Rrëfehet shkrimtarja e njohur Raimonda Moisiu: Jeta ime mes SHBA-së, Shqipërisë dhe letërsisë


Raimonda MOISIU është shkrimtarja dhe gazetarja e pavarur, që i pëlqen shumë ta identifikojë veten se i përket letërsisë postkomuniste të Diasporës. E lindur dhe e rritur në qytetin juglindor të serenatave dhe blirëve, Korçës, në një familje të thjeshtë qytetare me tradita atdhetare e patriotike, ajo njihet për kontributin qytetar, intelektual dhe aktivitetin krijues letraro-artistik e publicistik në të dyja kahjet e Atlantikut! Aktualisht jeton me familjen në SHBA, në kryeqytetin e shtetit të Connecticut, Hartford, dhe për kontributin e saj qytetar e intelektual ajo është nominuar nga Bashkia e qytetit të Hartfordit me Official Citation si: ”Gruaja e Vitit në komunitet”, dhe që prej vitit 2005 aderon në Partinë Demokratike Amerikane. Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, Shkrimtarja shqiptaro-amerikane është përzgjedhur ndër personalitetet e Albanian Excellence – Candidates 2012. Po këtë vit ajo u nominua nga rrjeti Global Mbarëkombëtar me qendër në Londër me mirënjohjen; ”Gruaja Shqiptare e vitit”, dhe poezia e saj në Netët Poetike Ballkanike në Korçë u vlerësua me Çmimin më të lartë “Perëndesha e Dashurisë”! Në këtë intervistë sa interesante e mbresëlënëse, Raimonda rrëfen për jetën, sakrificat, sfidat, guximin e kurajon, punën, përkushtimin e saj,- si arriti të bëhet shkrimtare dhe një emër fort i dashur dhe i respektuar në median e shtypin shqiptar si gazetare.



Bisedoi: Flora N.Nikolla

Jeni një emër i njohur në fushën e publicistikës, poezisë e prozës. Kujtoni se sa vjet keni që shkruani? Çfarë ju ka shtyrë t’i kushtoheshit zanatit të të shkruarit?

 Ka qenë një proces interesant për mua. Të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -të konsideruarit “zanat”. Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre vepron me disiplinë. Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë. Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari si një “gjeolog”, rrëmon në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, të njerëzve të afërt apo edhe të atyre që e rrethojnë. Në këtë proces shkrimtari është thellësisht i vetmuar. Të jesh shkrimtar është një nga “zanatet” më vetmitarë në botë. Në teatër, film apo në një zyrë, ke kolegët, regjisorët, aktorët apo producentët,etj, ndërsa kur shkruan je brenda botës tënde shpirtërore, emocionale dhe frymëzuese, krejt e vetmuar.. Duhet të biesh në dashuri me të shkruarin dhe personazhin apo ç’ka je duke shkruar për të, kjo të bën t’i tolerosh vetvetes –vetminë e të shkruarit. Vëmendja është vetë-mposhtur në një mënyrë. Ka dy gjëra të vlefshme që lënë pas, të paktën për mua si shkrimtare; njëra është që shumicën e kohës gjatë procesit të të shkruarit e kalon në një dhomë duke jetuar me veten në një botë imagjinare, dhe tjetra është për të përfshirë në këtë botë imagjinare gjerësisht në lidhje me atë se çfarë mund të bëjmë teksa në jemi me këmbë në tokë. Ju më pyesni se çfarë më shtyri mua të shkruaja. Unë kam qenë një lexuese e pangopur në fëmijërinë dhe adoleshencën time. Ndërsa gjeja libra dhe mësoja rreth autorëve e bion e tyre në kopertinë, biles kam lexuar edhe libra “të verdhë” në gjeneratën time, kështuqë ka pasur disa lidhje mendore,  e humbur në botën e librave, dhe kuptoja se autorët ishin njerëz që jetojnë, pra kjo ishte për mua një shtysë që edhe unë të bëhesha si ata. Dhe fillova në vetminë time të shkruaja atë ç’ka më frymëzonte për momentin. E shkruaja kudo, në fletoret e shkollës, në cepat bosh të librave, deri aty sa shkruaja me shkumës në dyert e shtëpisë, apo me stilolaps në çantën e shpinës. Kështuqë vite që shkruaj kam që në fëmijërinë time, por kur erdha në Amerikë i solla këtu me vete tërë “zhgaravinat” që kisha hedhur dhe mundësia e ballafaqimit me teknologjinë kompjuterike më dha mundësinë të shpalosja këtë aftësi, pasionin për të shkruar. Tashmë, unë me mund e sakrifica, me mëndje të shëndoshë e krahë të fortë, kam krijuar profilin tim si Shkrimtare që i përket Letërsisë Postkomuniste të Diasporës dhe si gazetare e pavarur -publicistika është pasioni im i pashuar ndonjëherë.

Çfarë ju bën që të zgjidhni për të shkruar një temë… një ngjarje reale apo fantazi..?

Unë nuk mund ta di nëse kjo është e rëndësishme për të gjithë shkrimtarët, ashtu sikundër nuk mund ta dish se a do të jesh në gjendje apo të arrish diçka që ëndërron e dëshiron, apo ke talent, por ngadalë me kalimin e kohës vë re se shumë nga gjërat që ke përjetuar, i mendon se janë të dobishme, për t’i shkruar, ashtu sikundër janë jetuar me dhimbjen e shpresën, me gëzimin dhe hidhërimin, me të bukurën e të shëmtuarën, me optimizmin dhe pesimizmin, me idealizmin dhe grotesken,- pra përvojat jetësore. Është një lojë e rrezikshme t’i kërkosh shkrimtarit se çfarë ata mendojnë, kur shkruajnë në lidhje me një temë të përgjithshme, sepse vetë shkrimtari është lexuesi më pak objektiv i punës së tij, por një nga gjërat që mua më intereson si shkrimtare –është sfera e ndikimit te çdo personazh apo lexues, që do të ndikojë në botën time dhe me ambientin që më rrethon. Janë ndjenjat idealiste që më bëjnë të shkruaj për dhimbjen e dashurinë e të tjerëve, sigurisht edhe timen. Kur je duke shkruar, një ide merr jetë, magnetizohet me idetë e tjera në drejtim të saj, dhe ajo që dëshiron të bësh më pas të shtyn të shkruash ngjarjen ashtu sikundër ka ndodhur, se si ajo ngjarje i ka prekur njerëzit, mendon disa momente dhe më pas fanatazon. E rëndësishme dhe interesante është që të japësh maksimumin e ngjarjes që ta bësh lexuesin ta ndjejë, të befasohet, të përcjellësh mesazhin e dashurisë njerëzore, t’u ngresh moralin shpirtëror dhe më kryesorja është që idetë të marrin jetë për të treguar një ngjarje. Mënyra e të shkruarit është një element shumë interesant dhe i pashpjegueshëm. Shkoj për të fjetur, marr edhe diktofonin me vete. Jam në proces të të shkruarit të një libri, poezie apo publicistikë. Më vijnë lloj-lloj mendime e ide të ndryshme, zgjidhja e kapitujve të ndryshëm, strofave, opinion apo esse analizë letrare, i regjistroj në diktofon që të mos i harroj. Kur zgjohem në mëngjes teksa pi kafen në “tryezën e punës”-pra kompjuteri, papritur më lind tjetër ide krejtësisht e ndryshme, që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në një pjesë të jetës. Ka ëndrra prej tyre që kanë kuptim, ka të pakuptimta, sigurisht të gjithë kemi të tilla, por ato kanë rëndësinë e tyre të veçantë në jetën tonë, pra në rastin tim ato marrin kuptim nëpërmjet letërsisë. Sepse unë nuk mund ta shpjegoj, pse unë shkruaj disa gjëra që unë kurrë nuk e kam menduar, pra në një farë mënyre për të fituar para, por kjo për R.MOISIUN do të thotë një rrugë drejt teposhtës së qënurit artiste.Unë e shpjegoj si detyrim ndaj audiencës së lexuesve e dashamirësve të artit e letërsisë, dhe këtë e tregon më së miri që librat e mi të të gjitha gjinive i kam donatuar në institucione sikundër Bibliotekës së Burgu 325 i Grave, Tiranë, Bibliotekës së të paraburgosurve 302 Tiranë, Bibliotekës së Burgut të Sigurisë së Lartë në qytetin tim të lindjes, Korçës, në qendra të rehabilitimit të adoleshentëve dhe gruas, gjitha këto nëpërmjet aktiviteteve nën moton, “Një orë ndryshe më poezi, prozë e këngë”, iu kam dhuruar dashamirësve të artit e letërsisë në Kosovë, Greqi, Diasporë etj, kudo në trevat shqiptare.

Çfarë ka rezultuar më e vështira në artin e të shkruarit?

Gjithkush mendon se shkrimtarët shkruajnë në libra pjesë nga jeta e tyre. Këngëtarët i këndojnë vetes së tyre. Regjisorët bëjnë filma për jetën e tyre dhe piktorët pikturojnë portretet e tyre sekrete. Vërtet jeta është baladë dashurie, gjithmonë besoni në dashuri. Dashuria e vërtetë nuk vdes, sado kohë të kalojë, zemrat kanë të njëjtën rrahje si në fillim të saj dhe sekreti i zemrës mund të ndryshojë gjithçka. Dashuria njerëzorë triumfon në jetë. Për mua më e vështira në artin e të shkruarit ka qënë pjesa kur dhimbjen dhe dashurinë time në shpirt, apo harenë e gëzimin ta kthej fenomen shoqëror apo historik.

Mendimi juaj për letërsinë që shkruhet sot…cili është opinioni tuaj për letërsinë dixhitale…

Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë. Sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Shumica vuajnë nga sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë. Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Shkrimtari apo poeti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Edhe diçka tjetër që më ka rënë shpesh në sy dhe më ngjan se po bëhet “traditë”. Sigurisht që cdo shkrimtar jeton në një kohë të caktuar dhe i takon po një kohe e sistemi të caktuar dhe sigurisht krijimtaria e tij/e saj, do të jetë e angazhuar dhe është militant i problemeve të kohës në të cilën jeton, por shkrimtari kurrsesi nuk është zëdhënës i një grupimi politik, por në opozitë me shtetin, qeverinë, partitë politike -që interferojnë gjithcka, -që mbështet gjithçka të mirë në favor të popullit, i hap rrugën vlerave të së kaluarës në unifikim me vlerat e të tashmes e të ardhmes. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë. Një kategori përbëhet nga lajkatarë, një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, – të dyja janë ego vetgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Zgjedhja ime në të treja zhanret për t’u rrëfyer në çdo kohë varet nga tema e subjekti. Nëse poezia do të jetë më ekspresive unë zgjedh atë, nëse proza më jep më hapësirë unë përsëri zgjedh atë, nëse në publicistikë zgjedh një opinion apo këndvështrim për të shpalosur idetë dhe mendimet e mija, unë përsëri zgjedh atë. Por nganjëherë edhe unë vetë nuk mendoj; gjithçka vjen vetëm, si një këngë që vjen vetëm me një këngëtar. Por unë sigurisht shpresoj që gjërat vazhdojnë të ndryshojnë për mirë. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare nuk duhet paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë ; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’jua kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme. Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet. Letërsia dixhitale dhe media kanë ndryshuar aspektet si në qasje, shpërndarje, analizat, konceptualiteti dhe përcaktojnë literaturën. Mediat e reja kanë ndryshuar atë që do të thotë të lexojnë e shkruajnë, të konsumojnë dhe prodhojnë, duke na ofruar kështu sfida të reja në studimin e teksteve dixhitale si edhe ato të shtypura. Në veçanti aty gjejmë mënyra që na ofrojnë perspektiva të reja në letërsi dhe kjo formë e re e të shkruarit e teksteve letrare hap horizonte të reja. Letërsia dixhitale është zakonisht shumë e kërkuar, është e lirë, janë të arritëshme për të gjetur vepra të mëdha të letërsisë botërore. Procesi i dixhitalizimit të letërsisë tradicionale dhe veprave letrare është reflektues dhe na jep njohuri për marrëdhëniet e tij me librat dhe audiencën e lexuesve. Njerëzit tashmë shpenzojnë shumë kohë para kompjuterave, kështuqë pse të mos lexojnë një libër, se sa të bëjnë dicka tjetër?? Vërej se një punë mjaft të shkëlqyer, intersante e profesionale përsa i përket dixhitalizimit të letërsisë nëpërmjet bibliotekave virtuale janë ato të Gazetës Kritika në SBBA-ës me qendër në Virxhinia, dhe Fjala e Lirë Londër,Britani, kjo e fundit e drejtuar nga shkrimtari e publicisti, Prof.Dr. Akademik Fatmir Terziu. Të dyja këto gazeta kanë të mirën e tyre se lejojnë komente dhe kritika që janë nga më origjinalet e të mirëfilltë nga dashamirës të artit e letërsisë, lexues të thjeshtë, se sa ajo e dikujt që mbahet si kritik arti, dhe e bën për qokë e për para. D.m.th rritet interesi për të lexuar dhe detyrimi ndaj lexuesve sikur plotësohet më dukshëm e më mirë. Unë i përgëzoj të dyja këto gazeta për guximin dhe kurajon, punën dhe përkushtimin ndaj artit e letërsisë.

Jetoni për shkak të distancës larg jetës letrare të Shqipërisë. Megjithatë ju në një mënyrë apo tjetër jeni e pranishme në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni për jetën letrare të Shqipërisë, për krijuesit e rinj. Nëse do të rekomandonit disa libra…cilat do të ishin dhe pse?

Një pyetje mjaft interesante. Vitet e fundit po bëj një jetë midis Shqipërisë dhe Amerikës. Fillimisht dua të shpreh keqardhjen dhe dhimbjen time se si dha grahmat e fundit Lidhja e Shkrimtarëve dhe si ‘vdiq”, para syve të njerëzve të letrave shqipe, dashamirësve të artit e letërsisë, gazeta njëqind vjeçare “Drita”, gazetë me prurje cilësore letraro-artistike, me të cilën unë u rrita, u edukova dhe mund të them se ajo ka pjesën e saj në eksplorimin e pasionit tim për të shkruar. Ndjek me vëmendje aktivitet letrare që zhvillohen në trojet shqiptare dhe lexoj rreth tyre në shtypin shqiptar, lexoj për librat që botohen nga shkrimtarë të vjetër e të rinj. Biles në disa aktivitete letraro –artistike dhe promovime librash kam qenë edhe vetë pjesëmarrëse në Shqipëri dhe Kosovë. Falë iniciativës private u mbajt për disa ditë rresht i ashtuquajturi; ”Kongres Ndërkombëtar “Muza Poetike Pegasi-Vitrina 2012”, me objekt “Universaliteti i Vlerave në Letërsi dhe në artin Bashkëkohor” . Kongresi pati një shtrirje të gjerë në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë. Pjesëmarrja në të ishte shumë e madhe, kishte krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por kishte dhe binte në sy ajo- jo cilësorja e jo artistike, mediokre, biles pa e arritur nivelin mesatar. Gjithsesi kjo inisiativë duhet përshëndetur , është guximi për të sjellë në vëmendjen e shoqërisë alternativa në jetën letrare. Më duhet të vecoj e përgëzoj Klubin e Shkrimtarëve Joniane, Sarandë, me kryetar poetin e shkrimtarin Bardhyl Maliqi, për Ditet Joniane-2012, një aktivitet letraro-artistik i një niveli cilësor,artistik, ndërkombëtar, mbresëlënës e interesant, apo Netët Ballkanike Ndërkombëtare në Korçë, të organizuara nga poeti lirik Skënder Rusi, Takimet Letrare të Azem Shkrelit, Peje, Festivalin Drini Poetik-Prizren, Kosovë, etj. Ka qënë revista “Albania e vogël” e Zija Celës ku dalloje cilësinë dhe nivelin artistik letrar të saj, si objekt i jetës letrare, mjet për të gjallëruar dashurinë e bukurinë e së vërtetës, të dobishmen për artin e letërsinë.Sot ka fare pak revista të tilla mund të përmend “Milosao” të Gazetës Shqiptare, “Suplementin “Rilindasit” të gazetës Shqiptarja.com apo revistën Obelisk, të shtëpisë botuese Ada, e Roland Lushit, që kanë mbetur të vetmet tash për tash që na servirin letërsinë në nivel bashkëkohor, cilësor e artistik. Një arritje e jetës letrare në Shqipëri ishte edhe mbrëmja GALA –për dhënien e cmimeve “Kult”, -ishte një event kulturor, cilësor e në nivel të admirueshëm e të kënaqshëm artistik. Ndërsa për jetën letrare në SHBA-ës një meritë të vecantë ka organizimi i Ditës së Letërsisë në Michigan për cdo vit në muajin e letërsisë, tetor, nga poeti, shkrimtari e Botuesi i të vetmes Revistë në Diasporë KUVENDI, Pjetër Jaku -ku vërtet konkurojnë vlerat letraro-artistike, një aktivitet që i bën sfidë të hapur mediokritetit dhe antivlerës në lëtërsi e art.Po kështu edhe Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia tashmë është bërë simbol epoke në Diasporë e njohur për aktivitetet e larmishme disa herë në vit, me tëma të ndryshme që nga arti, letërsia, tradita deri te temat sociale. Dëshiroj të bëj një “replikë” dashamirëse me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-aemerikanë, që kanë rënë në një “përgjumje”, përsa i përket jetës e aktiviteteve letrare. Vemë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!! Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Apo mbrëmjet artistike muzikore të veçanta që jepen në TV shqiptare, janë kopje e shëmtuar e disa programeve në Amerikë, pra, këto duhet të qëndrojnë larg tyre, duhet të paraqesin traditën tonë popullore, trashëgiminë kulturore që e kemi thesar shumë të pasur. Kjo është një temë e gjerë dhe e prekshme, ka shumë për të thënë rreth saj. Jeta letrare në Shqipëri është e përqëndruar vetëm në emra të veçantë e të përhershëm…. Unë do ju drejtohesha kolegëve në Shqipëri e trojet shqiptare të hedhin sytë nga Letërsia Postkomuniste e Diasporës, që i përket periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes për të gjithë njerëzit, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj, të cilët sollën zbulimin e një zëri të veçantë rreth veprave të Rilindjes të shpirtit shqiptar krijues të letrave shqipe, rreth ideve të artit si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes dhe formimit fizik e intelektual, shpreh më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Në dashuri, në art, në jetën social-ekonomike-politike njeriu është vetëm gjysma, ndërsa gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet dhe filozofia e tij. Pra jemi ne që bëjmë art e jetë, në një trup e mendje të vetme përcjellim –mesazhin e dashurisë njerëzore. Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, e cila tashmë është grupuar në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, aderojnë figura të njohura të letrave shqipe, për etikë respekti nuk po veçoj emra, për mos qenë në analogji me atë siç e shpreha më lart që jeta letrare në Shqipëri është e përqëndruar vetëm në emra të veçantë e të përhershëm… Veçoj se edhe aty kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësisë mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar. Gjithsesi me anë të shkrimeve dhe opinioneve përpiqemi për mprehtësinë e të vërtetave letraro-artistike, morale, promovimim të vlerave dhe ideve të vërteta profesionale e të talentuara, si kundërvënie të mediokritetit e kokëboshësisë të atyre që pretendojnë se janë të talentuar. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato janë vlerësuar nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Po sigurisht, kam lexuar disa libra kohët e fundit, të shkrimtarit Fatos Kongoli, të shkrimtarit Ramiz Gjinit “Bibollasit”, ku kam paraqitur edhe këndvështrimin tim letrar e kritik,me titullin “Njerës të dyzuar”, penën eseiste të Roland Gjozës., të romancierit Vlash Fili, të shkrimtarit popullor Petraq Janko Pali,  të shkrimtarit Mëhill Velaj, “Klithma e shekullit”, një roman i dhimbshëm e historik për ngjarje reale në luftën e Kosovës. Teksa e lexon romanin të mbush me emocion dhe ofron një portret të mprehtë, të mencur e të matur të burrave dhe grave që luftuan, u bënë prova e kombit, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Të shkrimtares e poetes Flutura Acka, një figurë e përsosur e kompletuar si autore e lëvizjes feministe të autorëve femra në letrat shqipe, poezitë e Luljeta Leshanakut, të Skifter Këllicit, “ Vorri i Ashikut” të Riza Lahit, të Ben Blushit, poezinë lirike të Kolec Traboinit, Skënder Rusit, Ilirian Sulkuqit, Vojsava Nelos, të shkrimtares Albana Melyshi,  “Kurban’’ të Edi Ramës, edhe për këtë të fundit shkrova këndvështrimin tim publicistik, etj.





Biografia letraro-artistike e publicistike e shkrimtares Moisiu

Anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, SHBA, Anëtare e Klubit të shkrimtarëve e artistëve korcarë “Bota e Re”, Anëtare e Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve vlonjatë “Petro Marko”, Vlorë, Anëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Botës me qendër në Ohio, SHBA, Anëtare e Shoqatës se Poetëve të Botës, me qendër Larisa, Greqi. Anëtare e Shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”, Moderatore dhe bashkëthemeluese e Forumeve www.panalbanianwomennetwork.org dhe Tefta Tashko Koço on line -Anëtare e “Familja & Media” Tiranë. Anëtare dhe Koordinatore e Rrjetit Mbarëkombëtar Global në SHBABotimet letrare e publicistike;-Jeta mes dy dashurive”, libër me prozë e publicistikë-”Dashuria nuk ka emër”.- Vëllim poetik, lirika dashurie.- “Sikur s’më ke puthur kurrë”-Vëllimi poetik,Lirika dashurie.-Lulëkuqja e Egër-Vëllimi poetik-Lirika dashurie-në katër gjuhë:Shqip, anglisht, italisht dhe greqisht-”Duke kërkuar Ardianën…”- libër me prozë dhe Esse!-”Gërhitja e gjeneralëve”- Libër publicistik,-”Pafajësia e Evës” – Roman-”Gjëmimi i moshave”-Tregime,-Maska e intelektit”-Esse & Publicistike- Letrat shqipe këtej & përtej Atlantikut-61 INTERVISTA -Libër voluminoz me 600 faqe.Pesë poezi lirike dhe me ton qytetar të poeteshës korçare, shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, u përzgjodhën në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë 2009-ë, e quajtur Netët Poetike të Strugës,(Struga Poetry Evenings) si një ndër më të arrirat dhe bashkëkohore  duke hyrë kështu në antologjinë botërore: Who’s Who, me titull: ‘Poetry from five continents”,(Poezi nga pesë continentet).-Është bashkautore në vëllimin me poezi;”Olimpi Shqiptar”-Është bashkautore në antologjinë në gjuhën rumune:-”Tempulli i fjalës”Është bashkautore në antologjinë e botuar nga Fotjonart:- “Itaka e Fjalës”Është bashkautore në antologjinë:- “Zemra Prindërore”, -nga forumi virtual “Mëmëdheu”.Është bashkëautore në antologjitë me prozë:”Nëna”,- nga Forumi “Pan Albanian women network”.“Tregime”,- nga Shtëpia Botuese ADA, TiranëVlerësimi me cmime:-Është fituese e Cmimit të parë, për Rubrikën Reportazh nga Fotjonart.-Fituese e çmimit të dytë-për Tregimin më të mirë-nga-Forumi Shqiptar.Fituese e çmimit të tretë -Kadmus-  ër rubrikën Intervista-nga Pelegrini -Athinë Greqi.Fituese e “Çmimit të Parë Ballkanik”,për poezinë lirike, në Netët Korçare të Poezisë.Fituese e Çmimit të Parë në poezi nga Redaksia e Gazetës “Nositi”, PogradecFituese e Çmimit “Petro Marko” në gjininë e Tregimit nga revista “Kuvendi” paraqitur në Ditën e Letërsisë Shqipe në Michigan.Poezia me temë sociale e qytetare ; “Nuk munden më ..”, u vlerësua si poezia më e mirë në:”Takimet e At’Gjecovit 2009″-në Zym të Hasit, Kosovë.Fituese Çmimit më të lartë Ballkanik në poezi; ”Perëndesha e Dashurisë”Poezia e poetes e publicistes Raimonda MOISIU përzgjidhet cdo vit në Takimet Letrare të Azem Shkrelit, Pejë, në Festivalin Drini Poetik,-Prizren dhe Takimin  e Poeteshave në Vushtrri , -Kosovë. Është bashkëpunëtore me statusin e gazetares së pavarur e disa gazetave në shtypin shqiptar, Shqipëri, e jashtë trojeve si: Tirana Observer, Panorama, MAPO, Albanian Mail-dhe “Fjala e Lirë” – Londër, Gazeta Kritika dhe “Illyria” – SHBA. etj. Dashamirësia për artin, letërsinë e publicistikën e kanë bërë një autore shumë prodhimtare dhe të admirueshme për audiencën e lexuesve. Ka në proces dorëshkrimi e botimi vepra të tjera, por këto le t’ia lemë kohës…

-Çfarë vendi zë letërsia në jetën tuaj?

Më ka pushtuar të tërën. Jam gati të bëj çfarëdo sakrifice për krijimtarinë time. Unë, megjithëse jam zonjë shtëpie, mund të rri me orë e orë të tëra mbi kompjuter, pa pirë edhe një kafe.Po publicistika, si do ta përcaktonit publicistikën që shkruhet sot?Më ke prekur në pikën më të dobët, të pasionit tim për publicistikën dhe gazetarinë, që më lidh dashuria e pakufishme e patjetërsueshme me asgjë tjetër në botë me atdheun dhe bashkëkombasit e mi. Unë kaloj orë të tëra, në median elektronike lexoj me interes e vëmendje të veçantë artikujt publicistikë, sa shumicën e publicistëve i dalloj prej stilit të tyre të të shkruarit, sikundër; Roland Qafokun, Mustafa Nanon, Alfred Lela, Andrea Stefani, Mero Baze, Lorenc Vangjeli, Skënder Minxhozi, publicistika e tyre e standardeve shumë të larta që nuk e gjen shpesh, të Fatime Kullit, apo të mikut tim Riza Lahi, apo brilantit të publicistkës postkomuniste të Diasporës Rozi Theoharit, etj, etj. Unë dëshiroj të falenderoj publikisht publicistin Roland Qafoku, për mbështetjen dhe hapësirën e padiskutueshme që më ka dhënë në promovimin e vlerave të mija në publicistikë. Dua të falenderoj kryeredaktorin e stafin e gazetës Tirana Observer që më kanë bërë pjesë të gazetës së tyre nëpërmjet hapësirës dhe botimit të shkrimeve të mija, gazetë që më “rriti” e maturoi në gazetari. Është pikërisht meritë e publicistit Roland Qafoku, Altin Sinanit, Erjon Habilajt dhe stafin e kësaj gazete që sot unë jam një emër i dashur në shtypin shqiptar. Unë do të vazhdoj të shkruaj, kurrë nuk do të ndalem, të evidentoj vlerat më të mira të bashkëkombasve të mij në Diasporë, si shqiptarë që janë krenarë për kombësinë e tyre, si njerëz që respektojnë e zbatojnë ligjet dhe zakonet e vendeve ku ata jetojnë e punojnë, të evidentoj vlerat dhe kontributin e njerëzve të shquar të Korçës sime, për të ngritur e ndriçuar emrin e shqiptarit, identitetin tonë kombëtar, kudo ku ka shqiptarë. Të ngre zërin në mbrojtje të grave, vajzave dhe nënave që vazhdojnë të vriten, për dhunën fizike dhe sociale që ushtrohet ndaj tyre, stop dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Dua që pena ime publicistike të mbjellë kudo emrin e mirë të shqiptarit. Në publicistikë përveç reportazheve, opinioneve, esseve dhe analizave letrare, që janë botuar në shtypin shqiptar dhe të diasporës, i kam përmbledhur në disa libra publicistikë respektivisht me tituj sinjifikativë: ”Jeta mes dy dashurive”, “Gërhitja e gjeneralëve” dhe “Maska e intelektit”, kam botuar librin me 61 intervista në shqip dhe anglisht, me titull “Letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut” e vlerësuara nga kritika e kohës si ura e bashkimit midis Diasporës e Atdheut! Janë 61 personalitete të profileve të ndryshme në jetën social-ekonomike-politike, në fushën e artit, kulturës, muzikës e letërsisë, intelektualë e qytetarë shqiptarë, shqiptaro-amerikanë dhe amerikanë, të intervistuar prej meje. Jam në proces intervistimi për vëllimin e dytë me intervista, dhe do të ketë një surprizë në këtë vëllim; intervistimi i një personaliteti të rëndësishëm e të shquar të politikës e jetës amerikane. T’ia lemë kohës kur të botohet libri për të zbuluar emrin dhe identitetin e tij. Gjithsesi më duhet të shprehem se në shtypin e median shqiptare zotëron një publicistikë mesatare. Bie shpeshherë,- erë militantizmi dhe komercializëm. Sigurisht ka edhe publicistikë të standardit shumë të lartë, që nuk gjendet shpesh.

-Përkthimi vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme në jetën tuaj?

Përkthimi besoj se është një lloj intensiteti. Mendoj se intensiteti është i ndryshëm në përkthim, parasëgjithash ju duhet të kuptoni idenë dhe fjalët e poezisë, prozës apo të një shkrimi publicistik. Studimi i pjesës që do të përkthesh është mëse i nevojshëm. Kur përkthej poezi, nga shqipja në anglisht i bëj në tre versione; nga më i thjeshti deri në më i ndërlikuari. Sepse kur ke versionin e parë, atëherë ke idenë për të bërë edhe versionet e tjera, pra ke një spektër më të gjerë në përkthim- nga përkthimi fjalë për fjalë kalon në përkthimin me figura letrare, sinonime dhe në përshtatje. Ndërsa përkthimi i publicistikës është më e lehtë se sa përkthimi i poezisë. Unë lëvroj edhe publicistikën amerikane që e pëlqej shumë dhe kam sjellë artikuj të përkthyer në shqip; epokat presidenciale dhe presidentët që i kanë bërë këto epoka që nga- Teddy Ruzvelt,-njeriu që themeloi Amerikën moderne dhe superfuqinë e botës, Franklin Delano Rusvelt –themeluesi i Lidhjes së Kombeve , njeriu i epërsisë dhe veprimit, presidenti që fitoi Luftën e Dytë Botërore, Gerald Ford Jr.-një figurë imponuese në histori, Xhorxh W.Bush, -aureola dhe personaliteti i Ronald Regan dhe Barack Obamës, Churchill, Condoleza Rice, Kofi Anan, Mbretëresha Elisabetë e Dytë, Ariel Sharon etj., etj, këto janë botuar jo vetëm në shtypin shqiptar, në gazetën Albania daily News, por edhe në librat e mi. Pra, ajo ç’ka është e rëndësishme në jetën time përkthimi ka një vend të veçantë sepse përcjell mesazhin e mirësisë e dashurisë edhe për dashamirësit anglishtfolës të poezisë apo të publicistikës. Tregime deri tani nuk kam përkthyer, më shumë kam përkthyer poezi e publicistikë nga shqipja në anglisht nga anglishtja në shqip.Në listën e gjatë të botimeve një vend të veçantë zë edhe poezia. Cila është lidhja tuaj me të?Poezia për mua është kapja e ndjenjës, një moment apo gjendja emocionale e shpirtërore që ndodh në jetë. Të shkruash poezi është një përpjeke për të arritur të njëjtën përgjigje emocionale në akord me lexuesin. Poezia është gërshetimi i artë i fjalës, i ëndrrave dhe dëshirave .Poetët janë të kulturuar, pasionantë, ëndërronjës të shoqërisë me parametra qytetare dhe intelektuale. Një poezi është ndjenja e mendimi i shprehur në pak fjalë, një histori të dhimbshme apo të bukur. Ashtu sikundër më ndodh edhe mua kur lexoj poezinë e një poeti tjetër. Në rast se unë ndjej momentin dhe lidhem me atë që poeti është duke mesazhuar, atëherë mendoj se poezia është e mirë dhe mesazhi që ai/ajo përcjell ia ka arritur qëllimit. Udhëtimi im poetik është punë mendore në zhvillim, i pakëputur në copëra, duke prodhuar imazhe dhe efekte, duke i prekur ato me qëllim që edhe lexuesi t’i shijojë. Unë kam patur një fëmijëri të lumtur, por kam pasur edhe mallkime, kam humbur njerëzit më të mirë në jetën time, në varësi se si i shohim për t’i kujtuar ata, vendet dhe ngjarjet e bukura e të dhimbshme. Kjo dhunti më mundësoi mua që çdo dhimbje e gëzim ta hedh në vargje. Një nga poezitë e para që kam shkruar ishte pas një fatkeqësie që ndodhi në familjen time, humbja e vëllait tim të shtrenjtë. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur vdiq, por la një ndikim të dhimbshëm për mua. Unë kam lëvruar pjesën më të guximshme të poezisë për femrat shqiptare, atë lirike, erotike, meditative e krehur bukur me skena hipotetike të besueshme, të ndjeshme dhe me etike intime poetike. Në udhëtimin tim poetik gjen vajzën, femrën qytetare emancipuese, kurajoze, ekspozoj brishtësinë femërore, e cila jep e merr dashuri, gjen tonin qytetar e intelektual, me guxim ndaj ambientit, rrethanave, mentaliteteve, dhunës ndaj gruas, -përcjell mesazhin e dashurisë njerëzore i them botës;- Duamëni se jam grua! Kam pasur tre lloj vlerësime edhe unë; -vlerësime të ndershme e objektive-vlerësime lajkatare maskilistësh të etur për lidhje jashtëmartesore,-vlerësime ambiciozësh që i shtojnë vetes strese duke patur zili gjërat të shkruajtura nga unë, një emër jo fort i njohur në poezi para pak vjetësh. Gjithsesi, të gjithë i përshëndes, se fundja ata/ato e kanë lexuar poezinë time. Sa për mbështetjen e poetëve të tjerë kam ndjerë gjithmonë përpjekjen për të ndihmuar në promovimin e të tjerëve, të ndajmë së bashku eksperiencat. Është klishe e lashtë”. Çfarë shkon rreth, vjen rreth e rrotull” –një gjetje kjo veçanërisht e vërtetë e mbresëlënëse për komunitetin e poetëve. Unë kam takuar e takoj shumë poetë personalisht dhe virtualisht, që bëjnë përpjekje për të ndihmuar, ndajnë idetë, bashkëpunojnë dhe pranojnë këshillat e njëri tjetrit. Rrallë kam takuar poetë që të urrejnë, por ka edhe nga ata të dëshpëruar e ziliqarë që dëshirojnë të shohin një poet/poete të dështojë në krijimin apo promovimin e vlerave të tyre si artistë. Ata janë përgjithësisht “njerëz të mirë”, që për fat të keq janë përhapur duke keqpërdorur rrjetet sociale me nofka e pseudonime. Por poeti apo shkrimtari duhet të jetë më pak i shqetësuar; kurrë nuk duhet të mërzitet nga këto “përçartje të egra të nofkaxhinjve”. Unë nuk shkruaj poezi për të qenë e pasur apo të fitoj famë, unë me penën time poetike lirike erotike bëj kompromis me lirinë, që nuk e njeh frikën, me vetveten, përshëndes emocionalisht dhe artistikisht emancipimin shpirtëror, qytetar e intelektual të femrës shqiptare, – në emër të dashurisë njerëzore.

Sipas jush cili është funksioni që ka poezia? A mund të jetojë një poet me poezinë që krijon? Pse vazhdon të konsiderohet një luks në krahasim me prozën?

Për mua, ka tre faza që ndodhin në të njëjtën kohë. Ka një fazë që quhet frymëzim fillestar. Diçka që unë shoh, përjetoj, natyrën, muzikën, mjerimin, varfërinë, mirëqenien, kamjen e skamjen, dhunën, zogjtë, historia, gjeografi, heronjtë, atdhedashuria, dashurinë e dhimbjen, grotesken, gëzimin dhe dëshpërimin, vlerën e antivlerën,apo ide që vijnë në mëndje edhe kur je duke bërë punë shtëpie dhe unë mbaj diktofonin me vete dhe i regjistroj aty që të mos i harroj. Më pas është faza kur ulem për t’i shtjelluar këto ide, më shumë shkrim i lirë, ku unë i lejoj vetes që idetë të marrin çdo drejtim, pra në proces zbulimi. Pastaj është faza e tretë, kur unë i rikthehem përsëri krijimit tim nga faza fillestare deri në redaktimin e plotë të saj. Funksioni i poezisë? Poezia për mua është përpjekja që të bashkosh idetë me fjalë. Dhe duhet të jeni të aftë për të dyja. Fjalët e përdorura nga poetët janë fjalët ndjellëse dhe kanë anën e tyre intelektuale, ndjejnë sensin që përshkon çdo poet që krijon. Unë kurrë nuk jam e kënaqur me atë që shkruaj apo me veten time. Nganjëherë unë kaloj netë pagjumë duke medituar për funksionimin e poezisë. Respektoj poezinë në maksimum, ashtu si ai fetari që respekton fenë e tij. Unë besoj shumë në të qenët poet në të gjitha çastet e jetës. Të qenët poet është njerëzore, jo luks. Njoh një kategori poetësh, sjellja e përditshme e të cilëve nuk ka të bëjë fare me poezinë. Poezitë e tyre më artificiale se proza. Ato janë më intensivisht të fabrikuara. Poezisë së tyre nuk mund t’i besosh. E vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj këtë racë poetësh dritëshkurtër duke trumbetuar pretendimet për poezitë e tyre dhe arrijnë deri aty sa të “rrëmbejnë” çmime. Më duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj në ndershmërinë e tyre. Poezia ka vështirësitë e veta. Por gjithsesi edhe poezia e proza ecin bashkë si dy nimfa të dashuruara.

Keni fituar disa çmime në letërsi? Cili është opinioni tuaj për çmimet? Cilat janë anët pozitive dhe negative të tyre?

Unë jam ftuar të marr pjesë në disa Festivale letraro-artistike, kombëtare e ndërkombëtare, si kundër; Netët Poetike Ballkanike në Korçë dhe u vlerësova me Çmimin e parë në 2010 dhe këtë vit me Çmimin “Perëndesha e dashurisë”, Festivali Poetik Drini në Prizren, Takimet e At’Gjecçvit ku poezia ime me ton qytetar e intelektual “Nuk mundem më..!” u vlerësua si një nga poezitë më të mira, në Festivalin Poetik Ndërkombëtar të quajtur Netët Poetike të Strugës, ku poezia ime u vlerësua në antologjinë botërore Who’s Who-“Poetry from five continents” mes 84 poetëve nga e gjithë bota, jam fituese e Cmimit të parë në poezi nga revista “Nositi”, Pogradec, jam vlerësuar me Çmimin “Petro Marko“ në gjininë e prozës nga Revista Kuvendi Michigan Detroit, me Çmime të Parë në reportazh, Çmim të Dytë në publicistikë, etj. Unë mendoj se anët pozitive të çmimeve qëndrojnë në faktin se puna jote krijuese është lexuar e vlerësuar dhe kjo të jep muzë, frymëzim, dashamirësi dhe përgjegjësi profesionale për më tej, ndërsa anët negative nuk di çfarë të them për këtë. Më mirë t’i shohim gjërat pozitivisht.

A ekzistojnë ndryshime mes letërsisë së shkruar nga femrat…dhe asaj nga meshkujt? Cila letërsi mendoni se shitet më shumë?

Është një temë tepër e gjerë. Unë i dalloj menjëherë meshkujt që duan të tipizojnë në poezitë apo tregimet e tyre. Një femër edhe kur shkruan për tema tabu duke përshkruar aktin intim me imtësira ashtu sikundër ajo e ka përjetuar vetë, përpiqet sadopak të jetë e mundur transparente dhe me elokuencë, që është ajo pjesë aq tërheqëse dhe e ndjeshme për meshkujt e tërë botës. Sot letërsia e femrave autore po zë një vend të veçantë në tërë globin, dhe kjo duket edhe Çmimin Nobel në letërsi e mori një autore,- Herta Muler. Këtu në USA ku jetoj unë më shumë “bestseller” janë librat e autoreve femra. Cila letërsi shitet më shumë? Përse po më pyesni e dashur Flora? Nuk e dini ju se po shitet letërsia e njerëzve të politikës?? Dhe që do të thotë –sikundër shkruan një miku e kolegu im modest i ndershëm dhe me arritje të mrekullueshme në fushën e letërsisë e publicistikës që lëvron, Riza Lahi, -se ”letërsia shqipe po përjeton grahmat e saja të fundit, tanimë që edhe llogorja që nuk duhej të binte kurrë ajo e letërsisë , ra! Ra nën thundrën e njerëzve të shtresës së tmerrshme të politikanëve”.

Raimonda, ju jetoni dhe punoni si qytetare amerikane në Hartford Connecticut bashkë me familjen tuaj ku jeni dalluar si organizatore dhe aktiviste në komunitetin Shqiptar të Hartford-it. Për kontributin tuaj të çmuar jeni nderuar me OFFICIAL CITATION, me motivacionin”Gruaja e vitit në komunitet” nga Bashkia e kryeqytetit të Connecticut, personalisht nga Kryebashkiaku i Hartford-it dhe së fundmi nga Rrjeti Global Mbarëkombëtar, si “Gruaja Shqiptare e vitit”. Si u ndjetë kur morët këto çmime?

Me vështirësitë që has çdo emigrant, por edhe me sakrifica, unë e familja ime filluam të integroheshim në jetën e komunitet shqiptar dhe amerikan në të gjitha drejtimet. Krijova lidhjet e mija me shpirtin qytetar, patriotik, atdhetar, intelektual të komunitetit shqiptaro- amerikan dhe organizojmë sa më shpesh që të mundemi, aktivitete artistike-kulturore me taban historik dhe kombëtar. Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është ruajtja e traditës, gjuhës, zakonet, kulturën, vlerat kombëtare dhe identitetin shqiptar, për ta transmetuar në brezat që vijnë në tokën e huaj, sidomos te ata që lindin në USA, apo kanë ardhur në një moshë fare të re. Aktivitet kanë natyra të ndryshme. Komuniteti shqiptar i Hartfordit në Connecticut, ku unë jetoj, është një komunitet i mrekullueshëm, ashtu sikundër janë gjithë komunitetet shqiptare kudo në USA. Shqiptarët janë ajo pjesë e emigracionit të vjetër e të ri shqiptar, që ngrohen me idenë e krenarinë e të qenit shqiptar; janë pjesëtarë të kulturuar e të emancipuar në vendet, ku ata jetojnë e punojnë, taksapagues të rregullt dhe respektues të ligjeve dhe zakoneve të këtyre vendeve. Unë tashmë u bënë 7 vjet që aderoj në Partinë Demokratike të mikut të shqiptarëve, Bill Klinton, apo të Barack Obamës. Qëllimi im që unë investoj si anëtare e Partisë Demokratike të njeriut aq popullor në mes të shqiptarëve, Bill Klintonit, është për të ngritur zërin e komunitetit shqiptar të Hartfordit; për ta integruar sa më bukur atë në demokracinë amerikane; sigurisht duke pasur edhe një ndjenjë respekti e mirënjohje për Bill Klintonin, si një personalitet dhe burrë shteti, që i doli në mbrojtje popullit tim shqiptar të Kosovës. Që, për më tepër, i tregoi botës dhe Europës kristiane se si një kristian, mbron të drejtën e një populli të besimit mysliman, duke dalë hapur në mbrojtje të popullsisë myslimane të Ballkanit e duke ju kundërvënë edhe me gjuhën e luftës, makinës vrasëse serbe dhe kasapit Millosheviç. Një aktivitet shumë i bukur, human dhe shpirtëror që kam organizuar me gra – emigrante ekonomike nga Shqipëria këtu ku jetoj, është prerja e flokëve nga këto gra dhe dhurimi i tyre, Qendrës Spitalore të Kancerit, Saint Francis Hospital, për gratë që vuajnë nga kanceri në gji. Ju e dini se, nga bioterapitë që kalojnë këto gra të sëmura, atyre iu bie floku. Nga ky aktivitet që mori vlerësime nga Departamenti për “HUMAN RELATIONSHIP”, në Hartford. Ishim 15 gra shqiptare. Aktiviteti i fundit që unë së bashku me vatranët veteranë është festimi i 100 Vjetorit të Themelimit të Organizatës Pan Shqiptare Vatra, me pjesëmarrje të admirueshme e mbresëlënëse, me ndjenjë atdhetadashurie, shqiptarie e patriotike të kouminitetit shqiptaro-amerikan në Hartford. Këtë aktivitet e pasqyrova në shtypin shqiptar dhe atë të gazetës lokale të Hartford-it , ku morrëm vlerësime të sinqerta e të admirueshme.

Janë SHBA një vend i mirë për të jetuar?

Unë jam qytetare shqiptaro–amerikane. Në një farë kuptimi, duhet t’ia kem zili edhe një bujkeshe Devolli apo Kukësi e cila njeh vetëm një mëmëdhe, e jo dy, siç kam unë, Shqipërinë time, por, tashmë, edhe Amerikën time. Unë i jam mirënjohëse deri në rrahjen e fundit të zemrës, bashkëkombësve të atdheut tim, që ndenjën në atdhe, që duruan varfërinë, mjerimin, korrupsionin, egërsinë anadollake, klasën e përbindshme politike, por…oh, nuk u larguan. Ata janë aty në atdhe, për të na e mbajtur zjarrin e shtëpisë ndezur sa herë që vijmë ne nga tokat e huaja ku kemi ngritur foletë tona. Ne i kemi zemrat në Shqipëri, por rrojmë fizikisht diku tjetër.Është e vërtetë shprehja …një vend është si një pikturë… sa më larg ta shohësh aq më mirë e dallon… (e kam fjalën në këtë rast edhe për Shqipërinë)?Amerikani ka një shprehje tejet simbolike;” East or West –home is best” –që në shqip do e përktheja “nuk ka si vendi tënd!” Hajt, le të them edhe unë ashtu. Por unë do të thoja se e dalloj po aq mirë Shqipërinë që sa shkel në Rinas. Unë kam shkruar një poezi për një lypës që erdhi të më mbante valixhen, njëherë në aeroportin e vetëm të Atdheut. Atij i ishte vrarë nëna dhe babai në Gërdecin e tmerrshëm…E ç’më duhet mua vështrimi i shqiponjës para kësaj drame që e përjetova vetë kur shkela në Rinas? Por gjithsesi Atdheu është mishi e gjaku im!!

A keni mall për Korçën…, si do ta konsideronit qytetin tuaj?

 Sa herë vij në vendlindje, Korça më duket më e bukur, malli për të më shtohet akoma më shumë, dua të prek me dorë, mendje e shpirt gjithçka që mban brenda zemra e saj, të eci e shkujdesur në sokakët me gurë dhe pastërtinë e tyre, ashtu si dikur kur hodha hapat e para, apo belbëzova për herë të parë emrin e vendlindjes sime, që më bën të ndjehem krenare, që me themelimin e saj është mbartëse e bukurisë natyrore dhe mondane, traditës, historisë, dijes, kulturës, dashurisë, njerëzve të shquar që kanë bërë e bëjnë historinë e saj. Dua të prek e shijoj aromën e blireve, të ndjej melodinë fëshfëritëse të gjetheve e përzierë me melodinë e serenatave, të më puthë krahët, fytyrën, buzët, era e freskët e mëngjesit, ashtu sikundër “puth” shpatullat e Korçës sime mbështetur përjetësisht në malin e Moravës. Të prek e ndjej nga afër idealizmin e qytetarisë korçare për zhvillim, për ta pasuruar e zhvilluar Korçën në çdo aspekt. Çdo gjë që shoh, kudo që unë hedh sytë, shoh mendjet krijuese në forma të ndryshme; ndërtesa, libra, piktura, skulptura, monumente, lulishte me barin e blertë e aromën e luleve shumëngjyrëshe, qetësinë e qytetit, ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, ndërtesat antike qindravjeçare mondane dhe historike, shtëpitë karakteristike, trashëgiminë kulturore, qytetare dhe intelektuale korçare, që në përfytyrimin tim janë si ato pikturat që kanë ardhur e të tjera presin të vijnë në jetë, piktura që komunikojnë mesazhe të thjeshtë e komplekse, një dialogim i së kaluarës, qartësi e së tashmes, udhë e së ardhmes, pa njohur moshë dhe flasin gjuhën e çdo kulture. Këto ndjenja të shpallura në forma të ndryshme janë shprehje e festës së jetës e përjetësisë. Ato mbartin në vetvete pasurimin me kulturë, art, bukuri, dinjitet dhe sigurojnë identitetin e qytetarisë korçare, sfidës, sepse ato kërkojnë kohë për të kuptuar dritën dhe bërë të njohur emrin e qytetit tim Korçës.

Çfarë do të donit që të ishte ndryshe në Korçë?

Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korcë, i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe që është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit,kulturës e dijes, që e pasurojnë të tashmen tonë mes të bukurës e të përditshmes njerëzore.

Cilat janë planet tuaja krijuese për vitin 2012?

Planet e mija krijuese janë të shumta. Kam shumë gjëra në dorëshkrim. Jam në përfundim të romanit “S’i them askujt”. Jam në proces të botimit të dy librave me publicistikë njëri me esse, opinione dhe kritik letrare, ndërsa tjetri është Vëllimin i dytë më INTERVISTA, në dy gjuhë anglisht dhe shqip, -po përkthej dhe një vëllim me poezi dhe romanin tim “Pafajësia e Evës”, në gjuhën angleze. Shpresoj që këto t’i realizoj për këtë vit.

Si e shihni Shqipërinë në 100 vjetorin e shtetit të saj?

Shqipërinë në këtë 100 vjetor ashtu sikundër e mbajtën Noli e Konica, Ismail Bej Vlora patriotët e atdhetarët e Rilindjes kombëtare, pa dallim feje dhe ideje, pa paragjykime, militantizëm politik e influenca të dëmshme, se vetëm kështu shqiptarët do të unifikojnë vlerat e vërteta të kombit, traditat tona patriotike e atdhetare, idealizmin në realizimin dhe ëndrrën e të gjitha kohërave për një Shqipëri demokratike e drejtësi, të denjë për të qenë pjesë integruese e Europës.

Si do ta përcaktonit iniciativën e AE–s?

Është një iniciativë tejet sensibilizuese,për shtrirjen e kësaj iniciative jashtë Shqipërisë dhe kjo për mua do të thotë shumë se përfundimisht atdheu po hedh sytë nga Diaspora, po thyhet TABUJA e përqendrimit dhe publicitetit militant vetëm të emra të PËRVEÇËM e të PËRHERSHËM për dekada të tëra, -një punë e shkëlqyer qytetare, intelektuale, atdhetare e shpirtërore, në evidentimin e vlerave tona kombëtare dhe identitetit tonë shqiptar , duke admiruar këto vlera kudo në botë që përfaqësojnë denjësisht në tokën e huaj vlerat e kombit. Sinqerisht iu përgëzoj dhe ju falënderoj për ftesën, më ofruat privilegjin për të shprehur edhe unë ndjenjat e mia shqiptare ndaj kombit dhe bashkëkombësve të mi. Suksese në këtë udhëtim të bukur të Albanian Exellence!


Bisedoi: Flora N. Nikolla