Demir Gjergji - Bibla e buzeve


-Zemëruar...
...
Bota janë vrarë e prerë,
Prapë janë pajtuar!
...
Labe-
Harku i vetullës papritur u ngrys,
Jeta u pengua, ra keqas përmbys!

...Lumi ngrin në shtrat të vet,
Algat digjen në bregdet.

Rrënjët ikin tatëpjetë,
Në herbar fle fletë e blertë...

Ikje fjalësh, ikje zërash,
Ikje orësh, ditënetësh.
Ikje shpendësh, ikje ere,
Ikje shirash, ikje gjethesh,
Ikja jote larg prej rrezesh,
Ikja ime prej vetvetes,
Ikje lotësh, ikje fryme,
Ardhje hiçi, mardhje bryme!

Prushi veç e flaka veç,
Syri veç e drita veç,
Fjala veç e zëri veç,
Trupi veç e shpirti veç!

Vetulla e ngrysur ende nuk po gdhihet
Me mjaltë dashurie mëria mëkon ikjet.


Ku jeeeeeeeeeee?!

Ngrihem të majë të gishtave për të parë
majën mbi majë,
Kaltëroj perdet e kaltra për të gjetur
kaltërsitë...

Shmang....
E shtang!

Dita është, ti nuk je!
Rrezet po e ti jo!
Shpirtrat shihen, ti je zhdukur!

Lodhem mjegullave,
Përtej bredh më kot:

...Nëpër mua çfarë po ndodh...!?
Aty ku s’di e s’mund të shkoj...

Brenda syve të mi,
S’kam se si të shoh!
Nën lëkurën time
S’të dallokam dot!
Ne gjakun e nxehtë,
Nuk mund të të prek!
Nëpër hapim tim,
S’lemë dot takim!
Te palca në kockë
Si të të shijoj?!

- Ku jeeeeeeeeee!
Shpërthen ti prej meje,-
Klithmë që s’e dëgjoj!


ZEMRA!

„E dija se do ta gjeja, ndaj e kërkoja vazhdimisht
në shkumën e dallgëve.
Është një zemër e skalitur nga deti. Pranoje!“
-Ti-

1.

Një mijë shekuj,
Shkëmb i tretur
Rërë e fjetur,
Breg i heshtur,
Jetë e vdekur!
Një mijë shekuj...

2.

Një mijë shekuj,
Ujë i derdhur,
E ka prekur...
Dallgë e hedhur
E ka ndjekur.
Për ta gjetur,
Sy i etur.

3.

Rërë e shkretë,
Perlë e fshehtë,
Trup i nxehtë,-
Pendë
Mbi pergamenë,
Hija rivale
Nëpër korale
Me iniciale.

4.

Në dy sekonda,-
Dy gjysmëbota,
Në dy aorta.

5.

Deti vjen...
Rend si shpend
Në legjendë.
Dallgët çmend,
Gurin gdhend.
Zemrën peng
Ia rrëmben.

6.

Çast i shenjtë
Nis e dhemb
Në Big-Beng.
Terrin tremb,
Jetën end!
...end!


Një anije ere...

Po ky yll
Atje!

Ai pyll
Këtu!

Po kjo borë
Atje.

Ajo orë
Këtu.

Si të ik prej teje,
Që të vish drejt meje?!

Po kjo datë
Atje.

Ajo natë,
Këtu.

Po kjo brengë
Atje.

Ai peng
Këtu!

Si të vij drejt teje,
Që të shkosh prej meje?

...Një anije reje,
Me sirenë rrufeje,
Me vela prej ndjenje,
Endet e s’përmendet,
Lundron e s’gjen prehje.

Re-anija bredh;
Andej shira vjedh,
Këtu qan mbi bredh!


Për t’i kapërcyer
puthjet...

Si të urrehemi tani?!
Të kafshohemi, të mallkohemi?!

Si t’ia bëjmë…?

Që të shohim një flutur të zezë bryme
Në këtë borërimë hyjnisht të lumtur,
Të gjejmë një asht të thatë
Mes mishit të njomë të zogut në vezë,
Të gjejmë fjalën e fundit të Botës
Në gojën e vjollcës së vogël!
Të shijojmë pak helm
Në gushën e bletës së ngopur në bjeshkë?

Si t’ia bëjmë…?

Me një vërshëllimë nepërke

I ngremë djajtë nga fundi i verbër,
Me një ninullë sirene
I vuvosim shenjtët në dritën e hënës,
Dhe rrëzojmë kështjellat!
Dhe rrënojmë të mbjellat!
Dhe grisim, shkarravisim pergamenat,

Për t’i kapërcyer puthjet ,
Për t’i përsëritur lutjet...!

NATË NË INAT

11.59...:

Një minutë pa pak
Nga vera e gjatë...
Andej shtrëngatë!
Këtej inat!
Vite larg...

12.08

Një copë herë vjeshtë...
I ndizet si eshkë
Inatit kokëshkretë!

3.05:

Heshtja hesht mbi vesë,
Ëndrrat vrarë në vezë,
Gjumi prerë në besë,
Therur mbi nënkresë!
Qëndresa, qëndresë!

5.15:

Drita ngrin e qetë.
Në qiellin e vet.
Borë nis e zbret.
Tutje nëpër jetë!

7. 00:

Mëngjes me janar
Në vjeshtën e artë!
Dita thellë në natë
Dimri në inat!


LIDHJE E FSHEHTË

...Në fundjetë
Fleta e zbehtë
U drodh i lehtë...

Vallëzoi tatëpjetë…
Në lidhjen e fshehtë
Me hijen e vet
Mbi dheun e nxehtë!

...Pastaj?
Ah, pastaj!
Ti ende në maj,
Atje në një skaj
E unë i pafaj,
I vetëm në pllajë,
Në mall e në vaj!

...Kush ndodhi mes nesh,
Që ta merrte vesh!?

...Fleta e zbehtë
Me brengën e fshehtë,
Thjesht
Dëneste në vjeshtë!


KËNGËZ

Veshët janë bërë sy….
Fryma jote, fryma ime….
Pëshpërima, pëshpërima…
Fluturakë në flatra fjalësh….
Nisen, ikin, vijnë, kthehen
Këtij qielli vjeshte.
Këtij ajri vjeshte,
Kësaj drite vjeshte.

Veshët sy
Të shohin ty
Me hapin e pahapur ende,
Me buzën e paçelur ende,
Me gjoksin e parritur ende...