Romani i parë i Umberto Eco-s

“Emri i trëndafilit”, romani që ia ktheu nderin Umberto Eco-s. Shkrimtari italian, që gjithë jetën nuk reshti së kërkuari vërtetësinë e gjërave, dhe romani i tij i parë. Pas shumë shkrimesh publicistike, Eco vendos të shkruajë më në fund romanin e parë. Kishte kohë që përgatitej, para se të hidhej në një gjini të vështirë, siç është letërsia e verdhë. Por përgatitjet nuk e lanë në baltë. Ai solli për lexuesin “Emri i trëndafilit”, që u kthye në veprën më të famshme të tij. Ky roman paraqet misterin e një vrasjeje të ndodhur në një manastir italian, në vitin 1327. Libri u publikua për herë të parë në Itali, më 1980. Bashkë me shoqëruesin e tij, Adso i Melk (i emëruar, sipas abatit Benedikti Stift Melk), frati françeskan Uilliam i Baskervilëve udhëton për në një abaci, ku ishte kryer një vrasje. Ndërsa fillojnë hetimet, shumë njerëz vdesin në mënyrë të mistershme. Protagonistët eksplorojnë një bibliotekë mesjetare shumë të ngatërruar, fuqia diversive e qeshjes dhe përballja me inkuizicionin. Bie në fuqitë e jashtëzakonshme logjike dhe të deduksionit të Uilliamit që të zgjidhen misteret e abacisë. Ky është romani i parë i Eco-s, i cili njohu sukses të madh ndërkombëtar, ashtu siç e meritonte edhe Eco vetë, një ekzemplar i mrekullueshëm, një intelektual universal me aftësi të jashtëzakonshme, për të njohur dhe për të komunikuar. Qysh në batutat e para, lexuesi kupton se ka të bëjë me një tekst të shkruar nga një intelektuali të madh, por, në të njëjtën kohë, edhe kompleks, që prek dy tradita: atë të letërsisë së verdhë dhe atë të romanit historik. Lidhja me kohën u ka sjellë jo pak vështirësi atyre lexuesve kureshtarë. Teksti që autori zgjedh të përdorë është shumë larg romaneve të aventurës, që ishin aq shumë në modë në vitet kur u shkrua “Emri i trëndafilit”. Kritik, mendimtar, shkrimtar dhe semiolog me famë ndërkombëtare, Umberto Eco lindi në Aleksandri, më 5 janar të vitit 1932. Diplomohet në vitin 1954, në moshën 22-vjeçare, në Universitetin e Torinos, me një tezë mbi mendimin estetik të Tommaso d‘Aquino, që më pas u publikua si një volum i pavarur. Karriera e Umberto Eco-s vijon me shërbimet kulturore në Rai. Në vitet 60 nis të japë mësim në Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Universitetin e Milanos, e më pas në Universitetin e Firences e, në fund, në Fakultetin e Arkitekturës në Politeknikumin e Milanos. Janë vitet italiane të impenjimit dhe të avangardës artistike e kështu edhe semiologu ofron kontributin e tij teorik, duke aderuar në të ashtuquajturin Grupi 63, një rrymë që u kthye në shkollë, në të gjitha kuptimet. Në vitin 1962 vjen edhe shpërthimi me një kryevepër të semiologjisë “Vepër e hapur”, një tekst thelbësor, për të kuptuar evoluimin e shkencës së shenjave. Në aktivitetet e shumta, ku është protagonist, Umberto Eco gjen kohën edhe për të punuar në shtëpinë botuese “Bompiani”, deri në kohën kur emërohet profesor i Semiotikës, në Universitetin e Bolonjës. Në periudhën e viteve 1976-‘77 dhe 1980-‘83 drejton Institutin e Disiplinave të Komunikimit dhe të Spektaklit në Universitetin e Bolonjës. Koleksioni i titujve onorifikë të Eco-s është mbresëlënës, duke qenë se është nderuar nga një pjesë e mirë e universiteteve të botës. Nga viti 1989, ai është president i “International Center for Semiotic and Cognitive Studies” dhe nga viti 1994 është president nderi i “International Association for Semiotic Studies”. Ai ka bashkëpunuar me UNESCO-n, me “Expo”, më 1967, Montreal, me “Fondation Europenne de la Culture”, si dhe me shumë organizata, akademi apo me shtypin kombëtar e ndërkombëtar. Në vitin 1971 ai ishte një ndër firmëtarët e apelit të publikuar në të përjavshmen italiane “L‘Espresso”, kundër komisarit Luigi Calabresi, si dhe firmëtar i një tjetër shkrimi të publikuar në “Lotta Continua”, në të cilin shprehte solidaritetin kundrejt disa militantëve dhe drejtorëve përgjegjës të gazetës, të dënuar për shkak të një artikulli me përmbajtje të dhunshme, ku pohonin se do të ndesheshin një ditë me armë në duar kundër shtetit. Duke deklaruar se donin të mbronin lirinë e shtypit, intelektualë të shumtë, që u përkisnin inteligjencës së të majtës, kishin nënshkruar një autodenoncim, në të cilin pohonin sa kishin shkruar në atë artikull. Në tekst shkruhej: “Kur ata bërtasin ‘luftë klasës, të armatosin masën’, le të bërtasim me ta. Kur ata do të impenjohen, për të ‘luftuar një ditë me armë në duar kundër shtetit, deri në çlirimin nga padronët dhe nga shfrytëzimi’, ne impenjohemi së bashku me ta”. Mesazhi, i pangatërrueshëm nuk duket në harmoni me kërkesën për lirinë e shtypit. Ndër të tjera, kritikat e ashpra të Eco-s, ndaj terrorizmit në projekte të ndryshme për të luftuar me armë në dorë, gjenden edhe në një seri artikujsh të shkruara në të përjavshmen “L‘Espresso” dhe në gazetën “Repubblica”. Arma që karakterizoi impenjimin politik të Eco-s u kthye semiotika. Në këtë kuptim, ai gjen zgjidhje në formulën e luftës semiologjike, nëpërmjet së cilës, semiologu merr përsipër të sqarojë universin ideologjik të tekstit për të shpëtuar manipulimet e mundshme. Në këtë kuptim, lufta semiologjike është një lloj kritike sociale nëpërmjet edukimit. Umberto Eco ka kryer kërkime në shumë drejtime: mbi historinë e estetikës, mbi poezinë e avangardës, mbi komunikimet e masës, mbi kulturën e konsumit etj. Duke kaluar nga estetika mesjetare te semiotika, te kodet e komunikimit artistik, prodhimtaria e tij është shumë e gjerë. Nuk mund të harrohet edhe suksesi planetar me romanin “Emri i trëndafilit”, i ndjekur më pas edhe nga të tjerë romane të suksesshme.