PROF.DR.MUZAFER KORKUTI - Dilentantizmi dhe zanati





Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së prof.Selman Rizës në vjeshtë të këtij vitit Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si dhe institucione të tjera shkencore do të organizojnë veprimtari që do të nderojnë e vlerësojnë veprën e këtij gjuhëtari të shquar. Këto ditë duke shfletuar publicistikën e prof.Rizës më tërhoqi vëmendjen shkrimi “Diletantizmi dhe zanati” botuar në revistën “Përpjekja Shqiptare”, Tiranë 1938, nr.13, f.82-84, ku ndër të tjera shkruan: “Diletantismin e gjejmë pa fjalë në çdo vent të botës së qytetëruar dhe në çdo lëmë të diturive e të mjeshtërivet. Mirë po mua smë besohet që diletantismi të lulëzojë gjithkund gjetkë siçlulëzon përgjithësisht si në Shqipëri dhe nalbanologji posaçërisht. Le që “Shqipot” e kanë shtrembëruar domethënien e diletantizmit aqë sa e kanë bërë një rrezik shoqëror këtë përdorim të mençur dhe të dobishëm të ngesë shoqërore. Edhe me të vërtetë, në qoftë se diletantismi për të huajt e qytetëruar është një lloj sporti sipas të cilit jepen vetëm kur lihen të ngeshëm nga ushtrim i mjeshtërisë që kanë mësuar, shumica më e madhe e diletantëve tanë e kanë këtë sport për çdo profesion”. Preferova të ve të njëjtin titull të shkrimit Diletantizmi dhe zanati (në kuptimin profesioni-specialisti), sepse tek ne edhe shek.XXI diletantizmi ka gjetur fushë të gjerë, në faqet shkencore të shtypit të përditshëm. Duket se “uria” e gazetave për të mbushur qindra faqet që botohen çdo ditë, si edhe liria e shtypit që pranon çdo lloj shkrimi (sipas disa redaksive përgjegjësinë e mban autori dhe ti ke të drejtën ti përgjigjesh), krijon tek lexuesi një disinformim, një çoroditje që nuk i shërben kërkujt. Mendoj se jemi në një situatë të pa këndshme, ashtu si 71 vjet më parë, kur prof. S.Rizën e shqetësonte veçanërisht dilentantizmi dhe në albanologji. Për të ilustruar sa më sipër po sjell si shembull shkrimin “A kanë ekzistuar pellazgët? Botuar në gazetën “Metropol”, 3 gusht 2009, f.10-11 dhe në gazetën “Albania”, 4-5 gusht 2009, f.21.N artikull për çështjen më thelbësore që ka të bëjë me arritjet e studimeve shqiptare të 20-30 viteve të fundit shkruhet: “Nuk ka si të mos çuditemi që tek sa parathënia e Historisë së Shqipërisë (vëll.I, 1959, f.28-29) përmend, qoftë edhe shkarazi, tezën pellazgjike”. (E quaj të nevojshme të saktësoj se mendimi i autorëve të këtij teksti është formuluar saktësisht jo në f.28-29 ku jepen pikëpamjet e studiuesve të ndryshëm për pellazgët, po në f. 49, ku thuhet: “nuk përjashtohet mundësia që Ilirët e Jugut të kenë pasur ndonjë lidhje me popullsinë më të hershme pellazgjike të këtyre krahinave, por kjo hipotezë pune ka nevojë për një përpunim dhe një mbështetje të mëtejshme shkencore”). Në vazhdim të artikullit tuaj ju shkruani “...botimi i ri i Historisë së Popullit Shqiptar (vëll.I 2002) e fshin krejt termin “pellazgjik” sikur ky term të djell sot murtajë”. Zotëri i nderuar nuk kini të drejtë ti servirni lexuesit një të pa vërtetë. Në veprën e re të historisë bëhet një vlerësim e interpretim i ri i kërkimeve e studimeve shqiptare në fushën e prehistorisë, duke i dhënë kështu një mbështetje shkencore kësaj hipoteze pune. Meqenë se ju nuk e kini lexuar (atë që është e zeza mbi të bardhë), po citoj sa është shkruar për këtë çështje në f.41 nga autori i këtij shkrimi:” “Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të grumbulluara në pesëdhjetë vjetet e fundit, në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proces fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane e panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike. Kjo dyndje indoevropiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se ato lindore. Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike e kulturore të popullsive neolitike vendase paraindoevropiane ose, sipas disa studiuesve, indoevropianë të hershme, me ardhësit e rinj indoevropiane të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proceset etnogjenetike të popullsive të vjetra të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera joilire... Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etnokulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë popullsia parailire, që në burimet historike njihet si pellazge”. Gjithashtu në tekstin Historia 4, profili shoqëror (për maturantët e gjimnazit, miratuar nga MASH, botuar nga “Pegi”, Tiranë 1006, f.5, në sythin “Banorët e tejlashtë të vendit tonë”, arrihet në përfundimin se: “Si rezultat i përparimeve ekonomike e kulturore që u bënë në të gjitha veprimtaritë e shoqërisë eneolitike (bakër-gur 3500-3000 vjet p.e.re), nga fundi i epokës, u arrit të formohej një bashkësi e gjerë kulturore, bartësit e së cilës në pikëpamje gjuhësore ishin paleoindoevrpjanë. Sipas burimeve të autorëve të vjetër grekë si Homeri, Hesiodi, herodoti etj., kjo popullsi e hershme e Gadishullit ballkanik ishte pellazge, ndaj edhe bartësit e tejlashtë të territorit të vendit tonë mund të quhen pellazge”. Në vazhdim të këtij përfundimi të arkeologjisë shqiptare dhe për lehtësi kuptimi mund të lexoni edhe tekstin e klasës së 8 Historia e popullit shqiptare, Tiranë 2003, f.4-5, botuar nga shtypshkronja Eldor”, miratuar nga MASH, ku thuhet : “Të dhënat arkeologjike të epokës së bakrit të zbuluara në vendin tonë dëshmojnë se ka një lidhje ndërmjet kulturës dhe bartësve të saj, të cilët sipas autorëve antikë ishin pellazgë. Këtej rrjedh edhe pikëpamja se pellazgët ishin paraardhësit e ilirëve” (M.K.) Nga sa citova mbi përfundimet e arritura për pellazgët e problemin pellazgjik nga prehistorianët shqiptarë e të pasqyruara në botime akademike (Historia e Popullit Shqiptar 2002, Kuvendi I i Studimeve Ilire Tiranë 1974 f.72-73, revista Iliria 1985, 2, f.57 etj., në botimet e miratuara nga MASH, në tekstin e Historisë për maturantët e për nxënësit e klasës 8), besoj se mjafton për të provuar se ajo që thuhet në shkrimin tuaj se “botimi i ri e fshin termin pellazg si kur ky term të sjell murtajë”, është një lajthitje një diletantizëm në albanologji. Në se nuk jini dakord me ato përfundime të bëra publike që janë arritur nga arkeologjia shqiptare, urdhëroni shprehuni. Po më parë njihuni me to, se ato nuk janë kripë që shkrihet në ujë, po dëshmi arkeologjike me vlera Ballkanike të zbuluara në Maliq, Vashtëmi, Dunavec, Sovjan, Tren, Barçë, Podgorie të Korçës, në Kamnik, Luaras e Prodan të Kolonjës, në Dajç, Kënetë të Kukësit, në Gajtan, Shtoj, Shrel të Shkodrës, në Balz e Nezit të Matit, në Katundas, të Beratit, në Cakran të Fierit, në Bënjë e Piskovë të Përmetit e deri në Konispol. I përmenda këto qendra prehistorike të gërmuara e të studiuara se kanë të bëjnë me epokën para ilire që do të thotë se është guxuar, kuturisur të hidhej vështrimi përtej para-ilirëve qysh më 1961 me gërmimet në vendbanimin me rëndësi Ballkanike të Maliqit, për të provuar se ajo që shkruhet në artikull (Veçse, nëse do të guxohej të tejkalohej, për shembull, më në thellësi të kohërave, pra të dilej jashtë kuadrit themelor të albanologjisë së sotme, të hidhej një vështrim për tej parailirëve”), është një e pa vërtetë tjetër një diletantizëm në shkrimin tuaj. Pranimi me rezervë, nga historiografia shqiptare, i termit pellazgë me një kuptim e domethënie të caktuar, nga sa nënkuptohet për artikullshkruesin, është një mohim i tezës pellazgjike dhe një shikim i saj si një murtajë(!!). Sa kohë që punohet në vazhdimësi në zgjidhjen e një hipoteze pune duhet të pranohen ato rezultate që janë arritë e pranuar nga studiuesit shqiptar e të huaj, e nuk duhet të nisemi nga dëshira për të pohuar apriori se jemi populli më i lashtë në Ballkan dhe se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe me anë të saj mund të spjegohet edhe origjina e disa gjuhë të tjera dhe as se si të sjellim si argumente epitete e cilësime se ky ose ai autor është profesor i shquar i këtij ose atij universiteti,është brilant, filolog i klasit të parë, pellazgologu më i shquaar etj. Me këtë nuk dua të them se me problemin e lashtësisë së popullit tonë kanë të drejtë të merren vetëm specialistët e fushave të ngushta (si historianët e gjuhës, arkeologët prehistorinë, antropologët etj.). Me shumë kënaqësi do të mirëprisja një shkrim, që të paktën bën një pasqyrë të ecurisë së arritjeve në sqarimin e mëtejshëm të problemit pellazgjik, por kurrsesi nuk është në dobi të lexuesit një përmbledhje emrash e pikëpamjesh, nga ato të fundit të shek.XIX e deri tek ato të fillimit të shek.XXI, pa asnjë kriter shkencor. Gjithashtu dua të theksoj se në artikullin e cituar ka edhe shumë thënie që duhen sqaruar e saktësuar,por është e vështirë bile e pa mundur të debatosh me pohime që specialistët e fushave i kanë zgjidhur e vendosur me kohë (është fjala për kritere bazë pune).Kështu kur shtrojmë pyetjen A kanë ekzistuar Pellazgët, çështjet bazë që kërkojnë përgjigje janë të përcaktuara: kur kanë ekzistuar,ku shtriheshin e çfarë gjuhe flisnin,çduhet të kuptojmë me bashkësi a popullsi pellazge etj., dhe mbi këto kritere mund të ndërtojmë e të kuptojmë, atë që është arritur në këtë mori të pafundme të asaj që quhet pellazgë e pellazgjishtes dhe të mos biem në pozitat e asaj që thotë një studiues që sejcili i bie kambanës së vet.Fjala vjen kur pranojmë ekzistencën e pellazgëve duhet të caktojmë përafërsisht edhe kohën kur ka ekzistuar kjo popullsi:është fjala për epokën e hekurit (shek.XI-V p.Kr.),për epokën e bronzit (3200-1100 p.Kr.),për epokën e bakrit (3500-3200 p.Kr.) a po për e pokën e neolitit (mijëvjeçari i shtatë- mijëvjeçari i katërt p.Kr.).Kështu citmi se Muret pellazgjike ciklopike të Dodonës vazhdojnë të intrigojnë shkencëtarët e turistët(!!) me atë konstruksion po aq të përsosur sa të piramidave të Egjiptit ku nuk depërton as rehu i thikës,nuk përbëjnë argument për faktin se arkeologët i kanë përcaktuar muret e Dodonës si ndërtime të shek,VII p. Kr.,kurse madhështia e mureve të Dodonës le ti intrigojë turistët për kënaqësinë e tyre. Porosia e prof. Selman Rizës është gjithënjë aktuale, vlen si një zilepër redaksitë e shtypit të shkruar e atij audioviziv,kur është rasti i botimit të artikujve për albanologjinë (Lexo suplementin Milosau të Gazetës Shqiptare se do të gjeshë thesare për albanologjinë). Kurse autorit të shkrimit do ti lutesha që mbiemrin tim ta shkruaj siç e kam ,pa i shtuar dy shkronja në fund, se edhe pasaktësia është pjesë e dilentantizmit. Në vëmendje të autorit të shkrimit “A kanë ekzistuar pellazgë”?