MES QIELLIT DHE TOKËS


Moikom ZEQO

Ungjilli sulmon pasionet dhe flet vetëm për shpirtin. Ky është një nga ndryshimet më kolosale mes Dhjatës së Vjetër dhe Dhjatës së Re. E famshme është parabola e Krishtit për eunukët qiellorë. Mbretëria mesianike është përherë qiellore.
Një prift rebel dhe i rrezikshëm si Tomaso Kampanjela, në traktatin e tij "Qyteti i Diellit", duke qenë adhurues i Krishtit, bën të kundërtën. Kërkon të bëjë një mbretëri mesianike tokësore. Arti bizantin u drejtohet vdektarëve të Tokës. Por është një thirrje e thekshme deri në infinit për Qiellin.
Por simbolet dhe detajet e peizazheve, të ujërave, të kafshëve dhe të shpendëve krijojnë një nostalgji të pafund e madhështore për Tokën. Toka kështu fiton një plotfuqishmëri, ndonëse plotfuqishmëria e Qiellit duket më absolute. Dihet proverbi i lashtë mistik: "Njeriu është në gjumë, kur vdes zgjohet prej tij."
Ngjan se shën Pali (Hebrejve 13-14) qe i njësishëm me këtë proverb, kur shkruante: "Në tokë nuk ka asnjë qytet, ku mund të banojmë për jetë. Ne po presim qytetin që do të vijë." Është fjala për Jeruzalemin qiellor. Ja që Parajsa është një shpikje e arkitektëve, ose profetët janë urbanistë të hyjnores, ndoshta engjëj të përkorë e të ditur të hapësirave dhe të Zotit që i ka punësuar. Arti bizantin konstrukton përpara syve të besimtarëve një botë të përtejme, por me pamjet e kuptueshme të tokës. Ai paraqet të pashmen, është një art i të shfaqurit.
Kuptimi i fshehtë ose esenca e mbuluar vetëm mund të nënkuptohet, por nuk mund të shihet. E padukura është gjithmonë e verbër. Format janë përherë tokësore. Madje dhe retë e qiellit. Kozmogonia dhe retë. Shtrëngatat dhe kometat. Fluturimi i zogjve kaq i përafërt dhe i kuptueshëm, sa fluturimi i kerubinëve.
Midis Qiellit dhe Tokës është misteri. Ky mister është i dyfishtë, sepse nuk mund të ketë vetëm një fytyrë. Ky është misteri i mbulesës, por që nën të ka përherë zbulesa të pafundme. Është maska që paraqitet si fytyrë. Ose është fytyra, e cila përfaqëson botën jolëndore të mendimit. Është gjithçka, që paraqitet dhe që u bën thirrje shqisave.

Misteri shqetësohet por nuk është kaq. Duke i kapërcyer kufijtë tabu të shqisave, misteri na pushton me magjinë e shpirtit njerëzor, e vetmja gjë që pretendon të na lidhë me hyjnitetin, gjithashtu mister i mistereve.

SEKRETI I ARTIT
Opinioni publik i sotëm, i instrumentalizuar nga dervishët e leckosur të artit kiç, ose të ngjyrave skizofrenike krijon të stampuar vetëm kompraçikos, të lirë në skllavërinë e tyre të humnershme, maska po jo fytyra të gjalla, simbole po jo realitet. Gjithsesi, fytyra e Njeriut është fytyra e zemëruar e Abadonit. Duhet t'i druhemi atij, për ta dashur më shumë, sepse secili është artist mesianik i padyshimtë. E di fuqinë e kobshme të ndëshkimit, u thotë tokësorëve se duhet t'i paguhen një ditë kambialet Qiellit. Qytetet tona të rindërtuara, kadmike, si nga mbjellja e dhëmbëve të dragonjve, kanë sabahet e tyre të shijeve dhe të ëndrrave kompjuterike dhe të inteligjencës artificiale dhe të shterpëzimit të egër e të ngadaltë të shpirtit njerëzor.
Ne mund të shohim të brengosur dhe të lemeritur te kishat onufriane kafshët totemike biblike: një luan të zgjebosur dhe krifërënë; shqiponjën e plagosur dhe pendëshkundur; kaun brirëthyer e brinjëronitur, plot plagë të qelbëzuara; njeriun e majmunizuar dhe të ngërdheshur, dhjetë virgjëreshat e tempullit të bëra prostituta; Llazarin, që si presdigjiditator rishfaq përpara publikut ringjalljen, për të fituar miliona; profetët, që bëhen shkëmbyes të zellshëm e të shkathët në tregun e zi të valutave; Davidin, që ndërron harpën hebraike me kitaret elektrike të muzikës rrok; Jobin të rënë në koma nga droga; Abrahamin duke shitur të birin; Adamin që ther me thikë Evën për tradhti bashkëshortore. Daltonistët ngjyrën e kuqe do ta shihnin të gjelbër dhe ndërsjelltas edhe pikturat e Xhotos do t'u dukeshin krejt ndryshe, si në një negativ ëndrre. Biblizmi është përvoja tragjike dhe madhështore e njerëzimit.
Bibla ka të dhëna të çuditshme. Te "Libri i numrave" (13-22, 28) flitet për Anakun, birin e Arbas, që themeloi qytetin Kirjath - Arban, çka do të thotë "qyteti i Arbas". Ky fakt është plotësisht i pastudiuar. Nuki duhet harruar se Arba është emri i një ishulli dhe qyteti në Iliri (Plini NH III, 21). Po këtë emër e përmend edhe Ptolemeu. Në formën Arban e përmend edhe Polibi. Prokopi i Cezaresë shënon një Arbatias si fortesë, diku në Daki. Nga Bibla burojnë utopitë transcedentale, dialektika e shpagimit, besimi për një të ardhme më të mirë. Parajsa e krishterë është quajtur shpesh si një Atlantidë e ideve, ose Lemuria. Toka e Lumturisë, ose vendi sekret i Tibetit, i quajtur Shakri-la, i Lumturisë Qiellore, ose pasqyra që ka tërë dijen e universit të gjetur në Hong-Kong e të quajtur Feng Shui. Kështu mund të kuptosh se si Apoloni i Ri, duke vrarë gjarprin Piton, u bë më pas shën Gjergji i krishterimit botëror.
Lexues, gjithsesi, këto që po lexon janë një konstelacion fjalësh dhe mendimesh, mit i racionalizuar, logos onufrian, e vërtetë e përafërsuar po jo e tjetërsuar. Skënderbeu është një nga shqiptarët. Fati i tij është i veçantë, por jo shumë i ndryshëm. Fati i shqiptarëve është përcaktuar nga gjuha shqipe. Një gjuhë e mrekullueshme, por fatalisht e vetmuar, e përshkuar nga fjalë të gjuhëve të tjera, po me një sintaksë të vetën. Shqiptarët janë ata që janë, një popull që përpëlitet ende nën lëvozhgën prej floriri vdekësor të mitit, nga duhet të dalin për tek e ardhmja. Për Shqipërinë duhen thënë vargjet e Petrarkës: "La sotto giorni nubilosi e brevi/ nasce una gente a cui l'morir." (Aty ku ditët janë me re dhe të shkurtëra/ lindin njerëz që nuk u dhimbset jeta.) Por njerëz të tillë pasionantë si shqiptarët bëjnë art jetëgjatë. Vita brevis, ars longa. Arti bëhet kështu një plotësim, ose virtyti i madh i shpirtit të trazuar. Arti është si fjala e urtë, e lëmuar nga brezat njerëzorë në pafundësi. Secili e parapëlqen dhe njësohet me këtë art, për të mbijetuar, për ta kapërcyer cakun e pamëshirshëm, për të vetëtirë në boshllëk. Çdo artist i ngjan personazhit të Hugo Prattit, i cili nuk kishte vija në pëllëmbën e dorës dhe i skaliste me thikë. Kështu ai përcaktonte të ardhmen dhe biografinë e vet. Vijat e bëra në pëllëmbë janë vizionet e tij, që shfaqen përpara nesh herë si hyrja e shpellës së Sibilës së Kumës, plot vegime dhe poezi orakujsh, herë si një libër i një profeti biblik të shkatërruar nga plagët e martirizimit, nga vuajtja fatale siç thuhet te "Libri i Jobit" (19-26): "Mbas shkatërrimit të lëkurës së mishit tim, do ta shoh Perëndinë": ARTIN!