Poeti që donte "iluzionet"


Ugo Foscolo

Në moshë të re u detyrua të largohej nga vendlindja e tij (ishulli grek Zacinto, sot Zante, dikur i përkisnin republikës së Venetos), përgjatë gjithë jetës u ndje si një i arratisur i përhershëm. E larguan prej botës gjithë ideale klasike ku lindi dhe u formua. Dergjej nga toka në tokë, ndjente se kishte një besim të caktuar fetar, edhe pse intelektualisht u formua në shkollën e Iluministëve. Lumturinë nuk e gjeti dot as te dashuria e një gruaje. Brenda tij rrëmbeheshin një lum pasionesh, por si shumë intelektualë të kohës së tij, e ndjeu veten të tërhequr nga imazhet e mrekullueshme të vendit të tij të lindjes, simbol i harmonisë dhe virtyteve. Preferoi të quhej Ugo, edhe pse emri i pagëzimit ishte Nicolo. Ndoshta prej nënës që ishte me origjinë greke, ai u zhyt thellë në letërsinë antike greke. E nisi prej saj, interesi nisi të zhvendosej drejt shkrimtarëve italianë e më pas drejt filozofëve... Shkrimtari i madh e vlerësonte tepër veten, pavarësisht gjendjes materiale dhe sociale që ishte relativisht modeste. Gjatë gjithë jetës ai u qëndroi besnik disa idealeve, siç ishte dashuria për atdheun, lirinë, bukurinë femërore dhe miqësinë. Këto ideale ishin si një lloj besimi fetar për të dhe i quajti "iluzione", duke i dhënë kësaj fjale jo kuptimin e mashtrimit, por të nevojës së shpirtit. Ashtu si edhe shumë poetë të tjerë të mëdhenj të kohës, mes të cilëve edhe Goethe, Ugo Foscolo ndjeu lidhjen e thellë mes letërsisë antike dhe moderne, shpirtin e romantikëve që rend gjithnjë drejt harmonisë klasike. Nga klasicizmi iluminist, Foscolo trashëgon materializmin: ai beson në konkreten. Njeriu lind nga materia dhe përfundon po aty. Nuk beson tek asnjë "e përtejme": origjina, domethënia dhe fundi i ekzistencës kalojnë për të vetëm nëpërmjet veprës së tij, poezisë. Foscolo do ta kujtojë gjithmonë qytetin ku lindi dhe shpesh herë edhe do t‘i thurë vargje ishullit ku lindi. Vargjet e para i shkroi në vitin 1794. Disa prej tyre ishin origjinale, por disa ishin fryt i përkthimeve. Të gjitha ia dërgoi fillimisht mikut të tij, Costantino Naranzi. Ndërkohë u prit si autor vjershash në "Vitin poetik" të cilin e organizonte prifti Angelo Dalmistro, që ishte një pasionant i letërsisë angleze. Kështu arriti pak e nga pak të bëhej pjesë e salloneve të grave fisnike veneciane, i sallonit të Giustina Renier Michiel dhe të rivales së saj, bukuroshes Isabella Teotochi Albrizzi (dashuria e parë e madhe e poetit). Aty u njoh edhe me Ippolito Pindemonte dhe të tjerë poetë të suksesshëm si Bertola. Shumë të rëndësishme qenë edhe kontaktet që pati edhe jashtë Venecias me grupin e miqve nga Brescia, të cilët ishin të hapur ndaj influencave franceze revolucionare, si dhe me Melchiorre Cesarotti, nga i cili ndiqte leksionet universitare. Pikërisht këtij edhe i shkroi në 30 tetor të vitit 1795, duke i dërguar dhe duke i kërkuar mendim për tragjedinë e tij të parë të titulluar "Trieste". I përket vitit 1796, një dokument që vërteton formimin e parë në letrat e Di Foscolo-s, dhe që është një plan studimi ambicioz i cili përfshin "moralin, politikën, metafizikën, teologjinë, historinë, poezinë, romanin, kritikën dhe artet", ku i riu regjistronte leximet, shkrimet e para dhe detaje nga veprat që do të shkruante më vonë. Po gjatë këtij viti, Foscolo shkroi disa artikuj te "Mercurio d‘Italia", që nxitën dyshimet e qeverisë së Venetos dhe kjo ishte një tjetër arsye që e detyroi edhe një herë të shpërngulej. Pasi përfundon Traktati i Kampoformios, me anë të së cilit Bonaparti ia linte Venecian, Austrisë, Ugo i ri transferohet në Milano. Aty njihet me Parinin dhe Montin, që e mbrojti nga akuzat që oborri roman i drejtonte për aktivitetin e tij poetik. Por Ugo dashurohet me gruan e Montit, Teresa Pikler. Edhe një herë peripeci. I papunë dhe aspak i lumtur për shkak të dashurisë ndaj Teresa Pikler Monti, në verën e vitit 1798 poeti transferohet edhe një herë, kësaj radhe në Bologna, ku nis bashkëpunimin me "Il Genio Democratico", themeluar nga i vëllai Giovanni. Nisi kështu të shtypi romanin epistolar, "Letrat e fundit të Jacopo Ortis", i cili e pa dritën e botimit pa dijeninë e shkrimtarit. Vitet 1801 dhe 1804 ishin vitet e një krijimtarie intensive letrare, por edhe vitet e një dhimbjeje të madhe shkaktuar nga vdekja e vëllait, Giovanni, i cili u vra në Venecia nën sytë e së ëmës. Edhe një herë megjithatë kthehen vështirësitë për shkrimtarin Ugo Foscolo. Pas disa viteve të kaluara në Francë, ai kthehet edhe një herë në Milano, ku përballet sërish me shumë vështirësi ekonomike. Braktis edhe një herë Milanon dhe në gusht të vitit 1812 poeti transferohet në Firence, ku deri në vitin 1813 kalon një periudhë të kënaqshme në sallonet mondane, por edhe sa i përket punës krijuese. Pikërisht aty arrin të fitojë dashurinë e Quirina Mocenni Magiotti, frekuentoi sallonin e konteshës d‘Albany, mikeshës së Alfierit, shkroi tragjedinë "Ricciarda", që u shfaq në Bologna në vitin 1813, nisi edhe një herë të merrej me përkthimin e "Udhëtimit sentimental", të cilin e publikoi në vitin 1813, si dhe nisi të përkthejë këngë të "Iliadës". Edhe një herë ai shpërngulet. Kësaj here në Zvicër, e më pas në Londër, ku mbërriti në vitin 1816. Pikërisht në Angli kaloi edhe periudhën e fundit të jetës së tij jo pa vështirësi ekonomike dhe morale. Gjatë periudhës londineze, Foscolo iu kushtua kryesisht aktivitetit botues dhe atij gazetaresk dhe u aktivizua në studimin historik-kritik të disa momenteve, teksteve dhe personazheve të letërsisë italiane, mbi të gjitha mbi shkrimtarët Dante, Petrarca dhe Boccaccio. ai synonte të bënte një jetë prej zotëriu dhe disa spekulime në marrëveshje pune e fundosën kaq shumë ekonomikisht, sa për një periudhë në vitin 1824 u burgos për borxhe. Me t‘u liruar u detyrua të mbijetonte në lagjet e varfra të Londrës, duke u prezantuar shpesh nën emra të rremë për të mos u përballur me borxhlinjtë. Ndërkaq kishte gjetur vajzën e tij, Floriana, e cila i qëndroi pranë gjatë viteve të fundit të jetës. I varfër dhe i dobët, Foscolo u tërhoq në Turnham Green, ku i sëmurë ndërroi jetë në 10 shtator 1827, kur ishte vetëm 49 vjeç.