Kur historiani frymëzon shkrimtarin

Prof. Dr. Adriatik Kallulli

(Duke lexuar tregimet e Uran Butkës) Ç’ndodh me një hulumtues të apasionuar, kur për vite me radhë shfleton dhe rrëmon dokumente nëpër arkiva? Si e trazojnë faktet, dëshmitë dhe zbulimet ndërgjegjen e studiuesit që merret ngultas me atë punë?



Vëllimet me tregime të Uran Butkës e dëshmojnë fort mirë këtë dualitet. I etur për të shkuar sa më pranë të vërtetës historike, për ta sjellë atë të papërdhunuar, të padeformuar e të pagjymtuar, historiani Butka del nga arkivat i mbushur ding edhe me të vërtetat dokumentare, por edhe me emocione të forta ngjarjesh dramatike, tragjike, absurde. Historiani është i bindur se lëvizje të tilla emocionale s’përfshihen dot në histori, e cila kërkon ftohtësi mendjeje dhe shqyrtim korrekt dokumenti. Mjaft më me historira të fermentuara me emocione, dhe mjaft më me letërsi të mbushur me historira. Atë që e pranon historia, s’e qas letërsia. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Letërsia është fakt, letërsia është ndjenjë. Në librat historikë të Butkës jepet saktësisht dimensioni historik, ndërsa në tregimet e tij artistikë jepet vetëm dimensioni shpirtëror. Në historiken e Butkës nuk ka asnjë gjurmë pasioni, në letraren e tij nuk ka asnjë fije historizmi.

* * *
Tipik është tregimi antologjik “Arna”, ku autori jep mjeshtërisht me fare pak rreshta gjendjen shpirtërore në zgrip të një çifti, tek i cili varfëria gradualisht rrënon ndjenjat e tyre, magjinë e dashurisë, kënaqësinë e saj. Kjo rënie e shkarrëzuar jepet metaforikisht nëpërmes dy simboleve: arnës dhe dorës. Dora, aq e ndjeshme në komunikimin njerëzor, fillimisht rrëshqet lirshëm mbi këmishën e mëndafshtë fëshfëritëse të gruas, më vonë mbi këmishën e saj fanellate dhe, në fund, mbi këmishën e saj prej bezeje, ku ishte qepur një arnë, si një dregëz kanceri. “Atij iu duk sikur ajo kishte veshur një arnishtë. Ndjeu një rrënim të brendshëm. I iku pa kthim gjithë dëshira e kënaqsia, i ngriu pathosi i shpirtit. Dora iu këput dhe i mbeti si një gjethe e thatë mbi trupin e saj të dridhshëm.”
Varféria e skajshme shtyp personalitetin e njeriut dhe krenarinë e tij . Përfytyroni personazhin e tregimit të bukur “Lugja”, i cili zé radhën e lugës së aluminté, të shtrembër e të nxirë në gropëzat e saj té neveritshme, për të ngjeruar pjatën e groshëve. Kur kjo përsëritet dhe bëhet e përditshme, edhe njeriu merr formën e pamjen e lugës së shtrembër e të nxirë.
Tregimet e Butkës janë thjesht letërsi, edhe kur e merr lëndën nga e shkuara historike, edhe kur e merr nga e sotmja. Kësisoj, lënda shpirtërore që ngërthehet në tregime, ka dhe pigmentin e historianit, dhe atë të krijuesit të mirëfilltë. Është një lëndë e gallë, që buron nga jeta, por e përpunuar në laboratorin e shkrimtarit. Realitete shpirtërore tronditëse, që rrjedhin nga jeta dramatike e shqiptarit, por që sendërtohen në figura e materiale letrare. Realitete që sjellin shumë kucura në vazhdën e turbulluar të rrjedhës shqiptare. Deformime të rënda shpirtërore, që sjellin e mbjellin pushtetet totalitare, egërsi të tejskajshme e dhunë klasore, sisteme politike demokratike të deformuara, që sjellin anormalitete, çnatyrime, prishje, metamorfoza të përçudnuara karakteresh, poshtërime individësh me idenditet historik e komunitar, ankthe, makthe dhe sëmundje sociale gjithfarësh. Sidomos gjymtime dhe shkalafitje e të drejtave elementare njerëzore, lirive vetjake e qytetare. Psikologji primitive, sjellje joqytetare, joligjore. Rrëfimi i jashtëzakonshëm i autorit te «Një natë pa gjumë» na i jep emocionalisht këto realitete të shëmtuara, që të trondisin. Sepse, siç thotë personazhi i tregimit “Ora”, qytetërimet nuk krijohen me luftë e me dhunë, krijohen me kulturë.
Mishërim i një bote të kulturuar është Sabi, personazhe e tregimit mahnitës «Dashuria», ku dashuria e saj e ndritshme, por tragjike për poetin, përballon shpirtërisht jo vetëm jetën, por dhe vdekjen përpara xhelatit. Bota e saj shpirtërorë, dhënë me fuqi të madhe arti, përbën një karakter të spikatur dhe origjinal të gruas intelektuale shqiptare.

* * *
Ka një kryemesazh konvergues të shumicës së tregimeve: S’do mund të kemi asnjë hap të vërtetë përpara, nëse nuk ndjekim hullinë e vështirë të shtetit ligjor. Autori të duket sikur klith: Ligjëshmëri edhe kur gjykoni ngjarje e njerëz, edhe kur i burgosni ata, edhe kur i varrosni dhe u fshihni varret.
Në tregimin dantesk ”Fjalë të nëndheshme” që të kallkanos, të vdekurit e të gjallët bëhen njësh, shkëmbehen mes tyre për të na dhënë mësimin e dhimbshëm për ardhmërinë. Atje ku regjimi sillet vrazhdësisht me të vdekurit e pafajshëm, mjerë të gjallët e gjorë! Veçse: Dimri than çdo gjë, por jo kujtesën. Karl Sandbergu e quante kujtesën historike burim të progresit. Janë pikërisht të gjallët e gjithëpushtetshëm, që sjellin masakra. “Heroi i Popullit”, funksionar tepër i lartë, është njëri prej tyre. I etur për pushtet, ai jep urdhër që të huajt të vrasin shqiptarët në vendin e tyre. As në pleqërinë e thellë e as në buzën e varrit, s’turpërohet për atë urdhër që ka dhënë. Gabimet e rënda të së shkuarës mbeten sërish kanosëse, kur quhen veprime të drejta edhe në kohë të mëvonshme. Dhe të tilla lemeri ndodhin të gjitha “Në shtëpinë tonë”. Nnjë titull kuptimplotë. Në këtë shtëpinë tonë janë edhe funksionarët e lartë që me kohë kanë përmjerë mbi institucionet, ligjet, të drejtat e njeriut, edhe ata që kanë përvetësuar pronat e të tjerëve e s’i lëshojnë, edhe ata deputetë, fillestarë të babëzitur, që boshatisin në çast gjithçka që është shtruar në një banket qeveritar, edhe viktimat e tyre. Lexuesit nuk ka sesi të mos i kujtohet ai interpretim i shkëlqyer filozofik i Bertrand Rasellit për urrinë fiziologjike (physiologycal hungrinnes). Ka fort të drejtë autori kur pyet: “A mund të bëhet një vend me politikanë të uritur?”, sepse mund ta pësojmë rishtas nga babëzia e tyre.
“Në shtëpinë tonë” është edhe ai shefi i përbindshëm i policisë së një nënprefekture, që s’do t’ia dijë për ligj e moral. Kaluar ku e ku bajraktarit feudal, kthehet ne një despot të vërtetë, injoron çdo epror dhe sillet me arbitraritet ekstrem. “Dora e shtetit” është një tregim i shkëlqyer. Ideja e Karl Poperit se edhe demokracia është e aftë të kryejë krime kur del jashtë kontrollit, është mishëruar artistikisht aty. E lexon dhe e rilexon e të kaplon trishtimi. Sepse i sheh të tillët përditë, në administratë, në gjykata, në rrugë, në mjedise publike, në mendësi. Qëndrova paksa tek ky tregim shumë kurajoz, sepse në vizionin e shkrimtarit për progresin dhe fuqizimin e shoqerisë demokratike, ka rëndësi themelore individi i vendosur në pika kyçe të pushtetit, aftësia e qytetaria e tij.
Vite më parë, shkrimtari kurajoz Koço Kosta do të meditonte se një njeri i keq në poste të rëndësishme, i përngjet një qelize kanceroze, që i shumon të tjerat urikthi. Tregimtarin Butka e trondisin të tillët, sepse s’janë të paktë dhe përfaqsojnë dorën e shtetit. Dhe, kur ata ulërasin: “Ua tregoj unë qejfin!”, unë, unë njeriu, drithërohem.
Por “Në shtëpinë toné” janë turli drejtorësh të paskrupull, që i vështrojnë arsimtaret e shkollës si hareme personale. Lufton femra e gjorë të mbrojë dinjitetin, por s’ka ku të ankohet e ku të denoncojë kërcënimet e neveritshme që i bëjnë autoritetet, duke ia bërë jetën ferr të vërtetë. Autori e ka vendosur situatën në sistemin e mëparshëm, por lexuesi vetë e shtrin menjëherë fenomenin edhe brenda sistemit ku jemi. Kush e mbron vallë femrën sot ndaj drejtorit, punëdhënësit, funksionarit, biznesmenit hamshor?! Shkrimtari jep gjendjen shpirtërore të personazheve, por njëherësh ai na cyt, na përfshin natyrshëm në këtë problem të madh që, në fund të fundit, është shprehje e dinjitetit të mbarë shoqërisë, sepse atje ku është i kërcënuar dinjiteti moral i femrës, është në theqafje morali i gjithë shoqërisë.
Dramatik është tregimi “Përdhunimi”, ku trajtohet me realizëm fati tragjik i gruas kosovare, që përdhunohet shtazërisht nga ushtarët serbë gjatë genocidit e spastrimit etnik në vitin 1998. Nga njëra anë jepet kjo dramë e gruas kosovare, nga ana tjetër bota e saj e madhe shpitrërore dhe solidariteti brendapërbrenda hapësirës shqiptare. Kjo nëpërmes personazhit të mjekes. Është e para herë në letërsinë tonë që trajtohet artistikisht kjo temë e mprehtë dhe e dhimbshme. Por e vërteta duhet thënë, duhet njohur, që të kapërcehet me vetëdijë dhe e keqja e të mos përsëritet.

* * *
Problematikat e shumta e të vështira të komunitetit ku jetojmë, nuk mund të zgjidhen as nga tipat e mefshët, dallkaukë e oportunistë, krejt të paaftë, si ai ministri i shfronësuar te tregimi “Rënia”. Një tjetër rrëfim shpirtëror i qetë, por gjithë nëntekste të mprehta. Një ministër i ditëve tona shkarkohet nga posti dhe, në situatën e rënies, nuk di ç’ta bëjë kohën dhe ku ta fshehë veten. Në këto rrethana, zbulohet gjithë paaftësia dhe kotësia e tij. Atje lart, në lagjet e Olimpit, mund ta fshihte paaftësinë e mefshtësinë, por këtu poshtë s’mund të jetë ndryshe nga ç’është në të vërtetë, as me gruan, as me fëmijët, as me pensionistët e zakonshëm. Është një tregim i vetvetishëm, ku tendenca ideore rrjedh natyrshëm permes disa detajeve artistikë që thonë shumë. Është edhe ky një tregim me ngjyrime çehoviane, me penelata karikaturizmi dhe me nëntekstin kumbues: “Eh, more njerëz, ç’ka atje lart, në lagjet e Olimpit! Mulli pa bloje, sa të duash e si t’i duash!”
“Shtëpia jonë” është e kamur me turli speciesh, që lëvrijnë. Brenda saj shumë mërira, urrejtje dhe ekstremizëm, kategori historike që i bashkon paradoksi. Lexoini tre tregimet “më vete” të saj dhe do të njiheni me të vërtetën tronditëse të luftës brenda vetes, një luftë vëllavrasëse civile që le pasoja tragjike jo vetëm tek individët, por edhe te vetë kombi.
Lexojeni me vëmendje tregimin e tmerrshëm “Dosjet”. Është një skenar i gatshëm filmi, por dhe një tjetër skelet drame. Dialog kuptimplotë, i thellë, gërryes si një turrjelë që depërton në çdo trup. Të vërteta të ashpra, njëra më goditëse se tjetra, të thëna në trajta eliptike prej dy të përndjekurve që vijnë nga kahe të kundërta. Mund ta lexosh disa herë e të gjesh ndriçime të tjera për karakteret dhe sjelljet e njerëzve tanë. Uran Butka njeh jo vetëm realitetet historike, por edhe ato bashkëkohor , ai është njëherësh edhe njohës i thellë i shpirtërave njerëzorë, madje edhe i botës së kafshëve, dhënë me fantazi të jashtëzakonshme në tregimet për arrinjtë, për qenin Kam etj.
I lodhur nga helmi i arkivave, futur thellë në vetëdijën e hulumtuesit, historia nis të çlodhet diku në një kthinë të “Shtëpisë sonë”. S’gjen qetësi as atje. Prandaj merr të mbesën, Enian gjashtëvjeçare, për të kaluar disa çaste buzëdetit. I ble një krokodil plastik dhe e le të pllaqaritet në cektinën e detit. Dikur mbesa lodhet nga krokodili artificial dhe vjen te gjyshi. Fillon ta pyesë për detin, dallgët, tokën, njerëzit, kafshët, bishat e gjalla, kacafytjet e vërteta dhe gjyshi i urtë ia thotë të gjitha, të gjitha, ashtu siç ndodhin dhe do të ndodhin vazhdimisht. Nuk i fsheh asgjë. Mbase ka lexuar edhe diçka nga Niçja, që pohonte: “Mos ia fshihni njeriut asgjë, qoftë edhe i vogël kërthi. Lereni t’i kuptojë e t’i prekë të vërtetat e jetës, ashtu siç janë. Lereni të bëhet ashtu siç është, sepse kështu do ta vozitë më mirë jetën.”