Poezia politike nuk rebelon!



Del numri sezonal i revistës letrare “Aleph”. Me një mbijetesë të vështirë, herë me mbështetje financiare nga dashamirë dhe filantropë kulture, numri i 17-të na prezanton zërat më të mirë të letërsisë botërore, poezi, ese, tregime, si dhe deduksione mbi artin e poezisë. Një prej tyre është intervista e gjatë e poetit John Ashbery, poeti i shkollës së Nju Jorkut që ndan poezinë e mirë, nga ajo politike dhe jodidaktike





Poezia politike rrallëherë e arrin qëllimin e vet, përderisa njerëzit që duhet ta lexojnë atë (presidentët, politikanët) nuk lexojnë poezi dhe shumica e atyre që lexojnë janë me të vërtetë të joshur nga e vërteta e mesazheve të saj (lufta është e keqe, qeveria dhe industria janë shpesh të korruptuara, racizmi dhe llojet e tjera të diskriminimit duhet të marrin fund, ngrohja globale po shkatërron botën etj.) dhe mund të bezdisin me marrjen e leksioneve për të dashur ideale që ata, në fakt, i zotërojnë...

Kjo është një anë, se si poeti John Ashbery flet mbi artin e poezisë duke e lexuar më tej mendimin e tij se poezia didaktike, që kërkon thjesht të përkëdhelë, mund t’i frymëzojë lexuesit që të veprojnë njerëzishëm në shumë nivele të ndryshme, përfshirë dhe atë politike. Me John Ashbery, poetin e “shkollës së Nju Jorkut”, njihemi më gjatë në numrin e ri të revistës “Aleph”, verë 2009. Disa poezi dhe një intervistë e gjatë e dhënë në revistën e njohur amerikane “Guernica” plotësojnë portretin e këtij rebeli që është një nga përfaqësuesit e brezit të vet, që “shembën” muret akademike, që ka vulën e poezisë së vështirë, duke reflektuar mbi fuqinë që ka poezia për të ndryshuar politikën kur kjo prek vlerat dhe jo si një relacion politik.

Është një reflektim që ndoshta për botën letrare në Shqipëri, sidomos ajo e poezisë epike, e mban thellësisht këtë karakter politik. Dhe sa për ditët e sotme, kur poezia ka humbur në tregun e botimeve të gjithfarëllojshme, është e vështirë që poezia t’i dedikohet lexuesve në mënyrë masive - aq më tepër të kërkojmë kritikët që t’i ndihmojnë ata. Në këtë sy revista “Aleph” shndërrohet në një shfaqje të njohjes dhe perceptimit poetik dhe tregimtar duke përfshirë në numrin e saj të ri poetë e prozatorë pa klasifikim vitesh, e brezash, e kontekste prirjesh.

“Kam përqafuar agun e verës” është cikli “Kushtim” nga poeti francez, Artur Rimbaud - po me një anësi tjetër, në atë të shkrimit të prozës. Një nga eseistët më të shquar bashkëkohorë dhe një nga studiuesit më gjenialë të letërsisë së Evropës Qendrore, trashëgimtar i traditës së madhe kulturore, shkrimtari dhe gjermanisti Claudio Magris – në vitin 2008 një nga kandidatët më të fortë për Nobelin - në këtë numër të “Aleph” lexuesi njihet me shënimet e udhëtimit “Danubi fragment”. Eseja “Skllavëri dhe më keq” si dhe poezitë na prezantojnë me shkencëtarin e njohur çek, Miroslav Holub - që lidhi përvojën e tij shkencore me poezinë, tepër i njohur në Angli dhe SHBA, dhe i konsideruar si një nga më të rëndësishmit në Evropën Lindore. Danilo Kish, Roberto Bolano, Andrea Camilleri, Eliana El’Po, Derek Walcott, J.M Coetzee etj., janë disa emra shkrimtarësh të shoqëruar dhe nga autorë shqiptarë, si Astrit Cani, Etiena Stafa Gjikopulli, Krenar Zejno, Alket Çani etj., për të cilët revista “Aleph” kryen dhe shërbimin e prezantimit të këtyre bashkëpunëtorëve – krijojnë hartën e këtij numri sezonal - duke orientuar në tregun letrar mekanizmin se si mund të përzgjidhet, në të njëjtën kohë një autor, apo libër. Nevoja për t’i bërë prezente këto revista, kujtojmë këtu dhe daljen periodike të dy të tjerave si “Merh Licht, apo “Fjala” – bëhen domosdoshmëri letrare për orientimin drejt botimeve që i takojnë bibliotekës klasike pavarësisht se tregu nuk ofron dhe nuk po arrin në librari të tilla. Në një vështrim të shpejtë, revista “Aleph” - e themeluar në vitin 1996 - ka afruar rreth saj mbi njëqind shkrimtarë, poetë, përkthyes, piktorë, fotografë e kritikë të rinj, duke e shndërruar këtë revistë në një shfaqje të gjerë arti në kulturën shqipe brenda dhe jashtë kufijve. Në gjashtëmbëdhjetë numrat e saj janë botuar afro katërqind shkrimtarë shqiptarë e të huaj, duke shndërruar këtë revistë në një “babel” kulturash nga më të ndryshmet dhe ku rri krahas tyre edhe kultura jonë më e spikatur. Duhet theksuar se ky numër i revistës “Aleph” është e shoqëruar në kopertinë me mesazhin spiritual, mistik që i shkon poezisë, nga puna e piktorit të njohur, tepër i talentuar dhe pak të shfaqur në ekspozita, që ruan vazhdimisht natyrën e tij të ndrojtur, Gjergj Shoshit. Po ashtu, me këtë revistë është vendosur dhe një bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve ku është ekspozuar arkivi me punë të autorëve të huaj. Në mënyrë të përulur, por duke na lajmëruar dhe për krizën e daljes së rregullt në treg, kjo revistë shënon në faqen e saj të parë se është e hapur ndaj çfarëdo lloj ndihme, mbështetje financiare nga dashamirë e filantropë kulture.

V. Murati



Intervistë dhënë revistës së mirënjohur amerikane “Guernica”



Caktimi yt si Poet Laureat i MTVU-së të kujton tërë ato veprimet qesharake mbi gërshetimin mes artit pop dhe atij të lartë.



Ashbery: Këto kohë ka shumë pop në poezinë time, ndaj më duket gjëja e duhur. Një pjesë e poezisë sime del nga kultura popullore amerikane si një rrip komik e filma të dorës së dytë, si titujt e këngëve e gjëra të ngjashme si këto.



E përdor shumë kulturën amerikane pop. Në të njëjtën kohë, në një intervistë të 2005-s për Guardian-in, ke përmendur se ndjehesh si një i huaj në Amerikë.



Ashbery: Gjithmonë jam ndjerë edhe fëmijë; mendoj ngaqë interesat e mia, në veçanti në poezi, nuk janë ato të shumicës së amerikanëve dhe prapë vazhdoj që t’i kem dhe gjithashtu të jem i interesuar për gjërat që amerikanët e tjerë janë të interesuar. Por gjithmonë jam ndjerë disi i zhvendosur nga bota përqark meje këtu në Amerikë.



Nga bota poetike apo në përgjithësi?



Ashbery: Nga bota në përgjithësi. Kur isha shumë i ri lexova novelën e Tomas Mann-it, “Tonio Kruger”, dhe u identifikova se tepërmi me heroin e tij, i cili shikonte natën nëpër shtëpitë e familjeve borgjeze dhe kuptonte se sa i huaj ndjehej dhe sa shumë do të donte të bashkohej me atë botë, por s’mundej.



Në një intervistë të fundit poetike, Robert Pinsky thoshte se ai e urrente poezinë që ishte “shkollareske”. Në intervistën e mëparshme me poetin Billy Collins-in, theksohej qëndrimi thuajse i kundërt, duke e kritikuar poezinë e vështirë si të vetëndjerë dhe që mbase fshihte diçka. A ka të drejtë ndonjëri nga ta? A kanë të drejtë të dy? Çfarë i thua dikujt që të thotë se shumë lexues janë mësuar thjesht me një proces të menduari më linear seç sjell poezia jote?



Ashbery: Them se më duhet të mbaj anën e Pinsky-it. Unë e arrita pjekurinë kur modernizmi ishte në kulmin e vet. Pak a shumë, pritej që letërsia e mirë (Joyce, Pound, Proust, Stein) do ishte e vështirë për t’u lexuar dhe njerëzit dukej se realisht e prisnin këtë. Kujtoj se sa u gëzova kur tutori im në Harvard më caktoi “Wings of the Dove” të Henry James, mbase librin e tij më të vështirë. Ndjeva këtë: “Djall o punë, ky po që është vërtet i vështirë për t’u lexuar, por jam i sigurt se do mësoj diçka kur ta përfundoj”. Dhe, mësova, ndonëse do të ishte e pamundur të përmblidhej në pak fjali. Deri diku, fjala “e kapshme” nuk doli asnjëherë në diskutimet e poezisë së asaj kohe.



Po tregoj se një nga dy poetet “e vështirë” që Collin-s lavdëroi ishe ti. Por bashkë me të mësuarit diçka, siç thua vetë, çfarë shpërblimi tjetër i pret lexuesit e të ashtuquajturës poezi jolineare?



Ashbery: Shpresoj që në poezinë time të ketë një element surprizë dhe kënaqësie. Edhe një herë, shpërblimi për “të lexuarit e ashtuquajturës poezi jolineare”, duhet të jetë mësimi i diçkaje të re, ose gjetja e vetes në një vend ndryshe.



U çudita me titullin e përzgjedhjes tënde më të fundit me poezi, “Notes from the Air”, “Shënime” me tepër se “Ajër”. Më vjen ndër mend nocioni simbolist i gjithë poetikës me prirje muzikore.



Ashbery: Nuk mendoja aq për notat muzikore, se sa për marrjen e shënimeve.



Po marrëdhënia mes muzikës e poezisë? Që ka një marrëdhënie të tillë duket, sidomos, që shkon në poezitë e tua.



Ashbery: Për mua ka. Dëgjoj muzikë prej një kohe të gjatë. Në njëfarë mënyre, është si të provosh të shprehesh gjëra që nuk mund të shprehen me fjalë. Kjo diçka më intereson po ashtu. Edhe pse unë i përdor fjalët për të shprehur veten, po provoj, më duket mua, të shkoj përtej kësaj.



A mundet dikush, le të them, një student që heziton para veprës tënde, të mësohet si ta lexojë? A është problem i aftësisë negative?





Ashbery: Nuk mendoj se një student që i reziston veprës time duhet të mësohet si ta lexojë atë. Është më mirë sikur ai ose ajo të provojë të jetojë me të për ca kohë, ta lërë, t’i kthehet prapë, ta lërë përsëri etj. Kështu e lexoja unë në fillim poezinë moderniste. Dhe po, aftësia negative është sigurisht një ndihmë me vlerë.



A mendon se kritikat e publikuara për veprën tënde janë të dobishme? Përmbledhja e Harold Bloom-it në 1985, për shembull.



Ashbery: Po, mendoj se do ndihmojë për te poezia. Sikur mos të shkruhej asnjëherë, askush nuk do dinte gjë për të.





Shpesh të përfshijnë nëpër “shkolla” të ndryshme, më shpesh te shkolla e Nju Jorkut, por edhe, për shembull, tek ajo e Poetëve të Gjuhës. Si mendon se është ky lloj prezantimi i shkollave, i dobishëm apo i rrezikshëm?



Ashbery: I mendoj të dyja. Në një mënyrë bruto tregon sektorin e peizazhit poetik që zë dikush: por nga ana tjetër, si me gjithë shenjat, është i pasaktë dhe mund të jetë tejet shpërqendrues. Unë kurrë nuk e kam shpikur termin “Shkollë e Nju Jorkut”, dhe në fakt nuk e ka bërë as ndonjë poet tjetër. Si të thuash, ky term na u vu nga galeristi që publikoi pamfletet tona të para të vogla, dhe kështu u bëmë të njohur. Lëvizjet e tjera letrare, si Poetët e Gjuhës, dhe Surrealistët, e kanë zgjedhur emrin e tyre dhe e përdorin si një lloj parulle. Por në rastin tonë qe një lloj aksidenti. Edhe pse është e domosdoshme të dihet se ne ishim të gjithë në Nju Jork në një kohë, dhe të gjithë, në kuptimin e madh, eksperimentuam me gjuhën; deri këtu ka shkuar.

Mendoj se ndryshimet mes nesh, në fakt, janë tepër të gjëra dhe nuk kontribuojnë realisht në nocionin e një shkolle.





A nuk ishte shenja “Shkollë e Nju Jorkut” pjesërisht një mjet marketingu?



Ashbery: Po, dhe në fakt John Bernard Myers, i cili ishte themeluesi i galerisë Tibor de Nagy, shkroi një artikull në 1961-in për Shkollën e poetëve të Nju Jorkut. Përderisa shkolla e Nju Jorkut e piktorëve abstraktë, ekspresionistë ishte kaq influencuese dhe e rëndësishme, mendoj se ai donte të thoshte se një pjesë e asaj do t’i përngjante rrethit të tij të vogël me poetë. Ke të drejtë: në një farë mënyre kjo ishte lidhja.



Çfarë mendon për shkrimin tënd si eksperimentim? Asnjëherë nuk duket të përfshijë një procedurë të veçantë, përveçse punës me forma të tilla prozodike si pantumi, ose sestina.





Ashbery: Tani, pantumi ose sestina, të cilat të gjithë i përdorim me raste, janë forma që e nxjerrin vërtet poezinë nga duart e poetit duke u orvatur të kënaqin caqet që janë shenjat dalluese të këtyre formave. Prandaj secili mund ta lejojë mendjen e vet pa ndërgjegje ta formojë poezinë në një mënyrë që është edhe më efektive se sa ajo që praktikojnë surrealistë, i quajtur “shkrim i pandërgjegjshëm”, i cili nuk mendoj se i largohet edhe aq shumë ndërgjegjes. Duke dashur të përmbushë një detyrë thuajse mekanike, është një mënyrë më tepër efektive për të çliruar mendjen e pandërgjegjshëm të secilit për të shkruar poezi. Ky është vetëm një shembull i vogël, prapëseprapë. Në përgjithësi, mendoj se synuam që të shmangim normat klasike mbizotëruese në poezi. Kur ishim në shkollën e mesme, si shembull, në një farë mënyre rebeloheshim kundër klimës akademike me çdo mjet që mundeshim.



Do të thuash se po rebeloheshit drejtpërdrejt kundër brezit përballë jush: Lowell, Hughes, dhe Berryman?



Ashbery: Po. Poezia e Kenneth Koch-ut, “Fresh Air”, është ai manifest që e firmosëm të gjithë. Ajo flet për një Shoqëri Poetike ku poezia akademike përshkruhet sikur po mbytet nga një lloj figure e ngjashme me të Batman-it, të quajtur Mbytësi, armiku i poezisë së keqe. Sugjeroj që t’i hedhësh një sy, një vargu, në veçanti - dikush çohet në shoqërinë poetike për të lexuar një poezi që nis: “Ky peizazh i Konektikatit do ta kishte ngazëllyer Vermeer-in” dhe Mbytësi menjëherë godet në varg.



Kritikët e parë ankoheshin për mungesën tënde në përfshirjen politike.



Ashbery: Ndjesia ime është se shumica e poetikës politike i kungon korit, pasi njerëzit që do të bëjnë ndryshimet politike në jetën tonë, nuk janë njerëzit që lexojnë poezinë për fat të keq. Prapë, poezia që nuk synon në mënyrë të përcaktuar një revolucion politik, është ndihmëse për t’i lëvizur njerëzit drejt atij lloj veprimi, sikurse edhe të tjera veprimeve. Një poezi e mirë më bën të jem aktiv në aq fronte sa mundem.



A mund të na sqarosh çfarë do të thuash me këtë?



Poezia politike rrallëherë e arrin qëllimin e vet, përderisa njerëzit që duhet ta lexojnë atë (presidentët, politikanët) nuk lexojnë poezi dhe shumica e atyre që lexojnë janë me të vërtetë të joshur nga e vërteta e mesazheve të saj (lufta është e keqe, qeveria dhe industria janë shpesh të korruptuara, racizmi dhe llojet e tjera të diskriminimit duhet të marrin fund, ngrohja globale po shkatërron botën etj.) dhe mund të bezdisin me marrjen e leksioneve për të dashur ideale që ata, në fakt, i zotërojnë. Poezia jodidaktike, e cila kërkon thjesht të përkëdhelë (soneti i Keats-it për karkalecin është një shembull i mirë), mund t’i frymëzojë lexuesit që të veprojnë njerëzishëm në shumë nivele të ndryshme, përfshirë atë politik.





A është e vërtetë se je i preokupuar me temat e plakjes, vdekjes dhe izolimit?





Ashbery: Mendoj se po, po. Kur e shikoja poezinë time më dukej sikur nuk kishte ndonjë subjekt të vërtetë përveç luhatjes së mendjes gjatë shkrimit, dhe supozoj se orvatja ime ishte që gjithmonë ta pasqyroja atë lëvizje dhe të paktën të shpresoja që e gjitha kjo të përfundonte në poezi. Por, ndërsa plakem, kam vënë re se vërtetë ka një temë, dhe është saktësisht tema e të plakurit, e vetmja gjë që askush nuk i del përpara dhe askush nuk e pret dhe gjithmonë e ka të afërt. Kur një njeri është i vjetër, është i vjetër për herë të parë. Është diçka të cilën megjithëse ai nuk ka asnjë mënyrë për ta pritur dhe për t’ia parë realitetin derisa t’i ndodhë, dhe në atë kohë fakti që është i vonuar në lojë e bën atë... i jep një therje shtesë.

Pjesë e intervistës shkëputur nga “Aleph”





Poeti magnetik, rebel

John Ashbery, i njohur si rokstari i dashuruesve të poezisë, një nga kritikët shkruan: “Është vetë burrë gjenial dhe i afrueshëm; sidoqoftë, në poezi ka joshjen e një djali të prapë; i vështirë, magnetik, rebel”. Ashbery u diplomua në Harvard dhe Columbia: nga viti 1965 deri në vitin 1972 ai qe kryeredaktor i Art News; sot jep mësim në kolegjin Brooklin. Në vitin 1975 vepra e Ashbery “Self Portrait in a Convex Mirror” mori çmimin Pulitzer, çmimin kombëtar të librit dhe çmimin e rrethit të kritikëve. Me botimin e “The Tennis Court Oath”, Ashbery u dallua si një nga më eksperimentalistët dhe në atë kohë si një nga poetët më zemërakë të gjeneratës së tij; kombinime fjalësh të palidhshme dhe imazhe të krahasuara, rrezikuan vëmendjen e lexuesit, por më vonë këto copëza humbën si halucinacione foljore, duke lënë një atmosferë mbushur me mjegullimë emocionale. Kritikët njohën ndikime të mundshme të Wallace Stevens të simbolistëve francezë dhe piktorëve aktivë të Nju Jorkut. Ndërsa poezitë e fundit të Ashbery-it janë bërë më të qarta, më të pranueshme dhe të tejdukshme, shumë kritikë vazhdojnë ta pengojnë dhe të guxojnë të bëjnë interpretime komplekse që megjithatë i bëjnë poezitë e Ashbery-it të duken krejt të qarta.