Pse letërsia shqipe nuk ka vlera europiane?

ANTON PAPLEKA

1. Ç’kuptojmë me “vlera europiane”?

Objektivisht, letërsia shqipe bën pjesë në atë tërësi që quhet letërsi europiane, sepse gjeografikisht Shqipëria i përket Europës. Për të gjykuar nëse letërsia shqipe ka apo nuk ka vlera europiane, në këtë shkrim nuk do të nisemi nga pikëpamja gjeografike, por nga pikëpamja estetike. Dihet se tekstet letrare që botohen në Europë, u përkasin disa niveleve: ka tekste të dobëta, tekste mediokre, tekste mesatare dhe tekste me cilësi të lartë. Vlerat e vërteta letrare europiane nuk përfaqësohen nga librat e dobët, mediokër dhe mesatarë të shkrimtarëve francezë, anglezë, gjermanë, italianë, spanjollë, portugezë, grekë etj., por nga veprat letrare që me prurjet e reja substanciale dhe formale, me cilësinë e tyre të lartë e pasurojnë kulturën e kontinentit tonë. Objektiviteti shkencor na detyron të themi se letërsisë shqipe i kanë munguar autorë madhorë, me vepra tejet origjinale dhe me karakter universal si Dantja, Shekspiri, Servantesi, Gëtja, Balzaku, Floberi, Bajroni, Bretoni, Sen-Xhon Persi… Nuk mund të thuhet se kanë medoemos vlera letrare të larta të gjitha librat që botohen në Europë, që mund të shiten me miliona kopje nëpër libraritë e Europës, siç është rasti i romaneve të belges Amelie Nothomb, të brazilianit Paolo Coelho, të amerikanes Danielle Steel etj. Në trashëgiminë letrare të kontinentit tonë përfshihen vetëm ato vepra që çelin shtigje të reja në zhvillimet estetike europiane dhe bëhen pjesë e debatit letrar europian. Nga informacioni i derisotëm, nuk del se kjo gjë ka ndodhur me shkrimtarët shqiptarë. Në një studim të tij të kohëve të fundit për letërsinë e Europës Juglindore, kritiku i njohur amerikan Harold Blum veçonte si shkrimtarë të shquar serbët: Ivo Andriç, Danilo Kish, Vasko Popa dhe grekët: Kavafi, Seferis, Elitis, Kazanzaqis. Me keqardhje vura re se ai nuk zinte ngoje ndonjë shqiptar. Besoj se dalzotësit e letërsisë shqipe nuk mund ta akuzojnë Blumin si filoserb, si filogrek apo si antishqiptar! Si kriter përcaktues të vlerave europiane të letërsisë shqipe, dikush përmend çmimet letrare që ka marrë ndonjë autor. Është folur e përfolur se si funksionon sistemi i dhënies së çmimeve letrare, për rolin që luajnë interesat komerciale të botuesve në dhënien e këtyre çmimeve. Pa u zgjatur më tej me këtë çështje, atyre që tundin triumfalisht flamurin e çmimeve letrare, dua t’u kujtoj se katër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX: Prust, Xhojs, Kafka, Borges (sipas Hector Bianciotti-t) nuk kanë marrë çmimin “Nobel”! Ata që flasin për vlerat europiane të letërsisë shqipe, duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk janë bërë përpjekjet e domosdoshme për t’u dhënë mundësi publikut dhe estetëve europianë t’i njohin veprat më të mira të autorëve shqiptarë përmes përkthimesh cilësore dhe studimesh krahasimtare. Mendoj se vlerat e njëmendta të letërsisë shqipe nuk mund të mbrohen duke u frymëzuar nga “patriotizmi letrar”, nga albanocentrizmi apo nga megalomania, të cilën e kemi trashëguar si atavizëm qoftë nga e kaluara e largët, qoftë nga periudha e monizmit, por duke u nisur nga sensi kritik, nga objektiviteti shkencor. Të thuash se veprat e Naimit, të Fishtës, të Mjedës, të Poradecit nuk radhiten midis vlerave më të larta të letërsisë europiane, nuk do të thotë aspak të mohosh rëndësinë e tyre, rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rrafshin kombëtar. Çdo studiues apo njohës i letërsisë shqipe e di se poetët tanë romantikë, të kushtëzuar nga rrethanat historike dhe kulturore të vendit të cilët i përkisnin apo të vendit ku jetuan, nuk e pasuruan dot me vlera të reja dhe origjinale romantizmin europian. Balada “Lugati” e Ndue Bytyçit, për të cilën kam botuar një studim të veçantë, është shkruar rreth njëqind vjet pas botimit të baladës “Mbreti i pyllit” të Goethe-s, me të cilën ka ngjashmëri. Pavarësisht se si tekst në vetvete balada “Lugati” ka vlera letrare të mirëfillta, nuk mund të themi se ajo e pasuron letërsinë europiane. Shembuj të përafërt mund të sjellim edhe nga letërsia e re shqipe. Ndonëse teksti “Ura me tri harqe” ishte një risi për letërsinë tonë, pasi ke lexuar romanin “Ura mbi Drin” të Ivo Andriçit, të botuar dhjetëra vjet para veprës së Kadaresë, bindesh se autori shqiptar nuk e ka pasuruar letërsinë europiane me ndonjë prurje origjinale. Një nga shkaqet kryesore që ka penguar integrimin e vlerave të letërsisë shqipe në tërësinë e vlerave të letërsisë europiane, ka qenë prapambetja estetike e shkrimtarëve shqiptarë. Edhe autorë madhorë si Fishta, Mjeda, Poradeci apo Noli në pikëpamje estetike qenë rreth pesëdhjetë apo njëqind vjet prapa kolegëve të tyre europianë. Megjithëse dinin disa gjuhë të huaja, në tekstet e tyre letrare apo publicistike nuk ka referenca për futurizmin, për kubizmin, për dadaizmin, për syrealizmin… Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe me autorët e mëvonshëm të shekullit XX. Madje edhe pas heqjes së pengesave politike dhe ideologjike në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, tek autorët e rinj u vu re prirja për të imituar lëvizje letrare të tejkaluara prej kohësh si dadaizmi, syrealizmi etj. Prapambetja estetike në Shqipëri është kaq e madhe sa edhe sot e kësaj dite ka shkrimtarë e studiues që nuk i kanë të qarta koncepte të tilla si letërsi moderne, letërsi moderniste dhe letërsi postmoderniste… Meqenëse shkrimtarët shqiptarë nuk morën pjesë në lëvizjet letrare europiane, siç ndodhi me rumunët, të cilët krijuan grupe të fuqishme syrealiste, nuk mund të bëhet fjalë për themelimin e ndonjë lëvizjeje letrare në Shqipëri. Ndryshe ndodhi në Serbi ku në vitet njëzet të shekullit të kaluar u themelua lëvizja letrare e quajtur zenitizëm (Drazhen Katunariç). Megjithëse përfaqësuesit e zenitizmit kishin pikëpamje nacionaliste dhe i kundërviheshin qytetërimit perëndimor, ata botuan disa manifeste letrare. Me këta shembuj që përmenda më sipër, desha të theksoja se pa një veprimtari estetike origjinale dhe të larmishme, është e vështirë ta pasurosh kulturën europiane me vlera letrare. 2. Pse nuk kemi vlera europiane? Nuk kemi dhe nuk do të kemi vlera letrare europiane për sa kohë që nuk do të ketë konkurrencë të vërtetë në shkallë kombëtare. Edhe në shekullin XXI, letërsia shqipe mbetet e parcelizuar, letërsi principatash: letërsia e Shqipërisë (së 1913), letërsia e Kosovës, letërsia e shqiptarëve të Maqedonisë etj. Midis shkrimtarëve të trojeve shqiptare mungon një komunikim intensiv, i institucionalizuar, i organizuar. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që në Tiranë dhe në Prishtinë do të zhvillohen simpoziume dhe seminare me nivel të ulët shkencor, sa për të kaluar radhën, të cilat rrallëherë i trazojnë ujërat e konformizmit dhe u japin një shtysë të re proceseve letrare. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që shkrimtarët nuk do të quhen të tillë për shkak të kontributeve të vërteta letrare, po për shkak të pompimeve, të reklamimeve dhe të glorifikimeve të ndonjë fletushke bulevardeske, për sa kohë që në ekranet televizive dhe në valët e radios do të luajnë rolin e studiuesit të letërsisë individë jokompetentë, analistë që merren me fushatat zgjedhore, me krizat financiare etj. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që nuk do të veprojnë mekanizmat e përzgjedhjes e të vlerësimit real të letërsisë; për sa kohë që do të ketë juri letrare të instrumentalizuara e të politizuara, të përbëra nga mercenarë, të cilët pa iu dridhur dora do t’u japin çmime autorëve apo librave mediokër. Ndër rastet e shumta skandaloze, po përmend rastin kur një libri me kujtime (memorialistikë) iu dhe çmimi i romanit! Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që pushtetarët do të ndërhyjnë në jetën letrare, do të dhunojnë kufirin e Republikës së Letërsisë ku nuk shtrihet pushteti i tyre. Ndërhyrja e pushtetarëve merr edhe përmasa komike kur ata orvaten të inskenojnë tablonë mitologjike “Kurorëzimi i Homerit nga muzat”, duke përdorur praktika që të kujtojnë regjimet totalitare. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që shteti do t’i keqtrajtojë shkrimtarët, siç është rasti i përfaqësuesit të tij më tipik, Ylli Pangos, i cili, në emër të një qeverie që pretendon se do të integrohet në Europë, kusaroi në mes të ditës selinë e shoqatës së shkrimtarëve. Qeveria bën mirë kur përpiqet t’i pajisë me kompjuter e me internet edhe nxënësit e shkollave të fshatit, por është e pafalshme mospërfillja e saj e plotë ndaj shkrimtarëve, mosinteresimi për t’iu siguruar disa kushte të domosdoshme që do të favorizonin krijimtarinë e tyre. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që shkrimtarët e Shqipërisë nuk do të botojnë dot një organ letrar, dukuri që mund të haset rrallë edhe në vendet më të pazhvilluara të botës. Shteti e ka për detyrë të subvencionojë botimin e autorëve të shquar të traditës së gjallë dhe të autorëve bashkëkohorë, t’u japë bursa shkrimtarëve më të talentuar, të mbështetë fondacionet që do të ndihmonin për zhvillimin e letërsisë, të organizojë sistemin e mecenatizmit. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që tekstet shkollore për letërsinë do të lihen në dorë të “ustallarëve” që nuk kanë kompetencë shkencore, që nisen vetëm e vetëm nga interesa fitimprurëse. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që në fakultetet e letërsisë do të japin mësim edhe pedagogë të rëndomtë, të cilët nuk janë shquar as si shkrimtarë, as si studiues, që nuk kanë përvojë, që janë emëruar në këtë apo atë post me të mbaruar studimet thjesht për shkak të militantizmit partiak. Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që do të mbizotërojë mendimi se shkrimtar mund të bëhet kushdo, pa talent, pa kulturë, pa punë të stërmundimshme, pa përvojë, mjafton që të nxijë letër dhe të ketë para me thes; për sa kohë që shkrimtarët tanë provincialë nuk do të çlirohen nga marrëzia e madhështisë, nuk do ta kuptojnë se vlerat virtuale nuk janë vlera reale. Në kafenetë e Tiranës, shpeshherë mund të dëgjosh autorë shqiptarë që mburren se i kanë tejkaluar Alain Robbe-Grillet-në e Nathalie Sarraute-in, se librat e tyre kanë nivelin e nobelistëve! Nuk kemi dhe nuk do të kemi letërsi me vlera europiane për sa kohë që në vend të një kritike letrare profesionale, të çliruar nga skemat, nga udhëzimet e partisë në pushtet dhe nga idhujtaria, do të mbizotërojë një kritikë klienteliste; për sa kohë që dikush do të ketë guxim të shkruajë se ca romane diletantësh apo provincialësh i bëjnë nder letërsisë kombëtare; për sa kohë që dikush nuk do të ketë turp të deklarojë publikisht se e pasurojnë letërsinë botërore disa autorë që janë të zakonshëm edhe në Shqipëri! Një megalomani e tillë të kujton mendësinë e shqiptarëve të paditur, të cilët pandehnin se një pushkë e shtënë në një humbëtirë nga një bashkëfshatar i tyre, kishte bërë jehonë deri në Paris, siç e dëshmon kënga e mëposhtme: “Pushka jote, o Mete, krisi,/ U dëgjua te Parisi!…” Megjithëse kam rreth një gjysmë shekulli që lexoj letërsi, nuk mund të them se shkrimtarët shqiptarë e kanë pasuruar letërsinë europiane me ndonjë problematikë, me ndonjë temë, me ndonjë ide, me ndonjë personazh, me ndonjë strukturë apo teknikë të shkruari të panjohur prej saj. Edhe në arritjet e tyre më të mira, shkrimtarët shqiptarë kanë ndjekur (shpeshherë me vonesë të madhe) zhvillimet letrare europiane, kanë imituar modelet letrare europiane. Sot, në një kohë kur flitet shumë për integrimin rajonal në rrafshin politik e ekonomik, mendoj se do të ishte e udhës të flitej edhe për integrimin rajonal në rrafshin kulturor, përkatësisht letrar. Duke u integruar në rrjedhat letrare ballkanike, do ta kishim më të lehtë të integroheshim në rrjedhat letrare europiane. Vetëm pasi të kemi krijuar vlera letrare që do të imponohen në kuadër të letërsisë ballkanike, mund të mëtojmë të krijojmë vlera të tilla të larta edhe në kuadër të letërsisë europiane. Problemin që trajton akademik Rexhep Qosja në ligjëratën e tij “Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe”, e ka shpalosur në shtyp disa kohë më parë edhe shkrimtari Moikom Zeqo, i cili ka theksuar se letërsia shqipe është estetikisht e prapambetur, është një letërsi provinciale. Pa u shkëputur nga provincializmi, as që mund të bëhet fjalë që letërsia shqipe të ketë vlera europiane… Ndaj përfundimeve që nxjerr R. Qosja në studimin e tij, kohët e fundit, në shtypin e përditshëm janë botuar reagimet e disa autorëve shqiptarë. Në këto reagime, të bie në sy sidomos gatishmëria për t’iu kundërvënë pa medituar, pa pritur të kristalizohen mendimet. Nxitimi për të mbrojtur e për të vënë në vend nderin e marrun të “letratyrës shqype”, të kujton malësorët e kanunit që rrëmbenin armët për të ndëshkuar atë që i kishte prekur në “namuz”! Studiuesit europianë na mësojnë se hagjiografia është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet një autori. Witgenstein-i ka vënë në dukje domosdoshmërinë e zotërimit të një kulture të gjerë gjatë procesit të vlerësimit estetik të një vepre apo të një letërsie të caktuar. Vetëm ata shkrimtarë dhe studiues shqiptarë që kanë aftësinë ta shohin të vërtetën në sy, që janë të prirë t’i vlerësojnë objektivisht vlerat tona të njëmendta, janë në gjendje ta sheshojnë rrugën për të arritur atje ku dëshirojmë, në mënyrë që edhe letërsia jonë të ketë vepra origjinale, të cilat do ta pasurojnë letërsinë europiane dhe do të qëndrojnë përkrah vlerave më të mira të saj. Po të kemi parasysh se, sipas historianit të letërsisë shqipe Dhimitër S. Shuteriqit, letërsia është pararoja e kulturës shqiptare, problemi që ka trajtuar R. Qosja ka rëndësi shumë më të madhe sesa ajo që mund të duket në shikim të parë. Meqenëse “eksporti ynë kulturor” përbëhet kryesisht nga veprat letrare, do të ishte e natyrshme, por edhe e domosdoshme që shteti shqiptar me organizmat dhe mekanizmat e tij ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet europiane, t’i jepte përparësi mbështetjes ndaj letersisë cilësore, sidomos përmes projekteve që do të bënin të mundur përkthimin e veprave të autorëve shqiptarë, të cilat estetikisht qëndrojnë më lart.