Donzhuanizmi

ALBER KAMY


Po qe se mjaftonte të dashuroje, gjërat do të ishin shumë të thjeshta. Sa më shumë që dashuron, aq më tepër përforcohet absurdi. Don Zhuani nuk shkon nga një grua tek tjera, sepse nuk ndien dashuri. Do të ishte qesharake ta përfytyroje si një vegimtar në kërkim të dashurisë ideale. Por sepse i dashuron me të njëjtin pasion dhe çdo herë me gjithë qenien e tij, atij i duhet ta përsërisë dhe ta thellojë këtë dhunti. Nga ku secila shpreson t’i japë atë që askush tjetër më parë nuk i ka dhënë. Çdo herë, ato gabohen rëndë dhe arrijnë vetëm t’i zgjojnë dëshirën për këtë përsëritje. “Në fund të fundit, - i thotë me zemërim njëra prej tyre, - unë të dhashë dashurinë”. Nuk ka pse të habitemi kur Don Zhuan me të qeshur i përgjigjet: “Në fund të fundit? Jo, jo, por një herë më shumë”. Përse u dashka të dashurojmë rrallë që të duam shumë?

A është i trishtuar Don Zhuani? Nuk besoj. Le të kujtojmë subjektin. E qeshura, paturpësia ngadhënjyese, gjallëria dhe dhënia pas aventurave, të gjitha këto janë të qarta e të gëzueshme. Çdo qenie e shëndetshme synon të shumëfishohet. Kështu ndodh me Don Zhuanin. Për më tepër, njerëzit e trishtuar kanë dy arsye të jetë të tillë, nga padija ose nga shpresa. Don Zhuan di dhe nuk shpreson. Ai të sjell në mendje ata artistë që i njohin kufijtë e tyre, nuk i kalojnë kurrë, dhe gjatë këtij intervali të brishtë ku gjendet mendja e tyre, krijojnë me një lehtësi të mrekullueshme prej mjeshtri të madh. Pikërisht aty gjendet gjenialiteti; inteligjenca që njeh kufijtë e saj. Deri në kufijtë e vdekjes fizike, Don Zhuani, nuk e njeh trishtimin. Që nga çasti kur e njeh, e qeshura e tij shpërthen dhe ai fal gjithçka. Ai qe i trishtuar gjatë kohës që shpresoi. Sot, në buzët e kësaj gruaje ai gjen shijen e hidhur dhe ngushëlluese të shkencës së vetme. Të hidhur? Paksa: Këtë papërkryerje të nevojshme që e bën të ndjeshme lumturinë. Do të ishte mashtrim i madh po të përpiqeshim të shihnim te Don Zhuani njeriun që është frymëzuar nga Bibla. Sepse për atë nuk ka gjë më të kotë sesa shpresa në një jetë tjetër. Kjo gjë vërtetohet kur ai e vë jetën e tij në lojë kundër vetë qiellit. Keqardhja për dëshirën e shuar brenda kënaqësisë, kjo shprehje e rëndomtë e impotencës nuk ekziston te ai. Kjo i shkon mirë Faustit, i cili besonte te Zoti aq sa për t’iu shitur djallit. Për Don Zhuan, gjërat janë më të thjeshta. “Burladori” i Molinës kërcënimeve të ferrit, u përgjigjet gjithmonë: “Më lër një afat të gjatë!”. Çfarë ndodh pas vdekjes është e pavlerë dhe sa e gjatë është jeta për atë që do të jetojë! Fausti kërkonte të mirat e kësaj bote: fatkeqit i mjaftonte të zgjaste dorën. Të mos dish ta gëzosh shpirtin, do të thotë ta shesësh. Don Zhuani, përkundrazi, e komandon kënaqësinë. Nëse ai braktis një grua, këtë nuk e bën sepse nuk e dëshiron më. Një grua e bukur është gjithmonë e dëshirueshme. Por, sepse ai dëshiron një tjetër dhe kjo nuk është e njëjta gjë.

Kjo jetë e kënaq dhe i vjen shumë keq ta humbë. Ky i çmendur është vetë urtësia. Por njerëzit që jetojnë me shpresë i përshtaten me vështirësi këtij universi ku mirësia ia lëshon vendin zemërgjerësisë, dhembshuria heshtjes burrërore, mirëkuptimi guximi vetmitar. Dhe të gjithë thonë: “Ishte i dobët, idealist ose shenjtor”.

Duhet duruar madhështia fyese.

Njerëzit shprehin zemërimin e tyre (ose ajo e qeshura bashkëfajtore që zvetënon atë që ai admiron) për fjalimet e Don Zhuanit dhe për atë fjali të vetme që përdor me të gjitha gratë. Por për atë që kërkon sasi gëzimesh, vetëm efikasiteti ka rëndësi. Fjalët hyrëse që kanë dhënë prova, përse u dashka të ndërlikojmë? Askush, as gruaja, as burri që i thotë, nuk i dëgjon, por i dëgjon zëri që i shqipton. Ato fjalë janë formula ose rregulla konvencionale të mirësjelljes. Më e rëndësishmja për t’u thënë mbetet pasi mbarojmë këto formula. Don Zhuan përgatitet për këtë. Përse do të krijonte një problem moral!? Ai nuk është si Manjara e Miloszit, që, nga dëshira për t’u bërë i shenjtë, dënon veten. Ferri për të është një gjë që e krijojmë vetë. Ndaj zemërimit hyjnor ai ka vetëm një përgjigje dhe kjo është nderi njerëzor: “Unë kam nder, i thotë ai statujës, dhe e mbaj fjalën, sepse jam kalorës”. Por do të ishte po aq gabim ta merrnim për imoralist. Në këtë pikëpamje ai është si të gjithë njerëzit, ai ka moralin që bazohet në simpatitë ose antipatitë e tij. Don Zhuanin e kupton mirë vetëm po ta mbash gjithmonë parasysh atë çfarë ai simbolizon në mënyrë të rëndomtë: një mashtrues të zakonshëm dhe burrin me shumë gra. Ai është një mashtrues i zakonshëm. Me të vetmin dallim se ai është i ndërgjegjshëm për këtë dhe kështu bëhet absurd. Megjithatë, një mashtrues që bëhet i ndërgjegjshëm nuk ndryshon. Të mashtrojë është zanati i tij. ....

Fragment i shkëputur nga “Donzhuanizmi”, nga libri “Miti i Sizifit”

Përkthyer nga frëngjishtja: Petrit Sinani, botim i ’92-shit