Monika Shoshori Stafa - SI NJE SHEN MERI E "HIRSHME"


Si një parathënie e romanit "Natë me hënë" të Ismail Kadaresë


"Ishte një hap i jashtëzakonshëm. I saj dhe i epokës". Ky pohim mund të jetë një prej kumteve të shumta mbikohore që gjenden në prozën e Ismail Kadaresë. Janë fjalët e fundme të shkrimtarit, për të përshkruar veprimin e Marianës, një prej karaktereve më të njerëzishme që ai ka krijuar jo vetëm në novelën "Nata me hënë", por në tërë prozën e tij. Fjalët e shkrimtarit e madhështojnë figurën e Marianës deri në këtë lartësi fare pak çaste, pasi ajo e ka lënë klinikën, ku kishte qenë e detyruar të shkonte "për një certifikim", që ajo me të drejtë e quan të padenjë. Copërat e grisura të raportit mjekoligjor - "vir-" diku e "-ginis" diku tjetër - pjesët e të cilit ndaras mund të formonin një shprehje me kuptim krejt të ndryshëm nga ai i terminologjisë mjekësore, idiomën "fuqia e një gjinie", më saktë "fuqia e një burri", si një tërmet rrëzojnë një prej tabuve të kryehershme të njerëzimit. Opinioni publik shpeshherë i ka kërkuar përgjegjësi shkrimtarit Ismail Kadare se ka qenë i kursyer në përshkrimin e mistereve të dashurisë e sidomos në shpërfaqjen e karaktereve të "botës së zonjave". Por në të vërtetë, nuk ka qenë kështu nëse lexuesi do të mprehte mirë shqisën jo vetëm të leximit, por edhe atë të receptimit, atë që fle në të shumtën e kohës në nënvetëdije, dhe që në gjuhën, e përditshme ne i quajmë, instinkte. Përkundër këtij mëtimi thuajse të pakuptueshëm, Mariana mund të veçohet si një prej heronjve që i bëjnë nder jo një, por shumë epokave dhe, në përgjithësi, lëvizjes së mendësisë njerëzore. Hapi i saj është, në të vërtetë, më se epokal. Liria mund barbarinë, qytetari mund boshësinë provinciale, fuqia e individit mund histerinë kolektive. I gjithë rendi i mendimit papritmas kthehet përmbys, dhe në këtë rrotullim tronditës duket sikur jo vetëm sistemi politik, por dhe mënyra e të menduarit ka lëvizur nga vendi.

Leximet tradicionale të novelës "Nata me hënë", në të shumtën e herës më kanë dëshpëruar. Çështje thashethemi, thjesht punë mbipetku, zili të rëndomta grash, një drejtor ndërmarrjeje që del më pozitiv se sekretari i partisë, një natë me hënë me një vajzë të bukur e ca të dehur dhe kaq. Sa herë që i jam kthyer e rikthyer kësaj novele, gjëja e parë që kam menduar pothuajse gjithnjë ka qenë se, krejt në të kundërtën, I. Kadare ka krijuar karaktere heronjsh e heroinash që shuplakin, sipas shprehjes së Kristoforidhit, sistemet e referencave, heroina të sfidave të pabujshme, që arrijnë me luftën e tyre të brendshme të ndryshojnë rendin moral.

Ndërmjet shumë leximesh, kam formuar bindjen se "Nata me hënë", si të gjitha veprat me një gjedhe gjenuine, është një libër që mund të lexohet vetëm si palimpsest. Duket sikur para lexuesit kalojnë vetëtimthi të gjitha gjendjet e mendësisë së njerëzimit, qysh prej lashtësisë antike deri në kohërat moderne. Ashtu si në epokën apostolike dy mijë vjet më parë, në këtë novelë koha dhe gjindja gjykojnë pa mëshirë dhe në mënyrë kanonike-doktrinare një grua të përfolur, për një bisedë pak romantike në një natë me hënë dhe për veshjen e saj elegante. Vetë Marianën, vuajtja dhe ndëshkimi e mësojnë, së fundi, të ndahet prej asaj kohe dhe gjindjeje primitive.

Gjithçka të sjell ndër mend një shëmbëlltyrë të përbotshme, që gjendet në letërsinë ungjillore, saktësisht në shëmbëlltyrën e Jezusit dhe "gruas mëkatare", që më së shumti në kohët moderne identifikohet me Maria Magdalenën. Krishterimi themeloi sakramentin e "shenjtërisë së kurorës" dhe të përjetësisë së "fatit të parë", në shëndet e në të lig, në të mirë e në të keq, në këtë botë e në botën tjetër. "Njashtu si kisha i bindet Krishtit, njashtu grueja t‘i nënshtrohet burrit". Liria dhe kanuni, dashuria dhe kurora, tundimi dhe devocioni, virtyti dhe shkandulli, u bënë antinomi i shekujve. Megjithëse, ditën e tretë të vdekjes, ditën e ringjalljes, Jezusi, Maria Magdalenës iu shfaq për së parit, para se t‘i shfaqej Shën Mërisë.

Historia e njerëzimit, prej fillimeve të krishterimit e këndej, gjendet në kurthin robërues të idealizimit doktrinar të puritanizmit, cilido qoftë: ideologjik, politik, moral, filozofik, madje dhe intelektual. Arketipi i Marianës dhe i aq shumë karaktereve në gjithë letërsinë botërore, Maria Magdalena, shkroi ungjillin e saj për kumtet e Krishtit. Por këto kumte nuk mund të jenë të lejuara për ne, sepse, kur ungjijtë u kodifikuan, Maria Magdalena ishte ende thjesht një grua mëkatare, e përfolur siç dhe vazhdon të jetë dhe sot. Dhe në krishterimin e koncileve të para ky ungjill nuk mund të pranohej, sikurse nuk do të pranohej as ungjilli i Judës, i Thomait dhe i vetë Shën Mërisë. Të vërtetat e ungjijve gnostikë dhe apokrifë do të rifitonin vëmendje për një raport tjetër të anës njerëzore me anën shenjtërore të Jezusit; më gjerësisht të devocionit totalitar dhe lirisë së vetëndritshme, vetëm në shekullin e njëzetë.

"Nata me hënë" është novela e dilemës së përjetshme të njerëzimit midis ngasjes jetësore dhe virtytit ungjillor, midis un-it subjektiv dhe ess-it objektiv; midis qenies së brendshme dhe qenies së jashtme; midis ashkëtizmit dhe shijes së jetës, midis lirisë dhe doktrinës; midis moralit të të vdekshmëve dhe predikimit të të pavdekshmëve. Midis një Marie tokësore dhe "të padenjë", sipas rabinëve të Testamentit të Vjetër; dhe një Marie "të tërëshenjtë", që lindi Krishtin me frymë hyjnore, njerëzimi vërtitet si në një burg, përbrenda të cilit qenies kryengritëse mund t‘i shkrepet të mendojë si Migjeni: "Pash më pash due me i ra ferrit!". Sepse vjen një orë kur njeriut i sillet në mendje motivi i hebreut të dënuar me pavdekësi, ku ai thjesht ka nevojë për një inkurajim të vogël, mbase vetëm për një raport mjekoligjor të zhubravitur, që të mendojë: "Kjo është jeta ime! Vendos unë për të. As doktrina, as mjedisi, as fshati që ka rrethuar qytetin, as profetët e shenjtorët, askush nuk vendos dot për mua".

Te "Nata me hënë" bashkëkohësia është vetëm një konvencion. Veprimin e saj koha nuk e nxë. Duhet, megjithatë, një kalendar, thjesht sepse ngjarjet duhet të vendosen diku e dikur. Dhe epoka nuk është dhjetëvjetëshi 1980-1990. Epoka e Marianës mbikalon si në një kalendar mitologjik nga një shekull në tjetrin. Prej aktit të parë të novelës deri te fjalët e fundit të autorit ç‘nuk del nga kohërat. Iux prima noctis. E drejta e natës së parë. Fisnikërimi i gjakut. "Grueja me provë" si në kanunin e maleve. "Mrika në shkandull". "Kunora mbas djalit". Virginis. Amazonat. Virgjinat. Motra që vishet si burrë për të marrë hakun e vllazënve. I dashuri që muroset për shkak xhelozie në një novelë të Stendalit. Malena - personazhi i filmit me të njëjtin emër, kaq pranë jo vetëm në emër, por edhe me fatin e ngjashëm me Maria Magdalenën, vepër e regjisorit italian, Giuseppe Tornatore. "Kronikë e një vdekjeje të shpallur" dhe e kryqëzuara e fatit Angela Vicario në novelën e Gabriel Garsia Markezit.

Prej shumë shekujsh, gjenia njerëzore i ka dhënë kompetencë vetes të ndërtojë një ferr dhe parajsë tjetër, ndryshe prej atyre hyjnore; të gjykojë si në kohën e Krishtit të paravdekshëm, kur puthja e tij ndaj Maria Magdalenës shqetësonte edhe vetë Shën Pjetrin. Sepse të bësh një jetë shenjtori "is boring", është e mërzitshme, thotë Hugh Grant. Të rikrijosh duke u mbështetur në një motiv-arketip, siç e ndërton Kadare shëmbëlltyrën e gruas së përfolur të ungjijve, është prova më e vështirë e krijimtarisë.

Mariana shpërfill një rend moral. Kjo nuk është vetëm sfida e saj. Kjo është sfida e një epoke. Kjo është sfida që i rikthehet çdo brezi si një gur sizifi. Duket sikur kjo botë është e dënuar ta mbajë mbi shpinë kryqin e dëlirësisë. Robi i saj duhet ta bëjë këtë, me qëllim që të jetë i devotshëm. Me qëllim që të mos përflitet.

Në letrat shqipe, sidomos në shekullin e njëzetë, është shkruar pafundësisht për barazinë e burrit me gruan, por asnjë, përjashtimisht asnjë mendimtar, nuk ka arritur të ndërtojë një figurë përulësisht triumfale të lirisë së brendshme të vetvetes si Mariana e "Natës me hënë".

Pse "Nata me hënë" nuk mund të lexohet ndryshe veçse si palimpsest? Sepse brenda frymës së kësaj novele fryjnë e kryqëzohen rrebeshe kohërash dhe mendësish të turbullta, prej barbarisë antike deri te barbaritë e sotme, jo më pak të vrazhda, përveç jashtësisë së ëmbëlsuar. Në emër të virtytit i gjithë rruzulli mund të ndëshkohet, dhe madje të ndëshkohet aq sa të mos rikthehet më në boshtin e vet. Në emër të nderit të vjetër puritan mund të poshtërosh edhe vetë apostujt. A nuk ishte pikërisht një pjesë e botës "së kësikohshme", sipas një shprehjeje të Poradecit, që shqiptoi thirrjen për të ndaluar "Kodin e Da Vinçit", për shkakun se autori supozon që Jezusi, i cili, sipas katekizmës kishtare, kishte vëllezër e motra, pra, kishte një vijimësi gjaku në linjën horizontale, mund të kishte edhe bij e bija, domethënë të trashëgohej vertikalisht, pra, mund të ekzistojë një sangue reale (San Graal), një gjak mbretëror, që shumica e dijetarëve sharlatanë e kujtojnë për emër vetjak shenjti (dhe madje disa e kanë gjetur San Graalin në Shqipëri!)? A nuk po ndodh edhe sot që, në emër të kanunit që s‘fal, djem e vajza që pranojnë të jetojnë edhe në një reality show, nuk druhen të pohojnë me një vetëdije krejt të drunjtë se duhet të veprojnë me disiplinë të rreptë me familjen dhe tribunë, sepse "ashtu duhet"?

I. Kadare i është afruar zonës së rrezikshme të tabusë morale në një shumicë të veprave të tij. Te "Kronikë në gur" studiuesit kanë gjetur "seksualitetin e parakohshëm". Një prej arsyeve pse "Kush e solli Doruntinën" u gjykua pa mëshirë ishte përmendja e incestit, si një gjasë e mundshme e gjithë frymës së baladës. Djemtë broadway-së te "Dimri i vetmisë së madhe" janë paraqitur si shthurja e pritshme e rinisë prej ndikimit borgjez. Homoseksualiteti te "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut" dhe "ngrirja e kumtit erotik" në një marrëdhënie dashurie të një kineasti të pasuksesshëm me të dashurën e tij "stranger" në romanin "Hija" shtojnë pasurinë e karaktereve që zakonisht quhen "me shmangie". Në fakt, nëse do t‘i referoheshim psikanalizës dhe sidomos neopsikanalistëve, konceptit të egos apo superegos të studiuesit të kohëve të reja, Jacques Lacan-it, (Lacan, J., "Some reflections on the Ego") karakteret e I. Kadaresë nuk janë njerëz të sëmurë, me devijime morale, por qenie shpirtërore, që kërkojnë një të drejtë fillestare: të kryejnë egon e tyre. "Njerëz të plotësuar", thuhet në fjalorin e përditshmërisë gazetareske!

Studiuesit vendës shpesh kanë folur për psikanalizën dhe praninë e saj në veprën e Kadaresë. Por, me sa duket, atyre u ka shpëtuar diçka thelbësore: në teoritë e frojdistëve dhe të neofrojdistëve nuk ka vetëm dy institucione, vetëdije dhe nënvetëdije. Është dhe institucioni i tretë: censura apo membrana. Gjatë mijëra vjetëve njeriu e ka kërkuar lirinë si një çlirim prej dikujt tjetër, nga jashtë, nga bota, nga pushtuesi, nga sundimtari, nga armiku. Sot njerëzimi nuk e kërkon më lirinë në një mënyrë të tillë, por duke zgjeruar vetëdijen përmes "arsyetimit" të nënvetëdijes; përmes legjitimimit të pjesës parahistorike që gjendet në mendjen njerëzore. Dhe kjo tërësisht ndodh përmes "krimit fatal" të "çarjes së censurës", "çarjes së membranës", sipas pikëpamjes së neofrojdistëve. Nuk ka më rrugë të tjera për zgjerimin e lirisë, përveçse duke bërë të vetëdijshme të pavetëdijshmen, që do të thotë përveçse përmes komunikimit të tyre nëpërmjet membranës vigjilente. Pikërisht këtu gjendet heroizmi i Marianës. Në një anë të vijës së ujërave të zeza rrëshqet gjysmëfjala "vir-" dhe në anën tjetër "-ginis"...

Ishte një hap i jashtëzakonshëm. i saj dhe i epokës.

Po, i saj dhe i epokave… Pikërisht për këtë arsye "ajo shkelte mbi trotuar si një Shën Mëri e hirshme".