Lida LAZAJ
* * * Te ky qytet një ditë jam skllav Një ditë jam mbret. Mbi vargje flatroj kullave të qelqta Selvive të drejta Minareve, kambanareve
Këtë frymë perëndie Një qen – njeri ma dhunon Vriteni qenin Shpëtoni qytetin Shpëtomëni mua Mos bëhem Neron.
S’je më i pari
Kur të dërgova një letër malli Shkruar me pika shiu mbi asfalt Qeshe, më quajte “të lajthitur”
S’e dije atëherë që dashuria është zemra e botës Dhe shiu një skllav i bindur...
S’je më i pari Tani di si mbahet në dorë kristali...
Në mungesë të njeriut
Për pak purpur të perëndimtë Për pak trishtim shiu në sy Duhet të lësh pak shpirt Në thonj pinjollësh të rinj...
Një përralltar të urtë Për të trembur vdekjen me një ëndërr të re S’e gjen as mes të ngjashmëve Që ushqehen si ty me bukë e kripë.
Të vjen të shtrihesh mbi lëndinë Si mbi kurme të qumësht foshnjash Në petla tërfili të thithësh ujë klorofili Mbi qiell të ndezur shpirtrash...
Të vjen të jesh lëndinë Ose të rrosh mbi të si bari...
Tri gra në disko
Nga orbita e ditëve se si U gjendën në një planet muzik’ e dritë Të tria bashkë dhe veç e veç Tri gra pa moshë Një Penelopë Një Monalizë Dhe mbretëresha Elisabetë.
Thërrmohej drita Nën shpirtrat e tyre, dilema frika Shkëlqente pista Si gjuhë flake, si shtojzovalle Në krahët e valsit, rrok e rep Tri gra pa moshë Një Penelopë Një Monalizë Dhe mbretëresha Elisabetë...
Në atë vend
Nën vetulla të menduara ujërash Unë dhe pemët mbështjellë me heshtje. Që isha gjallë më ndërmendte një gjinkallë...
Befas mbi tringëllima ujërash u ngritën harqe ylberesh rrezen e diellit preu një dallëndyshe pranë meje dy sy qiellorë një shpirt prej drite.
Do të vij do të vij patjetër në atë vend që dritë merr prej syrit tënd....
Heronjtë e gjethes së spinaqit
Nën hijen e lashtë të qerpikut direkë anijesh të mbytura ju shfaqen në horizont. Në kërkim të brilanteve që gjyshërit s’i gjetën si etërit bijtë eksplorojnë thellësitë. Në trajtën e spinaqit në avull dolën në breg rikrijuan strukturën... .... e thellë, më thellë kërkimi vazhdon dhe djepat përkundin të tjerë heronj. |
|