Rashdi, dashuria dhe jeta

Gratë, bukuria, thashethemet e më pas arti i të shkruarit, letërsia, dy gjuhët që përdor dhe qytetet e pafundme në të cilat ka qenë. Takim me shkrimtarin e "Vargjeve Satanike"

Në botë nuk janë të shumtë shkrimtarët e përmasave dhe të origjinalitetit të Salman Rashdit. Megjithatë, kur e ke përballë, mendon se këtë njeri e kishe përfytyruar ndryshe para se ta njihje. Arsyet janë të ndryshme: ndoshta për shkak të veshjes së tij shumë ekstravagante, ndoshta për shkak të bluzës së bardhë me copëza lëkure leopardi, e ndoshta për namin që ka si një shijues i jetës së ditës dhe asaj të natës, të jetës shpirtërore dhe asaj fizike. Si në çdo vend ku shkon, qoftë edhe për pushime, ai nuk harron që të marrë me vete laptopin, disa libra dhe mbi të gjitha të organizojë konferenca të vogla me lexues dhe dashamirës të shkrimeve të tij. Fama e tij dhe mbi të gjitha shkrimet nuk janë shoqëruar deri më tani me ndonjë "Nobel", por me shumë çmime të rëndësishme për botën e letërsisë dhe me një kërcënim nga Teherani në lidhje me librin që e bëri të famshëm "Vargje Satanike". Ai zakonisht është një njeri që e përdor shumë mirë buzëqeshjen, si dhe gjuhën e tij të dytë, anglishten, të cilën tashmë e ka perfeksionuar në atë shkallë sa të shkruajë e të hedhë në letër gjithë mendimet e veta. Madje, përdor anglishten e zotërinjve me stërhollime gramatikore e frazash që e bëjnë ta dallosh menjëherë nga shkruesit e tjerë jo britanikë. Por po aq mirë ai di të përdorë edhe ironinë, madje sarkazmën hera-herës, që sipas tij, është pjesë e pashmangshme e realitetit tonë. Në vitin 1999, pak pas deklaratës së qeverisë iraniane se tashmë e kishte hequr dënimin me vdekje ndaj shkrimtarit, duke e lënë më në fund të lirë, Rashdi iu rikthye jetës publike që do të thotë se për të nisën të qarkullonin thashetheme, sikundër ai vetë nisi të qarkullonte nëpër festa e mbrëmje me vajza të bukura e njerëz të famshëm, kryesisht britanikë. Kur e pyetën një herë në një intervistë në lidhje me të gjitha thashethemet që qarkullonin për të dhe që mund t‘ia prishnin imazhin, Rashdi u përgjigj se thashethemet janë rrezik i zanatit dhe se ai ishte shumë i qartë për risqe të tilla e se i kontrollonte fort mirë. Shkrimtari i madh që ka sjellë në jetë një botë me personazhe të shumta e të çuditshme, ndoshta nuk do të ishte bërë i tillë sikur të kishte një jetë të zakonshme. Ai i kërkon vetë situatat e jashtëzakonshme e personazhet e çuditshme. Veç kësaj, ai është i famshëm edhe për marrëdhëniet e tij me femrat. Për t‘u martuar me ish-gruan e tij 25 vjet më të madhe në moshë, Padma Lakshmi, ai divorcoi bashkëshorten e tretë. Për të pasur një divorc të shpejtë, ai i dha ish-gruas plot 7 milionë euro. Por fatkeqësisht dhe kjo përpjekje e katërt e bashkëshortes nuk i doli mbarë dhe nuk dihet ende se sa para i ka dhënë ai ish-gruas së tij të katërt që vendosi ta linte një ditë të bukur. Nga të gjitha këto përvoja ka mësuar se në marrëdhënien në çift është shumë e rëndësishme miqësia. "Libri juaj i fundit quhet ‘E mrekullueshmja e Firences‘ dhe rrëfen për Italinë dhe Indinë në epokën e Rilindjes. Libri para këtij titullohej: "Klouni Shalimar" dhe është historia e një vrasësi të lindur në Kashmir. Por një nga përpjekjet e tij më të suksesshme është edhe shkrimi i historisë së Orfeut dhe Euridicës, më pas keni shkruar reportazhe shumë të bukura për Nikaraguan, ese për politikën, futbollin dhe madje edhe përralla për fëmijë. Në çdo material keni përdorur një gjuhë të re të foluri. Ka raste që ajo është e thjeshtë dhe e kuptueshme, e herë të tjera bëhet shumë hermetike, e koklavitur dhe e pasur me figura letrare". "Kur nis të shkruaj pyes gjithmonë veten: ku zhvillohet ngjarja dhe mbi të gjitha në çfarë epoke. Vetëm pasi i kam dhënë përgjigje një pyetjeje të tillë unë vendos që të zgjedh edhe gjuhën që u shkon për shtat atyre ngjarjeve. Në rastin e librit për Firencen kam dashur të rrëfej një mister dhe misteri është gjithmonë interesant, por duke qenë se kisha zgjedhur një ngjarje në të shkuarën, madje në të shkuarën e largët u frymëzova nga librat dhe stilet e veprave të tilla si ato të Aristotelit dhe Don Kishotit". Rashdi ka shkruar për të tashmen në reportazhet e tij dhe për të shkuarën në romane, po a do të shkruajë ndonjëherë për të ardhmen? Ai vetë thotë se e ka menduar një gjë të tillë dhe se do t‘i pëlqente dhe madje mund të jetë edhe subjekti i romanit të tij të ardhshëm. Ai ka qenë gjithmonë i magjepsur nga historitë fantastiko-shkencore dhe libri i tij i parë me tregime, për të cilin ai nuk është se ka ndonjë konsideratë të madhe profesionale tani, është një rrëfim fantazie dhe fantashkence njëherazi. Ai e ka përdorur fantashkencën edhe në romane të tjera, por jo në të gjithë linjën, por në linja të veçanta. Kur ishte i ri i pëlqente shumë që të lexonte për të rejat e fundit të shkencës dhe për parashikimet e së ardhmes. Veçanërisht kjo lloj gjinie pati një bum të vërtetë në vitet ‘60 që sot konsiderohet edhe si periudha e artë e fantazisë. Fatkeqësisht, sot kjo lloj letërsie kaq pjellore dhe intriguese nuk ekziston më, të paktën në ato përmasa. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve të sotëm fantastiko-shkencorë nuk shkruajnë me ndonjë nivel dhe fantazitë janë të vakëta. Kështu, Rashdi rrëfen se ai ishte i ngopur dhe nuk e lexonte më këtë lloj krijimtarie, por kishte menduar që ta sillte vetë edhe pse kishte pak droje, pasi një letërsi e tillë kërkonte edhe punë kërkimore dhe hulumtime në fusha të ndryshme të shkencës. Nga ana tjetër fantashkenca është një fushë që i jep shumë hapësirë një shkrimtari dhe kjo është premisa e parë që ky zhanër është i destinuar për të rilindur. Sipas tij, është i vetmi zhanër që i jep mundësi shkrimtarit që të lëvrojë shumë ide. Ndërkohë në librat e tij, Rashdi ka shkruar për shumë qytete të ndryshme të botës, kjo sepse autori ka jetuar dhe ka shkuar në shumë qytete. E në morinë e këtyre metropoleve të mëdha e të vogla cili është ai që shkrimtari e konsideron qytetin më interesat të botës?

Sipas tij, deri në vitin 2001 qyteti më interesant i botës ishte Nju Jorku, por më pas situata ndryshoi dhe rënia në fakt ndodhi para këtij viti. Nju Jorku, sipas shkrimtarit, ka qenë qendra kulturore e botës dhe kjo deri në fund të viteve ‘70. Në atë epokë, shumë pak gjëra kishin të bënin me paratë. Rashdi vazhdon të thotë se në vitet ‘80 hyri fuqishëm kulti i parasë dhe pagesave dhe arti u shndërrua në konsum dhe pjesë e biznesit fitimprurës. Paraja ndryshoi vlerat e deriatëhershme dhe vlerat u zëvendësuan nga injoranca e mitet e rreme. Qyteti rreshti së prodhuari art e në vend të artit prodhimi i tij i parë ishin paratë. Më pas, situata rrodhi duke u përkeqësuar deri më 11 shtator që shënoi jo vetëm për Nju Jorkun, por për tërë botën një epokë të re. Sipas shkrimtarit, sot në botë nuk ekziston një vend kryesor që të mund të konsiderohet si Roma e re. Ndoshta për disa vjet një qytet i tillë mund të jetë Pekini, apo Mumbai. Fakti është se bota po ndryshon në një mënyrë marramendëse. Por duke iu rikthyer dashurisë së parë të shkrimtarit, Nju Jorkut, që është edhe vendi ku ai ka jetuar për një kohë të gjatë çfarë vërtet i pëlqen atij në këtë qytet? Rashdi thotë se çdo qytet të kërkon dhe të jep diçka dhe për sa i takon Nju Jorkut është një qytet që kërkon shumë nga banorët e tij. Në këtë metropol, njerëzit punojnë 12 orë në ditë dhe kjo është një nga gjërat që i pëlqejnë më shumë shkrimtarit, pasi në një vend ku të gjithë punojnë shumë, është shumë më e lehtë që të punosh më mirë dhe si pasojë edhe ai e ka pasur periudhën e Nju Jorkut shumë produktive. Por kur një shkrimtar dashurohet me një qytet, bëhet fjalë për një dashuri që zakonisht ka si shkak një arsye të caktuar dhe zgjat një periudhë të caktuar. Rashdi është shumë kozmopolitan. Dashuritë e tij për njerëz të ndryshëm e qytete të ndryshme janë tashmë të njohura e si pasojë pikërisht këto dy tema të mëdha, pra përkatësia dhe çrrënjosja janë ndër temat kryesore të shkrimeve dhe romaneve të tij. Sipas vetë fjalëve të shkrimtarit, njerëzimi jeton në një dilemë të përjetshme ekzistenciale dhe gjithmonë na duhet të zgjedhim mes ikjes dhe qëndrimit në një vend, te një njeri i caktuar. Të dyja zgjidhjet janë shumë të vështira, por ëndrra e ikjes, e lënies së të shkuarës është një ëndërr që nuk vdes kurrë. Po kur shkruan a mendon Rashdi për lexuesit, apo për veten e tij? Fillimisht, ai thotë se mendonte vetëm për historinë që po rrëfente ndërsa me kalimin e kohës është bërë më i interesuar për mënyrën se si do ta perceptojnë lexuesit atë që ai kërkon të thotë dhe mendon gjithashtu dhe për procesin e vetë letërsisë. Ai kërkon në morinë e mënyrave të kumtimit të një historie te lexuesi, atë më të mirën, më bindësen, më të vërtetën e më prekësen. Ai e ndien se është detyra e tij dhe e çdo njeriu që shkruan që të gjejë pikërisht këtë mënyrë më të mirë të të kumtuarit të mesazheve. I pëlqejnë shumë filmat e regjisorit të famshëm spanjoll, Almadovar, filma plot personazhe dhe vende, plot intriga e ngjarje që gëlojnë pa reshtur gjatë gjithë kohës dhe që ndiqen nga spektatori pa shumë vështirësi. Sekreti është gjithmonë që të intuitosh shijen dhe mënyrën e të perceptuarit të lexuesit. Për të leximi është shumë i lidhur me kënaqësinë. Sigurisht, sepse po nuk na pëlqeu një libër nuk e lexojmë, por ajo që vlen me të vërtetë te një libër është ajo çka na mbetet, pasi e kemi lexuar dhe koha që këto mbresa na shoqërojnë në jetën tonë. Ka libra që i kemi lexuar në fëmijëri dhe na shoqërojnë gjatë gjithë jetës deri në ditët e fundit e të tjerë të cilët i kemi lexuar pa mendje dhe që nuk na kanë lënë asnjë lloj gjurme. Numri i librave që duam me të vërtetë dhe që për hir të së vërtetës është i pakët gjatë një jete, kushtëzon edhe mënyrën e të parit të botës. Sidomos librat e lexuar në fëmijëri janë me të vërtetë ata që na frymëzojnë dhe na pajisin me një optikë të caktuar për të gjykuar dhe shijuar. "Unë kur shkruaj, mendoj për trashëgiminë që do të lenë librat e mi te lexuesit, pra te jetëgjatësia e mesazhit. Rashdit i interesojnë shumë takimet me lexuesit, sepse prej tyre ai merr atë që, do pra se sa ka mundur që të transmetojë idetë e tij dhe kjo bëhet vetëm përmes takimeve të drejtpërdrejta. Ai thotë se dëshiron që letërsia e tij të ndryshojë mënyrat e jetesës së lexuesve. I pëlqejnë shumë ata lexues që kanë pyetje të caktuara dhe të sakta në lidhje me veprat e tij që flasin për mbresat dhe reagimet e tyre gjatë dhe në përfundim të leximit. Sigurisht që nuk duron aspak pyetje të tilla si: si ndiheni tani që jeni i famshëm dhe i pasur?

Cili është libri që ai bën më shpesh dhuratë? Një nga librat e tij të dashur është një libër i Borgesit "Shtirjet" dhe veç këtij dhe librin "Qytetet e padukshme" të Kalvios. "Këtë të fundit e kam njohur në Londër kur pata kënaqësinë që të isha në një prezantim të një libri të tij. Ndërkaq, i kërkova që të më shihte disa shkrime të miat. Pata një droje të jashtëzakonshme ndërsa ai i lexonte materialet e mia, por në fund mora vlerësimet maksimale dhe ky ka qenë një nga momentet e mia më të rëndësishme, sesi vlerësimi i një njeriu të tillë më dha krahë". Rashdi është lindur në Indi, por është shkolluar në shkollat më të mira të Anglisë. Ai flet dy gjuhë dhe shkruan në mënyrë perfekte në anglisht. Po si ndihet të shkruajë në një gjuhë që nuk është për të gjuha e nënës? "Anglishtja është gjuha që e di dhe e flas më mirë se gjuhën e nënës, madje këtë të fundit shpesh nuk kam rastin që ta ushtroj. Janë të paktë shkrimtarët që arrijnë të jenë kreativë në dy gjuhë të huaja, mbase më i famshmi prej tyre është vetëm Vladimir Nabokov".

Rashdi është një njohës i mirë i shkrimtarëve anglosaksonë, të cilët aktualisht po përballen me një sukses të jashtëzakonshëm, pra po kalojnë një periudhë të begatë krijimtarie e prodhimtarie. A bën pjesë shkrimtari në këtë listë njerëzish të suksesshëm? "Unë mendoj se ajo çka kam shkruar ka ndihmuar njerëzit në një farë mënyre që të mendojnë për disa vlera dhe ide të caktuara. Kur publikova librin "Djemtë e mesnatës" më kërkuan një mendim në lidhje me shkrimtarët e tjerë indianë, por në atë kohë nuk kishte asnjë shkrimtar në Indi dhe si pasojë nuk dhashë asnjë lloj përgjigje bindëse dhe të saktë. Sot, pas 3 vitesh, ka qindra shkrimtarë indianë dhe në këtë këndvështrim mendoj se kam hapur një portë të vërtetë në letërsinë e vendit tim dhe sigurisht që kjo më bën që të ndihem krenar. Ndërsa për sa u përket shkrimtarëve anglosaksonë, sigurisht që ata janë në një periudhë shumë të mirë krijimtarie dhe kjo më lumturon, por nuk më takon mua që ta vendos se jam, apo nuk jam në listën e tyre. Antologjitë e së ardhmes, nëse do të më përfshijnë, mund ta japin më mirë se kushdo tjetër këtë përgjigje. Rashdi është 62 vjeç dhe thotë se në këtë moshë ka shkruar vetëm gjysmën e librave që ka ndërmend të shkruajë. 20 vitet e fundit kanë qenë për të plot ngjarje, vite të bukura, por dhe shumë të vështira, të shoqëruara nga 4 divorce dhe shumë punë. Pas gjithë këtyre përvojave, cilat janë gjërat që e mrekullojnë më shumë? "Bukuria, ajo e natyrës, dhe e artit, e poezisë. Unë jam skllav i bukurisë. Ajo është drogë për mua dhe mendoj se është një dhuratë që na është dhënë të gjithëve dhe që nuk duhet ta harrojmë. Çdo ditë sulmohemi nga gjëra të pakëndshme, nga monstruozitete që janë vepër e dorës së njeriut. Ja përse është e drejtë që të kujtojmë se jemi në gjendje që të prodhojmë dhe të shijojmë bukuritë. Në këtë këndvështrim, për mua bukuria ka një vlerë etike jo vetëm estetike.


Deri në vitin 2001

qyteti më interesant i

botës ishte Nju Jorku,

por më pas situata

ndryshoi dhe rënia në

fakt ndodhi para këtij

viti. Nju Jorku, sipas

shkrimtarit, ka qenë

qendra kulturore e

botës dhe kjo deri në

fund të viteve ’70