Kundërthëniet letrare Kosovë-Shqipëri




Mehmet KRAJA (Akademik)

Marrëdhëniet letrare Kosovë-Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX kanë qenë komplekse, ndonjëherë kundërthënëse. Këto kundërthënie bëjnë pjesë sa në rrafshin e komunikimit, po aq edhe në formacionet letrare-artistike. Fakti se këto dy pjesë të letërsisë shqipe janë zhvilluar në rrethana të ndryshme historike, shoqërore dhe politike, shpesh me pengesa të mëdha në komunikim të ndërvetshëm, nxori si rezultat konsolidimin e dy përvojave letrare. E kështu pra, bëhet fjalë për një letërsi, por për dy përvoja. Studimi dhe theksimi i këtyre dallimeve nuk çon te një dezintegrim i ri, siç pandehet ndonjëherë; përkundrazi, letërsinë shqipe e bëjnë më normale, më të afrueshme me lexuesin e saj të krejt hapësirë shqiptare

Kundërthënia e parë

Në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit XX, në Shqipëri fillon konsolidimi i letërsisë së shkruar me metodën e realizmit socialist. Kjo është një letërsi e shkëputur nga përvoja e shkrimit të periudhës pararendëse, të kohës së mbretërisë dhe, përmes ideve nacionale, përpiqet të lidhet me letërsinë e Rilindjes. Ajo është letërsi e realizmit, është letërsi e drejtpërdrejtë, që domethënë se ka një shkallë të lartë komunikimi me lexuesin e Kosovës dhe i përshtatet më shumë nivelit intelektual, pra edhe aftësisë perceptuese.
Përveç kësaj, duke qenë e lidhur me idetë nacionale të Rilindjes, ajo komunikon me idealet kombëtare të lexuesit të Kosovës. Natyrisht që ajo është edhe socialiste, por ky fakt për lexuesin e Kosovës është më pak i rëndësishëm, ndonëse nuk mund të thuhet se kosovarët ishin të paprekur nga kjo ideologji. Pra, duke qenë letërsi nacional-socialiste, letërsia e Shqipërisë në Kosovë konsumohej jo aq për të përmbushur kritere estetike dhe efekte të kënaqësisë artistike, por kryesisht për utilitarizëm kombëtar, edhe politik, merret vesh. Kjo rrethanë bëri që letërsia e Shqipërisë të ushtrojë ndikim të madh në Kosovë dhe ajo, bashkë me Radio-Tiranën, bëhet mjeti më i fuqishëm i propagandës.
Po u shikua nga kjo distancë, nuk është vështirë të kuptohet se në Kosovë imazhin e idealist të Shqipërisë socialiste e ka ndërtuar pikërisht letërsia e shkrimtarëve më të mirë të Shqipërisë. Ky imazh ka qenë aq mbresëlënës, sa që, me rastin e vizitave të rralla ose pas rënies së diktaturës në Shqipëri, të paktë ishin kosovarët që u besonin syve të tyre. Ata kërkonin me ngulm të shihnin Shqipërinë e idealizuar të letërsisë socrealiste.
Nga ana tjetër, shkrimtarët e Kosovës avancojnë me letërsi, me metoda dhe shkolla letrare, bëjnë letërsi moderne, e cila në shumë pika qëndron afër letërsisë europiane, me të cilën komunikon përmes letërsisë jugosllave. Letërsia e Kosovës, pjesa më e mirë e saj, e rrezikuar nga çensura dhe autorçensura, i futet aventurës së mbylljes, ose të shkallës më të ulët të komunikimit, duke vënë në përdorim metaforën si mjet të përcjelljes së mesazhit. Por edukimin letrar të lexuesit, ajo ia lë letërsisë së Shqipërisë.
Kjo rrethanë prodhoi kundërthënien e parë dhe, njëkohësisht, nxori si rezultat një situatë jo të natyrshme: shkrimtarët e Shqipërisë u bënë më popullorë në Kosovë, sesa në vendin e tyre. Ndërkohë, shkrimtarët e Kosovës, pjesa më e mirë e tyre, mbeten pa lexuesin popullor dhe u orientuan nga lexuesi elitist, nëse mund të thuhet kështu. Por kishte edhe një letërsi tjetër në Kosovë, e cila u shkrua sipas modelit të letërsisë socrealiste të Shqipërisë. Mirëpo, ajo ishte letërsi e dobët dhe nuk u mirëprit nga lexuesi që, në vend të kopjes së zbehtë, kishte mundësi të merrte origjinalin.
Për t'u treguar integralistë e patriotë, dhe për t'i krijuar oponencë jugosllavizmës, autoritetet arsimore të Kosovës futën në planprogramet e shkollave më shumë vepra të autorëve nga Shqipëria. Arsye ishte edhe përshtatshmëria e kësaj letërsie me nivelin kulturor dhe dijen letrare jo vetëm të nxënësve, por edhe të sajuesve të planprogrameve dhe të teksteve shkollore. Kjo bëri që shkolla jonë, në punë të arsimimit letrar, mbeti e vonuar. Ndryshimet që u bënë së voni në këto planprograme, çuan në një skajshmëri tjetër: hynë në planprograme përmbajtje letrare që nuk akceptohen as nga nxënësit, as nga arsimtarët, sepse rruga e arsimimit letrar në Kosovë tashmë kishte dalë nga binarët e ecjes normale. Këto përmbajtje, të themi kushtimisht moderniste, dalin thuajse se të pamundshme, sepse shkolla, konservative siç është, ende vazhdon të absorbojë përmbajtje letrare ose nacionalromantike, ose socrealiste.

Kundërthënia e dytë

Veprat e para të letërsisë së Kosovës në Shqipëri u botuan nga fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë. Edhe para kësaj kohe, gazeta "Drita" dhe revista "Nëntori" botonin poezi të autorëve të veçantë, kryesisht përmbajtje të afërta me konceptin letrar të realizmit socialist, ose të nacionalromantizmit. Ndodhte nganjëherë që në Shqipëri botoheshin poetë, emrat e cilëve në Kosovë nuk thonin ndonjë gjë. Patjetër, autorët më përfaqësues botoheshinn, mirëpo jo rrallë me krijimet e tyre të dobëta. Megjithatë, poezia e Kosovës në Shqipëri fillon të jetë e pranishme, në krahasim me gjinitë e tjera letrare.
Nga fundi i viteve shtatëdhjetë dhe fillimi i viteve tetëdhjetë nis një interesim më i gjerë për letërsinë e Kosovës. Por gjithsesi kriter themelor është përshtatshmëri ideologjike e tekstit. Pozicioni politik dhe ideologjik i autorëve shpesh nuk ishte shumë i rëndësishëm, karshi përmbajtjeve të përshtatshme, që ishte kriter themelor i botimit. Kjo mënyrë e botimit selektiv, duke u mbështetur kryesisht në përshtatshmërinë ideologjike dhe jo në vlerat letrare, do të krijojë në Shqipëri një pasqyrë të shtrembëruar për letërsinë në Kosovë. Pushteti i atjeshëm, gjatë fushatave të tij të gjata kundër "shfaqjeve të huaja", në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë, e vë theksin edhe te dekadentizmi i letërsisë që vjen prej Kosovës dhe te nevoja që me përmbajtjet e saj të merren në mënyrë të kujdesshme botuesit, shkrimtarët dhe bërësit e tjerë të punëve letrare. Pra në Shqipëri, në këtë periudhë, mbi letërsinë e Kosovës hidhet një dyshim, i cili nga ideologjia gradualisht kalon edhe në segmente të tjerë të saj, siç janë përmbajtjet, metodat, shkalla e komunikativitetit etj., që ndryshe quhen hermetizëm, dekadentizëm e kështu me radhë. Te një masë njerëzish në Shqipëri krijohet ideja se letërsinë e Kosovës duhet ta botojmë sa për sy e faqe, sepse kosovarët i kemi vëllezër, por duhet qëndruar larg nga përmbajtjet që ofrojnë letrat e tyre.
Nuk duhet lënë pa përmendur me këtë rast se, edhe përkundër kësaj, një numër shkrimtarësh të Shqipërisë lexojnë me kujdes letërsinë që krijohet në Kosovë, madje ndërmarrin edhe akte të guximshme botimi, duke iu kundërvëne me dinjitet institucioneve . Mirëpo, ndërprerja e marrëdhënieve kulturore Kosovë-Shqipëri në fillim të viteve tetëdhjetë, sikundër ashpërsimi i luftës ideologjike, do të ndikojë që këta lexues të jenë gjithnjë e më të paktë edhe nga lagja e shkrimtarëve, në një kohë që në Kosovë, po në këtë kohë, zhvillimet në letërsi bëhen shumë dinamike.

Kundërthënia e tretë

Po ne këtu, në Prishtinë, cilat kritere kemi ndjekur në punë të botimit dhe të afirmimit të autorëve dhe veprave që vinin nga Shqipëria?
Ideja se çdo gjë që vjen nga Shqipëria ka vlerë letrare, shpesh na ka çuar në skajshmërinë tjetër, jo vetëm te njëfarë vetëmohimi pothuajse i tërësishëm i letërsisë së Kosovës, por edhe te vlerësimi i gabuar i autorëve, të cilët në hapësirën letrare të Shqipërisë nuk paraqisnin asgjë. Në këtë pikë rol negativ ka luajtur një pjesë e kritikës sonë, e cila i ka glorifikuar autorët që në Shqipëri ishin model i keq i realizmit socialist. Kështu, krahas Kadaresë, Agollit, Petro Markos dhe poetëve si Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu etj., të cilët kritika jonë letrare i vlerësoi jashtëzakonisht mirë, u botuan dhe u vlerësuan edhe autorë dhe veprat e tyre që i bënin shërbim të keq atmosferës dhe ambientit letrar në Shqipëri. Ta zëmë, më të njohur do të bëheshin në Kosovë autorët si Ali Abdihoxha, Sterio Spasse dhe Fatmir Gjata, madje edhe Jakov Xoxa, sesa në Shqipëri. Një pjesë e kritikës sonë, këtu në Kosovë, nuk kishte një qëndrim konstruktiv ndaj kësaj letërsie, sepse i bënte elozhe një letërsie që konsiderohej e parëndësishme ose si model i keq i realizmit socialist. Ta marrim romanin "Këneta", që këtu u quajt një nga kryeveprat e prozës sonë. Në Shqipëri ajo ishte vepër-model i qërimit të hesapeve me armiqtë e klasës, respektivisht me inteligjencien shqiptare, e cila u masakrua deri në varrosje për së gjalli në Kënetën e Maliqit.

Kundërthëniet e thjeshtëzuara

Por sido që të jetë, autorët e Shqipërisë u bënë të njohur dhe të gjithëpranueshëm në Kosovë, ndërkohë që shkrimtarët e Kosovës ose nuk njiheshin fare, ose konsideroheshin si autorë minorë në Shqipëri. Në këtë pikë, këtu te ne, rol të turbullt kanë luajtur botuesit, planprogramet mësimore dhe një pjesë e kritikës. Në Shqipëri të gjitha fajet i lihen diktaturës.
Nëse e shohim më nga afër këtë problem, nuk do të nxjerrim gjithmonë përfundimin se përzierja e drejtpërdrejtë e diktaturës dhe instrumenteve të saj ishte i vetmi faktor ndikues për të krijuar bindjen se Kosova bën letërsi minore, në krahasim me atë të Shqipërisë. Duhet ta pranojmë se politika e ndarjes dhe e refuzimit, sikundër edhe ajo e vetëmjaftueshmërisë, kishin ndikimin më të madh, por jo të vetëm. Kjo politikë dhe ideologjia e saj, krijoi edhe bindjen te shumica e njerëzve në Shqipëri se e vërteta rreth Kosovës është ashtu, siç thotë Partia. Për pasojë, një pjesë e shkrimtarëve të Shqipërisë besonin, madje ende besojnë, se letërsia e Kosovës, pjesa e saj më e mirë, jo vetëm që ka mungesa të ndjeshme në vlera, por është edhe mendjeturbullt, jokomonukative dhe dekadente. Ata e pranojnë që një Beket të ketë shkruar në vitet gjashtëdhjetë dramën "Në pritje të Godosë", por nuk mund ta marrin me mend se, gati në të njëjtën kohë, shikuar nga kjo distancë Anton Pashku ka shkruar "Sinkopën", vepër me referenca jashtëzakonisht moderne.
Pra, edhe pas viteve nëntëdhjetë, në Shqipëri kishte një konfuzitet të madh në mendje dhe letërsia e Kosovës, pjesa më e mirë e saj, vazhdoi të refuzohej po me ato arsyetime, që i kishte vendosur sistemi i mëparshëm, plus një mungesë e theksuar e gatishmërisë për ta pranuar letërsinë e Kosovës si pjesë integrale të letërsisë shqipe. Dhe një mungesë e përgatitjes letrare për ta akceptur këtë letërsi.

Gjuha si kundërthënie

Dëshiroj të tërheq vëmendjen edhe për një problem që përsëritet shpesh, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Është problemi i gjuhës. Një pjesë e mirë e lexuesve, por edhe e njerëzve të letërsisë në Shqipëri mendojnë se shkrimtarët e Kosovës, jo veç e veç, por të gjithë së bashku, kanë probleme serioze në punë të gjuhës. Nëse këtë nuk e thonë publikisht aq shpesh dhe aq qartë, e diskutojnë dendur në biseda joformale. Por asnjëherë deri më sot kjo çështje nuk është shtruar dhe nuk është diskutuar me kujdes, në mënyrë të paanshme, me argumentim logjik dhe shkencor.
Përkundrazi, çështja është lënë në dorë të gazetarëve, ose të disa publicistëve të gjuhës dhe letërsisë. Situata mendoj se paraqitet e papërballueshme, sepse në Shqipëri, sado që jo hapur, refuzimi i dikurshëm ideologjik i letërsisë së Kosovës tani është zëvendësuar me refuzim gjuhësor. Nga ana tjetër, në Kosovë, bëhet gjithnjë e më e pranueshme ideja se integrimi kulturor, gjuhësor, letrar etj. qenka pothuajse i pamundur, sepse Shqipëria, ekskluzivisht për shkak të gjuhës, tregohet refuzuese ndaj Kosovës.
Natyrisht që kjo situatë kaq kundërshtuese, kërkon një analizë të themeltë dhe shteruese, profesionale, gjuhësore dhe letrare njëkohësisht.
Kësaj radhe po mjaftohem të themi se problemi i gjuhës sa është real, po aq paraqitet i thjeshtëzuar. Nuk duhet mohuar se një numër shkrimtarësh të Kosovës kanë probleme serioze me gjuhën, por ata nuk janë shkrimtarë përfaqësues; të tillë shkrimtarë, që nuk kanë ndjeshmëri të mjaftueshme për gjuhën, ka në secilën letërsi, përfshirë edhe letërsinë që bëhet në Shqipëri.
Megjithatë, këtu ekziston një dallim. Nuk do mend, gjuha standarde në Shqipëri, edhe në përdorim letrar, e ka arritur një nivel standard të përdorimit, kështu që në këtë pikë edhe shkrimtarët e dobët paraqitën jashtësisht të pranueshëm. Në brendi kjo është gjuhë e kooperativizuar, gjuhë e realizmit, madje e realizmit socialist, pa depërtime abstrakte. Pikërisht standardi i kooperativizuar, që aplikohet gjerësisht në Shqipëri dhe që konsiderohet si masë për komunikim standard, bën që të bjerë shkalla e fleksibilitetit, respektivisht bëhet kriter për refuzim të përmbajtjeve, të cilat mund të jenë më depërtuese në abstragimet filozofike dhe meditative.
Duhet ta pranojmë se një pjesë e letërsisë së Kosovës asnjëherë nuk do të lexohet më ëndje në Shqipëri, ndonjëherë për shkak se nuk e ka arritur standardin e gjuhës së komunikimit letrar, herë të tjera për shkak se është një prurje letrare që del jashtë konceptit të thjeshtëzuar të letërsisë së realizmit socialist.
Së këndejmi, ata që mendojnë se janë tejkaluar të gjitha pengesat për një integrim të tërësishëm të letërsisë shqipe, për mendimin tim, e kanë marrë me nguti. Në të vërtetë, ky integrim i tërësishëm as që do të ndodhë ndonjëherë, sepse rrugët e ndryshme nëpër të cilat kanë ardhur deri në ditët e sotme të dy krahët e letërsisë sonë, do të ruajnë edhe më tej dallime dhe veçanti.