Duke pritur të luajë FIJA e Barit





Nga Muhamet Ademi

E gjithnjë shpresonim
në atë fijen e barit
të gjelbër,
që luhatej nga liria...


Ikja

M'ikin edhe hijet
vegimet fshihen
nga 'ai',
nga njeriu: që dua të jem.
Shtegtoj e bredhi
të ndigjoj krisjen e fundit;
me pëshpëritjen e saj;
të bashkëjetoj me të.
I ngujuem dua të jem
në bindjet e mia…por!


Motet kanë ndrrue

Prej gëzimesh që kurrë s'njohta,
prej zanash që kurrë s'dëgjova,
prej grash që kurrë nuk pata
Unë vuej.
Kujtimi
bren jetën time
mbi mua,
mbi ninëzat e ftohta
të zmadhuese e t'rrita
m'ep dhimba,
më gjakon
më përvlon,
drejt e shtrime
me dëshira kote.
Motet kanë ndrrue
Më shpet se andrra ime.
I njëjtë mbetet kujtimi.

Prill 1944 (Botue në "Fryma")


Jam

I ganduem
e i gozhduam
për emrin
e mbiemrin, jam.
I lidhun
për zjarrin
e ferrin në biografi, jam.
Në frikë notojnë
shpresa e andrra
e drithërime t'imta
e vetmi.
Liria s'pret
e s'jam i lirë.

Gjithçka

Çdo vit,
çdo ditë,
çdo çast,
ngeli diçka e paftillue,
diçka ngeli pa u ngushllue,
pa u qartësue e pa shpërblim,-diçka
ngela i shkrim.
Tashti rri e pres
e përcjell:
kërkesa, shestime,
e tretje e gjurmë,
që do të treten
në agim
pa u pasë ndëshkue këtu në Kërrabë.
Gjithçka.
1964


Nxitim

Poezi,
çdo fjalë tënden
po shkrij përplasjet,
përleshjet, dështimet,
sulmet, ngadhënjimet,
tretjet, nxitjet dhe shpifjet.
Poezi,
në ty po i tres,
se mos një ditë
pastrohem e dlirësohem,
çlirohem e nxitohem
e të largohem
nga ti.
Lexues i vonuam e i padëshiruem,
spiun i paregjur
e, ndoshta, i padeklaruem
e i pa deklasuam.


Tërbim

Një ditë vetëm të jetoja,
një ditë, edhe të brishtë,
një ditë që të mos sosej;
Një ditë
të jetoja pa biografinë,
që më ndjek çdo hap
e çdo çast më kanoset
si bishë, si qen i tërbuem,
i egërsuem.


Zhytje

Asnjë,
asnjë s'ka më mundësi
të zhytet me aq lehtësi
në rropullitë e mia...
Asnjë
s'e humb rastin një herë
të takojë udhëkryqin
në çdo kohë e rast;
e, në të katër anët
të puqet me frikën
e të mos zgjedhi.
Asnjë
s'mbetet pa pague dashuninë,
pa kërkue lirinë;
Sot, aty qindrojmë,
pa shteg e ikje e largim,
dyshimet...


Pohim

Vargjet që shkruej,
edhe janë padi e thumbim,
edhe goditje e dënim;
por s'janë:
as lutje e as falje,
shumë ma tepër se kaq, po.
Një kunorë ferrash
edhe po,
me ngjarjet,
me flokët e zbardhun,
me pritjet e zvetnueme,
me afshin e shuem...
me vargjet që s'shkrova,
me vargjet që i mohova
do të jem gjithnjë borxhli.


Copëza...

1
Ditët e njerëzit s'm'i njohën hapat;
sikundër fytyrën as duert.
Në psherëtimë e trumje
u njoh rrojtja e frymëmarrja.

2.
Kohë s'ka ma:
të merremi vesht me përgjërimet.
Na ecim me paknaqësitë
e vullnetet e drimutuna.

3.
Zgjatja e pakënaqësisë,
si ajo e pleqënisë:
vazhdon përtej qiellit e tokës.
Me zbulue ndërgjegjen
Mjafton edhe një thërmijë shpirtërore.
4.
Kështu e pështirosa në brendi,
kështu s'u shue as mëkati,
ndoshta kështu mbetën në mue
si djalli, si zoti pa u plakun.

5.
Për të gjetur limontinë e humbun,
Jam gati, tani, t'ua vë flakën
mendimeve, ndjenjave e vetmisë
e të zhytem në gjakun e lashtë
larg frikës e dyshimit.

6.
Pak gja due e desha:
një zemër në zemrën time,
një fjalë në fjalën time,
një grishje në grishjen time
një dhimbsuni në vdekjen time.

7.
Pleqni,
tani as gëzimet ma s'i shijon,
dridhjet bujare, ikën vanë,
dhimben, vetëm tani e provova
ty edhe lotët e heshtura t'u thanë!


Dramë

Si një ditë, përditë,
zgjohemi duke mendue
Edhe hija e shokut
na gjurmon e na tradhton;
Jo ma besë s'i kemi njeni-tjetrit,
as hapave që na ndjekin;
as vetes s'i hapemi.
Mbi kokën tonë si hanxhar rrin spiunimi
e në brendi vazhdon drama...
Korrik '73


Tronditje

Koha ende s'ka ikun nga gjaku,
ende lundron e heshtun e panënshtrueme.
Pa asnjë humbje bredh e sigurt
Përmes humbjeve e fitoreve.
Rri i tronditun para zhgënjimeve
e tejet i pasigurt para t'ardhmes,
që troket pa mëshirë ndër tëmtha.


Rrathë

Kështu,
shumë rrathë
shtoheshin e zgjateshin
për të më rrethue.
Në ferrin e kuq
s'shtrihem e s'shihem e s'njihem.
Babëzitja e rrojtjes,
më rrëshqet ndër gishta,
m'i ikë shikimeve
m'i ndotë ditët
e fletët e biografisë!!
Mars 1986


Mendimi

Mendimi
më tmerron e më mundon ende...

Në grackën time u ndryna
pa bindun mirë, shpërtheva.
Bota u ngushtue sa një grusht.
S'e shijova lirshëm
as trokitjen, as ngazëllimin e saj.

Dy herë s'tregohet
tërhjekja e një shtegtimi,
e një largimi
nga drita e rrahja e jetës.

Prill '75


Tashti

Tashti...
Edhe gjaku hesht
e përgjon
këtë rrojtje
që po fiket
e tretet pa meritë
në këtë largësi...e humbëtirë

I zvogëluem ky njeri
s'rri në qetësi!!
Po kryqëzohet.


Nga Prof. Nasho Jorgaqi*

...Në jetën e vetmuar e të izoluar të Kërrabës, larg mjediseve intelektuale, shokët e pandarë të Muhametit do të mbeteshin gjithnjë librat. Në bibliotekën e tij, me autorë e libra e zgjedhura, binin në sy kolana botimesh me famë botërore të Hashetit dhe të Mondadorit. Kujdesi i tij për librat ishte aq i madh, sa për t'i ruajtur e mirëmbajtur bënte dhe punën e libralidhësit, duke i veshur me kapakë të trashë. Në raftet e bibliotekës gjeje të lidhura koleksione revistash kulturore, sidomos ato shqipe si "Përpjekja shqiptare", "Leka", "Hylli i Dritës", "Fryma" etj., apo kopje gazetash të vjetra. Kisha përshtypjen se kjo ishte bota virtuale e Muhametit pa të cilën nuk jetonte dot, po të mbaje parasysh se ngado që shkonte librin e merrte me vete. I kam parasysh si tani xhepat e tij të fryrë ose të deformuar Ai lexonte kudo, jo vetëm në shtëpi, por edhe në intervalet orëve të mësimit në shkollë, në autobus e deri në pyll, ku shkonte të priste dru për dimër.
Ishte krejt natyrshëm që në takimet tona biseda e tij kryesore dhe më e preferuar qe ajo për librat e për leximet. Ai nuk fliste vetëm për letërsinë e huaj, për klasikët e saj dhe për ata bashkëkohorë, të cilët i njihte mirë, por dhe për letërsinë shqipe deri dhe atë të renë. Për këtë të fundit nuk kishte paragjykime, çmonte vlerat e vërteta, i peshonte veprat artistikisht, tregohej i ndjeshëm ndaj fjalës dhe figuracionit artistik.
Dukej që e ndiente së brendshmi krijimtarinë dhe më habiste me njohjen që kishte për laboratorin e punës së shkrimtarit. Dhe ne këto biseda më linte përshtypjen sikur kisha të bëja me një koleg të fushës së letrave, sepse ishte aq konkret në gjykime sa dukej që fliste nga përvoja e tij. Atëherë fillova të dyshoj se kjo përvojë s'ishte vetëm ajo e viteve të rinisë, por dhe e kohës që jetonte. Ndoshta ai shkruante në fshehtësi dhe nuk desh të më hapej. Dhe unë nuk e bëja veten, e respektoja të drejtën e fshehtësisë së tij,. Por, me kohë, do të bindesha se ai shkruante, bënte jetën e një krijuesi të vërtetë. Dhe nuk do të gabohesha sepse një ditë enigma do të zgjidhej përfundimisht.
Kjo ndodhi në fillim të viteve '90, kur u rrëzuan muret dhe u vra frika. E kam parasysh si tani pamjen e Muhametit në ato ditë. Më në fund kishte ardhur liria e tij dhe ai i gëzohej përmbysjes që po ndodhte. Por gëzimi i Muhametit më dukej i lodhur e i hutuar. Ajo që ndodhi kishte ardhur vonë, tepër vonë, kur ai po i afrohej të tetëdhjetave, në moshën kur kishte të kaluar, por s'kish më të ardhme.
Në një nga takimet e atyre ditëve, më kujtohet mirë një bisedë, e cila më tingëlloi si epilog i kalvarit të tij. Në situatën e krijuar ai nuk bënte komente si shumë të tjerë. Më tepër heshtte dhe heshtja e tij fliste, por nuk e harroj rrëfimin që më bëri për një episod që s'di ku e kish dëgjuar apo lexuar. Më tregoi për një çift të moshuar çekë me prejardhje aristokrate, se ç'kish ndodhur me ta, kur kishte ardhur demokracia në vendin e tyre. U qenë kthyer pronat dhe mes tyre edhe një kështjellë. Kishin shkuar te kjo e fundit ta vizitonin dhe kur kishin dalë, kureshtjes së gazetarëve u ishin përgjigjur:
- E ç'na duhet tani kështjella. Jeta që kishim, na shkoi pa e gëzuar. Në këtë moshë na mjafton shtëpia që kemi për të kaluar kohën që na ka mbetur.
Këtë histori Muhameti ma tregoi në dukje me një zë të qetë, por, në fakt, nga toni ndieja trishtimin, pezmin e dramën e jetës së tij. Për pak më shkrepi t'i kujtoja Muhametit fabrikat, shtëpitë, pronat, tokat e dyqanet që trashëgonte dhe ligjet e reja që premtonin, por tek sodisja fytyrën e tij të plakur dhe shtatin e rrëzuar, e mbajta veten. Për një njeri dhe artist si Muhameti, ato s'kishin asnjë vlerë. Perdja e kohës së tij po binte dalëngadalë dhe këtë ai e ndiente, ndaj fjalët ishin të tepërta.
Ishte kjo një bisedë që shënonte vetëm fillimin e hapjes totale të Muhametit. Unë e ndieja se ai sapo m'i zbulonte disa nga të fshehtat e së kaluarës së tij të panjohur. Dhe kjo u duk në ditët që erdhën, kur tek rrinim një pasdreke në shtëpinë time vetëm për vetëm, në bisedë e sipër më tha gjithë siklet në të folmen e tij karakteristike:
- Dëgjomë ç'ka due me të thanë. Ty që të kam dasht e të due si vëlla, do të më falësh që të kam mbajt një sekret. Një të fshehtë që nuk i shkonte vllaznisë sonë. Por, me të thanë të drejtën, s'kam dasht me të randue e me të rrezikue në ato kohë të vështira që kaloja unë e familja ime midis maleve të Kërrabës. A më kupton? Besoj se do të më kuptosh drejt, siç më ke mirëkuptue tanë jetën.
E, pra, dije, në qoftë se nuk e din, unë në vitet e Kërrabës nuk i jam nda letërsisë, por kam këndue vet me vedi e i kam zhgarravit nëpër do letra e fletore, njashtu si ma diktonte mendja e zemra, pa dijt se ç'baj e pa mendue kurrë njiherë për fatin e tyne. Ishte kjo një mënyrë për të mbijetue intelektualisht apo artistikisht, thuej si të duesh, por më asht dasht të shprehesha se ndryshe kisha me pëlcit. Më beso, e ndieja fort fjalën dhe kjo më bante të kapesha pas saj e t'i besoja gjithçka, pa mendue se "fjala ban kala, fjala ban hata".
Kësisoj shkruejta nëpër vite varg pas vargu, një mal të tanë, që s'di të them se a janë marrzina a janë urtina. Di që kam një dollap të tanë me dorëshkrime, që prite o zot, po të kishin ardhë e t'më kishin kontrollue shtëpinë, do të kisha marrë në qafë, jo aq vedin, po Lizën e fëmijët. Ky asht i tanë sekreti im, që të kam mbajt, nuk di a më kupton?
Tunda kokën e nuk fola ashtu siç isha, sa i befasuar, aq edhe i emocionuar. Natyrisht, që e kuptoja, jo vetëm e kuptoja, por dhe e përjetoja dramën cfilitëse të mikut tim. U bë një pauzë dhe, padashur, vështruam njëri-tjetrin në sy, ndërsa ai tha:
-Tash, pa të rëndue, kur të mundesh, të mbetet ty me i lexue e me më gjykue.
-As që bëhet fjalë, - i thashë i menduar pa ia ndarë sytë tek e shihja nën dritën e asaj që më tha, ashtu të mpakur e të tkurrur, te thinjur e fytyrë rrudhur. Por, gjithsesi, ndërkaq ndieja karakterin e tij burrëror, natyrën e paepur, mençurinë dhe urtësinë e pa bujë, dinjitetin e njeriut që di të mbahet më këmbë falë vetvetes.
Pas disa kohësh Muhameti më ftoi një ditë në shtëpi e më tregoi arkivin e dorëshkrimeve të tij. I kishte sjellë nga Kërraba në Tiranë në shtëpinë e të birit, të mbledhura e të sistemuara disi në disa kuti kartoni. Ç'të shikoje ? Fletore e blloqe, letra të zverdhura, të shkruara me bojë apo me laps... 


*Shkrimi është marrë me shkurtime me lejen e autorit nga parathënie e tij e titulluar "JETA DHE POEZIA E KRYQËZUAR E MUHAMET ADEMIT"kushtuar krijimtarisë së të ndjerit


Milosao