianët, paguajnë “Kartën e sigurimit të shëndetit” për në Ferr.


Mbretërit nëpër shalë dashnoresh,  tek shtrydhin brekë parash,  pikojnë uri…


Strukmu, strukmu thellëshpirtit Kalndesitin i Zemrës,    
                                                          dhe mos resht së shkruari…që:

Hijet dhe njerëzit i mbulon mëria…

Mashkulli nuk është mashkull Dhimbja ndihet femër…

Karta e identitetit – false. Emrat - konvencione me/pa/siguri

Siiii…? Ne qeniet moderne , nuk qenkemi dhe aq të egër?

Fli, atdheu im, gjumin e pëllumbit,  lebrosur e ngjyer realitetit bardhë e zi…


Ka haraç zhvillimi, ha e nginju Ti!
Se vjen  Ai, hamshori që t’i rrejp lëkurët si shpirtrat e maceve…

Të ngre, të ul, të flak, të përdor…
                              Dhe…një palë zgjedhje të servir në pusetën e librit të gatimit,

me garniturat: Lolo, Lir, Ledi Makbeth, urrejtje, intelektual, farsë…dashnor…

Ejani, me gjak emrat t’ua rishkruaj…

T’u rilind, t’u rivras e numrin përkatës (të identifikimit  në Purgator),
                                                                                           t’ua gdhend mbi lotin.

Që dallga e mashtrimit ta zhysë në bojë e gishti të shpallet theror…


Dhemb…
Dhemb…
Dhemb…
Dhemb…Shekspiri im…këtu…në kraharor…


©Suzana Zisi
 21 shkurt 2011