Një zë në errësirë


Qerim SKENDERAJ

Një lehje e egërsuar më nxori vrullshëm në verandë. Po lehte qeni i fqinjit. Dukej tepër i egërsuar. Hodha sytë andej dhe nuk vura re ndonje gjë të madhe, përveç disa lëvizjeve të ngutshme nën dritën e një qiriri, që e gërvishtte errësirën si xixëllonjë. Freskia më ngopi me oksigjen dhe më pëlqeu të rrija ulur në kolltukun e vjetër.
Kishin kaluar mbi katër orë, që kur nata, veshur me mantelin e saj të zi, ishte shtruar këmbëkryq mbi lagjen rrezë kodrës. Mungesa e dritave e bënte më të fortë, më të gjithpushtetshme. Megjithatë shtëpia e fqinjit dukej e panënështruar. Drita e zbehtë e qiririt lëvizte kryq e tërthorë, si një shqetësim i verdhë që kërkonte të hidhte rrënjë bashkë me errësirën. Po ndiqja lëvizjet i tensionuar, kur zeri i një kukuvajke më mbrriti në vesh me hijen e vdekjes.
Gjatë gjithë jetës sime e kam urryer këtë zog ndjellakeq dhe në çast u rrëqetha, duke bërë edhe lidhjen me lëvizjet e alarmuara në shtëpinë e fqinjit. Kisha krijuar idenë se atë zog e kishte pjelle errësira si aleat për të mbajtur natën gjallë. Këtë mbrëmje pa drita, ndihej i mbrojtur dhe vazhdonte kukunë në qejf të vetë. Nuk e di pse po mendoja se ai zog ushqehej me vdekje. Është e vetmja qjallesë mbi tokë që i këndon vdekjes. Kukama ndoshta po trazonte edhe qenin e fqinjit, lehjet e të cilit po arrinin në kufijtë e tërbimit. Ndoshta në shtëpinë e fqinjit po ndodhte diçka e rendë, por beteja e vërtetë zhvillohej jashtë saj. Grindjen e madhe midis qenit dhe kukuvajkës po e lexoja fare qartë. Lehjet dhe kukuritjet pafund ishin vënë në dy fronte. Qeni në mbrojtje të jetës, kukuvajka në mbrojtje të vdekjes. Kukuvajka kishte aleat errësirën, qeni luftonte i vetëm. Vendosa të vihem në krah të tij.
Rrëmbeva një dorë dhe, dhe e vërvita andej nga vinte zëri i saj. U bë heshtje. Një heshtje e frikshme. Në shtëpinë e fqinjit asnjë pipëtimë. Në shtëpinë time gjithashtu. Ime shoqe u shtri pak shpejt në shtrat, se bashku me tim bir pesevjeçar, që këtë mbremje ankohej për dhimbje të lehtë koke dhe kishte pak temperaturë. Ndërkohë, edhe qeni i kishte ndalur lehjet. Unë nisa të dremis një përgjumje të turbullt mbi kolltukun e vjetër. Kjo zgjati vetëm rreth tridhjetë sekonda, sepse kënga e maces fluturuese rifilloi më kërcënuese. Tingëllonte më therëse, si e shkruar me notat e vajtimit kur përcjell dikë në varreza. U ngrita i tromaksur, por edhe i hutuar. Gjumi më kishte turbulluar, mezi u kthjellova. Hodha sytë nga shtëpia e fqinjit. Sundonte heshtje e plotë. As flaka e qiririt nuk lëvizte më. Vetëm qeni po lehte nxituar; njësoj i zemëruar, njësoj i egërsuar. U përqëndrova të dëgjoja më mirë. Zëri i natës këtë herë vinte nga një palinë ngulur në oborrin e shtëpisë sime. Bija e vdekjes po vajtonte jetën. Po e ndillte nëpër natë, për ta bëre pronë të errësirës, që pastaj t‘i këndonte fitores së arritur. Diçka si vetëtimë më krisi në kokë. Errësira m‘u bë më e zezë. Shkunda fort kokën për t‘u kthjelluar sado pak. Në oborrin e fqinjit qeni po ngjirrej së lehuri. Zëri i “maces” kumbonte më përvajshëm. Për një çast, ngriva më këmbë. Nuk dija ç’të bëja. Edhe qeni u lodh. Lehte rrallë dhe dukej se po dorzohej në betejën e ashpër, të cilën kukuvajka donte ta fitonte me çdo kusht. Më hipi gjaku në kokë. Shpejt e shpejt, ndërtova diçka në mendje dhe nisa të veproj.
U futa me kujdes në shtëpi. Pa krijuar asnjë zhurmë që të shqetësonte të shtrenjtët e mi, tashmë në gjumë të thellë, hapa arkën e veglave dhe mora elektrikun e dorës. Një tub i nikeluar me reflektor të fortë. Vajtimi i zogut të errësirës vazhdonte të shpërndante tinguj të frikshëm. Ishte një vajtim ngulmues, për ta fituar me çdo kusht betejën e natës. Po i afrohesha në majat e këmbëve. Tubin e nikeluar e mbaja prapa. Nuk doja që të zbulohesha nga reflekset e nikelit. Kur u sigurova se isha afruar në largësinë e duhur, drejtova elektrikun dhe e ndeza. Sytë e kukuvajkës i rrëzuan fenerët. Zëri iu shua. Kënga vajtuese u ndërpre. U ngrit në fluturim e verbër, e paorientuar. Drita e futi më thellë në errësirën e zezë. U përplas në murin e shtëpisë dhe ra si një topth i shpuar mbi trotuar.
E kërkova me dritë dhe e pash teksa jepte shpirt, duke përplasur krahët. Këtë herë kukuvajka kishte kënduar për vdekjen e vet.