Identiteti poetik i Lasgush Poradecit

Behar Gjoka

Shumëkush që ka lexuar dhe rilexuar poezinë e Lasgush Poradecit, e cila gjendet sidomos tek dy librat poetikë, posaçërisht tek "Vallja e Yjeve", botim i vitit 1933 dhe në vëllimin "Ylli i Zemrës", botuar në vitin 1937, ka rrëmihur në shtrate të ndryshme të formatimit të vlerësisë së letrares që shënon dhe shpërfaq kjo përvojë e përveçme e shkrimit poetik në letrat shqipe. Ndonëse në thelbin e vet, formatues dhe përfaqësues, të thënies dhe shprehësisë, poezia e Poradecit, ku përfshihen edhe dy-tre krijimet e fundit, realizuar pas viteve ‘44, ku do të duhet marrë në shqyrtim gjithashtu edhe praktika e rishkrimit të poezive me variante dhe versione të ndryshme letrare. Leximet e gjertanishme, megjithëse të shumta dhe të shumëfishta, për çudi kanë gjezdisur në hapësira të pafundme, më tepër duke e kërkuar identitetin poetik, se sa duke ia shënuar dhe shpaluar cilësitë adekuate që përfton poezia e Poradecit. Nga këto lexime, të larmishme dhe ngulfatëse, ngase të bëjnë ca më tepër përshtypje, po veçojmë disa prej tyre:

- Leximi i poezisë së tij, çuditërisht dhe me krenari është parë si vijim i poezisë romantike, madje me thelb të dëshmuar romantik, çka duket më shumë në parathënien e Frida Zeqos, në botimin e plotë të veprës letrare të autorit, e cila pas një parashtrimi të zgjatuar socio-biografik të poetit, social dhe ideologjik të konteksteve shkrimore, e kundron dhe e vendos krijimtarinë e L. Poradecit, më së shumti si një gjurmë dhe vijimësi e prekshme e romantizmit. Për ta shënuar si të tillë, më tepër ka ndikuar edhe prekja e linjës së tematizimit të librave, si dhe e mbizotërimit të shqyrtimeve të niveleve përmbajtësore, ku mbisundon natyra dhe erotikja, madje këto të kundruara edhe si dy tema të fuqishme në poezinë e romantikes europiane, si dhe të asaj shqiptare.

- Leximi tematik dhe i thelluar në këtë aspekt i poezishkrimit të Poradecit, nga shumica e studiuesve të shqipes, veçse edhe këtu me dallime dhe ndryshesa të prekshme. Pikërisht, nga kjo mënyrë dhe tipologji leximi, Poradeci është projektuar vetëm si poet i natyrës dhe dashurisë, me të drejtë, por edhe është harruar me pa të drejtë se Poradeci ka shkruar poezi kaq të fuqishme edhe për gjuhën, kombin shqiptar, qenien njerëzore si univers, por edhe poezi të natyrës së pastër filozofike. Nga kjo paraqitje e shkurtër preket dhe vihet re se poezia e Poradecit në jo pak raste është shqyrtuar dhe interpretuar nëpër ngushtica të paplota shqyrtimore, madje duke lënë në hije përmasa të përfillshme të fuqisë poetike autoriale. Mbase kjo mënyrë e leximit dhe trajtimit të poezisë së L. Poradecit ka çuar edhe në emërtimin e saj si poezi qiellore, por shpesh edhe si poezi kozmike, me gjasë poezia më e mëvetësishme e pjesës së parë të shekullit të kaluar, që i përkon edhe kohës kur ende shkruanin poezi Mjeda, Çajupi, Asdreni, Skiroi etj., e kohës që kishte nisur të shpërfaqej ylli poetik i Migjenit dhe Nolit, i kohës që poezia fishtiane e sundonte qiellin e letrave shqipe, së paku siç e zëshmon vetë Poradeci.

- Leximi formalistik i poezisë së poetit, duke synuar që të artikulohet tipari më thelbor i shkrimit poetik, fryma moderne, ndonëse edhe në këtë aspekt, shumica e shqyrtuesve të poezisë së Poradecit, ende kanë mbetur në shenjimin adhurues të poetikës së tij, si thelbësisht moderne dhe pa yshtur argumentet, si dhe natyrën e vërtetë të tipareve moderne të shkrimit poetik lasgushian, pra duke shpërfillur faktin se mënyra e thënies, sido që të jetë forma e shprehësisë, shpalos ide dhe mesazhe të qarta, së paku kështu ngjet me poezinë e Poradecit. Ai hyn në poetët më të qartë dhe më të kuptueshëm të letrave shqipe të shekullit të njëzet e këndej, ndonëse edhe shenjat e artit janë edhe më të fuqishme në materien poetike të sendërtuar prej tij.

- Nuk kanë munguar gjatë kësaj ndërkohje të çuditshme, edhe rrekjet për ta lexuar dhe interpretuar poezinë e Poradecit, si me ndoca shenja dhe shenjëzime të dukshme të gjurmëve sociale dhe "revolucionare", mbase edhe të këndvështrimit dhe konceptimit të tillë, pra si një poezi që mund të rreshtohet, pa shumë zor në tipin e shkrimit poetik të kohës së nevojës dhe dobisë poetike. Për të arritur në këtë përfundim, aspak të themeltë dhe përfaqësues të shkrimit poetik të Llazar Gushos, si tanësi dhe frymë kreative, mëtonjësit e veshjes së kapotës së letërsisë së shërbesës, edhe në pamundësinë e realizimit të kësaj gjase, janë bazuar në poezitë kushtuar vëllezërve Çollaku, miq dhe shokë fëmijërie të poetit.

Megjithatë këto mënyra leximi, padyshim edhe të tjera të verifikimit të letrares së projektuar dhe sendërtuar nga Poradeci, nuk ia kanë mbërritur që t‘ia përcaktojnë vendin, identitetin dhe sidomos rolin që ka luajtur dhe vijon që të luajë poezia e tij, në rrafshet gjithëkohore dhe gjithëhapësinore të letrave shqipe. Ngacmimi për ta parë këtë zbrazëtirë u bë fakti i një rileximi rastësor të veprës poetike të Poradecit, madje i gjthçkaje të shkruar prej tij, ku bën pjesë edhe tema e profesoraturës kushtuar poetit rumun Mihail Emineskut. Emërtimet e bëra deri më tani si poet modern, madje edhe më moderni i gjithë letërsisë shqipe, si poeti më universal dhe kozmik, si poeti më qiellor i të gjithë qiejve poetikë, janë të vlerta, por në përcaktime të tilla më tepër është mbërritur me hamendje dhe përfundime të pjesshme të materies poetike, se sa nga një shqyrtim i thelluar tekstologjik i substancës letrare, ngjizur me aq tharm letrar. Leximi i fundëm, pra rileximi pas një kohe të gjatë, u bë shkasi thelbësor për t‘u ndalur disi më gjatë në krijimtarinë poetike të Poradecit, tashmë me një synim që të kërkohet dhe të arrihet që të shënohen, sa të mundim gjurmët dhe shenjat e identitetit poetik, të këtij mjeshtri të poezisë shqipe.

Kufiri ndarës dhe ura lidhëse e poezisë shqipe

Poezia e Poradecit, pavarësisht konsideratave dhe vlerësimeve të vazhdueshme, shqyrtimeve dhe trajtimeve, interpretimeve dhe verifikimeve të kryera, kohë pas kohe, shumica e tyre të merituara, por edhe jo pak prej sosh të pabaza, është parë dhe shqyrtuar, më shumë në marrëdhënie të përjashtimit të përvojave të mëparshme, por edhe të mëvonshme të shkrimit poetik në gjuhën shqipe. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e veçanësisë, por edhe prej synimeve për ta ulur, zbehur dhe zhvlerësuar poezinë dhe poetikën e realizuar prej Poradecit, aq sa të mundeshin, me atë mbrapështinë e mendjes dogmatike. Dyzimi i shqyrtuesve, sidomos për të kontribuar që të hyjë në hije dhe të mbetet atje, lidhet me mosverifikimin e poezisë së Poradecit në përmasën dhe frymën që bart, si shenjë e komunikimit me poezinë e hershme, por edhe si një rimarrje e poetikës së tij në shkrimin e poezisë më pastaj, megjithëse Poradeci, në thelbin e vet mbeti i papërsëdytshëm dhe i paimitueshëm. Vargjet e të dyja përmbledhjeve poetike, si dhe shkrimet e ndryshme, në fakt i japin L. Poradecit një vend të lakmuar:

Së pari: Vepra poetike e tij shënon kufirin ndarës me poezinë e mëparshme, sepse me shkrimin poetik të tij realizohen dy akte themelvënëse për shkrimin e poezisë; - sendërtohet statusi i poezisë/art, më përtej dobisë dhe shërbesës diturake, atdhetare dhe sociale, pra shpërfaqet poezia art i pastër, madje edhe kur këngëton për atdhe dhe moral; - realizohet statusi i poetit krijues/endëtar i letrares, pra duke lënë pas shpine detyrimet e tjera të misionit atdhetar, fetar, social dhe moral dhe poeti, tashmë ka si mision që të realizojë poezi të fuqishme vetëm si shenjë letrare. Deri tek Lasgush Poradeci, mjerisht edhe mbas tij, sidomos poezia e shërbesës socrealiste, e kemi parë letërsinë dhe poezinë shqipe se si ka lënguar edhe prej detyrimeve jashtëletrare, të pashmangshme për rrethanat dhe kontekstet. Mbase, koha punoi për Poradecin, por ka gjasa që edhe vetë poeti, më rebeli i të gjithë poetëve të letrave shqipe, më liriku dhe më i hidhuri në thumbimin e sundimtarëve, të çdo ngjyrese dhe botëkuptimi qofshin, ndikoi për ta përshpejtuar këtë proces të futjes së letërsisë vetëm në hullinë estetike.

Së dyti: Në pikëpamje metrike dhe të strofave, Lasgush Poradeci është poeti me tradicional, madje edhe më shqiptar, në një kuptim të zëshmimit të Shqipërisë, si pak kush me atë nivel thënie dhe shprehësie letrare, poeti që i dha hapësira të reja dhe të paimagjinueshme shqipes, gjithnjë në rrjedhat klasike të shtjellimit dhe shpalimit poetik. I gjithë fondamenti poetik i autorit, në konceptualitet dhe në shkrimin letrar, nuk mundet të lexohet dhe të shqyrtohet jashtë ngjyrimit klasik, të endur enkas dhe me vetëdije të plotë nga poeti. S‘besoj se ka aso verifikuesish që të vërë në dyshim vetëdijen shkrimore, letrare dhe gjuhësore të Poradecit. Por, ky fakt fatlum, pra shkrimi sipas modelit tradicional ra ndesh me shkrimin e poezisë së re, sipas modelit socrealist të Majakovskit, pjesës politike të poezisë së tij, me thyerje të vargut të lirë dhe në situata të tjera. Pas viteve ‘44, pa e shpallur botërisht, por si një situatë vepruese, poezisë klasike, pra tradicionale të Poradecit, studimtaria zyrtare e socrealizmit i kundërvuri poezinë politike të Fan Nolit, si dhe poezinë e vargjeve të lira të Migjenit, pra duke u bazuar më së shumti në socialitetin e poezisë së dy autorëve të tjerë.

Së treti: Poezia shqipe hyri në shtjellat e modernes me poezinë e Asdrenit fillimisht, mandej me poezinë e Poradecit dhe të Migjenit. Këta dy të fundit, poetët më të shquar të pjesës së parë të shekullit të njëzet, ecën në rrugë të dallueshme dhe krejt të ndryshme poezishkrimore. Poradeci, modernitetin e konceptoi dhe sendërtoi si riformatim i poezisë së hershme, mbase si rishkrim në kontekste të reja të vjershërimit klasik, madje duke zënë fill qysh me poezinë e Matrangës, Budit, Bogdanit, të cilët formatohen dhe fytyrëzohen qartësisht në poezinë "Kënga Pleqërishte", natyrisht edhe duke e liruar poezinë nga misioni detyrues atdhetar, ndonëse edhe këtë ndjesi e riformulon dhe konturon mjaft poetikisht, duke braktisur misionin moral, pa e hedhur tutje, si dhe duke e riafirmuar atë, madje duke mbërritur deri atje sa të synojë dhe të sendërtojë poezi lirike të pastër, pavarësisht tematikës dhe problematikës që projekton.

Pra, modernia në poezinë e Poradecit është në frymë, në atmosferën që krijon, në mendim dhe mesazhe, por edhe në rigjallërimin e aftësive të shqipes së hershme për të kumtuar dhe kumbuar art. Nga ana tjetër, moderniteti i Migjenit lidhet edhe me problematizimin e sociales, si dhe me përmbysjen e traditës së shkrimit poetik, çka shenjtërohet në përmbledhjen "Vargjet e lira", një tekst që çeli udhën e lëvrimit të poezisë moderne, në përmbajtje dhe formë. Përvoja shkrimore e këtyre dy poetëve, pra e Poradecit dhe Migjenit, sollën shenjat e ligjërimit modern të poezisë shqipe, megjithatë nëpër dy rrugina; Poradeci duke riformuluar poetikën e hershme të shqipes, si mendim dhe strukturim melodik, ndërsa Migjeni në shformësimin e vjershërimit klasik, tashmë duke sendërgjuar poetikën e ritmit të brendshëm. Poezia shqipe e mëpastajme e të gjithë poetëve eci nëpër këto dy rrugina të lëvrimit modern, ndonëse modeli zyrtar bëri ç‘ishte e mundur që ta mërgonte dhe "shporrte" rrugën e hapur nga Poradeci dhe këtë të fundit ta linte në hije, megjithëse nuk i mbërriti plotësisht asnjëherë, falë vokacionit të veçantë poetik që bart dhe shenjtëron kjo përvojë shkrimi.

Sistemi Poetik i Poradecit

Shumëçka është thënë për autorin, e sidomos për veprën e tij poetike. Në jo pak raste ka pasur edhe përpjekje mjaft serioze për ta shënuar dhe, madje për t‘i gjetur rrënjët e sistemit poetik të shkrimtarit. Vetëkuptohet se tiparet e sistemit poetik të një autori, kur edhe është mbyllur procesi, pra jemi në situatën e "ndarjes natyrale" e jo të "vdekjes së autorit", të sugjeruar nga R. Barti, është e mundur që të hetohen dhe verifikohen: - Në materien letrare, në poezi dhe në shkrime të tjera të autorit, qofshin edhe të memorialistikës ose të letërkëmbimit të shkrimtarit me të tjerët.

- Në poetikën orale, ku edhe është mbështetur në shkrimin e poezisë, tashmë edhe si riformulim i klasikes dhe shenjave tradicionale të shkrimit poetik.

- Në burimet shkollore dhe librore, aq të larmishme dhe plot sharm poetik, ku edhe do të mëkohet me tharmin poetik.

- Në verbin poetik, personal dhe autorial, ku edhe formatohet, por edhe gdhendet fytyra e poetit më të fuqishëm të letrave shqipe.

- Në endjen e një poetike mistike, ku qarkohet çdo temë dhe imazh, aq sa e ke të pamundur që ta kuptosh dhe shqyrtosh me mjetet e zakonta të interpretimit sociologjik dhe socrealist.

- Në metafizikën që përcjell këngëtimi poetik i Poradecit, si një poetikë e përjetësisë, në të gjitha tonet dhe ngjyresat, qoftë kur i këndon atdheut dhe gjuhës, po ashtu edhe për natyrën, dashurinë dhe për universin filozofik të qenies, por që shpalohet si plotëni në vargun kyç "...dashuronte dashuria..." etj.

Padyshim, në personalitetin dhe veprën poetike të L. Poradecit ka edhe dhjetëra shenja dhe tipare që shënojnë dhe dëshmojnë sistemin, madje edhe gjurmët e identitetit, megjithatë vetëm substanca e librave, pra e librit të parë të titulluar jo rastësisht "Vallja e Yjeve" e shënon dhe zbulon një përmasë të prekshme për çdo lexues dhe studiues, të sistemit poetik të Poradecit, që ka ngërthyer vatrën, vendin e poetit, që më së shumti është vendosur midis tokës dhe qiellit, pra në hapësirën e mesme, prej nga ku edhe lëshon imazhet si sy gjigant i tokësores dhe qiellores, me zërin e poetit, tashmë vetëm si misionar i artit. Pasi ka kryer rrotullimin në hemisferën qiellore/tokësore, mu sikur një udhëtim dantesk në parajsë, tashmë kupton se ka edhe një aspekt të hapur për eksplorim dhe zbulim. Vetë titulli i përmbledhjes "Ylli i zemrës" tregon se poeti nuk i ka shkëputur lidhjet me qielloren, sepse prania e yllit e lajmëton më së miri, por si nëntekst dhe shenjim, vetë njeriu, shpirti dhe fryma e tij, janë brum dhe asht i qiellores, por edhe gjurmë e prekshme e tokësores, pra kemi një situatë të dyfishtë të marrëdhënies së qiellores/tokësores/shpirtërores, çka në fakt të fanit udhëtimin e pandërprerë në tokën dhe qiellin e çartur të atdheut tonë, në gjallje dhe në amshim të Poradecit. Pra, qielli, toka dhe njeriu, janë trinia ekzistenciale e jetës dhe e matanëjetës, njëherit edhe e poezisë, mbretëreshës së letërsisë, të cilës i dha ymër dhe lavd, me sa mundi Poradeci.