Balliu i rrëfen komunizmin frankofonëve




Shtëpia Botuese franko-zvicerane “Favre” boton romanin “Panteoni i zi” “Një nga romanet më të mira shkruar për komunizmin”, kështu e vlerëson kritika franceze romanin “Panteoni i zi” të shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu. Pas publikimit në botën frankofone të librit best-seller “Zonja e zezë”, “Favre” një nga shtëpitë botuese më të njohura franko-zvicerane ka hedhur në treg për lexuesin romanin “Panteoni i zi”. I shkruar nga autori në vitin 1994 romani është një rrëfim i ndjerë mbi komunizmin, nëpërmjet personazheve që kanë jetuar në zemër të tij. “Diktatura e shqisave” ashtu si romani është quajtur në botimin francez, është një metaforë e qartë për regjimin e egër të Enver Hoxhës në vendin tonë. Njohës i mirë i kësaj periudhe Balliu, nëpërmjet Kalinës, i ofron lexuesit një udhëtim në historinë e trisht të dashurisë së një gruaje, humbja e së cilës e bën atë të ftohtë, ashtu si vetë sistemi ku ajo jeton… Balliu ka mundur të depërtojë në atë që njihet si Blloku i udhëheqjes, duke zbuluar shumë mistere të tij. Pikërisht në vendin ku ishte e ndaluar të vështroje, ku dhjetëra policë ruanin dhe vështrimet ndaj tij, autori hyn për të zbuluar marrëdhëniet njerëzore, mes njerëzve që instaluan komunizmin në Shqipëri, intrigat e atyre që ai i quan “diktatorë të vegjël”, marrëdhëniet nuse vjehrre, të gjitha detajet që argumentojnë me gjuhën e artit se nga buronte kriminaliteti në sjelljen e tyre. Romani ka fuqi demaskuese, duke rrëfyer se ç’ndodhte brenda Bllokut komunist, në kohën kur jashtë tij njerëzit vuanin nga uria. Ky roman mund të quhet ndryshe dhe “diktatura në dhomën e gjumit”. Po cila është historia që shkrimtari Balliu rrëfen në këtë roman? “Kalina është një studente e re, që bie në sy për bukurinë e saj në tërë Tiranën. Ajo është e dashuruar me një artist të deklasuar, por që fati i keq do të bëjë që ajo të bjerë viktimë e një djali të një prej udhëheqësve të partisë. E lodhur nga dashuria e saj e vërtetë, ajo e gjen veten nën pushtetin e njeriut prej njerëzve më të pasur dhe të privilegjuar, i cili nuk do gjë tjetër veçse të martohet me këtë grua të bukur, më të bukurën e Tiranës. Duke humbur lirinë e saj, ajo mohon deri edhe identitetin e saj dhe bëhet nusja e Pesës (brenda nomenklaturës komuniste shqiptare, të gjitha figurat e rëndësishme të pushtetit mbanin numrave ekuivalente me radhë e tyre) . Kalina e kalon kohën e saj duke ëndërruar për dashurinë që ka humbur gradualisht zhytet në pakënaqësinë dhe keqardhjen e trishtueshme. Ajo përfundon duke humbur shpirtin e saj dhe bëhet gati e ftohtë dhe manipuluese po aq sa edhe protagonistët e tjera të diktaturës”. Historia e Kalinës, që mbart në thelb dhe historinë e trisht të Shqipërisë komuniste tashmë është në duart e lexuesit frankofon, shkruar me elegancë dhe ndjeshmëri nga Balliu, një nga njohësit më të mirë të sistemit më totalitar në Ballkan, siç ishte komunizmi në Shqipëri. Ky roman që menaxhon një temë historike na çon në një botë tjetër, atë të komploteve dhe tradhtive ku fati i secilit varet nga ndjenja e turpshme të tilla si lakmia apo hakmarrja. “Panteoni i zi “është një tjetër sukses i penës së Balliut në botën frankofone, pas vlerësimit që ai mori me librin “Zonja e Zezë” …ajo vështroi arkivolet e kuq, që kalonin nëpër duar sipër kokave të njerëzve përmes gulçesh, të qarash dhe njëherësh një heshtjeje hënore. Kortezhi pritej në mes nga një hapësirë boshe, ku sytë e Kalinës dalluan të parin Tahirin. Dhe pastaj dy-tre nga numrat e vjetër që e përcillnin kortezhin. Kostumet e tyre të zinj shndrisnin në diellin e nxehtë, që dukej se po i vinte flakën gjithë qytetit. Pjesë nga libri …dhe ai dredhoi majtas mes disa pallatesh, por sërish kur doli në udhën drejt Vlorës, kortezhi ishte përpara. Përpara ishte dhe arkivoli gjigand i kuq. Përpara ishin dhe ata me kostumet e tyre të shndritshme që e përcillnin me duart të lidhura në bark, me një çapitje të heshtur si të vjedhur. …duke iu afruar Urës së Lanës, u detyruan të ecnin fare ngadalë, sepse sërish ajo e çmendura kishte mbledhur një turmë admiruesish dhe u mbante fjalim. Njerëzit i hapën rrugë makinës, por nga mesi i saj nuk lëvizi e çmendura. Kalina fërkoi sytë, ndërsa e çmendura afrohej tek xhami, duke brohoritur parulla urimi për Njëshin. Në fund ajo u bind, e çmendura s’ishte kush tjetër veçse Kimetes, e cila tek e shqoi Kalinën brenda u shpërfytyrua dhe u shty në çmendurinë e saj, duke klithur me një zë ngjethës… Kush është Fahri Balliu? Fahri Balliu është një nga personalitetet më të njohura të publicistikës në Shqipëri. Fahri Balliu u lind në Elbasan më 18 janar 1956, ku mbaroi edhe gjimnazin "Dhaskal Todhri”. Studioi në Fakultetin e Histori - Filologjisë, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, në Tiranë dhe pas diplomimit, në vitin 1979 u emërua skenarist në Kinostudion "Shqipëria e Re”. Për disa vjet punoi si redaktor i rubrikës letërsi – art, në gazetën "Zëri i popullit", gazeta më e madhe e vendit. Mori pjesë aktive në shtypin e opozitës së djathtë demokratike, në fillimvitet ‘90-të, si në gazetat “Republika”, “Rilindja Demokratike”, etj. Punoi si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Drejtorinë e Diasporës, dhe më pas zv/ambasador në ambasadën e Shqipërisë në Shkup gjatë viteve 1993-1996. Në këtë vit, ai u emërua kryeredaktor në ATSH dhe prej vitit 1997 është themelues, botues dhe drejtor i gazetës “55”, e përditshmja më e vjetër dhe më e madhja e së djathtës në vend, si dhe president i Shtëpisë Botuese “55”, që nga themelimi në vitin 1998. Në vitin 2000 ai themeloi edhe Institutin e Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, ku aktualisht mban funksionin e drejtorit ekzekutiv. Nën kujdestarinë e këtij forumi të mendimit politik të qendrës së djathtë, janë mbajtur dhjetëra seminare e simpoziume shkencore, në të cilat kanë marrë pjesë një plejadë e gjerë intelektualësh shqiptarë e të huaj. Aktivitetet i janë kushtuar kryesisht aspiratës së integrimit të hapësirës shqiptare në NATO e në BE, qytetërimit perëndimor, ku shqiptarët janë bashkëthemelues të tij që në kohën e Shën Palit. Fahri Balliu e ka filluar krijimtarinë letrare si tregimtar në moshë shumë të re dhe që maturant botoi librin e parë me tregime “Udhë të çelura” e më pas erdhën libri i dytë me tregime e novela “Dita e nesërme” dhe skenari i filmit artistik “Shokët”, xhiruar në vitin 1982. Zoti Balliu spikati në lëvrimin e gjinisë skenike të dramës. Ai shënoi një sukses të madh me dramën “Tokë e ndezur”, me temën e Kosovës, si dhe vuri në skenë drama të çmuara, të vlerësuara me çmime të kohës, si “Kyçi i artë”, “Shtegu i zënë”, “Flakët”, etj. Në prag të viteve ‘90-të, ai shkroi romanin “Panteoni i zi”, një akuzë letrare e fuqishme kundër diktaturës, roman që ka njohur disa ribotime. Në vitin 1996, ai botoi veprën publicistiko-politike “Berisha përmes Kasandrave”. Përmes gazetës “55”, e përditshmja me dy gjuhë të huaja, anglisht e italisht, ai është shumë aktiv për realitetin politik shqiptar. Monografia “Zonja e Zezë” publikuar për herë të parë në vitin 2005, është një nga librat best-seller në gjithë hapësirat shqiptare. Vepra është ribotuar mbi 8 herë në gjuhën shqipe. Kjo monografi është botuar në frëngjisht nga shtëpia Botuese “Favre” dhe së shpejti pritet të dalë në gjuhën angleze.