Enkelejda Kondi-Masseboeuf - Poezi



LOTI ËSHTË GRUA

Loti është grua,
Busull e vogël, që shket si ortek
Nga cepi i syrit
Afsh shpirtëror, shprehje e ndjenjës.
Por dhe e gëzimit
Loti është grua
Stolia e shpirtit
Loti ka emër, loti ka zemër
Loti është grua, ditën ose natën…
Loti s’ka kohë, loti jam unë
Unë jam grua. . . .




TY

Ti do të mbetesh loti i patharë në cep të syrit
Buzëqeshja e mohuar përmbi buzë
Kënga pa refrenin e përjetshëm
Dhimbje që zemrës i vërsulet si lumë
Ti do të mbetesh dimri i përjetshëm
Pranvera në prill, aty në park
Puthja e ëmbël mbi buzët e mia
Vullkan që më ndizej e shuhej në gjak
Ti do të mbetesh kalendar që faqe s’ndërron
Kujtimeve të mija do të strukesh ti
Fshehur, mbase pas një fjale a një varg
Kur vala e mallit do të më pushtojë në gji.
Kështu për mua do të mbetesh ti!!



DITËT KUJTOHEN PËR TY…

-Hallës-

Po bën pak kohë që ike
Shiun dhe borën, dhe diellin i prita
Fenomene natyrore sigurisht
Si ty që të humbëm
Vdekja jote më lagu supet. . .
Si kalë i hirtë që turfullon braktisjen
U lëshua lëndinave të asaj jete amshimi
Jeta më digjte të të fshihja nga sytë
Sepse jeta kushton, dashuria gjithashtu
E pata vështirë të të them lamtumirë
Ditët do të kujtohen për ty
Ti ike dhe nuk munde të më prisje
Të lëshoje dorën tënde të vdekur mua fëmijës jetime
Mbetur ato ditë prilli, pa hallën time të dashur. . .


VJESHTËS

Unë i këndoj vjeshtës sime
Me ar' shpirtin praruar
Të kuqërremtave qerpikëve
Akuarel ngjyrash të pafundme
Me rimelin e ditëve zbukuruar
Puth buzët e vakura të vjeshtës
Dhe derdhem rrëke shiu mendimeve
E lë të flejë në supet e zbuluara të mbrëmjes
Dashurinë
Dhe e mbylla siparin e këtij ditari
Në koleksione albumesh, sezonesh
Në fasada pemësh lakuriqe
Vjeshtë, me ty jam dashuruar.


MUNDOHEMI…

Në rrugën tjetër, larg meje
Aty ku merr frymë sedra jote
Janë ndërlikuar fijet e së vërtetës
Në hapësirat e tejskajshme pa ngjyra
Kemi humbur arsyen në këtë paradë enigmash. .
Mundohemi,
Dëshira s’na mungon
Por gati e pamundur rigjetja…
Ti si gjithnjë, mbete në rrugën tjetër.