Si këputja e ngadaltë e pendëve të zeza

Howard Philips LOVECRAFT


Për ata që dëshirojnë
të hamendësojnë mbi
të ardhmen, rrëfimi i tmerrit
të mbinatyrshëm ofron një
sferë ndjellëse, por gjithsesi
ata ndihen të sulmuar nga
një valë realizmi banal
që ka marrë dhenë, nga
një vetëbesim cinik, nga
zhgënjimi i stërholluar
dhe, mbi të gjitha, i nxitur
nga një erë e fuqishme
misticizmi, që është
zhvilluar nëpërmjet reagimit
të ndier të “okulistëve” dhe
vëzhguesve të paepur të
fondamentalistëve fetarë


Nuk mund të presim që e gjithë
Letërsia e Tmerrit të Mbinatyrshëm
të shpjegohet saktësisht me një model
teorik. Mendjet krijuese janë pa fund,
por edhe ngjizjet më të arrira narrative
kanë pikat e tyre të dobëta. Midis
të tjerash, pjesa më e madhe e veprave
të kësaj letërsie, buron nga e pavetëdijshmja,
duke e shfaqur veten pastaj në
copëza kujtese të shpërhapura në një
masë materiale, ku efekti i të qenit
bashkë mund të jetë i një natyre krejt
të ndryshme nga e zakonshmja. Atmosfera
megjithatë mbetet elementi
më i rëndësishëm i kësaj letërsie, pasi
kriteri përfundimtar i autenticitetit
të rrëfimit të mbinatyrshëm nuk vjen
saktësisht me zgjidhjen e një intrige,
por me gjetjen e një efekti të tillë.
Mund të mendojmë, në përgjithësi,
se një histori fantastike, e cila mund
të jetë quajtur didaktike a shoqërore,
ose ku tmerret japin më në fund një
shpjegim me mjete natyrale, nuk është
një tregim i vërtetë i Terrorit Kozmik.
Por, mbi të gjitha, qëndron fakti
se rrëfime të tilla zotërojnë shpesh,
ndonëse në pjesë të zgjedhura, majat
më të larta që kënaqin çdo kërkesë të
Letërsisë së Tmerrit të Mbinatyrshëm
e të vërtetë. Kështu, tregimin fantastik
duhet ta gjykojmë jo sipas asaj që
ngre autori, ose në bazë të mekanizmave
të vërteta e të thjeshta të ndërthurura,
por nga niveli emocional që
shfaq në pikën e tij më pak të lidhur
me paraqitjen tokësore.
Nëse arrin të nxisë ndjenjat e duhura,
njëfarë modeli urrejtjeje, krijimi
duhet të vlerësohet për meritat
e tij si letërsi fantastike, paçka se
vazhdimi është i mefshtë e prozaik.
Prova e vetme e vërtetë e narracionit
të tmerrit të mbinatyrshëm është
thjesht kjo: nëse në atë që lexon të
mbërthen menjëherë ose dhe dalëngadalë
një ndjenjë e thellë frike
apo ankth shkaktuar prej forcash e
fuqish të panjohura, nëse të krijohet
një ndjenjë e frikshme në dëgjimin e
zhurmave, pothuajse si këputja e ngadaltë
e pendëve të zeza dhe kërcëllitja
e formave dhe thelbit të hapësirës së
jashtme gjer në kufirin e fundit të
universit të njohur, atëherë ke gjetur
letërsinë e duhur. Dhe, natyrisht, sa
më shumë rrëfimi arrin të përcjellë
këtë atmosferë në mënyrë të plotë e
të njëtrajtshme, aq më mirë arrin të
jetë vepër arti në llojin e vet.
* * *
Sot rrëfimet e tmerrit, falë zhvillimit
të shpejtë të këtij lloji letrar, kanë
një natyrshmëri, një forcë bindëse,
një rrjedhshmëri e sharm të madh,
duke qenë kështu në një lartësi të
pakrahasueshme me rrëfimin gotik
të fundit të viteve ‘700. Me kalimin e
viteve, teknika e tregimit, përvoja dhe
shtimi i nocioneve në fushën psikologjike,
kanë ecur gjer në atë shkallë,
sa bëjnë të tingëllojnë artificiale pjesa
më e madhe e veprave më të vjetra,
të cilat shpëtojnë vetëm kur ndërhyn
mjeshtëria e një autori, i cili është
në gjendje të mbajë pesha të mëdha.
Tashmë, natyra tipike e romanit fjalëmadh
dhe të sigurt në vetvete, plot
me motive shtirane e që shpjegojnë
çdo ndodhi imagjinare të një kuptimi,
që tingëllon fals dhe të një magjie
aq të shpëlarë e aq edhe të gjithëpranishme,
gjendet vetëm në shembujt
më të dobët dhe më banalë të tregimtarisë
mbinatyrore.
Ndërsa tregimet serioze ose japin
diçka në mënyrë realiste, përmes
një lidhjeje të përpiktë dhe një besnikërie
perfekte ndaj natyrës (përveç
asaj hapjeje ndaj së mbinatyrshmes,
të cilën autori e lejon), ose janë të
zhytur krejtësisht në botën e fantazisë,
me një atmosferë mençurisht të
duhur ndaj vizioneve të një universi
irreal, ndjellës dhe piktoresk, të lidhur
me përjetësinë e kufijve të njohur
të hapësirës dhe të kohës, ku gjithçka
mund të ndodhë, por ajo që mund të
ndodhë është në harmoni të plotë me
format e imagjinatës dhe të iluzionit,
të cilat janë normale për çdo mendje
të ndjeshme njerëzore. Kjo, të paktën,
është prirja më e madhe, por është e
kuptueshme që edhe shumë shkrimtarë
të mëdhenj bashkëkohorë bien
ndonjëherë në qëndrime e gjurmë
karakteristike për romantizmin naiv,
ose përshtasin në çast tiparet e një
zhargoni absurd e të pakuptimtë të
atij misteri pseudoshkencor, që aktualisht
përjeton një nga periudhat
e tij më popullore.
* * *
Për ata që dëshirojnë të hamendësojnë
mbi të ardhmen, rrëfimi i
tmerrit të mbinatyrshëm ofron një
sferë ndjellëse, por gjithsesi ata ndihen
të sulmuar nga një valë realizmi
banal që ka marrë dhenë, nga një
vetëbesim cinik, nga zhgënjimi i stërholluar
dhe, mbi të gjitha, i nxitur
nga një erë e fuqishme misticizmi, që
është zhvilluar nëpërmjet reagimit të
ndier të “okulistëve” dhe vëzhguesve
të paepur të fondamentalistëve fetarë
që, përmes nxitjes së mrekullive
dhe fanepsjeve, kundërshtojnë zbulimet
materialiste, të realizuara nga
shkenca moderne në kiminë intraatomike,
me progresin në astrofizikë,
me teoritë e relativitetit, me zbulimet
e shumëdëshiruara në biologji dhe
psikologjinë njerëzore.
Sot grupimi në favor të fantastikes
duhet të jetë fuqizuar më shumë dhe
kjo është, pa dyshim, një shprehje e
paçmueshme përkundrejt Rrëfimtarisë
së Mbinatyrshme, e cila nuk ishte
pjesa më e çmuar e krijimtarisë së Arthur
Machen-it, që u përplas në murin
e gurtë të pragmatistëve të rreptë
dhe fodullë të ‘800-ës. Edhe Ambrose
Bierce, pothuajse i panjohur sa ishte
gjallë, sot vlerësohet nga të gjithë.
Megjithatë, do të vazhdojë të mbetet
një ekuilibër i brishtë tendencash
të ndryshme. Dhe, ndërsa në mënyrë
logjike mund të pritet një përsosje
e mëtejshme e teknikave shprehëse,
nuk ka asnjë arsye të mendohet se pozicioni
i së Mbinatyrshmes në letërsi
duhet të pësojë ndryshime të dukshme.
Letërsia e së Mbinatyrshmes
është një degëzim i veçuar, edhe pse
kryesor, i shprehjes njerëzore dhe si
gjithnjë do t’i interesojë sidomos atij
numri të kufizuar lexuesish, të pajisur
me ndjeshmëri të tjetërllojtë. Cilado
kryevepër botërore e së nesërmes, që
do të mbështetet mbi dyshimin dhe
tmerrin, do të mbetet debitore në
mundësinë e saj, pasi mund të vlerësojë
më shumë mjeshtërinë e autorit,
sesa temën në vetë veprën.
Megjithë këto, kush mund të
thotë se tema e errësirës nuk është
një humbje e nevojshme? Kupa
e Ptolemeut, me bukurinë e vet
farfuritëse, ishte skalitur në oniks.
Përktheu Silvana Leka