Mirëkuptimi i kulturave dhe proverbat arabe





Prej vitesh është ngritur çështja e mirëkuptimit midis kulturës “perëndimore” evropiane dhe asaj “lindore” , kryesisht arabo-islamike. Historia është përdorur më tepër për të lavdëruar vetveten se sa për të treguar me vërtetësi ngjarjet dhe punët.
Në fushën tone, thotë Prof. Renato Corsetti, evropianët janë tepër krenarë, se janë bij të atyre grekëve, që shpikën civilizimin, demokracinë në Athinë dhe shumë gjëra të tjera. Mos vallë Akili nuk qe i lartë dhe bjond, thuajse një tabllo shëmbullore e të gjithë heronjëve evropianë, rijetësimi i fundit i të cilëve ende ndeshet në filmat e sotëm amerikanë? Sipas shumicës së autorëve, atë që librat tanë evropianë nuk e tregojnë, është që Akili do të ishte një gjysmë njeri i egër, shumë i fortë, pa një qyterim veçanërisht të vlefshëm, në se grekët nuk do merrnin kulturën e vet nga lindja dhe jugu i Mesdheut, ku zhvillimi i shoqërisë njerëzore ka ndodhur më herët.
Pra, ne sillemi pak të verbër ndaj borxheve shumë të mëdha të grekëve ndaj egjiptianëve, fenikasve, babilonasve, hititëve etj.
Për fenikasit, me siguri, jemi të detyruar të pranojmë që grekët e mësuan shkrimin nga ta dhe kopjuan alfabetin e tyre. Por cila fjalë është më greke se ‘basileos’, mbreti? Megjithatë, për këtë njerëzit e ditur diskutojnë për prejardhjen, mbase, nga rrënja egjiptiane. Akademiku Ali Eltari, nga ana e vet, flet për qytetërimin e stërlashtë pellazg, gjurmë të të cilit janë shumë më të theksuara te iliro-shqiptarët! Edhe kjo tezë e shtruar që nga rilandasit tanë të mëdhenj, meriton vëmëndjen e duhur dhe përkushtimin e dijetarëve tanë. Një çështje tjetër, që nuk e theksojmë aspak, është që veprat e mëdha të filozofëve grekë na kanë mbërritur vetëm falë faktit, që kalifët arabë vendosën t’i përkthejnë ato në arabisht. Bëhesh fjalë për periudhën e parë të madhe të qytetërimit arabo-islamik, kur kalifët mendjemprehtë ndërmorën përkthimin në arabisht të gjithçkaje që ekzistonte në qytetërimet e herëshme. Këtu bëhet i mundur mësimi i parë për ne vetë dhe për arabët: vetëm në periudhën e hapjes ndaj kulturave të tjera mund të zhvillojmë kulturën vetiake. Një shembull i ngjashëm i hapjes, bashkë me të gjitha kundër- nënshëmbullat e mundëshme, ka ndodhur në qendër dhe në jug të Spanjës. Atje ka lulëzuar “Al-Andalus” apo Andaluzia, që ka qenë emri arab i një pjese të gadishullit spanjoll dhe portugalez të sunduar nga islamët nga viti 711 deri më 1492. Periudha e kalifëve është për t’u kqyrur si koha e artë e Andaluzisë. Gruri i prodhuar në arat me ujitje me kanale, bashkë me ushqimet e importuara nga Azia perëndimore, e bënë rajonin për rreth Kordovës dhe qytetet e tjera andaluziane, më të përparuarin nga pikëpamja bujqësore në Evropën Perëndimore. Nga qytetet evropiane, Kordova, me 500 000 e më shumë banorët e saj, ka qenë qyteti i dytë më i përparuar pas Kostandinopojës ose, mbase, i pari. Në botën islame, Kordova ka qenë një nga qendrat kryesore kulturore. Veprat e filozofëve dhe shkencëtarëve të saj kanë qenë një burim i rëndësishëm dhe ndikim i madh për jetën intelektuale të Evropës perëndimore mesjetare. Islamikët dhe jo islamikët shpesh vinin nga jashtë për të studjuar në bibliotekat e famshme dhe universitetet e Andaluzisë. Nga ata, më i shquari ka qenë Michael Scotus që barte veprat e Ibn- Ruzhdiut (Averroes) dhe të Ibn-Sinës (Avicenës) në Itali. Kjo përhapje e dijeve kishte për të ndikuar thellë në formimin e Rilindjes Evropiane. Sigurisht, në kulturën e shkëlqyer të Andaluzisë kanë dhënë ndihmesë si islamikët, ashtu edhe të krishterët dhe çifutët. Kështu, nga Andaluzia nisi marshimin Rilindja kulturore e Evropës para mbarimit të Mesjetës.
Nuk mund të listojmë dot të gjitha borxhet e Evropës ndaj asaj pjese të vogël jugperëndimore të saj, të qeverisur nga joevropianët lidhur me matematikën, shkencën në përgjithësi, bujqësinë e deri te këngët erotike të këngëtarëve shëtitës Provensialë. Megjithatë, është për të ardhur keq, që këtë borxh ne nuk e njohim me dëshirë. Po ashtu, pa dëshirë, edhe arabët dhe islamikët në përgjithësi, nuk e njohin borxhin e vet ndaj Evropës në shekujt e fundit në të gjitha aspektet e qytetërimit praktik të sotëm. A nuk është koha tash ta mbyllim këtë traditë të krenarisë për qytetërimin vetiak, si në Evropë ashtu edhe në vendet islame? A nuk do qe koha për dialog për atë që na bashkon më shumë se sa për atë që na ndan? A nuk do qe koha që më mirë të dëgjojmë thirrjet për dialog ndërmjet kulturave ose për aleancë të kulturave, që provojnë të kundërshtojnë thirrjet për luftra dhe ballafaqime ndërmjet qytetërimeve, që vijnë prej atyre, interesi kryesor të të cilëve është fitimi nga burimi i luftës?

Proverbat arabe
Një pjesë e rëndësishme e kulturës janë proverbat, anekdotat, përrallat etj. Kështu edhe për ato arabe. Duke shfletuar një libër të Husejn Al-Amily, me proverba dhe anekdota, botuar vitet e fundit dhe që së shpejti do ketë edhe versionin shqip, me titullin “Thesari arab”, vërejmë në to një pasuri të thellë mendimi e përvoje. Le të njihemi me disa prej tyre, qoftë edhe shkurtimisht. Vlerësimin e madh për dijen arabët e shprehin, përveç të tjerash, edhe kështu:
-Të gjitha gjerat pakësohen kur përdoren, vetëm dija, sa më shumë përdoret, aq më shumë shtohet.
-Dija është thesari më i mirë: e lehtë për t’u bartur, e pagrabitshme nga hajdutët, shumë e dobishme në nevojë, shok në vetmi, dinjitet në shoqëri dhe kënaqësi në mërziti - Ar-Radhi (shek. X)
-Kërkoje arin me masë, kërkoje dijen pa masë.
-Dija është shpatë me dy tehe, varësisht në cilat duar bie.
-Në se nuk mund të jesh një yll në qiell, bëhu qiri këtu në tokë.

Krahas dashurisë për dijen, arabët çmojnë fort përpjekjet për zbulimin e të vërtetës dhe përbuzin gënjeshtrën dhe gënjeshtarët:
-E vërteta, sikurse trëndafilat, lulëzon në mes gjembash. – Saadi
-Në se gënjeshtari të thotë se qumështi është i bardhë, mos e beso.
-Nëna e vdekur e gënjeshtarit ka qenë virgjëreshë.
-Kur gënjeshtari e gjeti gënjeshtrën e tij në Pazar, e besoi atë.
-I ndershmi i beson të ndershmit, por gënjeshtari nuk i beson gënjeshtarit.

Ndjenja e dashurisë është e fuqishme, po ashtu, ajo shprehet edhe me proverba të tilla si:
-Ena e dashurisë nuk mbushet dot.
-Syri i dashurisë është i verbër.
-Dashuria dhe parfumi nuk mund të fshihen.
-Kur u ngrit e dashura, hëna e plotë perëndoi!
-Dashuria vjen nga Qielli; urrejtja nuk ka asnjë prejardhje të mirë.

Ndërsa veset e njerëzve stigmatizohen, si p.sh. ambicia:
-Ambicia është një skllavëri e vazhdueshme.
-Tri gjera nuk duhen lavdëruar: një plak i padijshëm, një varfanjak dorëlëshuar dhe një pasanik gënjeshtar.

Ndërsa për marrëdhëniet ndërmjet pushtetit dhe popullit ata shprehen:
-Autoriteti i keqëson njerëzit dhe njerëzit e keqësojnë autoritetin.
-Ligjet e këqija janë një barrë mbi supet e njerëzve të mirë- njerëzit e këqinj janë një barrë mbi supet e ligjeve të mira.
-Ari provohet me gur dhe kadiu me ar.
-Kundërshtoje ministrin, por jo portierin e tij.
-Në se sulltani urdhëron që t’i merren popullit dhjetë vezë, ushtarët i marrin atij njëqind pula.
-E pyetën Faraonin, çfarë e bëri atë tiran. “Nuk më pengoi askush” - u gjegj ai.
-Kur qeveritari është tiran, kadiu është xhelati i tij.
-Hyr në dhomën e mbretërve si një i shurdhër dhe dil që andej si një memec.

Ndjenja e lirisë, si te të gjithë popujt edhe te arabët është shumë e thellë:
-Një qytet i tërë në robëri është tepër i vogël për një njeri të lirë.
-Një qen i lirë është më i fortë se sa një luan në kafaz.
-Një vend në paqë, është një shtëpi e madhe.
-Një njeri i lirë mund të çlirojë një qytet të tërë.

Arabët janë tolerantë dhe vlerësues edhe për jo arabët, edhe për ata që kanë fe tjetër:
-Ha te çifutët, fli te të krishterët dhe bli te myslimanët. (mbase sepse çifutët gatuajnë mirë, të krishterët janë paqësorë ndërsa me tregti myslimanët fitojnë nga pak sepse e kanë frikë Zotin).

Kur vjen fjala për të karakterizuar burrat, arabët shprehen:
Ndër burrat, Zoti nuk i bekon: intrigantët, dinakët, gënjeshtarët, dyshimtarët, mburravecat, parazitët, pijanecët, ciganët dhe dembelët.
-Nga tri gjera, burri ka më shumë se sa ai di: mëkate, borxhe dhe rivalë.
-Burri krahasohet me zemrën e vet, kali me muskujt e tij dhe shpata me tehun e saj.

Burri që meriton lotë dhe të qara është tri llojesh:
Burri që është gati të ballafaqohet me një rrezik për të shuar flakët e luftës; burri që i qeras miqtë e vet kur ka zi dhe u jep atyre ujë kur ka thatësirë; burri i zgjuar, që me shkathtësinë dhe shpirtin e tij të lartë i mbron të drejtat e veta dhe të të tjerëve. Pjesa tjetër e burrave janë vetëm burrecë, që kanë si detyrë vetëm të shtojnë racën e burrave. Ata nuk e meritojnë as t’i qash, as të mbash zi dhe i verbëri, që s’i sheh dot ata, nuk qëllon kërkënd.- shkruan Jazia Al-Hilalijja, poeteshë beduine nga Maroku
Ndërsa për gratë, kemi shprehje si më poshtë:
-Gratë mund ta fshehin dashurinë e vet dyzetë vjet, por urrejtjen as dhe një orë të vetme.
-Dreqi: Unë jam mësues i burrave dhe nxënës i grave.
-Gratë kanë shtatë epshe.
-Epshin e burrit e shuan epshi i femrës, por epshin e gruas e shuan vetëm varri.
-Gruaja e do burrin e vet me zemër, burri e do atë me dëshirë.
-Gruaja në dashuri është një ëngjëll nga Qielli.
-Gruaja që ju buzëqesh, do t‘ju mashtrojë, kurse gruaja që qan para jush, ju ka mashtruar tashmë.
-Gruaja pa modesti është njësoj sikurse gjella pa kripë.
-Mos i beso gruas jashtë shtëpisë, mos i beso asaj jashtë krevatit.
-Ruaju nga një njeri i heshtur kur ai nis të flasë dhe nga një grua e mbyllur, kur ajo nis të vështrojë përqark.
-Gratë dhe mushkat u binden përkëdhelive.
-Gruaja juaj jo e bukur u përket vetëm juve, ndërsa gruaja e bukur të përket si ty, ashtu edhe botës.
-Kur një plak martohet me një vashë, gëzohen djaloshët e lagjes.
-Gratë janë si bletët, ato ose të pickojnë ose ju japin mjaltë
-Bekuar qoftë shtëpia e madhe, kali i shpejtë dhe gruaja besnike!
-Gruaja e torturon burrin e vet për shkak të nevojës së tij.
-Nëse një burrë betohet se do hakmerret ndaj jush, shko e fli i qetë, por në se këtë e bën një grua, gjej një roje për natën.
-Xhelozia e gruas së poshtër tregohet me të thirrura, te gruaja fisnike me lotë.
-Zgjidhe kalin tënd me sy dhe gruan tënde me veshë, d.m.th. dëgjo atë që thonë të tjerët për të.
-Më mirë është, që gruaja të martohet me një burrë, që ai e do atë, se sa me një burrë, që ajo e do.
Përgatiti Bardhyl Selimi