Jonida ROLI - Sikur do të ndodhte diçka...



Ndërsa po ecja në rrugë, para syve më doli një këlysh i vogël maceje, pus i zi, me sytë e verdhë që i shkëlqenin. U gjendëm përballë njëri-tjetrit dhe ajo qenie e vogël nuk i frikësohej pranisë sime, por dukej se donte që ta merrja me vete. Unë dhe ime shoqe kemi vite martesë, por ende nuk e kemi një fëmijë tonin. Megjithatë, ajo që na lidh shumë, është dashamirësia që kemi të dy për kafshët shtëpiake. Dikur kemi mbajtur një qen, por nuk zgjati shumë dhe ngordhi për arsye natyrore. Pas tij, nuk shkeli më kafshë në shtëpinë tonë të madhe. Por, ndërkaq, mendova t’i bëja një dhuratë të vogël gruaas, këtë mace të vogël e të zezë. Jam i sigurt që do ta pëlqejë dhe do ta dojë kafshën e vobektë. Pa marrë parasysh të këqijat që do na ndiqnin më pas, si rrjedhojë e kësaj ngjyre që mbartte ne trupin e vet. Asnjëherë në jetën time nuk i kisha besuar bestytnive të maceve të zeza, por ngjarjet pasardhëse më bindën në vërtetësinë e tyre.
- Do ta quaj Aries, - më tha Ana e befasuar, sapo ia solla macen në shtëpi.
- Më pëlqen ky emër, - iu përgjigja me kënaqësi të madhe, për faktin që e pranoi menjëherë këtë pjesëtar të ri të shtëpisë sonë.
Kohë më pas, m’u krijua një gjendje ankthi e lëmshi. Fajin ia vura zemërimit që më ishte mbledhur gjatë ditëve nga puna. Profesionalisht, kisha arritur thuajse majat e suksesit, kur papritur një ndodhi krejt e kotë më rrëzoi në shumë aspekte. Megjithatë, e kuptoja se diçka nuk po shkonte, por ende nuk kishte ndodhur. Ishte përtej fuqive të mia kontrolluese dhe dukej se mendja po më humbiste. Ana vërtitej nëpër shtëpi e lumtur dhe nuk e kuptonte gjendjen time, por as unë nuk i lashë gjasa. Më në fund, vendosa të shtrihem dhe më zuri një gjumë i rëndë.
* * *
Në zemër të natës, ëndërrova sikur Ana po ecte e vetme në rrugë, kuturu, në mes të ditës, e paqartë në drejtimin e saj. Por tashmë kishte ndryshime në trup, ishte shtatzënë dhe dukej qartë që kjo shtatëzani ishte në moshë madhore. Gjendej e vetme dhe trupi i lëkundej teksa ecte, sa në një kryqëzim në tjetrin të qytetit. Kurse unë përpiqesha ta ndiqja nga larg e nuk mundja ta arrija. Ajo ecte aq shpejt, sa më dukej sikur gati-gati po fluturonte, ndërsa mua më kishte zënë një ngërç i fortë dhe mezi i hidhja hapat. Ajo nuk e kuptonte që kalonte mes një morie të gjatë makinash, gati për të rrezikuar, madje as që i bënin përshtypje këto pengesa. Isha i frikësuar, i tmerruar, por jo vetëm për të, edhe për fëmijën që mbarte me vete, atë fëmijë që kishim aq kohë që e prisnim me ankth. Nuk mundja! Nuk mundja ta arrija!
Por sapo kam hapësirë për të lëvizizur më shpejt, ajo zhduket në një kthesë e më pas rishfaqet. Eshtë një rrugicë ku nuk shkel këmbë njeriu. Ana është e pavetëdijshme në ecejaket e saj, duket sikur është në përhumbje. Befas, përpara i shfaqen tri mace të zeza, që dalin nga hiçi, ndoshta mace rrugaçe të asaj lagjeje. Ajo i sheh, por nuk u frikësohet, Ai që u frikësohet jam unë dhe përpiqem t’i shkoj pas me vrap. Macet e zeza duken të egërsuara dhe ia presin rrugën Anës. Madje, njëra i kalon nëpër këmbë dhe e ngatërron, derisa ajo rrëzohet për së prapthi dhe koka i përplaset në tokë. Atë çast më zë paniku dhe ulërij.
- Çfarë ke? - më pyet Ana, që më zgjon dhe më çliron menjëherë nga paniku.
- Një ëndërr e frikshme. Por tani më dëgjo me kujdes, macja që solla është e rrezikshme. Domethënë, është tersndjellëse.
- Je në vete? - më pyet e hutuar. - Mos u beso këtyre bestytnive, ajo është thjesht një gjallesë. Si mund të jetë tersndjellëse?!
- Ana, ti e di që as unë nuk u besoj, por kjo ëndërr më ka fandaksur. Ato macet e zeza…!
- Qetësohu, i dashur! Eshtë një ëndërr dhe s’ ka të bëjë aspak me realitetin. Unë e kam për zemër Ariesin dhe nuk dua ta braktis. Është gjynah dhe dua ta mbaj, më kupton?
- Po, ke të drejtë! Dua të të pyes për diçka. Ëndërrova sikur ishe shtatzënë dhe...
- Unë shtatzënë?! Oh, sikur të ishte e vërtetë! Ti e di sa e dëshirojmë të dy.
- Pikërisht për këtë dua të të pyes, mos ka të ngjarë të jesh në këtë periudhë?
- Është e pamundur, këtë duhej ta kisha kuptuar. Megjithatë, nesër paradite po shkoj për një vizitë rutinë. Por tani qetësohu dhe të flemë, nesër na pret një ditë e ngarkuar.
- Ke të drejtë, natën e mirë!

* * *
Të nesërmen, para se të largohem, i kujtoj Anës që të mos harrojë vizitën për te mjeku. Ajo tund kokën lehtë dhe vazhdon përkujdesjen ndaj maces sonë të vogël e të zezë. Teksa shkoj në zyrë, nuk më shqitet nga mendja ëndrra e natës së kaluar. Më bëhet disi e pashmangshme dhe përpiqem që ta rilidh tërë ngjarjen virtuale, me aq sa mundja ta kujtoja. Ishte e kotë ta bindja veten se bestytnia e çështjes së “ maceve të zeza” nuk ishte e vërtetë, por po parandjeja se diç vërtet do të ndodhte në jetën tonë. Megjithatë, mblodha forcat dhe hyra në zyrë që të nisja një ditë të mbarë. Pas pak, bie zilja e telefonit.
- Zemër, - më flet nga ana tjetër Ana, me një zë kumbues e metalik.
- Të lutem, më thuaj, ke ndonjë lajm të mirë? - e pyes tërë ankth.
- Është e vërtetë, jam shtatzënë prej shtatëmbëdhjetë ditësh! Mjeku sapo ma konfirmoi se do të bëhemi katër vetë në shtëpi!
- Katër vetë?!
- Po, katër bashkë me Ariesin.
- Ah, po!.. Është një mrekulli, Ana, sonte do ta festojmë. Do të thërrasim miqtë tanë, që t’ua themi edhe atyre. Por jam i mrekulluar që edhe ëndrra e mbrëmshme ishte një parandjenjë e madhe që doli e vërtetë. Ana, nuk dua të jem skeptik, por bëj kujdes gjatë ditës. Mos harro se tani je vetë i dytë dhe për mua jeni më shumë se të rëndësishëm, më kupton?
- Patjetër, baba! Do të jem shumë e kujdeshme. Po e mbyll tani dhe shihemi pasdite.
Ah, baba! Kjo fjalë që sapo shprehu Ana më tingëlloi sa e bukur, aq edhe e çuditshme. Por u mrekullova nga lajmi dhe, atë çast, harrova gjithçka kisha menduar më parë. Kështu, vazhdova i qetë punën time të përditshme. Njëkohësisht, lajmërova miqtë më të mirë për të darkuar sëbashku në shtëpinë time, me vrullin e madh të shpërndarjes së një surprize familjare. Të gjithë më mbështetën dhe u treguan të gatshëm për ftesën time.
Dola pak më shpejt nga zyra dhe më hipi dëshira e fortë të shkoja drejt e në shtëpi, të përqafoja Anën dhe ta ndihmoja në përgatitjet. Mora makinën dhe u nisa. Distanca nga puna për në shtëpi është goxha larg. Kohë më parë kishim marrë një vilëz të bukur me kopsht përpara dhe me pemë frutore përqark, në rrethina të qytetit. Vetë Ana e zgjodhi. Sapo ia tregova herën e parë, u dashurua me atë vend dhe e vendosëm menjëherë, do të ishte shtëpia jonë. Ana u përkujdes për kopshtin dhe pemët frutore. Donte ta quante parajsën tonë të vogël. Dhe ashtu u bë. Edhe sot jam i lumtur për zgjedhjen e saj. Por, për të mos mjaftuar me kaq, edhe Ariesi ynë, që ishte pjesëtarja më e re, mund të ndihej mirë në këtë mjedis të përshtatshëm për të. Aq më tepër që Ana ishte kaq e ndjeshme dhe përkujdesej si të ishte një fëmijë.
* * *
Gjatë kthimit, duke përshkuar rrugën kryesore që të çon në kthesën e fundit pranë shtëpisë, papritur, para rrotave të makinës më shfaqet një mace e zezë. E njoh menjëherë, është pikërisht Ariesi ynë, sepse ka të varur qaforen e verdhë që i bleu para disa ditësh Ana. Por kapërcimi i saj nga njëra anë për në anën tjetër,është kaq i shpejtë, sa mezi arrij të frenoj dhe timoni më ikën nga duart, kështu që përfundoj në cep të rrugës. “Të paktën, arrita të ndaloj”, them me vete dhe marr frymë lirisht.
Ndërkohë, kujtohem për macen dhe brof nga makina. Ajo është pikërisht aty, pranë rrotës së pasme dhe më vështron si në faj. Më vjen keq sepse, ndoshta, e kam trembur dhe i afrohem ngadalë. Eja, Aries, i them, duke iu afruar me dorën e zgjatur. Sapo hedh dhe hapin e fundit, ajo më hidhet përpjetë në fytyrë dhe më hap një plagë të thellë me thonj.
“E mallkuar! Djall i mallkuar!”, ulërij dhe e shtyj me aq forcë, sa e përplas të gjorën pas makinës. Macja bie dhe nuk lëviz më. Ndërsa unë përpiqem të ngrihem. E marr me vete, e fus në makinë dhe nisem drejt shtëpisë.
Ndaloj në oborr makinën dhe zbres me vrull. Oborri është mbushur me gjethe pemësh, një erë e papritur i ngre e krijon një re në hapësirë, sikur të ishin duke lozur. Dera kryesore e është e hapur, por Ana nuk shihet jashtë. Marr vrapin dhe hyj brenda.
- Ana, Ana! - thërras, por s’marr asnjë përgjigje. - Ana, e dashur, ku je? – përsëris, por këtë herë i mbytur në djersë. - Ku ndodhesh, më dëgjon?!
Përqark është qetësi. Vetëm era, që vërtitet nëpër hapësirat e dritareve, bën një zhurmë të këndshme, thua se këndon ndonjë avaz të trishtuar. Por mua ma shton më shumë ankthin.
Kërkoj në tëra dhomat, por ajo s’është. Më pas, hyj në banjon kryesore dhe shoh një siluetë femre në ngjyrë rozë që qëndron e palëvizur.
- Ana, çfarë të ka ndodhur? - ulërij. - Oh, Perëndi!
Është pikërisht ajo, Ana ime, e shtrirë mbi dysheme. Nuk lëviz, por flokët e verdhë i janë shpërndarë nëpër pllaka dhe sytë i ka të mbyllur. Pas ulërimash të përsëritura, përpiqem ta ngre nga ai vend i kobshëm. E tërë dyshemeja është e qullur me ujë dhe gati-gati rrëshkas edhe unë bashkë me të, duke u zvarritur me lot në sy.
Ajo kishte vdekur. Me gjasë, kishte shkarë nga lagështia e dyshemesë dhe kishte përplasur paskokën në vaskë. Dhe atë çast e tërë bota u përmbys mbi kokën time, sikur të isha unë ai që po e mbante pezull tërë rrumbullakësinë e saj.
Sapo kisha humbur gruan dhe fëmijën tim. Për shkak të asaj kafshe të zezë, që nga dita që e futa në shtëpinë time më dukej sikur Djalli brenda saj kishte shkruar skenarin mortor të familjes. I dëshpëruar siç isha, shkova në makinë dhe, gati në pavetëdije të plotë, hapa një gropë të thellë rrëzë gardhit për kafshën që kisha shtypur me makinë, me frikën se mos edhe e ngordhur siç ishte, ma shkruante edhe mua këtë kob.
Pastaj u ktheva në shtëpi, ku u gjynjëzova para bukuroshes sime, që dukej sikur po flinte e qetë, tashmë si prej akulli.