Agim VINCA - LIBËR QË ZHVIDHOS MEKANIZMIN E NJË SISTEMI REPRESIV E GRANDOMAN



Në pamundësi që të marr pjesë në përurimin e librit të mikut tim, Ylber Lilit, “tetovarit nga Tirana”, siç e pata quajtur që në takimin e parë me të, Ju përshëndes të gjithëve, kurse autorin e përgëzoj për librin dhe promovimin e tij.

Libri i pedagogut dhe publicistit të njohur, Ylber Lili, Grandomania (Tregime, skica, përsiatje), që për nga zhanri është libër mikst, i përbërë nga shkrime zhanresh të ndryshme, por me një frymë e koncept unik, si me titullin, ashtu edhe përmbajtjen e tij, e shpjegon më së miri situatën e krijuar këto ditë në Maqedoni, pas daljes në dritë të Enciklopedisë famëkeqe të AMSHA-së, në të cilën falsifikohet historia dhe fyhen shqiptarët.

Nuk është vështirë të konstatohet se kjo situatë është në radhë të parë pasojë e grandomanisë së politikës shtetërore maqedonase dhe e inferioritetit të faktorit politik shqiptar, të përçarë e vasal. Sepse ku ka grandomani më të madhe sesa të tentosh të përvetësosh historinë e të tjerëve dhe figurat më të ndritura të asaj historie dhe ku ka inferioritet më të madh sesa ta minimizosh problemin, duke e kualifikuar si “shkelje e armëpushimit” nga një “ushtar i papërgjegjshëm” i veshur me togën e akademikut?

Libri i Ylber Lilit, njeriut të mishëruar aq shumë me mjedisin shqiptar në Maqedoni dhe posaçërisht me Tetovën dhe njerëzit e saj (nuk e quajta rastësisht “tetovari nga Tirana”, kur u njohëm dy-tre vjet më parë në mjediset e hotel “Lirakut”, që shfaqen aq shpesh në shkrimet e këtij libri), mund të thuhet se e ka paralajmëruar këtë situatë absurde - botimin e një vepre enciklopedike përplot fyerje e shtrembërime për shqiptarët, prapa së cilës qëndron institucioni më i lartë shkencor i këtij vendi, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve dhe qeveria e tij, e cila e ka financuar atë.

Ylber Lili, pedagog i gazetarisë dhe nxënës i shkollës së madhe të publicistikës shqiptare, që nga Konica e Noli e gjer tek publicistët dhe shkrimtarët më të mirë të kohës sonë, shqiptarë e botërorë, shkruan lehtë e rrjedhshëm, me dashuri për njerëzit, por pa bërë kompromis me të vërtetën. Autori i këtij libri, në shkrimet e tij të përfshira në të, vë në spikamë shumë çështje të pazgjidhura me karakter politik, shoqëror, arsimor e kulturor në IRJM dhe jep ide e sugjerime se si duhen zgjidhur ato.

Librat si ky, prandaj, do të duhej të lexohen me kujdes jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, nxënës, studentë, arsimtarë, intelektualë e të tjerë, por edhe nga ata që kanë marrë përsipër fatin e këtij populli të urtë e të shumëvuajtur, që s’kërkon tjetër pos lirisë, bukës, shkollës dhe prosperitetit si gjithë të tjerët.

Me shpresë se një ditë mund të them ndonjë fjalë më shumë për këtë libër dhe autorin e tij, edhe një herë Ju përshëndes përzemërsisht.

Prishtinë,

28 shtator 2009 Agim VINCA