Donald BARTHELME - Mbi engjëjt

Vdekja e Zotit i lë engjëjt
në pozitë të vështirë.
Befas kapen prej problemit
themelor. Njeriu mund të
përpiqet ta përfytyrojë këtë çast. Si
duken në çastin që i pushton problemi,
duke përmbytur ndërgjegjen
engjëllore, duke i mbërthyer me
darën e tmerrshme? Çështja është,
“Çfarë janë engjëjt?”
Nga mosnjohja e problemit, të
pamësuar me terrorin, të pavrarë
nga vetmia, engjëjt (e marrim me
mend) bien në dëshpërim.
Çështja se çfarë “janë” engjëjt
ka histori të gjatë. Swedenborg-u,
për shembull, bisedoi me shumë
prej tyre dhe dëshmoi me forcë se
ato e kishin rrëmbyer. Engjëjt janë
si qeniet njerëzore, thotë ai. “Që
engjëjt janë qenie, apo forma,
njerëzore, e kam parë me mijëra
herë”. Dhe më tej: “Nga përvoja
ime, që tashti është shumëvjeçare,
jam në gjendje të shpall se engjëjt
janë plotësisht në formë njerëzore,
me fytyrë, sy, veshë, trupa, krahë
dhe këmbë…” Veçse njeriu nuk
mund t’i shohë engjëjt me sytë e
zakonshëm, por vetëm me ato të
shpirtit. Swedenborg-u ka prapë
për të thënë për to, e gjitha plot
interes: asnjë engjëlli nuk i lejohet
të qëndrojë prapa tjetrit, sepse
kjo do të turbullonte shpërthimin
e të mirës dhe të vërtetës së Zotit;
engjëjt kanë Lindjen, ku Zoti
duket si një diell, vetëm për sytë e
tyre; engjëjt janë të veshur sipas
inteligjencës. “Më inteligjentët
kanë veshjen që shkëlqen si flakë,
të tjerët kanë veshjen që vezullon
si dritë; më pak inteligjentët kanë
veshjen që ndriçon me të bardhë
ose jo; apo dhe më pak inteligjentët
kanë veshjen me ngjyra të ndryshme.
Por engjëjt më të thellë nuk
kanë veshje.”
E gjitha kjo (me sa duket) nuk
mjafton.
Gustav Davidson, në Diksionerin
e Engjëjve, ka sjellë shumë
gjëra që dihen për to. Emrat e tyre
janë: engjëlli Elubatel, engjëlli
Friagne, engjëlli Gaap, engjëlli
Hatiphas (gjeniu i veshjes së
bukur), engjëlli Murmur (një engjëll
i përmbysur), engjëlli Mqttro,
engjëlli Or, engjëlli Rash, engjëlli
Sandalfon (dy herë më i lartë se një
udhëtim pesëqind vjeçar më këmbë),
engjëlli Smat. Davidson dallon
kategoritë: Engjëjt që Dridhen,
të cilët qarkojnë fronin qiellor,
Mjeshtrat e Ulëritjes dhe Zotërit
e Britmës, puna e të cilëve lavdërohet;
lajmëtarët, ndërmjetësit, vëzhguesit,
këshilluesit. Diksioneri i
Davidson-it është një libër shumë
i madh; bibliografia e tij përmbledh
më shumë se njëmbëdhjetë mijë
artikuj. Ndërgjegja e mëparshme
engjëllore u përshkrua mrekullisht
nga Joseph Lyons (në një shkrim
të titulluar Psikologjia e Engjëjve,
botuar më 1957).
Secili engjëll, thotë Lions, gjen
gjithçka që dihet, për veten dhe çdo
engjëll tjetër. Asnjë engjëll nuk
mund të ngrejë probleme, sepse
problemet dalin prej situatës së
njohjes dhe qenies së vetëdijshme
për mosnjohjen. Një engjëll nuk
mund të jetë kurioz; nuk ka asgjë
që mund ta bëjë kurioz. Ai nuk
duhet të habitet. Gjithë puna është
të dihet se bota e njohjes së mundshme
duhet të duket si një tërësi
e rregullt e fakteve e cila i qëndron
pas, plotësisht e ngulitur, e sigurt
dhe e mbërthyer në fuqinë e tij.
As kjo, gjithashtu, nuk mjafton.
E çuditshmja e shkrimeve për
engjëjt është se shumë shpesh
nxirren si shkrime për njerëzit.
Temat gjuajnë në të dyja anët.
Kështu që përfundimisht gjithkush
e kupton se Lions, për shembull,
në të vërtetë nuk po shkruan
për engjëjt, por për skizofrenët –
evokon për njerëzit kur shkruan
për engjëjt. Dhe kjo ngërthen të
vërtetën e shumë shkrimeve si ky
– një pikëpamje, ne mund ta
mbajmë, që nuk humbi kur filluan
të shqyrtojnë marrëdhëniet e tyre
të reja në kozmos, pasi analogjistët
(një engjëll është më shumë si zogu
quetzal1, apo si njeri? Apo si muzikë?)
ndihmonin për këtë.
Mund të mbajmë mendimin se
disa përpjekje për vetëpërcaktimin
bëhen prej vetë funksionit. Një
engjëll është çfarë ai bën. Kështu
që është e thjeshtë për të gjurmuar
rolet e mundshëm (ju kujtoheni
se ky është spekulim i pistë). Pas
vajtimit të kaluar për qindra e qindra
të asaj që engjëjt përdorin për
kohë, një engjëll propozoi që vaji
të jetë përjetësisht në funksion të
engjëjve, siç ishte më parë adhurimi.
Mënyra e vajtimit të jetë e
heshtur, në kundërshtim me
këngën e pandërprerë të Glorias,
që ka qenë profesioni i tyre i mëparshëm.
Veçse heshtja nuk është
në natyrën e engjëjve.
Një kundërqëndrim thotë se
engjëjt pohojnë kaosin. Ka pesë
dëshmi për ekzistencën e kaosit, e
para e të cilave është mungesa e
Zotit. Edhe katër të tjerët sigurisht
që mund të përcaktohen. Puna
e përkufizimit dhe shpjegimit
mund t’i pushtonte engjëjt
përgjithmonë, nëse kjo bëhet mirë,
siç i ka pushtuar teologët njerëz.
Por engjëjt nuk janë dhe aq shumë
të dhënë pas kaosit.
Më seriozi, sepse propozimi më
radikal u mor në konsideratë prej
engjëjve, është kundërshtimi – kur
deshën të lëviznin nga qenia në
mosqenie. Dinjiteti i madh, i shtuar
te engjëjt që nga ky veprim,
është ndjenja e qenies manifestim
i krenarisë shpirtërore. Kundërshtimi
u hodh poshtë.
Ka të tjera sugjerime, më të
holla dhe më të ndërlikuara, kështu
përherë e më pak ndonjë që të
rrëmben plotësisht.
Pashë një engjëll të famshëm
në tv; veshja e tij shkëlqente si
dritë. Ai foli rreth gjendjes së
tashme të engjëjve. Engjëjt, tha,
në shumë mënyra janë si njerëzit.
Problemi i adhurimit duket se është
kryesori. Tha se dikur engjëjt
janë përpjekur të adhurojnë njëritjetrin,
siç bëjmë ne, por e gjetën
përfundimisht si “jo të mjaftueshëm”.
Ai tha se janë në kërkim
të parimeve të reja.
Përktheu: Gazmend Krasniqi