Ktheja jetën gjuhës…

Ernest HEMINGWAY


Po të kem mundësi ta arrij një efekt pa e përdorur një fjalë, e bëj këtë gjithmonë, mirëpo nganjëherë është diçka që s’bëhet dot. Por edhe gjuhës i bën mirë t’i kthesh jetën, që ia kanë marrë…


Në të pëlqen të lexosh një libër që e ka shkruar një njeri, i cili e di fare mirë atë ç’ka shkruar dhe, për më tepër, që e ka shkruar shkëlqyer, lexo “Takim në Samarra” nga Xhon O’Hara. Pastaj, në paç kohë, lexo edhe një libër tjetër që titullohet “Lufta dhe paqja” nga Tolstoi, dhe ke për të parë se si do të kapërcesh ato pjesët ku ai shpreh Mendime të Mëdha Politike (të cilat ai, pa dyshim, pandehte se qenë gjërat më të mira që kishte në libër), sepse ato nuk janë më as të vërteta e as nuk kanë ndonjëfarë rëndësie, ndërsa shiko se sa të vërteta, të qëndrueshme e të rëndësishme, mbartin aty njerëzit dhe bëmat.
Mos i lër të të mashtrojnë duke të treguar se si u dashka shkruar një libër, vetëm e vetëm ngaqë kjo tani është bërë e modës.
Turgenjevi, për mua, është shkrimtari më i madh që ka qenë ndonjëherë. Nuk ka arritur te librat më të mëdhenj, por prapë qe shkrimtari më i madh. Natyrisht, ky është vetëm mendimi im. E ke lexuar ndonjëherë një tregim të tij të titulluar “Rropama e rrotave”? Është në vëllimin e dytë të “Kujtimeve të një gjahtari”. “Lufta dhe paqja” është libri më i mirë që njoh, por përfytroje si do të kishte qenë, sikur ta kishte shkruar Turgenjevi. Çehovi ka shkruar nja gjashtë tregime të mira. Por ai qe një shkrimtar amator.
Tolstoi ishte profet. Mopasani qe shkrimtar profesionist. Turgenjeve ishte artist.

* * *
Kur një prozator e njeh mirë atë për të cilën shkruan, atëherë ai mund të lërë jashtë disa gjëra nga ato që i di dhe lexuesi, po qe se shkrimtari di të shkruajë, ka për t’i ndier ato po aq fuqishëm, sa ç’do t’i kishte ndier, nëse shkrimtari do t’i kishte përmendur. Ajzbergu lëviz tërë madhështi, pikërisht sepse një e teta pjesë e tij qëndron përmbi ujë.
Kurse shkrimtari që i lë gjërat pa i thënë, ngaqë nuk i di, vetëm sa krijon kështu boshllëqe në veprën e tij.

* * *
Kur shkruan pak a shumë qartë, gjithkush të merr vesh po mashtrove.
Ndërsa, kur një zë i mistifikon gjërat vetëm pse nuk do t’i thotë troç – dhe kjo është diçka krejt ndryshe nga shkelja e të ashtuquajturave rregulla të sintaksës e gramatikës për të krijuar një efekt, që s’mund të arrihet dot ndryshe, - atëherë që të merret vesh se ai mashtron, duhet të kalojë një kohë më e gjatë dhe, ndërkaq, shkrimtarë të tjerë, të prekur dhe ata nga e njëjta nevojë, do të zënë ta lëvdojnë, sepse asisoj mbrojnë vetveten.
Misticizmi i vërtetë s’duhet ngatërruar me paaftësinë në letërsi, e cila kërkon të krijojë një dukje misteri aty ku mister s’ka, vetëm e vetëm ngaqë u duhet për të mashtruar, për të fshehur mungesën e dijeve apo aftësinë për t’i thënë gjërat qartë.
Misticizmi nënkupton mister dhe mistere ka plot; por veç paaftësia s’hyn ndër to, as teprimet gazetareske që kërkojnë të shiten për letërsi, duke marrë një ton të rremë epik!
Po të kem mundësi ta arrij një efekt pa e përdorur një fjalë, e bëj këtë gjithmonë, mirëpo nganjëherë është diçka që s’bëhet dot. Por edhe gjuhës i bën mirë t’i kthesh jetën, që ia kanë marrë.

* * *
Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër i ri duhet të jetë një fillim i ri, një nisje e re drejt diçkaje që s’e arrin dot. Atij i duhet vazhdimisht të përpiqet të bëjë diçka, që s’është bërë ende asnjëherë e që edhe të tjerë janë rrekur ta bëjnë, por më kot. Ndonjëherë, në e ndihtë edhe fati, do t’ia dalë mbanë.
Në çastin që e lë të shkruarit për një apo dy muaj, kur jam në ndonjë udhëtim, ndiej një lumturi të plotë kafshërore. Por veç kur je duke shkruar dhe ia del asaj që po bën ashtu siç e do, ndien gjithashtu një lumturi të madhe, por në një mënyrë krejt të ndryshme; sidoqoftë, kur mendon se sa e shkurtër është jeta, si njëra ashtu edhe tjetra, janë njëlloj të rëndësishme për ty. (Nga letrat dhe shënimet)

Përktheu Piro Misha