Bashkim Shehu: Të hapen dosjet e krimeve të diktaturës





Pas botimit të romanit "Mozart, me vonesë", Bashkim Shehu ka preferuar të mos flasë në media. Madje, edhe në promovimin e librit, ato pak fjalë që artikuloi ishin prononcime të shkurtra. Ai i thotë të gjitha në një rrëfim të veçantë për "Gazeta Shqiptare". Në këtë intervistë, pinjolli i familjes Shehu, një prej familjeve më të dëgjuara në Shqipëri, flet për botimin e tij më të fundit, duke na shpjeguar simbolet që përmenden në roman dhe domethëniet e tyre, ngacmimin për të shkruar veprën, atë çfarë fshihet pas personazheve, arsyet pse sfondi i ngjarjes është diktatura, raportet e përgjegjësisë mes viktimës e xhelatit. Ai tregon edhe si i sheh sot ata që kanë bërë krime të tmerrshme dhe mospendesën e tyre, por jep opinionin e vet edhe mbi pastrimin e figurave...

Kur Nikita Sergejeviç Hrushovi hodhi "gurin e themelit" të Teatrit të Operës dhe Baletit në vitin 1959, pakkush e mendoi se rusët jo shumë kohë më pas do ishin armiqtë tanë. Pas armiqësisë me vendin, udhëheqësi i së cilës i vuri tullën e parë, ky teatër megjithatë do të qëndronte në "heshtje", i pacenuar dhe jocenues, si dëshmi e një "dashurie" të hershme që kishte lindur prej idealeve. Por, edhe "dashuritë" e mëdha e kanë një fund. Rreth e rrotull këtij institucioni, murlani i regjimit do të frynte egërsisht. Në Teatrin Kombëtar, ai do të rrëzonte me forcën e vet mjaft emra. Ato 50 vite kur monizmi mbretëroi, kanë ngacmuar imagjinatën e jo pak shkrimtarëve. Për letërsinë, ajo kohë ka qenë një thesar. Nëpër rreshta dhe përmes personazheve, imagjinata është ndërthurur me ngjarje reale që shkatërruan njëherë e përgjithmonë jetën e shumë njerëzve. Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, është një prej shkrimtarëve shqiptarë që asokohe njohu të dyja anët e medaljes. Njëra prej tyre, edhe këtij do t'i ndryshonte jetën. Si i tillë, ai i njeh mirë viktimat dhe xhelatët, skenat, prapaskenat dhe dëshmitë që dëshmojnë gënjeshtra e që përdoren si akuza për të thelluar në greminë të pafajshmit. Teatri i Operës, dëshmia e paprekur e dashurisë shqiptaro-ruse, është vënë në qendër të romanit "Mozart, me vonesë", vepra më e fundit e Shehut. Një libër ku autori jep përshkrime situatash e skenash, ngjarjesh e historish të dhimbshme, që vijnë si rrëfime rrëqethëse të disa prej viteve më të errëta të historisë sonë. Rrëfimet e vëna në gojën e personazheve fatkeqe të "Mozart, me vonesë", janë një ndërthurje e reales me fantazinë. Në disa prej tyre, vetë autori "mund" të ketë qenë prezent. Pas botimit të romanit, Bashkim Shehu ka preferuar të mos flasë nëpër mediat e shkruara, dhe pak ka folur në atë vizive. Nuk i ka bërë jehonë të madhe veprës së tij. Në promovimin e librit, ato pak fjalë që artikuloi ishin prononcime të shkurtra mbi pjesëza të veprës. Nuk i ka komentuar personazhet e veta dhe historitë e tyre. Nuk ka komentuar as sistemin totalitar, as ndodhitë e tij, as të fajshmit e të pafajshmit, as të hetuarit, e as hetuesit, as xhelatët e viktimat. Ai i thotë të gjitha në një rrëfim të veçantë për "Gazeta Shqiptare". Në këtë intervistë, pinjolli i familjes Shehu, një prej familjeve më të dëgjuara në Shqipëri, flet për botimin e tij më të fundit, duke na shpjeguar simbolet që përmenden në roman dhe domethëniet e tyre, ngacmimin për të shkruar veprën, atë çfarë fshihet pas personazheve, arsyet pse sfondi i ngjarjes është diktatura, raportet e përgjegjësisë mes viktimës e xhelatit. Ai tregon edhe si i sheh sot ata që kanë bërë krime të tmerrshme dhe mospendesën e tyre, por jep opinionin e vet edhe mbi pastrimin e figurave...
Në librin tuaj të fundit, "Mozart, me vonesë", personazhi kryesor është Margarita. A ka ky emër një domethënie, një "prapaskenë" dhe a është një personazh real apo i ndërtuar?
Ky emër nuk ka asnjë domethënie simbolike në roman. E zgjodha, sepse mendoj që tingëllon natyrshëm si emër i personazhit siç e kam konceptuar, në lidhje me kohën dhe mjedisin që përbën kontekstin e personazhit, sfondin e tij, që është real, historik, ndërsa vetë personazhi është i trilluar. Ndërkaq, është një emër luleje, sikurse është emër luleje edhe Fiordilixhi, një nga personazhet e operës së Mozartit "Cosí fan tutte", sikurse edhe emri Vjollca, i një personazhi të romanit tim. Po faktin që emri Margarita ka kuptimin e një luleje, po e vë re vetëm tani, mbas pyetjes suaj. Më vjen mirë për këtë rastësi, që përputhet me elemente të tjerë të romanit. Mendoj se emrat e luleve për personazhet krijojnë një kontrast me atmosferën e romanit në përgjithësi, duke përforcuar kësisoj kontrastet e tjera mbi të cilat është ndërtuar.
Ku e gjen forcën kjo femër të ringrihet pas çdo rënie dhe të ecë përpara, edhe pse rrethanat në të cilat ndodhet lënë shumë për të dëshiruar? Pse jeni treguar "i dashur" me këtë grua?
Ka njerëz që janë të tillë, sikurse ka njerëz që nuk janë. Jeta është e larmishme, dhe forca e vullnetit për të mbijetuar është të mistershme. Po sidoqoftë, kjo forcë e ka një kufi, sikurse del edhe te personazhi i Margaritës. Lidhur me nënpyetjen e dytë, mendoj se jam treguar, siç thoni ju, "i dashur", ngaqë kam përshkruar një qenie njerëzore në vuajtjen e vet dhe në kërkim të vërtetësisë së vetvetes, në një kërkim të dëshpëruar për t'u çliruar nga roli ose maska që i ka veshur pushteti.
Mozarti në skenën shqiptare... A ka pasur ndonjë histori të ngjashme me këtë të romanit në operën shqiptare gjatë atyre viteve kur e huaja ishte e ndaluar, apo në teatrin shqiptar?
Histori të ngjashme ka pasur në botën artistike shqiptare, sidomos në botën teatrore, me sa di unë. Po fare mirë mund të ndodhte edhe me operën, me Mozartin, që në të vërtetë nuk është vënë asnjëherë në skenë, apo me të tjerë që janë vënë në skenë.
Në shumë prej romaneve tuaja, diktatura është sfondi ku ngjarjet lindin e zhvillohen, madje shkaku është ajo. Vihen re edhe nota biografike në librat tuaj. Ku ndryshon ky roman nga botimet tuaja të mëparshme?
Të gjithë librat që kam shkruar ndryshojnë nga të mëparshmit. E shkruara për mua është një kërkim. E ndryshmja nga një libër në tjetrin qëndron te përpjekja për një risi të gjuhës letrare, te kërkimi stilistikor, te ndryshimi i të vështruarit të botës në terma të gjuhës specifike letrare ose të poetikës.
Përse vitet e komunizmit mbeten akoma sfondi juaj?
Sepse, përbën një thesar pa fund nga pikëpamja e letërsisë. Një mallkim i lashtë kinez thotë: "Dhëntë Zoti që të jetosh në kohë interesante"! Në këtë kuptim, është interesante edhe koha e komunizmit.
Herë-herë, kur lexojmë përshkrimet e skenave të ndryshme në këtë libër, na krijohet përshtypja se po "shohim" një ngjarje reale. A ka momente në këtë roman që ju keni përshkruar përjetimet tuaja?
Më vjen mirë që ju krijohet ky iluzion, çka në njëfarë mënyre tregon se ia kam arritur qëllimit në aspektin e të ashtuquajturit "realizëm", siç mendoj se e kërkonte ky lloj romani. Dhe, besoj se duhet të ketë përjetime të miat të pavetëdijshme, sikurse janë shpesh përjetimet e autorit në një vepër fiksioni, tek përpiqet të hyjë nën lëkurën e personazheve, të cilët janë dofarë fantazmash, që gjithsesi, kanë autonominë e tyre.
Numri 4 është një numër që shfaqet shpesh tek "Mozart, me vonesë". Vjen si një numër që do të thotë diçka mbi fatalitetin e njerëzve? A mund të na thoni diçka më shumë mbi simbolikën e numrit 4 në këtë roman dhe pse pikërisht numri 4?
Siç thuhet edhe në roman, ky numër është një simbol primitiv ose primordial i simetrisë së përkryer, i tërësisë harmonike të kozmosit dhe është njëkohësisht simbol i vdekjes. Me sa duket, më ka ardhur pikërisht ngaqë katër janë personazhet qendrore të operës së Mozartit për të cilën flitet, ndërsa te Mozarti buron nga principi i simetrisë në estetikën klasiciste. Pikërisht për këtë ambiguitet simbolik, që ngërthen njëherësh idealin estetik dhe vdekjen, numrit 4 i kam dhënë një vend të veçantë në roman. Dhe, shpresoj që simboli në roman të ketë më shumë kompleksitet se ky shpjegim, që nuk mund të mos jetë i thjeshtëzuar, sikurse çdo shpjegim për figurat poetike.
Vihet re që ju keni një kulturë të gjerë mbi operën dhe muzikën klasike. Kulturë dhe njohuri, që nuk janë shumë të zakonshme për ata që nuk kanë pasur drejtpërdrejt të bëjnë me këtë art. Ka qenë opera një pasion juaji i hershëm apo...? Ju lutem, na thoni diçka më shumë!
Mendoj se kultura ime muzikore është mjaft e mangët. Madje, edhe nga ato pak njohuri që kam në këtë fushë, për t'i përdorur në roman, m'u desh të konsultohesha për t'i verifikuar, se mos bëja ndonjë gafë. Nga ana tjetër, jam amator i muzikës klasike instrumentale, sidomos i veprave të Mozartit dhe Bahut, por më pëlqen jashtëzakonisht edhe muzika e Hendelit në zhanrin e quajtur "oratorio", një zhanër para-operistik, si të thuash.
Andrea, një ndër personazhet e librit, herë pas here këndon një këngë, në një nga gjuhët e veriut të Evropës. Cila është domethënia e kësaj kënge?
Është ajo domethënie që del prej përkthimit në shqip, siç i atribuohet vetë Andreas. I përkthyer më mirë mund të gjendet në botimin e "Per Gyntit" të Ibsenit në shqip, rreth pesëdhjetë vjet më parë, nuk di nëse ka pasur ndonjë ribotim të mëvonshëm.
Në libër aludoni se përgjegjës për atë që ndodhi nën diktaturë, nuk kanë qenë vetëm ata që ishin krye dhe drejtonin... Si i shikoni ju raportet e përgjegjësive? Si arriti të mbijetojë kaq gjatë ai sistem dhe "falë" kujt?
Pa dyshim, përgjegjësinë kryesore e kanë ata që ishin në krye. Për mua ekziston një dallim i qartë i përgjegjësisë mes xhelatëve dhe viktimave, për sa u takon atyre që janë xhelatë dhe atyre që janë vetëm viktima. Shenja e barazimit mes përgjegjësisë së të dyja palëve u shërben vetëm të parëve. Ose, thënë më qartë, nëse në një regjim totalitar ndodh shpesh që edhe viktima të ketë përgjegjësi, në rastin e xhelatit nuk është fjala për një përgjegjësi të së njëjtës natyrë, është fjala për faje, për krime. Po le të vijmë te pjesa e dytë e pyetjes suaj. Sipas një filozofi të shquar bashkëkohor, totalitarizmi priret të totalizojë gjithçka. Pra, në ndryshim nga format e mëparshme të tiranisë, totalitarizmi është një sistem që jo vetëm e përqendron krejt pushtetin në duart e Njëshit, po edhe që priret t'i përfshijë të gjithë në riprodhimin e sistemit, duke ia arritur kësaj në shkallë të ndryshme. Prandaj dhe është relativisht jetëgjatë.
Ishte sistemi që i mbajti të nënshtruar njerëzit, apo njerëzit e mbajtën gjallë sistemin? Ishte sistemi që i bëri njerëzit të tillë, apo e kundërta?!
Lidhur me këtë çështje, ekziston një debat në teorinë sociologjike mes dy shkollave nga më të rëndësishmet, Funksionalizmit dhe Personalizmit. Çështja mbetet e pazgjidhur teorikisht, dhe ndoshta është e pazgjidhshme, ashtu si ajo e vezës dhe e pulës. Ndërkaq, duhet të kemi parasysh se njerëzit nuk janë figura plasteline në duart e diçkaje që ndodhet mbi ta, që mund ta quajmë "shoqëri" ose "kushte objektive": përndryshe, të njëjtat kushte do të prodhonin njerëz të njëjtë. Dhe, nga ana tjetër, njerëzit e bëjnë sistemin në atë shkallë që zotërojnë pushtet brenda tij, si dhe në atë shkallë që i konformohen.
Ironia, cinizmi dhe groteskja shoqërojnë rreshtat e "Mozart, me vonesë", edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Cila është arma juaj më e fortë kur ju shkruani? Cila është forca juaj?
Më vjen keq nëse ju jam dikur cinik me këtë libër, kam synuar pikërisht të kundërtën... Arma ime? Puna këmbëngulëse, e kombinuar me diçka që mund ta quani "marrëzi", po të doni.
Në një prej momenteve të fundit të romanit, një ish-hetues dhe një ish-spiun dhe "shërbëtor" i komunizmit replikojnë me njëri-tjetrin në gazeta. Ish-hetuesi, pa u penduar për asgjë, thotë që ka bërë detyrën dhe madje mbron vendimin e tij, duke i hedhur fajin spiunit. Ky i fundit tregon të vërtetën, duke kërkuar falje dhe duke deklaruar se ka qenë i sëmurë. Ju a keni vërejtur shumë situata të këtij lloji, ku hetuesit, si atëherë edhe sot, mendojnë se janë me të "drejtë" dhe se nga ana tjetër, në fakt ka njerëz që i pranojnë gabimet?
Çështja e personazhit për të cilin e keni fjalën nuk qëndron tamam ashtu. Në roman del se as ai nuk e tregon plotësisht të vërtetën. Nga ana tjetër, kam hasur raste nga të dy llojete njerëzve për të cilët e keni fjalën: edhe nga ana që ngulmojnë se kanë pasur të drejtë, edhe nga ata që kërkojnë falje. Dhe zakonisht ndodh të kërkojnë ata që u kanë bërë më pak dëm njerëzve të tjerë.
A mund të gjendet justifikim për ata që shkatërruan jetën e mjaft njerëzve shumë herë thjesht edhe vetëm duke eksperimentuar me gjendjen psikike të tyre?!
Jo më krimet e tmerrshme që përmendët, po asnjë lloj abuzimi sado i vogël i pushtetit nuk ka justifikim. Por, fatkeqësisht, krimet më të tmerrshme njeriu i bën në emër të idealeve.
Ju, a mendoni se hapja e dosjeve është hapi i duhur? Çfarë mendoni për kryelartësinë që kanë "ish-hetuesit"? Po mbi përpjekjen e tyre, herë për të mohuar se çfarë kanë bërë dhe herë të tjera, për ta miratuar edhe njëherë atë?
Nuk jam për linçimin moral të njerëzve. Megjithatë, mendoj se një shtet demokratik duhet të ketë transparencë në lidhje me figurat, gjë që nënkupton hapjen e dosjeve të personave të pushtetshëm, nëse ka të tillë që kanë qenë pjesë e mekanizmave represivë të së kaluarës. Ndërsa, kryelartësinë e xhelatëve dhe qëndrime të ngjashme të tyre i konsideroj të neveritshme.
Rikthehemi tek letërsia. Pak ditë më parë "Gazeta shqiptare" ka botuar debatin më të fundit të hapur mbi letërsinë shqiptare, nëse kjo ka nivele evropiane apo jo. Rexhep Qosja mendon se jo dhe për këtë jep argumente, e nga ana tjetër shkrimtarët më të njohur shqiptarë mendojnë të kundërtën, e po ashtu paraqesin argumentet e tyre... Ju çfarë mendoni për nivelin e letërsisë shqiptare?
Debatin nuk kam mundur ta ndjek. Ndërkaq, mendoj se letërsia shqipe është e nivelit europian, se qëndron me dinjitet krahas letërsive të tjera europiane, gjë që jam përpjekur tashmë ta shpjegoj gjetiu në mediat shqiptare.
Ju jeni shprehur se keni në dorë një tjetër libër, që është një kërkim i ri. A mund të na zbuloni diçka?
Më vjen keq, por nuk mund t'jua plotësoj dëshirën, ngaqë do të humbisja një pjesë të dëshirës time për ta shkruar librin.
Ku e gjeni veten më mirë, tek proza e gjatë apo tek ajo e shkurtra?
Përherë e më tepër te proza e gjatë. Por, nuk përjashtohet që kjo gjendje të ndryshojë.

Fatmira Nikolli