Grabitësit e lumturisë




Jovan Nikolaidis lindi më 1950 në Ulqin. Punoi në gazetën Oslobodenje të Sarajevës prej vitit 1974 e deri në fillim të ‘90-s, kur dhe u kthye në qytetin e lindjes. Prej asaj kohe ai punon vazhdimisht për të nxitur dialogun ndërkulturor mes Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.
Jovan Nikolaidis themeloi disa organizata multikulturore, si dhe shtëpinë botuese Plima, që është dhe promotore e një brezi të ri të letërsisë malazeze (Andrej Nikolaidis, Ognjen Spahic, Aleksandar Becanovic, Dragana Tripkovic dhe të tjerë). Po kështu, ai botoi gazetën dygjuhëshe (në gjuhën shqipe dhe malazeze) Plima (Batica) dhe është themelues e botues i gazetës së parë në gjuhën shqipe, e cila botohet në Mal të Zi, me titull Kronika.
Nikolaidis është autor i këtyre librave: Velaskez (novelë), Valdinos 33 (roman), Letrat e Ulqinit (kronikë), Faji malazez (komentar politik), Poema me imazhin e saj (poema), Ditar i Asgjësë (roman), Nomadizmi ulqinak (në proces) etj.
Stili i Jovan Nikolaidisit është tejet specifik dhe luhatet mes epikës tradicionale dhe fragmentit modern. Toka dhe njerëzit ndahen ndërmjet tragjedisë historike të hapësirës dhe dëshirës për t’i ikur pozitës së tyre të keqe, e cila i lë në mëshirë të fataliteteve politike dhe kulturore. Në veprat e tij, historia malazeze e ringjalljes kombëtare, në unison me fragmente të zakoneve fisnore ende janë të pranishme, paraqiten si një rrjetë ngjarjesh – sa reale, aq edhe prozaike. Prej andej, personazhet lënë shenjën e tyre të ekzistencës, prej së cilës nuk mund të shmangen, teksa kapen prej pushteteve të caktuara, nga të cilat thjesht nuk mund të ndahen.
Në shkrimet e tij, Jovan Nikolaidis artikulon mjeshtërisht impulset dhe referencat e përpjekjeve bashkëkohore të malazezëve për pavarësi. Megjithatë, referimet politike nuk përbëjnë vetëm letërsi aktiviste politike. Për sa i përket veprave të tij, kemi të bëjmë me atë dekor historik, i domosdoshëm për të kuptuar strukturën komplekse të personazheve letrare, që jetojnë “në fund të botës”, Ballkanin Mesdhetar, kombinuar me Valdanosin mitik, gjeopoetikën e vet, si nisje dhe fund i historisë së jetës së një luftëtari dhe personazhi vetmitar kundër të gjitha formave të antilirisë.


Jovan NIKOLAIDIS (Mal i Zi)
Grabitësit e lumturisë

Në vitin 951 sipas Hixhrit, ndërsa më 1571 sipas vitit të Zotit Krisht, u bë, me urdhrin e fermanit të Pashës së Shkodrës, ploja mbi grupin e heliognostët në Valdinos. Lajmi për shfaqjen e atyre heretikëve, me fytyra të qeta dhe me natyra edhe më të qeta, kishte arritur ndonjë vit më herët edhe te Sulltani, por që është e mundshme që atë, për adhuruesit e Diellit dhe mësimet e tyre, ta ketë bërë me dije notari i lartë venedikas, Domeniko Cafo, komandanti i Kripores pranë Shënkollit te Buna.
E vërteta, epidemia nga ajo ide e atij grupi njerëzish të ditur me familjet e veta, të cilët kanë lëvduar Diellin dhe punën si diçka të shenjtë në jetën e njeriut, u shtri në luginë dhe zuri të përhapej si zjarri gjithandej nëpër Perandorinë Osmane të vendosur rishtas. Fisnikëria e atij besimi pagan nuk u ka pëlqyer as katolikëve, ndërsa bota pravosllave (ortodokse) edhe ashtu nuk ka kuptuar asgjë. Në atë kasaphanë nuk ka mbetur asnjë morr. Të gjitha i dogjën dhe i shkatërruan. Me gjasë, vetëm Mavro Jani, eremiti në strofullin mbi Shpellën e Ujkut, kishte shpëtuar gjallë, por që për fatin e tij, qysh nga ajo kohë dhe më vonë, nuk e përmend asnjë burim, asnjë traditë. Askush, përveç imagjinatës së shkrimtarit.

*
Në vitin 1358 sipas Hixhrit, ndërsa më 1978 sipas Zotit Krisht, qeveria e socializmit vetëqeverisës i dëboi nga Valdinosi të gjitha familjet, të cilat kanë banuar në luginë. U përzunë nga toka e baballarëve, gjyshave e stërgjyshave: bujqit, vreshtarët, peshkatarët, ullishtarët, popullatë e të të trija feve, që lëvdonin punën si një qëllim më të lartë të njeriut.
Kopshtet e tyre kanë qenë plot me perime dhe pemë, kanë bërë vaj ullinjsh, kanë bërë venë shtëpie nga shpatet e Mendrës, kanë tharë peshk e fiq nëpër trina prej thuprave e kallamave, kanë tharë pastërma nëpër tertore. Njerëzit e qetë, të mësuar në paqe dhe punën e bekuar, u përzunë nga vatrat e veta sipas ligjit për eksproprijimin, të ligjit të ashtuquajtur për grabitjen e mundit të huaj sipas kompensimit të drejtë: për një rrënjë hardhi – një paketë cigare; për një trung ulli – një thes miell; për shtëpi dhe mallin e madh – aq sa të mund të blinin banesë apo shtëpi në mes të betonit.
Arsyeja e dëbimit: Armata e zapton gotullën për qëllime ushtarake.
Pakkush ka kundërshtuar, sepse Forca ka gjykuar dhe ka vendosur mbi punën, rregullin dhe nikoqirllëkun. Valdinosi u rrethua me tel gjembor nëpër shtylla betoni. Ndërsa banorët e luginës i kaluan ditët e mbetura në asfalt, në zhurmë të cilën nuk e kanë kuptuar, edhe më tutje të qetë, mund të thuhet pa trazim në zemër e urrejtje në shpirt. Duke mos punuar asgjë.
Në vend për qëllime ushtarake, Armata në luginë ndërtoi një poligon turistik për qëllime financiare.

*
Në vitin 1377 sipas Hixhrit, ndërsa më 1997 sipas Zotit Krisht, në Valdinos me të gjithë forcën e vet erdh kohë e keqe me njerëz zullumqarë. Disa qindra ushtarë profesionistë, të lënë pas dore, të hutuar, të cilët i humbën të gjitha luftërat: në Slloveni, Kroaci, Maqedoni dhe në Bosnjë, u vendosën në luginë dhe qytet e rrethinë.
Të ngopur me luftime, secili pa përjashtim dëshiroi të hiqte dorë nga topat, minat, torpilorët, nëndetëset dhe armatimit të lehtë të pallubave. Nga urdhërat e gabueshëm të eprorëve dhe të planeve të mjegullta ushtarake.
Anijet ushtarake i shndërruan në anije peshkimi. I zhveshën uniformat e detyrueshme dhe lentat me dekorata. Ata veshën rrobat fshatarake. Zunë të punon fusha, të pastronin vreshtat e vjetra dhe të mbillnin rrënjë të reja hardhie, moskatin apostolik, rrushin e kuq të thartë “vranac” malazias, të mbanin bagëti: të trasha, dele e dhi.
I pastruan ferrat dhe barishtet nën ullinjtë e lënë pas dore. Lulëzoi toka e lënë shkretë. Ishin të kota të gjitha urdhëresat gjithnjë më të rralla nga Komanda; ish-luftëtarët e kanë gjetur fatin e vet në shprehitë dhe nevojat e gjyshave dhe baballarëve që të lidhen me tokën. U bënë si gjithmonë kishin qenë më së miri: vreshtarë, pemëtarë dhe blegtorë. E jo luftëtarë të detyruar nga fati që të gjitha luftërat t’i humbnin, përveç atyre që i ka lidhur toka.
Dhe ndodhi për të parën herë në vitet Hixhri dhe vitet e Zotit Krisht që, në gjirin e Valdinosit, të mos hynte forca dhe që forca askënd të mos e dëbonte nga Valdinosi. Ata që i faleshin Diellit, kësaj radhe mbetën të kursyer. Dukej se ditët hyjnore do të kalonin në luginën e Valdinosit, pranë qytetit të Ulqinit, në shtetin e Malit të Zi.

*
Në vitin 1580 sipas Hixhrit, ndërsa më 2020 sipas Krishtit Zot, ranë, nxituan, depërtuan, pushtuan, zaptuan, hynë në gjirin, luginën e Valdinosit hordhi tartare. Prenë me shpatë çdo gjë të gjallë. Kuajt e tyre shkelën fëmijët, ndërsa grave, qelbanikë e të egër, ua këputën qafat. Vunë bagëtinë përpara, ua futën flakën stogjeve, stallave e shtëpive. Për më pak se një ditë, Valdinosi mbeti prapë i shkretuar, s’mbeti në gotull tjetër gjë, përveç insekteve.
Kaluan disa javë nga ajo ditë e mynxyrshme. Kutërbimin e kufomave e shpërlanë shirat, çakejtë i shqyen të tjerët. Eshtrat e njerëzve zbardhën në diell, të cilin nuk kishte më frymë që ta adhuronte.
Dhe, atëherë, kronisti shënoi se ndodhi ringjallja, u ul nga Kroi i Zanave, doli nga strofulli mbi Shpellën e Ujkut, Plaku. E kishte mjekrën e dendur laramane, në dorë mbante një shkop prej thane. Duke trokitur me të nëpër buqa, shkoi zhurinës si ndonjë fantazmë që valëvitej. Shikoi nëpër luginë, e futi kokën në secilin kënd të fëmijërisë së vet të gjatë, i shfletoi në kujtesë faqet e jetës së vet të pafundme. Në muzg, në perëndim të Diellit, u kthye në breg të gjirit, u ul në skelë, duke pritur të fillonin ditët e pleqërisë së tij të gjatë.
Dhe nisi të përsëriste në vete, duke pëshpëritur në lutje:
“Kohë e tillë ishte, kohë e tillë ishte!..”
Ulqin, 2008