Amerikani Tom Sleigh fiton “Unazën POETEKA”

Nga Dhurata Hamzai


- Poeteka…? Më mirë të mos besohet!

Festivali POETEKA, aktiviteti më i madh letrar i vitit në Shqipëri, drejtuar nga Arian Leka dhe një staf asistentësh, përkthyesish e moderatorësh të specializuar sot po udhëton drejt 20 shteteve të botës, ashtu e mbartur në zemrën e poetëve. POETEKA, festivali i madh ndërkombëtar, që nga sot një akademi e shpirtrave të zgjedhur, është zhvilluar e ndjekur me interes për një javë rresht me aq kërshëri sa poetja spanjolle Blanka Andreu do t’i quante këto ditë poezie si 7 Ditët e Krijimit. Është ndjekur dhe zhvilluar me sukses festivali në Torrën Veneciane, në Amfiteatrin Romak, në Muzeun Etnografik, në qendrat e tjera arkeologjike të Durrësit, është ndjekur e zhvilluar me sukses në Elbasan, në Kishën e Selcanit, në Kalanë e Elbasanit, në Muzeun Etnografik të tij. Është pritur festivali POETEKA nga Bashkia e Elbasanit, nga këngëtarët më të zotë të këtij qyteti, është freskuar nga poetët më të mirë të këtij qyteti. Është ndjekur e zhvilluar me sukses në Berat, në Kalanë e Beratit, është freskuar sërish me poezinë e mirë të poetëve të Beratit, duke shkuar më pas në kantinën e famshme dhe luksoze të verës “Çobo”, ku dehjes me fantazi, përshtypje, procese shpirtërore krijimtarie, të shkëputura nga dikur dhe aty për aty, u ka dhënë poetëve të mbarë botës edhe dehjen fluide që të jep një verë e mirë. Nga Berati POETEKA është kthyer sërish në Durrës në Bar Isamus “6 Kançi” ashtu si çdo vit dhe çdo ditë të frymëmarrjes së saj, çeljen ose mbylljen e ditës poetike dhe Kuarteti Muzikor Insamnus flladiti shpirtin e poetëve në këtë lodhje të gjatë. POETEKA shkoi në Tiranë, i dha edhe njëherë kuptim Teatrit Metropolitan të Tiranës, shëtiti në Galerinë Kombëtare ku “Motra Tone”, piktura e Kolë Idromenos, e cilësuar nga kritika europiane si “Mona Liza shqiptare” arrinte të na shihte me ata sytë e butë, gjithë lëng e droje mirësie emocionale. E kur themi shkurt POETEKA, kuptohet se kemi thënë poetët.

Poeteka merr pasaportën…

Poeteka tashmë është çertifikuar me shtetësinë shqiptare dhe emrin: Durrës-Durracium. Poeteka ka udhëtuar dhe është ushqyer me imazhe e mite Shqipërie, të mbartura edhe nga larg; poeti turk Onur Caymaz nga Turqia e kujton mirë që nëna e tij me origjinë shqiptare i këndonte këngën “gishtat me kajmak…” dhe greku Dimostenes Agrafiotis, që nuk e mësoi kurrë pse nëna e tij këndonte këngët e Beratit. Durrsakët më në fund i kanë pasuruar bukuritë e këtij qyteti me një flamur blu me një emër të bardhë simbolik POETEKA. Nga viti në vit, ky flamur shoqërohet me një poster të madh, që do të shfaqet si një vepër e re arti në rrugët e këtij qyteti. Janë recituar vargje, janë bërë edhe promovime librash, janë bërë dialogje me kulturat që lidhin popujt, janë thënë të pathëna e të padëgjuara, janë shkelur rrugë të parrahura e të patreguara nga njeriu. Është thënë gëzuar e plot fjalë dashurie në kaq shumë gjuhë të botës, atje në lokalet dhe restorantet e Durrësit, sa të dukej vërtetë ashtu si thoshte poetja spanjolle “si tek Kulla e Babelit”, kur Zoti tha: Ngatërrohu gjuhët!

Politikanët- obligim për shpirtqërim

Janë qasur politikanë, këtë herë kaq shumë politikanë, përfshi kryetarët e bashkive të Durrërsit, Beratit, Elbasanit dhe Tiranës, që s’i kanë lënë gjë mangut obligimit për shpirtqërim- fjalë e bukur shqipe që e çau lëvozhgën në kokën e një poeti dhe lindi e mbeti në vend të fjalës së huaj katarsis në këto ditë të festivalit. E megjithëse janë bërë shumë, prapë s’do na kënaqnin, e s’do na vlenin shumë, vetëm për fatktin se do të duken të pabesueshme. Epo…, për të mos e vënë në dyshim, më mirë të mos besohet, siç i ka hije çdo gjëje fantasike, ose gati-gati hyjnore. POETEKA 5 qe një mrekulli, një sfidë nga më të rrallat e projekteve kulturore në Shqipëri. Sa shumë janë sjellë më memorie të poetit dhe qytetit ato elementë të çmuar tradicionalë të artit dhe etnografisë. Kanë qenë ekzaltuese panelet me të ftuar nga personalitete të gazetarisë dhe artit. Ishin atje me shpirt, me zemër, me trup, poetë të rrallë, e para poetja dhe arkeologia Edi Shukriu nga Kosova, poeti Tom Sleigh nga SHBA, poeti Ales Debeljak nga Sllovenia, Sasha Iliç nga Serbia, Tomislav Bilosniç nga Kroacia, Jovan Nikolaidis nga Mali i Zi, Kim Mehmeti dhe Bogumil Gjyzel nga Maqedonia, Onur Caymaz nga Turqia, Cvetanka Elenkova nga Bullgaria, etj, etj, që bëhen pa përjashtim protagonistë të shfaqjeve, spektaklit, kënaqësisë dhe mundimit për të përcjellë energjinë e tyre të mirë, së cilës në mos në njërin çast në tjetrin, ia kemi nevojën.

Kush do të dijë për fundin e festivalit

E kush do donte të dinte për fundin e këtij festivali në edicionin e pestë të tij. Sado i madh që qe ai, nëse nuk do të takoheshin aty kultura që lidhin mes tyre popujt, nëse nuk do të përshkoheshin rrugët më magjike të Shqipërisë nga ato zemra, sy e mendje të dherave të planetit që e njohin kaq mirë bukurinë e hijeshinë. Kush do donte të dinte. Sado i madh të qe ky festival, kujt do t’i interesonte mbyllja me sukses, nëse nuk do të ishte një javë rresht me poezitë e fjalën e tij të mençur poeti i shquar amerikan Tom Sleigh, i cili është cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e poezisë amerikane bashkëkohore, ky shkrimtar i njohur që me essenë e tij për poezinë shqipe dhe poezinë ballkanike e rizbulon Ballkanin nëpërmjet poetëve të këtij rajoni. Sado me vlerë të ishin ditët e festivalit POETEKA kush donte të dinte nëse përveç veprimtarive tashmë të njohura të leximeve autoriale dhe intervistave, kafeve të përbashkëta nuk do të bëheshin debate me poetët e ftuar, nëse nuk do të na hipnotizonin ata me performancat poetike. Përurimet e librave, koncertet, ekspozitat e artit dhe panairet e librit poetik, nuk do të ishin asgjë nëse festivali nuk do të niste me vetë majanë e poezisë, Ballkani ky Piter Pan i Europës. Kush do të dëgjonte, nëse gjuha turke, malazeze, greke, maqedonase, ruse, kroate, italiane, spanjolle, portugeze, franceze nuk do të dëgjoheshin si krisjet e buta e të përnatshme të verës POETEKA, asaj ngjyre të rubinit që poetëve u hidhej në transparencën e gotave. Këto shtegtime poetike kush do t’i kuptonte nëse në natën e parë në atë çelje të madhe festive më 21 gusht, poetët dhe kritikët e njohur letrarë nga Ballkani si Fatos Lubonja, Kim Mehmeti, Bogomil Gjuzel dhe Jovan Nikolaidis të mos e kishin thënë fjalën në prezantimin e madh të këtij festivali.

Spiritus - Ad Honores

Pastaj se si rrodhi mbrëmja SPIRITUS - AD HONORES kushtuar poetit nobelist polak Cesllav Millosh në 5 vjetorin e vdekjes dhe se si erdhi përurim i librit i librit “Qyteti pa emër”, që i referohet Jaroslaç Mikolajeçski, Poloni. “Tespihet prej fosfori” ishin një ritual mistik për marrëdhëniet mes fqinjëve me autor Jovan Nikolaidis. Tom Sleigh, fituesi i Unazës POETEKA, çmimit prestigjioz të këtij festivali ishte edhe amerikani në oborrin e mbretit Monun, ashtu si vitin e kalur qe një holandez. Rock&read e solli në Shqipëri poeteshën e shquar libaneze Joumana Haddad, e cila nuk erdhi dot për fat të keq. Shtegtimi i festivalit në kishën e Onufrit Shelcan, në Kalanë e qytetit Elbasan, në Muzeun Onufri, në Teqenë e Madhe të Beratit, nganjëherë i lodhte poetët, por ata nuk u ankuan, si anijet që ulin velat në çdo mbrëmje, ata i ngrenë sapo erërat e shpirtit fryjnë. Poetë shqiptarë dhe të huaj e lanë sot qytetin e Durrësit, por i dhanë atij manifestimin më të madh të poezisë me festivalin ndërkombëtar "POETEKA". Shqipëria e meriton festivalin e poezisë, sepse është e pasur me faktorin shpirtëror, thotë poetja kosovare Edi Shukriu, e cila zbulon gjurmët e këtij faktori ndër qytetërimin tonë.

Nëse do të ishte ndryshe

Nëse do të ishte ndryshe, jo kaq magjike, gara e madhe e poezisë nuk do të kishte ardhur deri më 27 shtator, aq shpejt, ashtu si një poezi e brishtë, e ndjerë dhe e jetuar deri në ditën e djeshme ku u dhanë çmimet “Pena e qytetit”, “Nositi”, “Liburna” dhe “Unaza POETEKA”. E për në fund dhe fati i Zotit u shfaq përbri, që i largoi retë e mbledhura turfulluese e të vranëta të ditës së e parë, e paqtoi detin, e lau ajrin. Jo në pak raste janë dëgjuar rrugëve të Durrësit tingujt e poezisë sonore të poetit portugez Americo Rodrigues. Po poezia e italo-arbëreshit me autorë Aldo Dramis dhe Cosimo Cerigone, a thua nuk na tregoi rrugët e bardha të gjakut të Arbërit. Po Francis Chenot, i ardhur për herë të dytë në këtë festival nga Belgjika dhe poeti i talentuar Adrian Saliaj, i cili thyen koracën e vjen për herë të parë nga Vlora në POETEKA, a thua të kenë ardhur ashtu rastësisht, a thua të kenë ardhur i pari për të ndarë mallin e vitit të kaluar dhe i dyti për ta dhuruar poezinë, për ta nxjerrë nga vetja.
Po Natasha Bega, piktorja dhe poetja shqiptare aq magjike, e cila me energjinë e saj e bënte më të depërtueshëm e komunikueshëm shpirtin e çdo poeti, përmes performancash fantastike.
Po nata e dytë e festivalit poetik, që iu dedikua krejtësisht poezisë amerikane, a thua se nuk e plotësoi dot antologjinë e vlerave më të mëdha të poezisë botërore me projektin e dashurisë humane, duke iu shtuar kësaj dhe poeti grek Agrafiotis, i cili shkronjat e bukura greke, me ortografinë dhe hijeshinë e çmuar të tyre, i solli në një Master Class aq elegant, nëpërmjet prezantimit të poezisë së tij vizuale, saqë u duk si një shenjtor roje i gjuhës amë, në çastin e mbramë kur Microsoft desh e zhduku nga përfshirja në internet. E natyrshëm do të vinte ajo POETEKA në fundin e saj dje në qytetin e Tiranës me dy Master Class për t’i bërë më të pranishme këto dy mënyra të shprehuri poetik pak të lëvruara në Shqipëri, të drejtuara nga poeti grek Demosthenes Agrafiotis me poezinë vizuale, dhe poeti portugez Americo Rodrigues me poezinë sonore. U desh një vesh i stërmadh si gjiri i Durrësit për t’i rrokur të gjitha këto, e një zemër e madhe si e detit për t’i mbartur sepse njeriu, pjesëmarrësi mundet ende të jetë i hipnotizuar. Kështu poetët e festivalit ndërkombëtar të poezisë, kanë lënë pas zërin e tyre, intervistat, mesazhet, krijimtarinë, e cila do të na lërë një shije të mirë në ditët në vijim e pasquruar në faqet e gazetës “TemA”, atashuar gjatë gjithë ditëve pranë këtij festivali që shkëlqeu në Durrës.


Çmimet e POETEKA-s

1- Tom Sleigh fiton Çmimin UNAZA POETEKA (që jepet për personalitetin poetik me të spikatur në Festivalin Poeteka)
2-Robert Elsie fiton Çmimin NOSITI (që jepet për përkthimin më të mirë poetik të vitit nga gjuha e huaj në shqip, apo nga shqipja në gjuhë të huaj)
3- Zija Çela fiton Çmimin KRITERION (që i jepet një organi letrar për kontributin në dobi të kulturës dhe artit)
4-Bardhyl Londo fiton Çmimin LIBURNA (i cili i akordohet një poeti shqiptar për kontribute në vite)