ILIR YZEIRI - REXHEP QOSJA 50%

Nuk do të isha shtyrë kurrë të përzihesha në një polemikë që zhvillohet mes dy anëve, që bëhet me emra e mbiemra; nuk do të isha shtyrë të polemizoja a të shtyj më tej idetë e profesor Rexhep Qoses po të mos mbaja në vështrim dy gjëra: e para, seminaret p


Nuk do të isha shtyrë kurrë të përzihesha në një polemikë që zhvillohet mes dy anëve, që bëhet me emra e mbiemra; nuk do të isha shtyrë të polemizoja a të shtyj më tej idetë e profesor Rexhep Qoses po të mos mbaja në vështrim dy gjëra: e para, seminaret për gjuhën e letërsinë shqipe që mbahen në Prishtinë tash disa vjet; dhe e dyta: Ismail Kadarenë, të cilit Rexhep Qosja i është vënë, siç thonë nga anët tona, "me gurë në trastë".

Le t‘i shohim sendet me radhë.

Seminaret

Ka shumë vjet që për çdo vit, në Prishtinë, në behar, më saktë në gusht a në korrik, mbahet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën e Letërsinë Shqipe. Mesa di unë dhe nëse këtë gjë nuk e di mirë, kërkoj ndjesë paraprakisht, ky seminar i ndërtuar që para viteve ‘90, mes të tjerash, kishte atëherë (por nuk merret vesh sot çfarë qëllimi ka), si qëllim të promovonte gjuhën shqipe, sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit të saj. Qëllimi i këtij seminari ishte që të paraqiste gjuhën shqipe si gjuhë standarde e të njëjtësuar në të dyja anët e kufirit, si edhe të dëshmonte, veç të tjerash, idenë nacional-romantike, të kuptueshme për kohën dhe të sinqertë gjithashtu, se shqiptarët janë një komb dhe kanë një gjuhë. Në këto seminare, të organizuara para viteve ‘90, trajtoheshin edhe probleme të historisë së gjuhës shqipe nga kolosë të tillë të filologjisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Mahir Domi e të tjerë. Nuk e kujtoj me saktësi, por kam përshtypjen se ky seminar ishte më i rrudhur sa i takon letërsisë, sepse letërsia, siç thuhej në atë kohë, kishte karakter ideologjik dhe realizmi socialist nuk mund të ishte në një gjatësi vale me letërsinë shqiptare që zhvillohej në Kosovë, ngaqë atje si ideologji ishte revizionizmi, sipas qëndrimit zyrtar të Tiranës së para viteve ‘90.

Natyrisht, nuk kam ndërmend të bëj historinë e seminarit të Prishtinës, por dua të theksoj se ky institucion shkencor që organizohej nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë së Prishtinës, Instituti i Gjuhës e Letërsisë në Tiranë dhe Katedrës së Gjuhës e Letërsisë shqiptare të Tiranës, gjithashtu, pas viteve ‘90 u bë një nga veprimtaritë e vetme me ngjyrë social-komuniste që vijoi dhe vijon ende. Në këtë rast, Instituti i Prishtinës ka gjetur si partner kryesor në Tiranë katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqiptare, e cila e shfrytëzon këtë veprimtari për të bërë paradën e studimeve të saj, të mbështetura në frymëzimet zhdanoviste të socrealizmit vulgar dhe në amalgamën eklektike të gjoja teorive moderne mbi letërsinë. Ky manifestim, që bëhet në Prishtinë, ka ruajtur deri diku thelbin e tij sa u takon diskutimeve për problemet e gjuhës shqipe dhe ka një vlerë të posaçme, sidomos për studentët e huaj që interesohen për gjuhën shqipe, të cilët vijnë në Prishtinë dhe njihen jo vetëm me historinë e gramatikën e gjuhës, por edhe me shqipen e folur dhe qytetërimin shqiptar të Kosovës. Një njoftim të tillë dhanë pak a shumë edhe mediat vizive, kur e paraqitën këtë veprimtari në edicionet e tyre të lajmeve gjatë muajit gusht. Ndërsa gjithë pjesa tjetër, pra diskutimi për letërsinë shqiptare, është një paradë joserioze e mediokritetit tonë kolektiv, por që në Prishtinë gjen kulmin. Në këtë rast, profesor Qosja do të bënte mirë të distancohej që në fillim nga kjo veprimtari zhdanoviste, që u ngjet tubimeve të sekteve fondamentaliste. Për fat të keq, frymëzimin për veprimtari të tilla e mban gjallë Prishtina dhe kolegët e profesorit të dashur, duke dëshmuar me këtë rast se mediokriteti dhe provincializmi "alla Librazhd", siç thotë Qosja, i ka rrënjët edhe në institucionet tuaja shkencore. Por ka edhe një gjë tjetër shumë më të shëmtuar se kaq. Ardhacakët nga Katedra e Tiranës apo nga periferi të tjera të Shqipërisë e shfrytëzojnë këtë rast edhe për të mbushur CV-të e tyre të mjera, sepse që të marrësh, fjala vjen titullin "Profesor", duhet të kesh dhënë apo të kesh mbajtur ligjërata edhe në universitete jashtë vendit. Profesorët apo profesoreshat e Katedrës së Tiranës e kanë marrë titullin "Profesor" edhe vetëm pse kanë dhënë mësim dhe kanë mbajtur ligjërata jashtë "vendit", domethënë në Prishtinë. Kjo është një nga "ndihmesat" praktike që po na jep ky institucion, që e thërrisni me emrin e bujshëm Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare.

Le të vijmë te letërsia. Nga sa kam lexuar, tema e sivjetshme e këtij seminari paska qenë romani shqiptar. Është shumë e vështirë të kuptohet se çdo të thotë "romani shqiptar", sepse nuk ka asnjë përcaktor që të tregojë thelbin e argumenteve mbi këtë temë. Mirëpo merret vesh lehtë se ky përcaktim a-shkencor dhe në këtë rast do të shkonte edhe ajo fjala juaj "atipik" është frymëzim për një paraqitje sociologjike e vulgare të fenomenit: a shkruhen romane në shqip? Po? Cilët janë shkrimtarët e "mëdhenj" sot?... Dhe detyra e seminarit bëhet kështu hartimi i listës. Për ta bërë këtë listë dhe për të bërë renditjen nxitojnë, në radhë të parë, profesorët apo profesoreshat e Tiranës dhe Prishtinës, e në një rend me ta, edhe romancierët e Tiranës dhe të Prishtinës. Kulmi arrin në seminar. Kulmi arrin në Prishtinë. Atje në muajin e nxehtë të gushtit bëhen bashkë profesorë e profesoresha, asistentë të tyre dhe kandidatë për servilë të përjetshëm. Siç thoshte me të drejtë Mehmet Kraja, në një atmosferë aspak shkencore, por ashtu si në kuvendet e partive politike, ngrihen e flasin njëri pas tjetrit të rinj e të reja, të vjetër e të rrjedhur, duke nxjerrë si shtëllunga leshi terma "prekës" si intertekst apo arketip, simetri kohore apo asimetri e subjektit, e kështu pa prà ... E në fund, nis puna për hartimin e listës. Cilido kumtues duhet të bëjë një listë me ata që shkruajnë sot. Ai mund të përfshijë ose jo, mund ta përmendë ose jo një shkrimtar pa iu dridhur syri, sepse nuk ka asnjë kriter. I vetmi kriter është afria e përgjithshme me këtë institucion të mediokritetit kolektiv, që mbahet në Prishtinë. Ankthi nuk është pjesëmarrja në listë, por renditja, tamam si në një kampionat futbolli ose si në listat elektorale të partive tona në Shqipëri e në Prishtinë. Dhe Ju, profesor Qosja, kini shumë të drejtë kur në pjesën e parë të shkrimit tuaj argumentoni dhe vini alarmin për mediokritetin kolektiv që na ka zaptuar mendjen e trutë, mediokritet që, për fat të keq, i dashur profesor ushqehet çdo vit me ujin e ftohtë dhe ajrin e freskët të Prishtinës.

Se sa e pavend është të caktohen për tema seminari çështje si kjo e sivjetshmja nuk do shumë mend për ta marrë vesh. Në rend të parë, letërsia është një akt individual dhe e vetmja gjë që i lidh romanet shqiptare, që janë shkruar e shkruhen, fjala vjen nga viti ‘90 e këtej, është gjuha shqipe. Pra, janë romane shqiptare se shkruhen në shqip. Për çfarë tjetër mund të vështrohen romanet shqiptare? Pra, romanet shqiptare në raport me çfarë? Me metodën, me gjuhën me cilësinë? Me çfarë? Kjo gjetje, i nderuar profesor, është bërë ndoshta me qëllimin që të bëjmë një hierarki vlerash, pra të themi se kush është më i miri, të bëjmë pra listën. Mirëpo kriteri se, sa i mirë është një roman, varet nga shumë faktorë dhe nuk besoj se është detyrë e ndonjë studiuesi që të hartojë manuale vlerash, sepse ato janë relative. Siç thonë shumë sish, një nga kriteret mund të jetë edhe përhapja e tij, tirazhi, pra. Por flasim gjithmonë për letërsi artistike, për romanin që përdor trillimin dhe tregon jetën me një pikëvështrim filozofik të caktuar. Këtu nuk besoj se dikush mund të ngrihet e të thotë se letërsia komerciale, pornografike apo erotike ka tirazh më të lartë dhe i bie që ka vlerë më të madhe. Jo. E kam fjalën për letërsinë artistike, e cila gjithsesi ka nevojë të lexohet nga shumë njerëz që të bëhet dukuri. Mirëpo, seminari i Prishtinës duket se nuk përfill asnjë kriter. Sot, kur romane shkruajnë të gjithë dhe pa asnjë lloj pengese është e vështirë të flasësh për letërsi, ndërsa mund të thuash lirisht se romani shqiptar gjallon ende. Mua më ngjan se thelbi i problemit është gjetkë: a ka ndonjë shkrimtar të talentuar, ndonjë prozator që po imponohet në jetën letrare dhe a e ka kapërcyer ai mediokritetin e metodës socrealiste?

Le të kthehemi tek argumenti i shkrimit. Në polemikën e tij, profesor Qosja me të drejtë thekson se niveli artistik i letërsisë shqiptare është modest në krahasim me atë të letërsisë europiane. Në këtë pikë unë jam 100% në një mendje me të dhe do të doja ta risillja edhe në vëmendje të lexuesve të gazetës "Shqip" atë që ai thotë. Po e citoj të plotë të shkurtuar atë paragraf: "Prozatori dhe diplomati Ylljet Aliçkaj thotë se ‘shkrimtarët shqiptarë janë më të përkthyer e të pëlqyer se shkrimtarët maqedonas, serbë e boshnjakë, domethënë se shkrimtarët e Ballkanit në Francë, gjë të cilën unë e di mirë‘. Megjithëse, siç shihet, Ylljet Aliçkaj e zbret një çikë më poshtë nivelin e letërsisë shqipe, prapë nuk mund të thuhet se thotë gjithë të vërtetën. Ballkanin e përbëjnë edhe grekët, turqit, bullgarët, rumunët, malazeztë dhe kroatët, të cilët hidhërohen pa masë kur u thuhet se i takojnë Ballkanit! Po të dinte, vërtet, se kush përkthehet e kush lexohet në Francë dhe në Europë nga shkrimtarët e Ballkanit, Ylljet Aliçkaj do të na jepte disa të dhëna të tjera. Dhe, do të na thoshte, fjala vjen, se letërsia greke, letërsia rumune, letërsia bullgare, letërsia serbe, letërsia kroate janë shumë shumë më të përkthyera se letërsia shqipe në Europë, ndonjëra prej tyre tridhjetë, ndonjëra njëqind e ndonjëra, ndoshta, treqind për qind më të përkthyera se letërsia shqipe. Le të kërkojë informata në internet! Do t‘i gjejë. Dhe, pse të mos jenë më të përkthyera? Janë më të pasura, kanë tradita më të gjata, në përgjithësi janë më të zhvilluara se letërsia jonë. Në Serbi e në Kroaci sot ka shumë shkrimtarë, të cilëve çdo roman që botojnë në gjuhën kombëtare, u përkthehet shpejt në disa gjuhë europiane...". (R. Qosja, Mjerimi i provincializmit, Gazeta Shqiptare, 6 gusht 2009).

Këtij konstatimi të dhimbshëm unë do t‘i shtoja edhe një konstatim tjetër, atë që bën kolegu im Ardian Vehbiu, në një nga numrat e fundit të "Shekullit", kur shkruan: "Vitet 1945 dhe 1990 mund të përfytyrohen, simbolikisht, si vite të spastrimeve të mëdha të elitave; ose të një rituali absurd, gjatë të cilit shoqëria shqiptare, duke përfshirë shtetin dhe institucionet publike, u kthye kundër bijve të vet më të mirë, më të shquar, më të përgatitur e më të mençëm: për t‘i asgjësuar fizikisht e për t‘i kalbur burgjeve si ‘armiq‘ në 1945-ën; për t‘i pështyrë tutje si bërthama kumbullash, në 1990-ën". (A. Vehbiu, Tradita e vetëgjymtuar, Shekulli, 05.09.09). Nga kjo pikëpamje, ju profesor Qosja kini shumë të drejtë kur lini të kuptohet se ne si komb, pra të dy anët e kufirit, vijojmë të sillemi si mendjelehtë dhe mburravecë duke e shpallur padijen tonë si estetikë të provincializmit që ju me të drejtë e vini në shënjestër. Por për ta përmbyllur këtë pjesë të parë të bisedës, më lejoni t‘ju kujtoj edhe njëherë se një meritë të padiskutueshme për mbajtjen gjallë të mediokritetit tonë kolektiv dhe të mjerimit të provincializmit, siç thoni ju, ka institucioni i Seminarit që zhvillohet në Prishtinë mes dy anëve, pra nëse do të perifrazoja frazën tuaj mes "intelektualëve të Librazhdit" dhe atyre të "Lipjanit", të cilët mblidhen në kryeqytetin tuaj për të kënduar atë këngën e famshme orientale:

Haja qenit/ pija qenit/ edhe bjeri karadyzenit/.

Fenomeni Kadare

Tani le të vijmë te pjesa e dytë e komunikimit tuaj, profesor Qosja. Ju kini një qëndrim të ashpër ndaj Ismail Kadaresë. Në qëndrimin që mbani ndaj tij dhe veprës së tij ka shumë mllef dhe inat. Nathalie Mauriac Dyer, në një studim të saj me titull "Poetika e surprizës" përmend veprën e Dekartit "Pasioni i shpirtit" (1649), i cili e rendiste të papriturën ose surprizën në krye të gjashtë "pasioneve fillestare" të njeriut, tamam para dashurisë, urrejtjes, dëshirës, gëzimit dhe trishtimit. Të njëjtën gjë provoj të paktën edhe unë sa herë që lexoj ato që shkruani për Kadarenë. Mirëpo, qysh në fillim dua t‘ju siguroj se pasionet e njeriut janë të ligjshme. Ju, profesor e dini më mirë se unë atë që thoshte Hjum se, ndjenjat janë të ligjshme, mendimet jo, sepse ato i mësojmë përmes librave apo përmes përvojës, ndërsa ndjenjat i shfaqim si na vijnë së brendshmi. Në këtë kuptim, ju dhe një tjetër shkrimtar nga anët e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, Kapllan Resuli, shfaqni një qëndrim dhe një ndjeshmëri të thellë kundër Kadaresë si shkrimtar e kundër Kadaresë si vetje publike. Pasioni juaj është i ligjshëm dhe askush nuk ka të drejtë ta kundërshtojë atë. Unë nuk e kam për zanat të shtoj gjë atje ku magjja është plot dhe parapëlqej një shprehje të Kadri Roshit, që thoshte më mirë mendjemadh sesa mendjevogël. Në këtë kuptim, ju jap të drejtë kur e gjykoni Kadarenë sipas mendjes suaj. Kam të drejtë gjithashtu ta gjykoj atë sipas pasionit dhe mendjes sime. E, në këtë rast, qysh në fillim më duhet të them se i vetmi ndryshim midis gjithë atyre që e anatemojnë, që e kritikojnë, që e blasfemojnë dhe që nuk e pranojnë Kadarenë, në njërën anë, dhe Kadaresë në anën tjetër, është se Kadareja është gjeni. Të paktën, këtë cilësi ia kanë pranuar të gjithë. Ai është një shkrimtar gjeni. Kam pasur rast vetë dhe kam marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare kushtuar Kadaresë, siç ishte Kolokuiumi Ndërkombëtar organizuar nga Universiteti Paris X dhe nga Veronique Gély, sot profesoreshë e letërsisë së krahasuar në Universitetin e Sorbonës, dhe e kam parë vlerësimin për të si vlerësim për një gjeni. Përgatitem gjithashtu të marr pjesë e të referoj në një kolokuium tjetër ndërkombëtar, atë që organizohet në Bukuresht në Universitetin Spiru Haret të këtij qyteti dhe që ka si argument "Shkrimtarët e Juglindjes Europiane në kërkim të identitetit". Nga rreth 40 pjesëmarrës, bashkë me mua, janë edhe një profesor nga Sorbona dhe një tjetër, që kanë si temë veprën dhe shkrimtarin Kadare. Pra, Kadareja është gjeni dhe veprës së tij nuk mund t‘i heqësh asnjë presje. Por, nga ana tjetër, ne e dimë të gjithë se Enver Hoxha nuk e burgosi Kadarenë, madje edhe e mori dy herë në mbrojtje (njëherë në vitin 1961 e njëherë me rastin e romanit "Dimri i madh"), por kjo nuk do të thotë se Kadareja nuk është gjeni. Ne e dimë shumë mirë se Kadareja ka shkruar edhe poema për komunistët e partinë, por kjo nuk do të thotë se Kadareja nuk është gjeni. Ne e dimë gjithashtu se, të gjitha veprat e Kadaresë, pa përjashtim janë pritur keq nga kritika zyrtare, janë hequr nga qarkullimi, janë ribotuar e botuar përsëri. E dimë që të gjithë se vepra e Kadaresë ka qenë për ne, që kemi jetuar në Shqipëri, porta që na çonte virtualisht në Europë. Kadareja është gjeni, sepse vepra e tij ka shumë art, është magjia e kthyer në fjalë, sepse vepra e tij nuk ka të bëjë fare me realizmin socialist. Kadareja është gjeni dhe askush nuk duhet të harrojë se ai ka jetuar në një kohë me diktatorin, se ka përmendur në veprën e tij edhe diktatorin, se ka jetuar ashtu siç jetonin shumë shkrimtarë të tjerë në Shqipëri; ka qenë në profesion të lirë. Kadareja është gjeniu me fat, sepse jetoi në diktaturë, pati si përkthyes Jusuf Vrionin dhe lindi në Gjirokastër. Të gjitha të tjerat janë të vërteta. Është i vërtetë edhe mllefi i profesor Qoses, është e ligjshme edhe zemërata e tij dhe askush nuk ka të drejtë ta përflasë, qoftë zemëratën e tij, qoftë mllefin e Kapllan Resulit, sepse të dyja së bashku edhe me mllefin e ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, në vitet ‘90, e me shumë e shumë të tjerë, pra që të gjitha janë të ligjshme. Ndër gjashtë pasionet fillestare të njeriut, dëshpërimi dhe mllefi janë themelorë. Edhe mllefi i profesor Qoses është i ligjshëm. Por ky mllef nuk e rrëzon dot të vërtetën tjetër që Kadareja është gjeni. Ndaj, i dashur profesor, jam 50% në një mendje me ju.