POSTSCRIPTUM PËR LIBRIN “MAQEDONIA NË DARËN E KRIZAVE”



Këtyre ditëve në Tetovë u bë promovimi i dy librave publicistikë “Maqedonia në darën e krizave” dhe “Grandomania” të publicistit shqiptar, Ylber Lili.


Nga Agron TUFA

Ja, më në fund, një libër që duhej të ishte shkruar kohë më parë; një libër, për të cilin kishim nevojë, sikundër ka nevojë shikimi për ta dalluar më qartë objektin e turbulluar nga sfondi. Me-gjithë paragjykimet e lira e të hamendësuara, libri i gazetarit Ylber Lili realizon, më së paku, njohjen e kontekstit konjuktural politik e nacio-nalist, në darën e të cilit qëndron e mbërthyer çështja ekzistenciale e shqiptarëve të Maqedonisë, në shtetin gjoja multietnik maqedonas. Përfytyrimi ynë mbi çështjen shqiptare në Maqedoni, për faj të mung-esës së debateve apo librave lidhur me të, por edhe për faj të informa-cionit të “dytë”, është thjeshtëzuar e rutinizuar skematikisht me infor-macione e kronika koprace televizive, të cilat, në mungesë të një koherence të mprehtë, na japin një imazh paksa të trëndafiltë, pa arritur kurrë të cekin dramat e vërteta.

Libri i Ylber Lilit është “sfera e vëzhguesit shtesë”, që e hap këtë çështje në disa profile, për të kundruar me një meditacion neutral e të zymtë tërë ferrin e vërtetë, në të cilin mbahet peng problemi shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë, që i kanë mbijetuar përgjatë gjithë shekullit XX politikave gjenocide e shkombëtarizuese të doktrinave nacionaliste serbo-jugosllave, përballen që prej viteve nëntëdhjetë me një variant të ri, të dhunshëm e përjashtues të etnocentrizmit maqedonas, si remini-shencë e ripërtërirë e praktikës doktrinare serbe.

Duke u kredhur shkallëshkallshëm në rrënjët e sajesës identi-tare maqedonase, Ylber Lili na e shpalos këtë peizazh në origjinën e tij me kontributin e “trurit doktrinar etnocentrist” të Gligorovit, një antro-poid i politikës së Titos dhe Millosheviçit me pathosin e tij të ekui-distancës ndaj shqiptarëve. Libri rreket të ndërtojë një qasje analitike të përfaqësimit politik shqiptar në konfrontim të vazhdueshëm me gra-ckat, kurthet dhe labirintet e filozofisë përjashtuese e diskriminuese të politikës maqedonase, si vijuese e drejtpërdrejtë e përvojave serbo-jugo-sllave të shkombëtarizimit dhe delegjitimimit të shqiptarëve.

Në librin “Maqedonia në darën e krizave” i kushtohet vëme-ndje ndërgjegjësimit politik dhe luftës së drejtë me mjetet demokratike e legjitime të partive shqiptare, rritjes së rolit konstruktiv për krijimin e një shteti të përbashkët, në bazë të respektimit të të drejtave e lirive na-cionale, të cilat kulmojnë me gjurmën e thellë që la në këtë përballje politikani dhe mendimtari i njohur i përmasave kombëtare, Arbën Xhaferri.

Kjo përvojë pjekurie politike, e ndjekur nga nxënësi i tij, gjitha-shtu politikani inteligjent dhe modern, drejtues i PDSH-së, Menduh Thaçi, në bashkëpunim edhe me faktorin politik ndërkombëtar euro-amerikan, e shtrëngoi politikën etnocentriste maqedonase t’u njihte shqiptarëve disa të drejta dhe përfaqësime në realitetin e shtetit të për-bashkët multietnik.

Autori na përshtat mirë me itinerarin e vështirë e të rënduar psikologjik që i çoi palët në Marrëveshjen e Ohrit, por nga ana tjetër, rrëfen me hollësi dobësitë dhe kompromiset konjukturale që tregoi një pjesë e formacionit politik shqiptar për shkak të etjes për pushtet, për-fshirjes së tyre në qeveri, duke mbajtur peng arritjet që qenë shënuar deri në vitin 2001. Pasojë e kësaj verbërie, sipas autorit, është regresi në disa çështje me natyrë thelbësore, siç është pezullimi dhe ngrirja e Ma-rrëveshjes së Ohrit, rrudhja nga pjesëmarrja dhe përfaqësimi shtetëror dhe institucional i shqiptarëve, papunësia, zmbrapsja dhe largimi i shqiptarëve nga postet që zotëronin deri atëherë.

Një vend të rëndësishëm në libër zë paranoja nacionaliste e montazhit të identitetit tërësisht maqedonas, uzurpimi dhe zhveshja e identitetit shqiptar, përpjekjet mitomane për të sajuar një identitet antik në kurriz të shqiptarëve nëpërmjet përvetësimit arbitrar të figurave, çka krijon një klounadë tragjikomike, brenda tipologjisë dhe vesit mburravec ballkanik. Të gjendur në këtë situatë vicioze, politikanët shqiptarë në koalicion, në vend që të kundërveprojnë, ushqejnë pasivisht fermentimin e një situate që do të kthehet bumerang, pasi, sipas autorit, “Maqedonia ka marrë tatëpjetën”, duke i përcjellë problemet akute në sferat e një utopie të rrejshme etnocentriste.

Libri ofron një pikëvështrim retrospektiv dhe perspektiv të ngjarjeve dhe situatave politike, çka përbën edhe vlerën e tij futuro-logjike. Si i tillë, libri, duke qenë analizë autoriale dhe këndvështrim autorial, nuk mund të pretendojë një zhveshje tërësisht ideale të subjektivizmit në mënyrën se si i sheh palët dhe rolin e tyre në politikë. Vende për të debatuar mund të ketë, dhe lavdi Zotit që ka, përderisa, vetëm nëpërmjet përplasjes së mendimeve mund të mbërrihet një ndriçim më i madh i të vërtetave, sepse siç ka thënë Parmendi: “Për-plasja është babai i të gjitha sendeve”. Por ama përplasja e kokave, e kurrsesi jo përplasja e kungujve.

Mendoj se është e drejta e autorit, liria dhe qartësia e tij të na ofrojë këndshikimin e tij, për më tepër, të ambientuar gjatë me natyrën e çështjeve që analizon. Por nuk është kjo kryesorja, nuk është ky thelbi. Ne duhet të përshëndoshemi me vlerën emancipuese që sjell libri në hapjen e një shtegu tepër të çmuar të debatit.

Vlera e padiskutimtë e këtij libri, përveç karakterit njohës e analizues, qëndron tek diskursiviteti që ai hap. Deri më tash, një dis-kursivitet i tillë nuk ka qenë shtruar në mënyrë aq të përmbledhur, homogjene e balancuese. Ushqimi i një diskursi të tillë, në prag të ngja-rjeve të mëdha për botën shqiptare dhe në kushtet e konsolidimit të shtetit të Kosovës, na bën të mendojmë se çështja shqiptare në Maqe-doni kërkon një vëmendje e angazhim, jo vetëm të faktorit politik shqiptar atje, por një rigjallërim tërësor të të gjitha potencialeve intelektuale të botës shqiptare në gjithë gadishullin. Përpjekjet demo-kratike të sinqerta të politikanëve shqiptarë në Maqedoni për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe identitetit, kërkojnë, në radhë të parë, kuptimin e drejtë të tyre, solidaritet, përkrahje dhe kontribut të gjithanshëm intele-ktual mbarëshqiptar.

Këtë ndjesi pata unë si lexues dhe mendoj se pikërisht kjo i ofro-het lexuesit nëpërmjet këtij libri, të shtjelluar me një stil publicistik të rrjedhshëm, të qartë e konceptual.

Agron TUFA