PËRKTHIMI I HESHTJES

Alush AVDULI

Fjala e shkruar manifeston si formë. Sipas Borhesit, tre plus një është një mënyrë për të thënë katër. Tautologjia e fjalës. Trishtimi mbi qelq është i qeshur. Të shkruarit është dhimbja e heshtjes së afirmuar.



1.
Jermin e kemi brenda vetes... Mbeten fjalët heshtje e përkthyer që dhunojnë vlerat orgjinale. Dritat e kuptimeve e përshkojnë jo vetëm si komunikim, por edhe për të fshehur. Heshtjet e shkruara habiten: Ç’bëhet brenda nesh?!.. Fjalët duan dëshirat e tyre të pastrehë dhe skeletin e heshtjes në arkivol. Qëllimet shikojnë ndryshe.
Të gjitha janë relative, por arti është fillimi i absolutes.
Sintaksat harmonizojnë zemërimin e qetësisë. Kujtesa fle në shtratin e pluhurit. Heshtja del nga qarkullimi. Turma e kundërshton, është truri i pastruar pa rrudha. Heshtja është grua lakuriqe, fjala e vesh. Fjala, rrogëtare e përuljes në një vetëmburrje të paturpshme. Artikulimet e mbarsin. Dhe në vazhdim gjendja lehonë e heshtjes së dështuar. Jemi të dorëzuar në këtë ferr të shpikur. Vegimet Orfike me kokën pas nuk shpëtojnë as Euridikën... Po dielli i heshtjes lind nga perëndimi dhe dielli i fjalës perëndon nga lindja. Heshtja e kyçur proteston.
Fjala e shkruar manifeston si formë. Sipas Borhesit, tre plus një është një mënyrë për të thënë katër. Tautologjia e fjalës. Trishtimi mbi qelq është i qeshur. Të shkruarit është dhimbja e heshtjes së afirmuar. Është krijuesi në kllapi dhe terapia e fjalës. Ku nuk është Sokrati i shkruar, paraqitje grafike është Platoni.

2.
Të shkruarit ka humbur atë që nuk gjendet.
Fjalët janë qirinj të ndezur në muzgun e qetuar të shprehjes. Jashtë pret vdekja. E shkuara nxiton si lumë i vonuar. Breshka është princesha e shpejtësisë. E ardhmja lulëzon te heshtja.
Po të ishte e mundur, librat e poetëve t’i shkruanin të tjerët. Kur shkruajmë, në të vërtetë edhe kufizojmë.
Janë fjalët e mëdha korniza dhe pastaj portreti që lakmon lavdinë. Krijuesi i lumtur do të ishte i pashkruar .Mundësitë përpëliten... Kujtesa e fjalës është varrezë e heshtjes.
Nuk e di ç’bëhet, thotë poeti, kur njoh njerëzit dashuroj kafshët. Fjalët fshikullojnë...
Përgjigja është lartësia që nuk mund të shohësh. Është këtu... është atje... dhe në tejkalim... Poezia e heshtjes është erë katrore pa vetëvendosje. Shpjegimet lëkunden si indiferenca të përgjumura. Fjala e shkruar është gur mallkimi, por edhe bekim që godet. Është fytyra e emëruar...

3.
Poeti është antimbret në fronin e tij (të mbretit). Fjala parakalon përballë heshtjes. Krijimi është kohë e vetme , ndryshe kur shkruan. Është qiell në çastin e tij pikturuar si yjet.
Heshtja e folur këshillohet me varrin e saj.
Është jermi që ngjason si rreth i përkryer. Heshtin vetëm ata, që dinë të flasin.
Poeti heshton duke shkarravitur. Heshtja në ferr. Të shkruarit është fantazma e heshtjes në rezidencën e parajsës.
Moralet në art ngjasojnë me krimet që të shpëtojnë.
Shkrimet e heshtjes janë padituria e mençur e Ismail Kadaresë në një kohë tjetër. Verbëria e bashkëkohësisë lexon kujtesën totale të Moikom Zeqos. Galiç, sipër rrënojave të një drame, mjeshtri Miho Gjini, duke pritur Godonë, deshifron dhimbjen e heshtjes si dëbim. Në përkthimin e heshtjes janë këshillat e paturpshme leksikore të Bukovskit dërguar me email mjekrës sofiste të Ervin Hatibit.
E nesërmja është duke ardhur.
Krijuesit shënojnë drejtime të reja, për ku?!.. Të gjitha që bëjnë vegjetuesit janë parapërgatitje për vdekjen. Dyshimi është i përjetshëm në krijim. Personalitetet e letrave janë hije të rënda të fasadës së heshtjes.
Heshtja në jerm - drogë e pirë nga të tjerët. Shkrimi i saj - shigjeta e dalë nga harku. Është virusi i përhapur i vetmisë. Heshtja e pashkruar torturon në pambarim...